Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka folur për trajtimin e studentëve të institucioneve publike e private në Kosovë.
Në një ligjëratë me studentët e AAB-së në temën “Të drejtat dhe liritë e njeriut”, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka folur për institucionin e Ombduspersonit në Kosovë, historikun e tij, bashkëpunimin që e ka ky institucion me institucionet simotra të ombudsmenëve të rajonit dhe të Evropës, organizatave në të cilat është anëtare si dhe për rolin e saj në Kosovë.
Një ndër çështjet kryesore të shtruara në pjesën debatuese me studentët, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka folur për trajtimin e studentëve të institucioneve publike e private në Kosovë, me ç’ rast tha se të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet e tyre në një institucion privat të akredituar me ligjet e Republikës së Kosovës, nuk ka arsye të trajtohen më ndryshe me ata që kanë përfunduar studimet në një institucion publik.
“Absolutisht nuk duhet të ketë asnjë dallim tjetër përveç dallimit që bëhet sipas ligjit, në qoftë se ka ndonjë dallim të tillë. Për çdo diskriminim negativ, apo pozitiv, ne do të bëjmë çmos që ta ndalojmë”, theksoi Kurteshi.
Kurteshi ka komentuar edhe situatën e krijuar së fundmi, në lidhje me kërkesën për regjistrim në Universitetin Publik të studentëve dhe familjarëve të OVL të UÇK-së, duke bërë me dije se kanë filluar hetimet nga ana e institucionit që ai drejton në lidhje me këtë rast, dhe se ka kërkuar nga Qeveria në detyrë dhe MASHT, që të pezullojnë këtë vendim. “Çdo ndërhyrje nga jashtë që nuk është e ligjshme në punën e çdo universiteti, qoftë privat apo edhe publik, është e pa tolerueshme”, ka thënë Kurteshi.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka folur edhe për gjendjen e respektimit të të drejtave dhe lirive të personave me aftësi të kufizuar, por edhe të komuniteti LGBT. Institucioni i Avokatit të Popullit, përpiqet të jetë aktiv në këtë drejtim, dhe se ka edhe departamentin që merret vetëm me këto çështje, por që ende nuk është i kënaqur me punën që po bëhet në këtë drejtim, ka thënë Kurteshi. Ai ka thënë se në këtë drejtim, duhet të ndryshojë qasja jonë karshi këtyre komuniteteve: “Mendoj se në këtë drejtim ata si grup dhe ne si shoqëri e kemi një problem shumë të madh. Sjellja e institucioneve nuk mund të jetë tjetër se sjellja e shoqërisë”, ka thënë ai.
Avokati i Popullit të Kosovës, ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, duke theksuar se vonesat në krijimin e institucioneve janë çështje politike, por që janë pasojë e votës së qytetarëve. “Të gjithë jemi të shqetësuar me këtë gjendje. Presim me padurim krijimin e institucioneve. Megjithatë është kjo sjellje e partive politike, është pasojë e votës sonë. Nuk mendoj se është ndonjë diskriminim, por është një devalvim i politikës”, ka vlerësuar Kurteshi.
Gjatë vizitës së tij në AAB, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, u prit nga rektori i AAB-së, prof. dr. Lulëzim Tafa, nga i cili u njoftua me zhvillimet e këtij institucioni, që nga fillimi i punës, proceset e deri në ditët e sotme, si dhe është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën akademike, shkencore dhe atë hulumtuese.
Në fund të vizitës, z. Kurteshi u shpreh i kënaqur me të arriturat dhe punën që bëhet në këtë institucion të arsimit të lartë.
|