Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
LUFTIMET E 24-27 DHJETORIT 1998-të, NË TABET E LLAPASHTICËS, ZONA OPERATIVE E LLAPIT
Publikuar më 08 dhjetor, 2014 në orën 13:57 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Luftimi pozicional mbrojtës, në Tabe të Llapashticës, i forcave të UÇK-së së Zonës Operative të Llapit (ZOLL), kundër ofensivës së forcave serbe, në datat 24-27 Dhjetorit të vitit 1998, qysh në fillim mund të themi se pati vlerat e një beteje të suksesshme, e cila është e pa treguar dhe e pa trajtuar në tërësinë e saj të plotë.
Themi se luftimi në Tabet e Llapashticës pati vlerat e një beteje për të vetmen arsye se, ajo theu mitin, legjendën imagjinare, tabunë e krijuar nga propaganda e ethshme serbe si dhe nga disa pseudo-shqiptarë dhe politikanë shqiptarë pacifistë, të cilëve u kishte hyrë lepuri në bark, ndaj dhe shpreheshin se: “Policia dhe armata jugosllave është vetë Zoti, Perëndia në tokë, e pathyeshmja e papërballueshme, e pakonkurrueshmja, të cilën nuk mund ta përballojnë edhe vetë ushtria e Shqipërisë londineze”. Si e tillë, shpreheshin ata, as që mund të flitet për mundësitë përballuese nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një ushtri guerile dhe e armatosur me armët që ka ushtria serbe. Ata shpreheshin se UÇK-ja drejtohej nga persona të papjekur, që bënin një luftë aventureske e adoleshente, Marksistë-Enveristë të çmendur, patriotë fshatarë të paarmatosur, që s’kanë akademi dhe përvojë ushtarake, sikundër serbët që e fituan në Kroaci e Bosnjë. Gjithashtu, shpreheshin pacifistët dhe agjentët shqiptarë të KOS-it, ushtria dhe policia serbe ka kuadrot dhe ushtrinë numerikisht më të madhe në Ballkan dhe më gjerë dhe janë profesionalisht, ushtarakisht më të përgatiturën, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe më gjerë.

Një nga luftimet më të suksesshme të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, që theu mitin e “pathyeshmërisë” së ish-armatën serbo-sllave, është edhe ai i 24 -27 Dhjetorit e vitit 1998, i zhvilluar në ZOLL, në vijën frontale të UÇK-së, në vijën ose rajonin: fshati Gllamnik- Qershitë e Llapashticës, Tabet e Llapashticës, rruga-lagjja e Hoxhajeve, Varret e Obrançës, Peran, Bradash dhe Kërpimeh.
Në këtë drejtim, armata jugosllave ka sulmuar dhe bombarduar me të gjithë arsenalin e saj të lehtë dhe të rëndë luftarak. Qëllimi i armikut ishte: Thyerja dhe shpartallimi i formacioneve ushtarake të ZOLL-it, e cila i bënte karshillëk sypatrembur armatës jugosllave, pikërisht magjistrales kryesore të përdorur prej saj: Nish-Podujevë-Prishtinë, si dhe të realizonte dekurajimin e popullsisë së asaj zone, e cila të mos na mbështeste në atë luftë çlirimtare heroike.
Ajo rrugë magjistrale ishte me rëndësi strategjike, sepse përmes asaj rruge bëhej furnizimi i ushtrisë serbe me logjistikë ushtarake, forca dhe mjete, si drejtimi më i afërt dhe më i shkurtër i saj, duke ardhur nga thellësia e Serbisë.
Goditja kryesore e forcave serbe, kundër forcave tona që mbroheshim në rajonin e Tabeve të Llapashticës, e cila filloi në mëngjesin e datës 24 Dhjetor 1998, u dha pikërisht në vijën ballore frontale: fshati Gllamnik, Qershitë e Llapashticës, rruga Podujevë-Llapashticë, Tabet e Llapashticës, lagjja e Kastratëve, Varret e Obrançës, Peran, Bradash dhe Kërpime. Sulmi i forcave serbe ishte me intensitet zjarri artilerie të jashtëzakonshëm.
Ky luftim, me vlerat e një beteje të vërtetë ushtarake, pati veçorinë e vetë se ishte një luftim i befasishëm, i imponuar në befasi të plotë nga ana e forcave ushtarake serbe, pasi jo vetëm zbulimi ynë ushtarak nuk mundi të siguronte të dhëna, por nuk u paralajmëruam as edhe nga udhëheqësi i vëzhguesve të OSBE-së, Uilliam Uoker, i cili ishte i instaluar me njerëzit e vetë jo vetëm në Besjanë, por edhe në Prishtinë dhe në të gjithë territorin e Kosovës dhe vinte shpesh tek ne dhe në komandën e ZOLL-it. Madje edhe në mbrëmjen e një nate më parë të atij sulmi ai erdhi edhe tek komanda udhëheqëse në ZOLL.
E themi këtë, pasi këta vëzhgues të OSBE-së luanin lojën e ndërmjetësimit, informimit, palajmerimit, në këto komunikime me komandën udhëheqëse të UÇK-së dhe komandantin e ZOLL-it,Rrustem Mustafën, duke kërkuar që të largohen togjet, njësit, kompanitë e UÇK-së nga ajo vijë frontale dhe të tërhiqeshim lartë në male, duke na thënë se ato pozicione ku ne ishim përqendruar si togje, njësi, kompani, ishin thjesht një karshillëk provokues dhe i papranueshme për armatën serbo-sllave.
Komandanti i ZOLL-it, pasi e kishte dëgjuar me vëmendje dhe pa e ndërprerë fjalimin dhe këshillën e Uilliam Uolker-it, i ishte përgjigjur se do të ishte mirë që: Këtë selam dhe karshillëk t’ia çonte eprorëve të armatës serbo-sllave. “E vetmja ushtri dhe forcë ushtarake, që duhet të tërhiqet nga Kosova, është policia dhe armata serbo-sllave”, i pat thënë komandant Remi, midis të tjerave, z. Uoker. “Mirë, mirë, i pat kthyer përgjigje z. Uoker, po me këtë karshillëk kini për të pësuar goditje nga ushtria serbe”. “Ndaj dhe jemi pozicionuar në këto istikame”, i pat kthyer përgjigje komandant Remi.

Dashamir Alliu me bashkëluftëtarët, Skënder Krasniqi (Skenda), Lekson Zhubi (Leka), Afrimi etj.,dalë në afërsi të objektit të komandës së ZOLL-it në Llapashtic.

Dëshmori i kombit Ismet Derguti, me disa nga ish bashkëluftëtarët e tij në ZOLL.

















Nuk vonoi që ky parashikim i Uilliam Uolkerit të konkretizohej në praktikë, më 22 Dhjetor të vitit 1998, nga armata serbo-sllave, e përqendruar në bazën e tyre ushtarake në Dumosh.
Në mëngjesin e asaj date, ushtria serbe nxjerr nga baza e saj në fshatin Dumosh të Besjanës (Podujevë) makinerinë e rëndë të këmbsorisë së motorizuar, e shoqëruar me artileri të të gjithë kalibrave, ku kësaj kolone ushtarake i prinin një batalion tankesh, 30 tanke, dhe po aq autoblinda, duke kaluar në mënyrë demonstrative-terrorizuse përmes fshatrave me popullsi shqiptare, por dhe në rrugën periferike, si dhe në qendër të qytezës së Besjanës, (Podujevës).
Në formacione paraluftimi, forcat serbe ecin derisa arrijnë në vijën frontale të UÇK-së, nga Qershitë e Llapashticës deri në fshatrat Bradash dhe Kërpime, diku nga ora 11.00, dhe atëherë hapen në formacion luftimi, përballë pozicioneve të tona të UÇK-së së ZOLL-it, por nuk përparuan më tej. Para se të hapeshin në formacion luftimi, forcat serbe tanket, autoblindat, artileria vetëlëvizëse, nxorën dhunshëm popullsinë e pafajshme shqiptarët nga shtëpitë e tyre, ku një pjesë të tyre edhe i mbyllën, (burgosën), në bodrumet e tyre dhe i kthyen lartësitë, ndërsa forcat snajperiste i vendosën nëpër kulmet e shtëpive të tyre, në pozicione frontale kundër nesh.

Uilliam Uoker gjatë një vizite në komandën e ZOLL-it, në fshatin Llapashticë, në muajin Dhjetor të vitit 1998















Vendi, territori ku u zhvillua kjo betejë, për nga pozita, lartësia, dominimi në aspektin strategjik ushtarak, por edhe nga këndvështrimi, ishte i lakmuar dhe i destinuar detyrimisht të menaxhohej dhe kontrollohej nga çdo forcë ushtarake, nga ajo lartësi dominuese, kontrolluese në atë terren bënte mbikëqyrjen e tërë fushëpamjes përballë saj. Sipas të dhënave që mësuam nga banorët e atij rajoni, edhe në të kaluarën Tabet e Llapashticës, ku u zhvillua ky luftim, ishin pushtuar, okupuar, përdorur, menaxhuar, shfrytëzuar nga të gjitha ushtritë ndërluftuese. Si të tillë, tregonin banorët vendas, e kishin përdorur pushtuesit turq, serbët, austriakët, bullgarët, si dhe gjermanët në Luftën e Dytë Botërore. Po ashtu, e kishte përdorur ushtria serbo-sllave e ish-Jugosllavisë si bazë dhe vendqëndrim ushtarak për makinerinë e tyre ushtarake për të frikësuar e terrorizuar shqiptarët e Kosovës, gjatë protestave të në vitin 1981. Njëjtë, për qëllime ushtarake, frikësuese, terrorizuese, serbo-sllavët, Tabet e Llapashticës i kanë përdorur ushtarakisht kundër shqiptarëve edhe në vitet 1989-1990, kur ju hoqi autonominë e Kosovës, me forcë dhunshëm dhe nën grykën e tankeve dhe bajonetave serbo-sllave të ish-Jugosllavisë.
Si rrjedhojë, ajo ushtri, Tabet e Llapashticës i bëri bazë vendqëndrimi të rregullt ushtarak, ku në atë territor vendosi të gjitha llojet e armatimit të rëndë dhe të lehtë ushtarak, sepse nga kjo lartësi kontrollohej rruga, magjistralja Nish-Prishtinë, për të kontrolluar, frikësuar e terrorizuar popullatën e qytezës së Besjanës (Podujevës) dhe fshatrave rreth saj. Këtë vendqëndrim, poligon të rregullt ushtarak, forcat e armatës serbo-sllave qenë të detyruara ta lëshojnë dhe largohen me makinerinë e tyre ushtarake vetëm pas kërcënimeve të NATO-s për bombardime në muajin shtator të vitit 1998.
Pas largimit të ushtrisë serbo-sllave, në këtë pikë strategjike, ushtarake u vendosën luftëtarët e UÇK-së të ZOLL-it, të cilët, pas betejave dhe ofensivave gjatë muajve korrik - shtator 1998, që i patën kundër armatës serbe në Bajgorë - Kaçandoll etj.
Ushtarët e ish UÇK-së me komandën e saj udhëheqëse u vendosën në Llapashticë dhe fshatrat e tjera përreth, por edhe në Tabet e Llapashticës, vend në të cilin u përgatit dhe vija frontale, duke përdorur, shfrytëzuar e përshtatur istikamet, (pozicionet e nëndheshme e transhetë), të cilat i kishte hapur, ndërtuar, shfrytëzuar qysh më herët ushtria serbe, për forcat e saj vrastare dhe personelin e saj ushtarak. Ato punime ishin lënë të gatshme, të padëmtuara, ndoshta patjetër duke menduar se shumë shpejtë do u duheshin përsëri për t’u vendosur për qëllimet e ardhshme ushtarake që prisnin të zhvillonin me forcat tona të UÇK-së, sikundër dhe ndodhi.
Ditën e nesërme, më 23 Dhjetor, ushtria serbe nuk sulmoi me forca! Bëri vetëm zbulim nga ajri, si dhe zhurmimin dhe bllokimin e radiondërlidhjes sonë, duke bllokuar komunikimin tonë me komandat eprore. Ndërprerja e radiondërlidhjes ishte sinjal se sulmi me forca të shumta, dhe më i egër se i datës 22 Dhjetor, do të rifillonte qysh sa të zbardhte data e 24 Dhjetorit.
Për t’i paraprirë kësaj pengese në radiondërlidhje, Komandanti i Togës, e cila operonte dhe komandonte togën e tij në Tabet e Llapashticës, Ismet Dërguti, i kishte marrë udhëzimet, urdhëratë, itinerarin, por edhe sinjalet, informacionet në komandën udhëheqëse të zonës, që ndodhej në Llapashticë, për betejën që na priste të nesërmen e asaj dite.
Dhe, që të mos ngeleshim pa ndërlidhje, doli e nevojshme që të aktivizohej ndërlidhja me korrierë. Kështu, komandant Ismeti angazhoi korrierin e togës, duke e përgatitur dhe udhëzuar se si duhej lëvizte, itineraret dhe mënyrat e kalimit të tyre, si dhe se si të mbante mend sa më qartë porositë dhe udhëzimet e dhëna. Ai u përgatit gjatë tërë natës, për çdo të papritur, si të gjithë luftëtarët e UÇK-së në atë vijë frontale.
Ishte pikërisht ora 3.30 e mëngjesit e datës së 24 Dhjetorit të vitit 1998, kur makineria ushtarake serbe u vu në lëvizje në bazën e saj ushtarake, në fshatin Dumosh.
Kolonës ushtarake i printe përsëri një kompani tankesh dhe autoblindash, duke u nisur nga fshati Dumosh dhe vijoi rrugën me të njëjtin intensitet dhe itinerar të rrugëtimit të datës 22 Dhjetor, me të njëjtat metoda terrorizuese, derisa mbërriti përballë vijës frontale të UÇK-së. Para vijës sonë të mbrojtjes, forcat serbe mbërritën në orën 6.30 të mëngjesit.
Me kohë, ne, luftëtarët e UÇK-së, ishim pozicionuar, barrigaduar dhe prisnim me qetësi dhe sypatrembur të përlesheshim me makinerinë e tyre të stërmadhe ushtarake e të blinduar.
Pjesa më e madhe e luftëtarëve tanë të UÇK-së ishin me agjërim. Sepse ishte muaji i Ramazanit dhe nuk ishin të ushqyer, siç ishin në realitet ushtarët dhe paramilitarët serbë, ushqyer të alkoolizuar dhe droguar. Por, edhe pse ishin të ushqyer e të droguar, ushtarët serbë përsëri nuk kishin motivin moral për të luftuar me vetëmohim, sikundër ne, që luftonim dhe sakrifikonim deri në vetëmohim. Kjo ishte edhe arma jonë më e fuqishme dhe që u demonstrua ditën e 24 Dhjetorit të vitit 1998.
Rrugët nga Cigllana drejt lagjes së Kastratëve dhe Duriqve, që shkonin në Tabet e Llapashticës, ku ishin barrikaduar luftëtarët e UÇK-së, ishin të parat kur filluan luftimet, granatimet, gjuajtjet me tanke dhe autoblinda etj., në orën 6.30 të mëngjesit të 24 Dhjetorit të vitit 1998.
Vlen të përmendet dhe ceket se edhe kushtet klimaterike në këtë betejë për luftëtarët e UÇK-së ishin të pafavorshme dhe ekstremisht të ftohta, nën temperaturat minus 24-27 gradë celsius, ku dëbora e rënë ato 2-3 ditët e fundit para betejës edhe gjatë natës së 23 Dhjetorit kish arritur gati në një metër. Çuditërisht, forcat serbe gjatë afrimit drejt pozicioneve tona, nuk gjuanin, vetëm ecnin me një temp të ngadalshëm, frontalisht, në mënyrë të njëkohshme drejt pozicioneve tona, me sa duket për të na frikësuar sa më shumë.
Zjarri ynë parandalues, i furishëm, për të ndalur afrimin e mëtejshëm, shkatërrimin e makinerisë së tyre vrastare, filloi me të gjitha armët që ne dispononim. Zjarri ynë filloi kur ato forca mbërritën në rezen më të efektshme të armëve tona të krahut dhe atyre kundërtanke. Këto të fundit i kishim të pakta në raport me sasinë e tankeve dhe mjeteve të tjera të blinduara që kish armiku, ndaj dhe i përdorëm me kursim maksimal.
Me të filluar zjarri ynë kundërtank, makinerinë luftarake serbo-sllave e kapi paniku. Nuk e prisnin atë lloj reagimi nga ne. Ndaluan ecjen dhe filluan të sprapsen, për të dalë nga rezia e armëve tona kundërtanke, duke përdorur si mburojë zjarr të fuqishëm artilerie dhe e strehuan këmbësorinë në shtëpitë e shqiptarëve dhe të serbëve që ndodheshin përballë kësaj vije frontale, duke i futur tanket dhe autoblindat e tyre në oborret ose pas këtyre shtëpive, ndërsa ushtarët nëpër familjet e tyre, gjë që mbroheshin nga zjarri ynë.
Njëkohësisht ata filluan edhe të na kundërpërgjigjen me arsenalin e tyre të të gjitha kalibrave që kishin dislokuar përballë kësaj vije frontale dhe pasi kishin identifikuar dhe vënë në shënjestër të gjitha pozicionet e zjarrit të UÇK-së, nga u kishte ardhur zjarri kundërpërgjigjes nga armët efektive kundra tanke të luftëtarëve të UÇK-së. Filluan të zbrazin urrejtjen, duke granatuar të gjitha pozicionet tona të UÇK-së, duke mos lënë pa granatuar, me të gjithë arsenalin e tyre të rëndë, edhe shtëpitë dhe popullsinë civile, që ndodhej në afërsi të kësaj vije frontale, si dhe në thellësi të këtij territori, që kontrollohej nga UÇK-ja.
Luftëtarët tanë vazhdonin të rezistonin në pozicionet tona tokësore e nëntokësore, të cilat i kishin hapur vetë, duke modifikuar dhe përshtatur edhe ato istikame, që na i kishte lënë armiku gati të gatshme, pas tërheqjes pak muaj më parë, nga kërcënimet që pat bërë NATO për bombardim në muajin Shtator.
Duke parë se rezistenca jonë ishte e pathyeshme dhe këmbëngulëse, atëherë, udhëheqësit ushtarakë serbë ndryshuan taktikën, duke vënë në zbatim planin ushtarak “Pyka”, që nënkupton përqendrimin e sulmit dhe granatimit në një pozicion të vetëm të pozicioneve tona mbrojtëse, të kësaj vije frontale. Me të depërtuar në këtë pikë, më pas i hapet rruga dhe futet, depërton me makinerinë e motorizuar e të rëndë luftarake në thellësi të mbrojtjes sonë. Për këtë qëllim, armiku futi në luftim një kompani tankesh dhe autoblindash që ishin jo më pak së 30 të tillë, duke u përpjekur që të na marrin neve krahët dhe shpinën e pozicioneve tona mbrojtëse, në vijën frontale nga Qershitë e Llapashticës, Tabet e Llapashticës e më gjerë.
Këtë taktikë sulmi, armiku e praktikoj dhe e vuri në zbatim pikërisht pas disa orë luftimesh të pasuksesshme nga ana e tij. Në atë drejtim, ku armiku vuri në zbatim këtë taktikë të tij, luftonin forcat tona të komanduara Bedri Ahmeti, tashmë dëshmor.
Mbi këtë pozicion zjarri barrikadus të UÇK-së u shtua intensivisht edhe granatimi i artilerisë së tankeve, krahas gjithë llojeve të tjera të armëve, që kishin dislokuar në këtë betejë, edhe pse forcat kryesore të këmbësorisë dhe të tankeve e artilerisë u përqendruan në drejtim të pozicioneve ku mbrohej nënreparti i komanduar nga Bedri Ahmeti. Edhe pozicionet e tjera të UÇK-ës në këtë vijë frontale ishin në të njëjtin intensitet granatimesh dhe bombardimesh nga mortajat e kalibrit më të rëndë, të kalibrit 120 milimetërsh.
Krahas gjithë këtij zjarri të jashtëzakonshëm, gjuanin edhe forcat e tyre snajperiste, të cilat ishin pozicionuar përballë pozicioneve të UÇK-së, në shtëpitë, ndërtesat dhe lartësitë më dominuese, nga ku mund të shikoheshin e kontrolloheshin lëvizjet tona dhe të eliminoheshin luftëtarët e UÇK-së në pozicionet e tyre gjatë luftimeve.
Njëkohësisht, artileria serbe, e pozicionuar prapa forcave të veta, hapte zjarr edhe në thellësi të mbrojtjes sonë me qëllim që të pamundësohej ardhja e ndihmave tona me forca e armatim kundërtank nga komanda jonë eprore.
Armët tona kundërkëmbsorie dhe kundërtanke, të përdorura nga efektivët të komanduar nga Bedri Ahmeti, Ajet Potera, Ismet Dërguti, Xhevdet Zejnullahut etj., i dogjën dhe i nxorën jashtë luftimit në betejat e 24-27 Dhjetorit të vitit 1998, jo më pak se diku 12-13 tanke, autoblinda dhe mjete të tjera luftarake, si dhe një sasi jo të vogël ushtarësh. Forcat tona mbroheshin, lëviznin, por edhe i sulmonin në krahë, kur forcat e armikut mundën të depërtonin në shpinë të tyre, duke bashkëvepruar me skuadrat e tjera të togës sonë, e në mënyrë të veçantë me skuadrën e komanduar nga Ajet Potera, tek vendi i quajtur Qershitë e Llapashticës. Njësi e UÇK-së e cila ua bëri të pamundur depërtimin, armatës serbo-sllave që të bënte krah-shpinë marrjen e pozicioneve të UÇK-së, tek vendi i quajtur Qershitë e Llapashticës, dhe me skuadrat ku qëndronte komandanti togës, Ismet Dërguti, tek lagjja e Kastratëve dhe tek rruga për në lagjen e Duriqve.
Për sa i përket përdorimit të këmbësorisë, atë armiku nuk e futi në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftime, por në mënyrë të tërthortë, jo ballë-përballë, por duke përdorur për këmbësorinë tanket dhe autoblindat e tyre, si dhe snajperistët, mitraljerët etj., të vendosur në pozicione të hekurta e të lëvizshme përballë kësaj vije frontale, që mbrohej me vetëmohim nga luftëtarët e UÇK-së, si dhe në çatitë e shtëpive përballë.
Autoblindat dhe tanket kishin hapësirë midis tyre, 15-20 metra, prapa të cilëve lëvizte këmbësoria serbe, duke qenë kështu shumë e mbrojtur nga zjarri i armëve tona. Po kështu, nëpër autoblinda ishin vendosur edhe mitraljerë e snajperistë. Një pjesë e këmbësorisë sulmonte duke u pozicionuar pas 1 apo 2 tankeve të armatës serbe, e cila u hapte rrugën për të avancuar drejt nesh, e cila ishte një barrikadë e hekurt, mbrojtëse për këta këmbësorë, snajperistë e mitraljerë të fortifikuar dhe mbyllur në këto mbrojtëse çeliku.
Përveç këtyre armëve, armiku përdori kundër pozicioneve tona edhe artilerinë kundërajrore vetëlëvizëse, të njohura me emrin “Praga”, (prodhim çek), të cilat ishin topa kundërajrorë dy dhe katër tytës, të kalibrit 30 dhe 37 mm. Kjo lloj arme është jashtëzakonisht e fuqishme dhe shumë e efektshme kundër këmbësorisë, sikundër ishim ne në këtë rast, pasi jo vetëm që predhat e tyre kanë depërtueshmëri të madhe jo vetëm në blindë e në beton, por ato armë bëjnë zjarr automatik, duke siguruar kështu një prodhueshmëri të lartë zjarri për njësinë e kohës, duke na detyruar neve që të uleshim nëpër pozicione, (transhe), për gjatë gjithë kohës që vijonte zjarri i tyre. Mirëpo, kjo mbrojtje nga ana e jonë favorizonte këmbësorinë armike të na afrohej edhe më shumë. Për ta ndaluar këmbësorinë e armikut, në këto kushte, neve na lypej që të mos e përfillnim edhe zjarrin e “Pragave” dhe të hapnim zjarr masiv kundër tankeve që afroheshin, për ta shkëputur këmbësorinë e tyre prej tankeve. Këto dalje të shpeshta tonat na shkaktuan humbje të mëdha dhe kryesisht nga zjarri i “Pragave”. Duke qenë se edhe ne ishim të detyruar të hapnim zjarr të shpejtë e të dendur, si me armët e krahut edhe me ato kundërtanke, kuptohet që filluam të ndjenim mungesën e municioneve, gjë që filluam ta dobësonim mbrojtjen.
Predhat kundërtanke na ishin harxhuar dhe ndihma, mbështetja dhe furnizimi me predha të tilla ishte i pamundur të na vinte në ato momente, për shkak të granatimeve, bombardimeve të pandërprera që po bënte artileria e armikut me mur zjarri në shpinë dhe më në thellësi të pozicioneve tona.
Pikërisht në këto momente të pavolitshme, pa asnjë lloj zgjidhje apo rrugëdalje për ushtarët e UÇK-së, ushtria serbo-sllave u përforcua me tanke dhe autoblinda të tjerë, të cilat mundën të depërtojnë në pozicionet tona mbrojtëse. Depërtojnë dhe pothuajse na bëjnë krah dhe shpinë marrje nga të dy krahët e forcave tona, majtas e djathtas, edhe pse ne vijonim të rezistonim me vetëmohim. Pikërisht në këto momente triumfi për armatën serbo-sllave, luftëtari Isa Havolli ua ngrin në buzë dhe fytyrë buzëqeshjen, krenarinë, triumfin e tyre momental, me aktin e tij heroik dhe tepër të rrallë. Ai ribën, ringjall, rikonkretizon, rifreskon heroizmin e heronjve shqiptarë si të Selam Musait, Mic Sokolit e Vojo Kushit. Trimi Isa Havolli, trupin dhe shpirtin e tij të pamposhtur luftarak, e kthen në armë vdekjeprurëse kundrejt armatës serbo-sllave, në ato momente, në Tabet e Llapashticës.
Kur ai dhe bashkëluftëtarët e tij e panë se u ishin mbaruar predhat anti-tanke, ai i urdhëron bashkëluftëtarët e tij, (që për nga mosha ishin shumë më të rinj, moshatarë të fëmijëve të tij), i urdhëroi që të lëshojnë pozicionet dhe të tërhiqen urgjentisht më në thellësi, pasi ishte e pamundur që ato të mbaheshin dhe mbroheshin më tej, në kushtet e mungesës së municioneve.
Fillimisht luftëtarët nuk po i bindeshin (kështu tregonin bashkëluftëtarët e tij, pasi atij komunikimi të fundit që kishin pasur me të). Atëherë ai i urdhëron me tonë kërcënues që të largoheshin, duke i urdhëruar që të mbijetojnë, mos të vriten në këtë betejë, që më pas të kenë mundësinë të marrin hak e të vazhdojnë betejat dhe luftën kundër ushtrisë serbo-sllave.
Dhe, kur luftëtarët e tij filluan të tërhiqeshin me grupe dhe një nga një, Isa merr në duar grupin e granatave kundërtanke dhe kundër këmbësorie, të cilat i kishte lidhur qysh më herët, gjatë kohës së luftimit, ku njërës prej tyre i kish hequr siguresën dhe si një shqiponjë sypatrembur, që pret gjahun e saj me gjakftohtësi, e pret kolonën e tankeve, autoblindave që po i afroheshin në istikamet e tij. Porsa tanku i parë kalon transhenë e tij, ai del nga istikami dhe me grupin e granatave në dorë i hipën tankut lartë, në kupolë, ngre kapakun nga hyn tankisti dhe ekuipazhi i tij dhe e asgjëson efektivin e tij me bombat e dorës, si dhe vetë tankun e nxjerr jashtë luftimit, ku bie edhe vet heroikisht, triumfalisht, për të mos vdekur kurrë në memorien e kombit shqiptar.
Megjithëse, serbët kishin pësuar humbje, disfatë, deri në këto momente që po zhvillohej kjo betejë e pabarabartë në armatime dhe në forca, përsëri ata vijuan sulmin, por ne nuk u dekurajuam, po bënim tërheqje të organizuar edhe pse makinerinë luftarake ata e kishin të panumërt. Si rrjedhojë e tërheqjes sonë, forcat armike avancuan, depërtuan dhe i morën pozicionet tona në rrugën hyrëse Podujevë-Llapashticë, duke u vendosur kështu në pozita më superiore dhe më të volitshme në raport me pozicionet frontale të UÇK-së, të cilat tashmë ishin të pamundura të mbaheshin, sepse armata serbe me tanket dhe autoblindat filloi njëkohësisht marshimin, granatimin, bombardimin edhe nga krahët anësorë dhe pas shpinës së pozicioneve tona të UÇK-së, në Tabe të Llapashticës. Tash edhe pse luftimet u intensifikuan edhe më shumë nga ana e jonë, përsëri forcat serbe filluan të avanconin dhe depërtonin në Tabe të Llapashticës, edhe në pozicionet ku luftonin ushtarët e komanduar nga Komandanti i togës, Ismet Dërguti.
Pozicionet e zjarrit të UÇK-së, të cilat ndodheshin përballë qytezës së Besjanës (Podujeva) dhe fabrikës të prodhimit të tullave-blloqe, e cila thirrej nga banorët me emërtimin Cikllana, ishin pozicionet rezervë, të cilat u zunë nga ushtarët e komanduar nga Ismet Dërguti, pas tërheqjes së parë. Me predhat e tyre anti-tanke, por të pakta në numër, të quajtura OS-a, i përdorëm nga këto pozicione, duke siguruar tërheqjen e efektivit tjetër të togës dhe të formacioneve të tjera tonat, majtas e djathtas.
Pikërisht në këtë situatë të vështirë për forcat tona, ishte e pamundur që të rezistonim më tej, ndryshe do të ishim asgjësuar të gjithë, bashkë me komandantin e togut Ismet Dërguti, Miftar Zejnullahu, Lulzim Jasharin dhe Skënder Zejnullahu. Prandaj, mbajtja e mëtejshme e këtyre pozicioneve nga luftëtarët e UÇK-së, në Tabe të Llapashticës, do të ishte aventurizëm. Tërheqja ishte domosdoshmëri, pasi serbët kishin depërtuar nga të gjitha drejtimet me makinerinë e tyre vrastare më të fuqishme të kohës.
Në këtë luftë frontale e shumë të ashpër të pabarabart në çdo aspekt të saj, në Tabet e Llapashticës, u angazhuan të gjithë: luftëtarët e UÇK-së në ZOLL, vullnetarët fshatarë, por dhe popullata civile e atyre fshatrave në përgjithësi, duke ndihmuar me gjithçka, por në veçanti, si dhe komanda e ZOLL-it në tërësi të saj, dhe vet komandanti i zonës së ZOLL-it Rrustem Mustafa (Remi), Latif Gashi (Lata), Nuredin Ibishi (Leka), Kadri Kastrati (Daja), Fatmir Humolli (Baci), Komandanti i Logjistikës së ZOLL-it Hamit Hamiti (Bali), Zëvendëskomandantët e Logjistikës së ZOLL-it Faik Jashari, Naim Fetahu etj., duke luftuar deri në vijën e parë të frontit të asaj përpjekjeje heroike.
Diku, nga pasditja e asaj ditë-beteje të 24 Dhjetorit të vitit 1998, në orët e mbrëmjes, intensiteti i luftimeve filloi të bjerë, deri në një armëpushim të pa-komunikuar dhe të pashkruar nga të dyja palët kundërshtare, që luftonin në atë betejë. Sikundër e kam thënë edhe më herët, serbët u shmangeshin luftimeve natën. Megjithatë, ne, luftëtarët e UÇK-së, vazhdonin të mbanim dhe fuqizonin pozicionet e luftimit në këtë vijë frontale, duke u përforcuar me njerëz dhe municione.

Të njëjtën taktikë që ushtria serbe përdori më 24 Dhjetor: depërtimi dhe avancimi me tanke dhe autoblinda, artileri, granatime, ajo u mundua ta vërë në zbatim edhe në datën 27 Dhjetor, tek vendi i quajtur Varret e Obrançës, duke u munduar të na merrte krahët-shpinëmarrjen dhe të na delte në shpinë, tek Tabet e Llapashticës, ku ishim rivendosur përsëri, duke i riparuar, përforcuar pozicionet gjatë natës, ku u ri-përforcuam si njësi edhe më luftëtarë të tjerë të UÇK-së të ZOLL-it, duke u komanduar e udhëhequr Ram Arifaj (Majori), dhe nga Refik Jashari (Kika), Xhevdet Zejnullahu (Xheti). Por, në të njëjtën vijë fronti të UÇK-së, në ato beteja, ofensiva, intervenoj dhe u vendos si njësi e rregullt frontale edhe njësia tjetër elitë, komando speciale e ZOLL-it, e ushtruar, përgatitur nga ushtaraku i karrierës, eprori i UÇK-së, Nuredin Ibishi. Kjo njësi speciale e UÇK-së në ZOLL, e cila u vendos tek lagjja e Hoxhajve, komandohej edhe nga Fatmir Sfishta (Sala).
Të gjitha këto pika dhe pozicione të UÇK-së, përball Tabeve të Llapashticës, komandoheshin dhe udhëhiqeshin nga Ylmi Havolli, Bedri Ahmeti, Ali Poterja etj. Kurse, vazhdimësia e vijës frontale, e thirrur, identifikuar: si lagjja e Hoxhajve, komandohej udhëhiqej tashmë, nga Ramë Arifaj (Majori), Refik Jashari (Kika) pas betejës së 24 Dhjetorit.
Luftimet e zhvilluara në 27 Dhjetor midis forcave tona në Tabet e Llapashnicës dhe ushtrisë serbe ishte një ri-përsëritje nga ana e serbëve e betejës së dështuar, të humbur tre ditë më parë, më 24 Dhjetor. Ofensivën ata e nisën midis orëve 10.00 dhe 11.00 të 27 Dhjetorit, pikërisht në këto momente ne sapo kishim marrë dhe tërhequr nën gjuajtjet e snajperistëve serbë, dy trupat e rënë të bashkëluftëtarëve tanë në Tabet e Llapashticës, tek vendi i quajtur lagjja e Kastratëve, dhe porsa i patëm vendosur trupat e tyre në xhaminë e Llapashticë, në oborrin e saj, ku në afërsi të xhamisë ndodhej e vendosur edhe komanda e ZOLL-it. Në ato momente ne po bënim ceremoninë, nderimet ushtarake. Dhe ofensivën armata serbo-sllave e nisi fillimisht me granatime nga mortajat e tyre të kalibrit më të rëndë, dhe gjuajtjen me tanket e tyre kundrejt pozicioneve të UÇK-së, të vendi i quajtur Varret e Obrançës. Kjo vij frontale e UÇK-së në ZOLL, megjithëse u granatua e u bombardua edhe me mortaja 120 milimetërshe, dhe me gjuajtje nga tanket, pragat autoblindat e ushtrisë serbo-sllave. Zjarrit të tyre, njësit, kompanitë e UÇK-së, iu përgjigjëm me zjarr, ndaj dhe u tërhoqën edhe në këtë tentativë të dështuar të dytë të tyre, me shkatërrime të makinerisë së tyre luftarake dhe me të vrarë e të plagosur. Gjatë luftimeve të kësaj date më 27 Dhjetor, ra dëshmor mësuesi, ish-vullnetari luftëtari i UÇK-së, Remzi Demolli, tek vendi i quajtur, varret e Obrançës.
Serbët e kishin lokalizuar, konstatuan vendndodhjen e komandës së ZOLL-it dhe e granatuan edhe atë pikë-objekt, por fatmirësisht udhëheqësit e ZOLL-it ishte larguar me kohë nga ai lokacion dhe nga ai objekt ku kishin qenë të vendosur gjatë luftimeve të datës 24-27 Dhjetor.
Duke u tërhequr serbët, në betejën-ofensivën e 27 Dhjetorit, e zhvilluar tek Varret e Obrançës, në fshatin Peran-Obranç, (i cili ishte i banuar edhe me popullatë serbe), armata serbo-sllave, vendosi tanke dhe autoblinda, njëjtë si në Tabet e Llapashticës, në rrugën Podujevë-Llapashticë.
Në këtë betejë legjendare, titanike të ish UÇK-së, u thye miti i rrejshme se gjoja ushtria serbo-sllave është e pathyeshme dhe e pabërballushme jo vetëm në Ballkan, por në Evropë dhe më gjerë.
Gjatë luftës disa ditore në Tabet e Llapashnicës, por edhe në ditët, muajt në vazhdim të atyre luftimeve në vitin1999-të, betejave, ofensivave në ZOLL, ranë dëshmorët në përjetësi, edhe këta dëshmor, Fatmir Selmani, Jetullah Kastrati, Avni Selmani etj, për të mos vdekur kurrë, në panteonin dhe kujtesën e përjetshme kombëtare të kombit shqiptar, të Zonës Operative të Llapit.

DASHAMIR ALLIU


Përmendorja, Obelisku, Përkujtimor i ndërtuar në Tabe të Llapashticës, dedikuar dëshmorëve të rënë në betejën, ofensivën e 24-27 Dhjetorit të vitit 1998.






















Dashamir Alliu, ish-vullnetar në UÇK - Zona Operative e Llapit.















Shkruar-Artikuluar nga Kryetari i shoqatës Atdhetare ,, Zyber Alliu,, Komuna Hotolisht Rrethi Librazhd-Shqipëri Dashamir Alliu, ish-vullnetar në UÇK - Zona Operative e Llapit.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 103 vizitorë
Lexuar: 3,342 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi