Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Dorëheqja partiake e Margaritës si JO-ja e Margaret Thatcher (Iron Lady)!
Publikuar më 21 dhjetor, 2014 në orën 20:28 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Barometri diplomatik

*** Mbështetja aktive, roli përfaqësues demokratik, avancimi dhe barazia e femrave shqiptare në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe demokratike, duhet të jetë objektiv i rëndësishëm, detyrë dhe preokupim i përherhshëm i shoqërisë demokratike multietnike dhe pluraliste, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në hapësirat e Shqipërisë Etnike në Ballkan.

*** Liria e fjalës, mendimi ndryshe, drejtësia dhe demokracia mbi të gjitha, jo partia, as kulti i individit, qoftë i vjetër a i ri, s’ka rëndësi “letërnjoftimi” i tij, sepse shfaqja dhe përqafimi i këtij fenomeni të shëmtuar, është shprehje e mungesës së vetëdijes dhe e kulturës politike, si dhe dëshmi e sundimit të diktaturës së egër komuniste staliniste, që ngulfat dhe vret çdo ide, vetiniciativë, shprehje të lirë dhe veprim progresiv demokratik të individit. Ky koncept është i papranueshëm jo vetëm për individin, por për çdo rend demokratik dhe për çdo parti politike demokratike, pavarësisht nga emërtimi i saj formal (djathtiste, majtiste, centriste etj.).

***Kosovës nuk i duhen “pula të qullosura” vetëm për nga numri statik dhe i improvizuar, të trembura, që “fluturojnë kah fryn era”, por femra të edukuara, të emancipuara, me vetintegritet, të ditura, largpamëse, të guximshme dhe të prera në marrjen e vendimeve të tyre të drejta, racionale dhe të dobishme, gjithnjë në shërbim të interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të Kosovës, jo për promovimin e interesave personale, grupore, klanore, partiake të ngirtjes dhe të mitizimit të kultit të individit, siç po ndodhë qe më se dy dekada në skenën politike shqiptare në Ballkan. Çdo kult i individit, duhet të shkallmohet, sepsi ai është sëmundje endemike, që shkatërron ndërgjegjën, etikën dhe humanizmin e njeriut si qenie njerëzore, mohon barazinë, solidarësinë, drejtësinë, lirinë dhe demokracinë, si dhe bren interesat jetike të qytetarit dhe të shoqërisë.

Më mirë të jesh jashtë çdo partie, jashtë qeverie, jashtë parlamenti dhe jashtë presidence, sesa vasal, kurrizthyer, memec, miop dhe hyzmeqar i tyre, krejtësisht i poshtëruar dhe i pavlerë. Instrumentalizimi, nënshtrimi, varësia, ndërvarësia dhe vasaliteti, janë forma më të zhveshura të personalitetit të një njeriu në një shoqëri, pavarësisht nga rendi i saj politik. Ndaj, për të ndryshuar gjendjen dhe statusin e individit në një shoqëri të tillë, është e domosdoshme, të ndërmirren hapa konkret pozitivë politikë nga ana e forcave shoqërore politike progresive, reformuese dhe demokratike, sepse ndryshe, nuk mund të përcaktohet roli dhe pozita e individit brenda tyre.

Dorëheqja, akt moral dhe demokratik

-Deputetja e pavraur e Kuvendit të Kosovës, Margarita Kadriu, pothuaj se dy dekada të shkuara, e njohur si biznesmene dhe menxhuese e suksesshme, kryesisht në fushën e masmediave me gazetën e saj “Kosova Sot”, tanimë, u bë edhe më e njohur me parimësinë dhe me vendosmërinë e saj politike në shërbim të ineteresave të qytetarit, kur para disa ditësh, i tha, JO “nënës parti”-PDK-së, pa bërë 7 muaj stazh në postin si nënkryetare e saj.

-Ja arsyetimi, pse Margarita Kadriu ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së PDK-së: “…periudha 6 mujore e angazhimit tim në PDK më ka dëshmuar dhe krijuar bindjen e plotë se për një NDRYSHIM pozitiv në interes të qytetarëve nuk ekzistojnë as më të voglat mundësi, së paku jo në këtë kohë dhe në këto kushte veprimi. Më 14 maj 2014 e kam theksuar se në politikë nuk po hyj për të marrë një karrige dhe për të sistemuar veten në një post, por për të kontribuar në të mirën e qytetarëve, andaj duke i parë gjërat për se afërmi gjatë kësaj periudhe 6 mujore, u binda se nuk ka asnjë mundësi për të ndryshuar gjërat për të mirë.Nga sot nuk jam dhe nuk do të jem pjesë përbërëse e Partisë Demokratike të Kosovës.(8 dhjetor 2014)”.( http://www.telegrafi.com/lajme/margarita-kadriu-ike-nga-pdk-ja-sepse-nuk-po-veren-ndryshime-pozitive-ne-interes-te-qytetareve-2-54845.html/08/12/2014/).

-Aferim, që në fillim (pa bërë 7 muaj stazh), deputetja Kadriu arriti ta “nuhas” dhe ta deshifrojë (pa u mashtruar dhe pa u gabuar politikisht) përmbajtjen e hermetizmit dhe të centralizmit politik të PDK-së. Ashtu, sikurse Margarita Kadriu, për shkak të mospajtueshmërisë së tyre me kreun e PDK-së, patën ikur edhe figurat kryesore të saj, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe Hydajet Hyseni, të cilët formuan subjektin e tyre politik “Nisma për Kosovën”, e cila nga zgjedhjet parlamentare të Kosovës së 8 qershorit 2014, fitoi 5.5% të votave dhe 6 deputetë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Ky vendim racional, i guximshëm, dhe krejt demokratik I deputetes Margarita Kadriu, të rikujton këtë maksimë të filozofisë politike dhe pragmatike të Charles de Gaulle-it, kur thotë se: ”politikan i urtë, vizionar dhe i ndërgjegjshëm, është ai, që është në gjendje, të vlerësojë momentin oportun politik se, kur duhet ikur nga posti i pushtetit, jo të pres fshesën e hekurt, të impnuar nga të tjerët”.

Për hir të mbrojtjes së parimit dhe të interesit të përgjithshëm të qytetarit dhe të Kosovës, M. Kardriu, nuk pranoi që të luante rolin e një kukulle dekorative politike të simuluesve demokratë (djathtistë) të PDK-së, por, pa ia filluar karrierës së saj politike, me arsye dhe me vendosmëri, i tha, JO kësaj partie.

Ky vendim i drejtë dhe i peshuar politikisht i kësaj deputeteje të re të Kuvendit të Kosovës, dëshmon se kjo di të mendojë dhe të veprojë me kokën e vet, jo me kokën e huaj, se çfarë dirigjojnë dhe i imponojnë “suflerët” e tjerë të dëgjueshëm dhe të “disiplinuar” vetëm për interesa të ngushta të një partie. Me të tillët, nuk mund të pritën kurrfarë reformash thelbësore dhe ndryshimesh pozitive, në asnjë segment të jetës politike, ekonomike, sociale, zhvillimore, të zhdukjes së varfërisë, të papunësisë, të korrupsionit dhe të krimit të organizuar etj.

Ky shembull pozitiv i Margarita Kadriut, dëshmon se gjenerata e re nuk pranon, as nuk njeh shabllone, gracka dhe interesa të primitivizmit mahallor, nahijor, miqësor, partiak, ideologjik, të njëmendësisë dhe të “leksioneve” idoelogjike të sistemeve të dikurshme diktatoriale dhe totalitare komuniste.

JO – ja e deputetes së pavarur M. Kadriu në “stilin” e ish-kryemenisitreshës së shquar britanike Margaret Thatcher, është plotësisht akt moral, i ligjshëm dhe demokratik, sepse në demokraci, secili qytetar gëzon të drejtën që të zgjedhë atë që është në interesin e tij, atë që është e drejtë, e pranueshme dhe e dobishme për interesin e përgjithshëm, jo t’u nënshtrohet diktatit dhe servilizmit të grupeve dhe të klaneve brendapartiake “partia dhe kulti i individit mbi të gjitha dhe, para së gjithash” (!)

Këta recidiva negativë antidemokratikë, që i përkasin terrinës së rendeve të perënduara komuniste bolshevike në “shpërlarjen e trurit”, në ndrydhjen dhe në mohimin e mendimit, të shprehjes, të fjalës dhe të bindjes ndryshe, sot, në erën e globalizmit të rendit të ri botëror, nuk i ha as “pazari” i integrimeve euroatlantike, sepse u ka sakduar afati i përdorimit, që nga përfundimi i luftës së ftohtë me përmbysjen e përjetshme të sistemit komunist boleshvik rus (1990).

Kështu, sikurse Margarita Kadriu e guximshme, e palëkundur në bindjen e saj ndryshe, dhe e prerë në marrjen e vendimit të saj të drejtë të tërehqjes nga PDK-ja,me gjasë, do të kishte vepruar, edhe ish-kryeministresha e suksesshme në drejtimin shtetëror politik të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher (Iron Lady).

Ndryshe, nuk ke se çfarë të kërkosh në asnjë parti politike, sepse as partia, as qeveria, as parlamenti e as presidenca, nuk kanë nevojë për “pula të qullosura” të dëgjueshme dhe të disiplinuara nga ndonjë “bos” a grup partiak, por për kuadro të guximshme, të ditura, vizionare, parimore dhe të ndërgjegjshme, me vetëpërgjegjësi dhe me integritet, të edukuara dhe të arsimuara, që me dije dhe me dinjitet të pathyer, të mbrojnë interesin e përgjithshëm të popullit dhe të Kosovës.

Vetëm jetësimi i një objektivi të tillë në favorin e interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të Kosovës, do të çonte përpara në ndryshimin e status quo-s së mjerueshme ekonomike, politike, sociale dhe demokratike të vendit.

Ndryshe, jo, sipas kushtëzimeve, shpërfilljes. diktatit, kërcënimeve dhe shantazheve ideologjike politike, nepotiste dhe oligarkike, nuk mund të ketë kurrfarë ndryshimesh pozitive të reja në shoqërinë e sotme multietnike dhe pluraliste kosovare, të shpallur demokratike dhe të lirë për të gjithë qytetarët e saj.

S’ka asnjë dyshim se, paradigma e deputetes së re të pavarur të Kuvendit të Kosovës, Margarita Kadriu, flet ndryshe nga klishet stereotipe despotike të varësisë dhe të ndërvarësisë instrumentalizuese politike.

Ky shembull është inkurajues dhe shpresëdhënës për mbrojtjen dhe kulitivmin e shprehjes së mendimit ndryshe, të binjdes dhe të fjalës së lirë, që janë alfa dhe omega e demokracisë së një shoqërie të civlizuar dhe të përparuar në frymën evropiane perëndimore dhe të Amerikës demokratike.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 44 vizitorë
Lexuar: 985 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi