Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Botëkuptimet dhe morali mbi tradhtinë në dashuri
Publikuar më 05 janar, 2015 në orën 01:03 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Etapa ose edhe periudha të gjata kohore, civilizime dhe grupe brenda tyre, përfshijnë botëkuptime të ngjashme por edhe diametralisht të kundërta morale dhe etike mbi tradhtinë në dashuri. Derisa në një komunitet nuk dënon një akt, te tjetri ai konsiderohet si i pahije e tek i treti si akt i dënueshëm moral e më tutje, edhe i dënueshëm ligjor, sidomos nëse vjen gjer në shkurorëzim, pala «tradhtuese» detyrimisht shpallet fajtore.
Kuptimi tradhti si ndjenjë dhe si botëkuptim, ka pësuar më së shumti ndryshime nga të gjitha «sensacionet» që formojnë personalitetin si unikat dhe atë grupor.

Duhet venduar në përpjesëtime të posaçme shkallët dhe llojet e tradhtisë pasi se ajo nuk mund të shihet si pjesë e uniformizuar. Së pari ajo është refleks i mësuar; bënë pjesë në edukimin e nxënë duke bërë vend kështu, në karakterin vetanak që mandej, vlerësohet e përjetohet veçmas nga çdokush.

• Shikimi

Tradhtia fillon nga sytë, kalon në zemër e në akte


Njohim për së afërmi fisnikërinë e femrës që nuk e ngrinte shikimin nga toka byle as për të shikuar bashkëshortin e vet në praninë e personit të tretë. Çdo shikim «në qiell» interpretohej si i padenjë e hap drejt tradhtisë, në mos edhe tradhti, sidomos nëse shikohej në sy një person i panjohur ose shum pak i afërm nga gjaku. Dihet botërisht se në pjesën më të madhe, gjesti i shikimit ngultas i ndalohej femrës që potencialisht bënte nga ajo person që ecte në kufijtë e tradhtisë, ndikuar këtu nga disa herë edhe nga xhelozia e doku (kodi) i mirësjelljes. Natyrisht se për formimin etik të grupit luajnë rol shum faktorë shoqëror, para se gjithash faktori – instinkt i mbrojtës dhe është gabim të cilësohet si frikë. Nëse frikë ka, ajo është e arsyeshme kur të kihet parasysh, koha dhe kushtet ku zotëronte kjo dukuri dhe ky kuptim mbi moralin dhe tradhtinë.
Sot akoma shikimi merr përmasa të forta tradhtie dhe jo më në ngritjen e shikimit por në formën shprehëse që i jepet nga subjekti. Kjo tani vlen për të dy gjinitë dhe kështu fillon barazimi i vlerave.

Nëse nisemi nga fakti se syri është shqisa e parë nga e cila fillojnë ngacmimet e jashtme drejt personit, atëherë do të pajtohemi se përmasat që lindin dhe rrethojnë ndjenjat janë më të prekurat nga dhe më të ndishmet. A nuk thuhet që nga mijëra vite e këndej se syri është gjithmonë i unët, syri nuk ngopet kurrë, syri mashtron, mandej luajtja e syrit, përpëlitja e syve, shikim me naze, shikim sexy, shikim ftues e sa të tjera shikime.

Nëse kthehemi ti hedhim «një sy» shikimit për tokë ose shikimit të ulur, them se nuk përbën asgjë të tejkaluar nëse kjo është edukatë që ka vendin sinqerisht në mirësjellje e jo në manipulime sunduese mbi femrën. Nëse ajo është karakteristikë e një grupi etnik, qoftë si kod moral kombëtar apo fetar, gjithmonë pa pasur qëllimin e nënshtrimit të subjektit ndaj një subjekti tjetër por me qëllim të mposhtjes apo të mbrojtjes nga dëshira eksesive jashtë çiftit, atëherë kjo duhet të konsiderohet si vlerë dhe formë stoike e jetës e jo antivlerë dhe prapambeturi. Natyrisht, me këtë nuk mund as t’i gjykojmë kodet e etikës së ndryshme, më toleruese dhe me kuptim tjetër, më të hapur, të filleve të tradhtisë.

Më në fund, shikimi, nëse llogarisim se ngelën me kaq, kuptohet si tradhti psikike – shpirtërore nga shum persona dhe kjo, nëse lakmi ka, është e barabartë në mos edhe më e rëndë se tradhtia e akteve trupore. Për më tepër kur lakmia e krijuar nga të pamurit mund të jetë nismë e pakthyer drejt akteve dhe çdo gjë merr përpjesëtime shkatërrimtare, shum rëndë të sanueshme brenda çiftit.

Si do që të jetë, në botën e sodit, pra edhe tek na, shikimi ka marr një gjerësi të zakontë dhe përveç disa përjashtimeve individuale, nuk konsiderohet si akt tradhtie apo veti e pahijshme. Përkundrazi, botëkuptimet ndërrojnë dhe mentaliteti me to. Sot aktuale ngelën pjesa e «padenjë» e kthyerjes kokës pas, për të pa akoma edhe pak atë që pamë nga përpara. Pyetem pse mos të tolerohet edhe ky vëzhgim?! E konsideroj si mungesë edukate mirëpo nuk mund të jetë assesi më shpifës, më i pasinqertë, më trazues e më tradhtues se parja sy më sy.

• Përshëndetja, prekjet «e vogla» dhe afërsi e preferenca të tjera.

Nënkuptohet se përshëndetja nuk mund të ndahet nga tërësia. Ajo është ngushtë e lidhur me komponentët tjera që formojnë tërësinë e skeletit të tradhtisë. E kam nda veçmas për shkaqe të them teknike pasi që tradhtia mund të ngel në suazat e jashtme të shikimit pa pasur dredhira të tjera fizike apo shpirtërore. Si do që të jetë, të gjitha « pajisjet » që lidhen pas kësaj dukurie për të cilat do të bëhet fjalë me tutje, janë rrathë që formojnë zinxhirin e njëjtë. Natyrisht, nganjëherë mungon fjala, nganjëherë gjestet, nganjëherë kontakti trupor por edhe dashuria e mirëfilltë.

Përshëndetja gjithashtu është e lidhur me kulturën dhe doket nga të cilat përjashtimet e qëllimshme marrin kuptimin e pabesisë. Dhe janë pabesi. Përderisa në doket e një etnie ose grupi, dhënia e dorës kategorizohet si gjest i tepruar dhe jo anodin, çdo thyerje është një luhatje morale e dëmshme po aq sa edhe përshëndetja e përcjellë me buzëqeshje apo qeshje të zëshme, shtuar këtu edhe lajkatarinë në të shprehur. Në këtë qark hyjnë edhe përqafimi-përshëndetës dhe sikur që u përmend, në kushte jo të lejueshme nga morali i caktuar, ai përbën shkelje disipline pasi ngrykëmarrja është shenjë e afërsisë së madhe miqësore ose familjare dhe ndalohet jashtë këtyre suazave. Hipokrizi përbëjnë edhe të prekurat gjoja miqësore gjatë përshëndetjes e gjatë bisedave e ndejave në shoqëri. Natyrisht se nuk flas për kuptime xhelozie nga partneri – bashkëshorti por për ndjesi të subjektit që praktikon këtë sjellje me qëllime të caktuara kënaqësie, apo përfitime të tjera vetanake. Prekjet «pa sherr» në dukje (ose të kuptueshme nga persona të tjerë) kanë në thelb një dinakëri thelbësore; nëse subjekti A ose «prekësi» nuk ka për qëllim joshjen, ajo mund të ngrejë ndjenjat e personit B «i prekuri » dhe përsëri, në një mënyrë tradhtia është aktuale ndaj subjektit C që është në lidhje çifti me A-në.

Një ngjarje, dëshmitarët e së cilës i njoha gjatë hulumtimit, disa mirë e disa pjesërisht më flitnin shpesh duke e marrë si shembull një histori të vërtetë që për temën në fjalë sqaron bukur këto relacione të prekjeve «pa të keq» që në thelb, qoftë edhe nën vetëdije nga njëra palë, janë flagrancë e rëndë e thyerjes së moralit mesçiftorë monogam. Në vijim e transmetoj ngjarjen në vetën e parë, ashtu siç më është treguar… :
»Ishin katër të luanin bashkë rreth tavolinës. Tre shokë dhe një shoqe. Luanin në ekip dy me dy dhe nganjëherë, për ndonjë lojë të qëlluar mirë, i krisnin duart bashkekipierët. «Krise!» i thoshte shoqes përballë dhe ajo e çonte dorën me shum gaz. Shokë të tjerë shikues, qesheshin dhe nganjëherë shiheshin si me sherr e nënçmim… Ai i martuar, ajo e martuar… Dhe kur burri i saj ishte aty ajo sillej ndryshe; po me e keqja qëndronte në atë se nganjëherë luante ekip me të shoqin (e i shoqi luante shume rrallë dhe shum pak ishte prezent aty), dhe kur ai i thoshte «Krise!», ajo rëndomtë ia kthente: «Hajt, hajt boll më «krise!, krise!».
Por me kaq nuk merr fund… Gruaja e «krisësit» sikur e kishte të ndaluar të vij në lokal. Ajo merrej me fëmijët e me punë profesionale. Por «kungulli nuk shkon gjithmonë mbi ujë». Ajo, intelektuale e respektuar, një ditë iu kishte mbushur kupa dhe ja, pa të keq, por me qëllim të caktuar, hyri në lokal ku pihej e luhej. Na përshëndeti dhe e ngriti dorën në stilin «Krise». Kështu u përshëndet me të gjithë dhe ju ndërpreu lojën e filluar, thuaj me urdhër ushtarak… E ngriti njërin nga lojtarët dhe u ul. Në ndërkohë arriti burri i saj «krisës». Çoi gishtin tregues te hunda për të thënë «heshtni!» dhe ktheu pa u vërejtur nga gruaja e iku. «Krisësi» u kris. Edhe «e krisura» gjithashtu. Zonja vetëm buzëqeshi lehtë dhe pa asnjë djallëzi, bëri të kuptohet se «pa» gjithçka. Loja vazhdoi vonë, me të «krisura» mësimdhënëse e ndoshta edhe hakmarrëse por jo tradhtare. Burri i «krisëses» që ishte prezent gjithë kohës, me një lëvizje të lehtë të buzëve, falënderoi heroinën e mbrëmjes Të precizoj akoma se falënderimi u bë pa e krisur fare, në mënyrë diskrete por me bujari të kristaltë.»

Nuk do të ndalem më tepër me lazdraçëria të tjera të konsideruara si «të imëta» ose gjëra që kohëve tona nuk çojnë shum peshë edhe pse hyjnë në rang të dinakërive dhe batakçillëqeve që pak kanë të bëjnë me moralin e monogamisë reale.

Para se të kaloj në shqyrtimin e dukurive më të dukshme të tradhtisë mes çifteve, të saktësoj se qëllimi i shqyrtimit gjer në këtë pikë, nuk është një denoncim apo luftë kundër dukurive të përmendura por është meditim mbi tradhtinë dhe sqaron situata e sfera të sjelljeve joshëse të njeriut të cilat, sidomos në kohët moderne, në shum shoqëri nuk konsiderohen si tradhti tragjike por si «eglenxhe» e dinakëri të vogla që i japin «shije jetës».

• Prekjet sensuale (erotike), puthja, akti seksual

Sipas disa sondazheve europerëndimore, të bëra në të gjitha grupet e nivelet shoqërore, del në përmasa të larta (mes 30 e 50%) se njeriu (meshkuj e femra) nuk e konsideron më tradhti as puthjen, as prekjet e viseve erotike e as aktin seksual të rastit por edhe atë të ngopjes së nevojave. Konsiderata të këtilla janë cilësi vetanake dhe të grupit, që qëndronin vise-vise edhe në antikë dhe ishin pjesë e dokeve. Sot më tepër këto pikëpamje mbi liritë e sjelljeve janë dukuri e një force të re e lindur si pasojë e çrregullimeve të botëkuptimeve themelore mbi relacionet në mes të palëve të bashkuara pasi që vet bashkimi ka marrë në përmasa më të gjëra interesash shoqërore, si ekonomia, hierarkia, dhe kënaqësitë vetanake seksuale. Dinamika varfëria, ngritja hierarkike, lehtësimet dhe përparësitë në profesion e shkollim, kanë hisen e vet në këto ndryshime të botëkuptimeve mbi tradhtinë e çifteve. Përderisa flasim për tradhti, pala toleruese flet për tradhti të natyrës tjetër të cilën e konsideron si të rëndë e gabim fatal. Por të nisemi nga fillimi; nga «më të voglat» së pari:

Prekjet

Prekjet janë dukuria me e përhapur e batakçillëkut në marrëdhëniet ndërnjerëzore ku përfshihet tradhtia ndaj partnerit (bashkëjetesë ose bashkëshortësi). Është e përhapur në përmasat e saja më të mëdha në vendet e punës ku mundësitë për tentativë janë të mëdha nga vet kushtet e marrëdhënieve profesionale si numri i punëtoreve, profili gjinor, afërsia fizike, relacionet hierarkike interesat materiale dhe natyrisht, simpatia natyrore. Të prekurat fillojnë nganjëherë nën maskën e rastit dhe mahive të vogla: kryqëzimet gjatë hyrje-daljeve nëpër dyer të byrove, kuluaret ku endjet janë të shpeshta gjatë tërë kohës, punë në lokal (byro) të njëjtë, profesionet e hotelerisë, mjekësisë; mandej gjatë qarkullimit me mjete publike, në treg … (Nuk duhet të harrojmë se këtu flasim për vendngjarje të shpeshta dhe për eksponentë që jepen pas tradhtisë dhe nuk duhet të merren profesionet dhe angazhimet profesionale si vegla për akte pabesie).
Pas prekjeve «të lehta» apo edhe «të rastësishme» në të cilat së paku njëra palë ushqen aspirata më të guximshme ose thjeshtë kënaqësi erotike apo mitomane; tradhtia është pra evidente. Persona të tjerë të lidhur pas ndonjë interesi jashtë kënaqësive erotike, vetëm se e rëndojnë pabesinë dhe njëherit zhvillojnë ndjenjën e sëmurë të superioritetit tek vetvetja ose te tjetri. Në rastin e parë e vendojnë tjetrin në inferioritet dhe varësi të paskajshme e në rastin e dytë bien vet në këtë nivel.
Nuk do koment se njerëzit janë të lirë të kenë bindje, besojnë dhe jetojnë si ua donë zemra dhe doket e tyre. Në këtë sferë liria ka arritur në shkallë të lartë dhe natyrisht, kur flasim për tradhti, puthja gjithashtu gjen arsyetime të ndryshme. Sa i përket opinionit më tradicional si dhe konteksteve fetare puthja jashtë çiftit përbën thyerje drastike të besnikërisë. Shikuar nga prizma ime, por edhe e pjesës dërmuese të popujve e personave, ajo është dyfytyrësi dhe shkelje e rëndë e besnikërisë, respektit dhe moralit qëndrues.
Pa u zgjeruar në sqarime regjionale, etnike apo individuale të tradhtisë nëpërmjet të aktit seksual jashtë-bashkëjetues apo jashtëmartesor është kulm i thyerjes së angazhimeve ndaj njëri-tjetrit dhe rezulton si tradhti e turp kulminant akoma sot në pjesën më të madhe të botës.

Përfundim

Pas të gjitha këtyre situatave, qëndrojnë arsyetime e teori diametralisht të kundërta rreth asaj ç’është tradhti. Njëra palë konsideron të gjitha llojet e kontakteve trupore si nevojë e mbijetesës, mundësi dhe aftësi për ngritje, tolerancë humane ndaj nevojave psikofizike dhe së fundi, e drejtë dhe liri për të qenë zot i sjelljeve dhe akteve të vetvetes. Për të pa e folur mbi tradhtinë në të gjitha shkallët e llojet e saja, nuk mund t’i ikim faktit se angazhimet erotike jashtëçiftore janë tradhti evidente dhe mbulesa e tyre me nevojat e mbrojtjes së fitimeve (përfitimeve) profesionale e joprofesionale jetësore për vete dhe familje, pra mbrojtjes së vendit të punës, ngritjes hierarkike që sjellin më tej të ardhura më cilësore, notat, diplomat e mijëra tjera arsye, përbëjnë jo vetëm pabesi ndaj personit me të cilin jetohet në bashkësi por edhe manipulim, shpërbërje e shpërfytyrim moral. Nuk mund të themi se thyerja e normave bashkëshortore apo të bashkëjetesës (të ngritura me shekuj) për qëllime dobiprurëse materiale nuk është dredhi. Është edhe më e rëndë, më perfide dhe më poshtëruese edhe pse aktorët zakonisht janë krenarë me të arriturat e tyre në jetë, të arritura që në pjesën dërmuese janë mjeramane.
Me gjithë diferencat në mes të gjesteve që konsiderohen tradhtare, nuk dalloj ndonjë peshë të veçantë në mes prekjes erotike sipërfaqësore, puthjes dhe aktit seksual. Tradhtia është aty dhe ajo nuk mund të gjykohet si e rëndë o e lehtë, e paktë ose e shumtë. Ajo nuk mund të arsyetohet as me kushtet mbretëruese të interesave personale që kalojnë shpesh si mbrojtje të ndryshme nga pësime eventuale shoqërore.

Drejtësia, gjyqi.

Në fund, për tradhtinë në mes të çifteve (në raste të shkurorëzimit), sot nuk duhet të merret aspak drejtësia (gjyqësia). Në shum vende të botës është pezulluar me të drejtë fajësia në kuptimin ligjor. Ajo duhet lënë në strukturat e edukatës, dokeve dhe traditave fetare, kombëtare e vetanake, pa asnjë obligim apo detyrim nga kode juridike.
(version i shkurtuar)

Reis Mirdita

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 1,020 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi