Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
10 VJET PRIVATMOHIM I PUNËTORËVE TË “BALLKANIT”
Publikuar më 07 janar, 2015 në orën 17:25 ( ) Beqir Elshani | Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
“Kaluan 10 vjet që është privatizuar fabrika, mirëpo punëtorët e mbetur në rrugë, ende nuk i kanë marrë paratë që u takojnë. Prandaj grevat dhe protestat e tyre vazhdojnë dhe nuk do të ndalen derisa të realizojnë të drejtat sipas kërkesës së tyre”, thotë kryetari Këshillit Grevist, Ibrahim Hoxha.

Me pak rreshta po e paraqes jetëshkrimin e Industrisë Kimike të Gomës “Ballkani” në Therandë. Kjo fabrikë është themeluar në vitin 1963, apo gjysmë shekulli më parë, e cila prodhimin e nisi me 100 punëtorë, mirëpo më vonë rritet dhe merr fizionominë e një kombinati me afro 2000 punëtorë. Mbi kulmin e fabrikës, porsi transparent qëndronte titulli “Ballkan”. Ky transparent, më së miri shihej natën kur ndizeshin llambat e neonit. Ishte kënaqësi ta shikoje nga shpati i malit Nisar, shpat, ku ende ruhen tumat e të parëve tanë ilirë, që datojnë qysh në shekullin e VIII-të para erës sonë. Mirëpo më vonë, në vitet e ashtuquajtura demokratike, qysh prej vitit 2005 Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua ka mbajtur 20% të mjeteve peng, dhe mezi ua ndau punëtorëve pasivë vitin e kaluar, do të thotë pas një dekade; ashtu siç vazhdon të mbahen peng pagesat e ligjshme në shumë prej 5327,56 për secilin punëtor sipas regjistrit të dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Në oborrin e shtëpisë së kulturës, në anën lindore të fabrikës, qysh prej 23 shtatorit të vitit 2013, janë ngritur dy tenda të ish-punëtorëve grevistë të “Ballkanit” në Therandë. Në fillim të këtij shkrimi vlen të përmendet se tendat nuk janë duke qëndruar me javë apo me muaj, por me vite, dhe duket se do të qëndrojnë derisa t’u plotësohen kërkesat e punëtorëve të dëmtuar në pikëpamje shëndetësore e sociale. Industria e Gomës dhe Kimike “Ballkani” dikur kishte me dhjetëra reparte e me 2000 punëtorë; kishte sallën e madhe të restorantit, në të cilën ushqeheshin të gjithë punëtorët, pastaj të gjitha manifestimet kulturore e muzikore të komunës mbaheshin në sallën e madhe të punëtorëve, aty janë mbajtur edhe protestat e fuqishme të punëtorëve për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës në vitin 1989, përkundrazi sot ish-punëtorët janë përzënë nga gjiganti i Kosovës dhe si azilantë kanë mbetur në udhëkryqin “diplomatik” të privatizimit. Tani në këtë vendbanim të improvizuar me tenda, sivjet janë duke kaluar dimrin e dytë, të ftohtë në trup, por shumë më të ftohtë në zemrën e punëtorëve të pa shpresë për ardhmërinë e tyre. Tendat që kanë zënë vend pranë rrethojës së fabrikës “Ballkani” të kujton “Kështjellën” e Ismail Kadaresë, në të cilën trupat osmane kishin ngritur shatorë rreth kështjellës për pushtimin e Krujës, kurse brenda në kështjellë gjendej Gjergj Kastrioti Skënderbeu me bashkëluftëtarë trima. Prandaj derisa të parët ishin pushtues të ardhur nga Azia e Vogël, të dytët ishin mbrojtës të atdheut. Përkundrazi kështjellën e fabrikës së gomës e ka pushtuar korrupsioni i Kosovës me privatizim të detyrueshëm, kurse jashtë rrethojës së fabrikës kanë mbetur ish-punëtorët e fabrikës “Ballkani”. Nuk është fjala për punësimin e një të dytës së punëtorëve, kurse pjesa tjetër ankohen për të drejtën e tyre në punësim, por është e kundërta: pakica, apo një numër shumë i vogël janë punësuar, kurse shumica kanë mbetur jashtë fabrikës. Prandaj organet shtetërore në Kosovë duhej të merreshin me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të mbetur në rrugë: është me fajin e tyre që nuk duan të punojnë, apo me kërkesën e tyre që kërkojnë mbrojtjen e thesarit të tyre – fabrikën, të cilën e ndërtuan me duart e veta dhe që askush nuk ua fali. Vetë kolektivi i punëtorëve e shtoi prodhimin, duke arritur prej fabrikës së vetme me një numër të vogël punëtorësh dhe zgjerimin e saj në shumë reparte, në të cilat në fund të vitit 1989 punonin rreth 2000 punëtorë e specialistë, që të gjithë me përvojë të madhe në fushën e prodhimtarisë së gomës.
Kjo fabrikë me “spin-off” special është privatizuar në vitin 2005, prandaj trualli i saj po tjetërsohet, konkretisht po keqpërdoret për interesa të grupeve komerciale, duke dëmtuar gjendjen ekonomike të ish-punëtorëve dhe mbarë banorëve në komunën e Therandës, që gjithashtu ndikon në uljen e standardit në mbarë Republikën e Kosovës. Një gjë dihet, vetëm burokracia, prej komunës deri në qeveri, nuk shqetësohet për keqtrajtimin e ish-punëtorëve, përndryshe është brengë e mbarë popullit shqiptar. Nëse shiten prodhimet e gomës, apo mineralet xeherore, atëherë edhe standardi i mbarë popullit shqiptar do të përmirësohej, padyshim do të shiteshin edhe agrumet bujqësore, tek të cilët për shkak të varfërisë mungon fuqia blerëse në tregun kosovar. Është për të ardhur keq, sepse të gjitha gjeneratat akademike që dalin prej dyerve të universitetit, nuk kanë perspektivë, prandaj të gjithë sytë i drejtojnë jashtë atdheut. Këtë më së mirë po e argumentojnë kolona autobusësh me të ikurit shqiptarë, të cilët kanë mbetur në vende të ndryshme të Europës perëndimore. Sipas frazeologjisë bletë e vulosur quhet njeriu në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje dhe kamës, siç janë politikanët në qeveri, mirëpo e kundërta e kamjes dhe kamës është skamës e skamje, që do të thotë në gjendje shumë të vështirë ekonomike, të cilën nuk po e përjeton askush tjetër pos populli shqiptar, rinia e së cilës nëpër rrugët e Europës perëndimore kërkon kafshatën e bukës. Kontrasti në mes të pasurve dhe varfërve më së miri mund të shihet në faqet e shtypit kosovar, derisa në faqen e parë mund të shihen politikanët me pallate luksoze, në faqen tjetër shihen familjet e varfra që ende banojnë në kushte të vështira. Prandaj në krizën ekonomike derisa të pasurit po bëhen më të pasur, të varfrit po bëhen më të varfër: meqë të parët po i vjelin edhe lekët e fundit të popullit. Psh. në Rusi populli rus vuan për shkak të krizës ekonomike, si pasojë e sanksioneve ekonomike në mbrojtje të Ukrainës, mirëpo përse populli shqiptar duhet të vuaj jo disa vite, por me dekada?
Në shkrimin e botuar në “zëri” më 30 shtator 2013 punëtori i vjetër, Asllan Guri, tregon përjetimin e tij tronditës: “Në Ballkan kam punuar nga viti 1965, qysh atëherë kur edhe pat filluar prodhimi, kurrë pa u ndalë. Shëndetin e kemi lënë këtu, e tash na nëpërkëmben të drejtat që na takojnë”. Duket qartë, të gjithë punëtorët atëherë ishin punësuar të rinj, sot e kanë moshën 55 vjeçare. Kjo do të thotë se me mospunën e tyre në fabrikë punëtorët janë dëmtuar ekonomikisht, por edhe profesionalisht, sepse ata do të ishin përcjellës të përvojës së madhe tek gjeneratat e reja. Për fat të keq, kjo traditë e përvojës është ndërprerë për dy dekada vitesh, pa përmendur pesimizmin se kjo fabrikë është duke shkuar drejt vdekjes, jo drejt përparimit; synim i së cilës është shitja e oborrit të fabrikës për përfitime vetjake. “Ne do të jemi këtu; jemi të vendosur, nuk kemi rrugëdalje tjetër”, ka thënë kryetari i Këshillit Grevist, Hoxha, duke shtuar se për këtë kanë edhe mbështetjen e Sindikatës së Punëtorëve, të cilët aktualisht nuk punojnë në këtë industri. Kurse unë do të shtoja se nuk e kanë vetëm mbështetjen e Sindikatës, por edhe mbështetjen e mbarë popullit shqiptar të Kosovës. Shtypi në Kosovë shkruan se qysh në vitin 2005 shitja e “Ballkanit” është bërë vetëm me një ofertues, pa ndonjë konkurrent tjetër, që sipas fjalorit komercial quhet blerje e mrekullueshme e një ofertuesi, por gjithmonë në dëm të punëtorëve dhe banorëve të komunës së Therandës; ishte një shitje që bëhet me anën e mafisë, në të cilën rezultati sipas komunikatës të AKP ka dalë negativ, do të thotë blerësi nuk i ka plotësuar kushtet e kontratës sipas spinofit special. Në vazhdim nga Kuvendi i Kosovës kërkojnë njohjen e të drejtës nga marrëdhënia e punës për stazh pensioni për periudhën e largimit të paligjshëm - me dhunë nga puna (prej korrikut 1990 deri në korrik 1999). Në vazhdim, sipas shtypit të gazetarëve, thuhet se punëtorët kërkuan vlerësimin e saktë dhe respektimin e shitjes së ndërmarrjes me çmim të plotë. Vlen të përmendet kritika dialektike e ish-drejtorit të financave, Shefki Behluli, dërguar gazetës ”Kosova sot”: “Si rezultat i afarizmit të dëmshëm, por edhe të dyshimtë dhe si kulmim i të gjitha këtyre marifetllëqeve kanë bërë që “Ballkani” të shitet si një anije e djegur, me çmim tepër ofendues dhe ky çmim me të cilin është shitur “Ballkani” nuk e mbulon as vlerën e rrethojës, e të mos flasim për vlerën 46.600 metra katrorëve nën kulm dhe vlerën e 14 hektarëve të tokës si lokacion ndërtimor…” Me sa kuptova shitja e lirë e objektit industrial të gomës të kujton shitjen e kalit me çmim të gomarit në treg, kur dihet që kali është baras me dhjetëra gomarë, prandaj shpejtësia e automjeteve matet me fuqinë e kalit, jo të gomarit.
Duket qartë që shitja e “Ballkanit” vetëm me një ofertues bie në kundërshtim me rregulloren e AKP-së mbi privatizimin e ndërmarrjes, kështu shkruan në revoltën e shprehur të 500 punëtorëve – nënshkrues të peticionit, i cili u ishte dërguar edhe institucioneve të larta të Kosovës. Prandaj Tubimi i ish-punëtorëve grevistë të ndërmarrjes IGK “Ballkani” i mbajtur më 30.09.2013 ka dalë me kërkesën drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për emërimin e Komisionit hetimor për shqyrtimin e privatizimit të IGK “Ballkani”. Pastaj nga AKP-ja kërkojnë të bëjnë pagesat e ligjshme në shumë prej 5327,56 euro në bazë të aktgjykimit të plotfuqishëm C.nr. 176/05, për secilin punëtor sipas regjistrit të dërguar në gjykatë, dhe atë duke i shtuar kamatat ligjore. Gjithashtu kërkojnë që të bëjnë pagesën e kontributeve vetjake në Trustin pensionim të papaguara sipas listës së punëtorëve të dorëzuar në AKP për periudhën 2002-2005, dhe në fund të mos shpallë tender për shitjen e aseteve për njësinë punues “GOMA” në Prishtinë, fabrikën e gomave të rënda “DAMPER” në Shirokë, si dhe lokalet afariste pronë e IGK “BALLKANI” në Therandë, derisa të përmbushen kërkesat e tyre. Në të kundërtën, ka thënë kryetari i Këshillit Grevist, Ibrahim Hoxha, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mund të pasojnë edhe protesta në shenjë pakënaqësie nga ana e këtyre punëtorëve që me vite e kanë derdhur djersën në këtë kolektiv. Një fabrikë e tillë, e cila ishte njëra ndër kolektivet më fitimprurëse, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe jashtë saj ka shkaktuar indinjatë tek punëtorët e shumtë të këtij kolektivi, që dikur ky gjigant ushqente dhjetëra mijëra banorë të komunës së Therandës. Dikur tregu i fabrikës “Ballkani” ka qenë i gjerë dhe i sigurt në Ballkan e në Europë, e cili gjatë veprimtarisë së saj ka siguruar mjete në sistemin e prodhimit dhe në infrastrukturë. Për habi fill pas përfundimit të luftës në Kosovë, fabrika e gomës kishte të punësuar rreth 876 punëtorë, për të cilën punëtorët kishin të drejtë të revoltohen, meqë ishte një e dyta e numrit të përgjithshëm që kanë punuar në ish-Jugosllavi, mirëpo punëtorët e mbetur në rrugë, shpresonin për zhvillimin dhe rimëkëmbjen e fabrikës në ditët e bardha të çlirimit të vendit. Përkundrazi, “Ballkani” veproi edhe më keq, numri i tyre u grimcua në një të tretën, duke rënë prej 2000 në 876 punëtorë, pastaj edhe më keq - në 250 punëtorë. Jo vetëm kaq, sepse edhe ata pakë punëtorë të mbetur në fabrikë, dhe atë me të ardhura të ulëta, shpresat i kanë në kullën prej kashte, sepse ashtu siç kanë vepruar me shumë punëtorë që kanë mbetur në rrugë, edhe ata i pret fati i njëjtë. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës në prag të Vitit të Ri premton për hapjen e vendeve të reja të punës në vitin 2015, “Ballkani” ka larguar edhe 70 punëtorë, duke mbetur me 100 punëtorë.
Fabrikën, tashmë kombinat, askush nuk e ndihmoi për zhvillim as për ndërtim, vetë punëtorët e ndërtuan me forca të veta. Pastaj “Ballkani” ndihmoi shumë institucione kulturore e arsimore, jo vetëm në Therandë, por edhe në mbarë Kosovën; kishte edhe pushimoren në bregdetin e Ulqinit, të cilat me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, u konfiskuan nga organet serbomalazeze. Në vazhdim, “Ballkani” kishte shtëpinë e shëndetit, bibliotekën, ekipin e futbollit në nivel të ligës krahinore të Kosovës, financonte me qindra studentë në Universitetin e Prishtinës, kishte kuzhinën dhe restorantin bashkëkohor me gjithë hotelin, kishte autobusë për bartjen e punëtorëve në të gjitha ndërrimet e fabrikës dhe në të gjitha fshatrat e komunës së Therandës, por edhe autobusin e dyfishtë që si trolejbus qarkullonte në drejtim të Prizrenit. Kjo fabrikë, që dikur ka qenë e veshur me reparte e me shumë punëtorë që ekonominë e Komunës së Therandës e mbanin në këmbë, sot është varfëruar dhe shkretuar, është zhveshur nga makinat të mbetur pothuaj pa punëtorë. Ata që nuk më besojnë në këtë shkrim, le të shikojnë se në oborrin e fabrikës nuk gjenden automjetet transportuese të fabrikës, nuk është parku për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të punëtorëve, përkundrazi është një ndërtesë e madhe tregtare që ka zënë mushkëritë e fabrikës më të lavdishme të Kosovës - “Ballkani”.
Ky gjigant i ekonomisë kosovare është privatizuar me spin-off special të AKM-së nga një investitor turk i kompanisë “Ozarbant”, kundrejt çmimit prej 1.400 milionë euro, me kusht investimi prej 6 milionë eurove, për të cilën ish-drejtori financiar, Behluli, konkretizon se “Ballkani” është manipuluar në procesin e privatizimit, shumë e cila nuk e mbulon as rrethojën e oborrit. Prandaj punëtorët kërkojnë që vendimi i privatizimit të fabrikës “Ballkani” të rishqyrtohet, sepse obligimet ndaj tyre nuk ishin paguar. Jam i bindur që fitorja historike do të jetë në anën e grevistëve, sepse janë pjesë e popullit të Therandës, por edhe mbarë popullit të Kosovës. Me të drejtë populli thotë, suksesi i qeverisë nuk shihet në parlament, por në bujqësi e në fabrikë, pa të cilën Kosova nuk përparon. Sa i përket premtimit ministrave për hapjen e vendeve të reja të punës, vlen të theksohet se ish-punëtorët e “Ballkanit” nuk kërkojnë hapjen e vendeve të reja të punës, por kthimin e tyre në vendet e punës. Konkretisht nuk kërkojnë ndërtimin e fabrikës, por kërkojnë që organet e qeverisë t’ua lirojnë fabrikat, siç janë fabrika e gomës në Therandë dhe fabrika e tubave në Ferizaj. Tani fabrika gjendet pa punëtorë, si rezultat i së cilës, nuk ka punë. Në fillim Fabrika “Ballkani” me teknologji moderne dhe me 13 hektarë tokë për të cilën është bërë kontrata për investim nga ana e kompanisë turke, mirëpo koha, për dhjetë vjet me radhë, tregoi se asnjë marrëveshje nuk është plotësuar. Duket qartë që privatizimi i Ballkanit nga ana e kompanisë turke ka kaluar prej kalit në gomar, që do të thotë prej teknologjisë së aftë të “Ballkanit” shqiptar në teknologjinë e dobët të “Ozarbantit” turk. Prandaj me të drejtë ish-punëtorët gomistë revoltohen për humbjen e vendeve të punës pas privatizimit të fabrikës “Ballkani” me gjithë sipërfaqen e madhe, e cila nuk gjendet në periferi të qytetit, por mu në qendër të Therandës.

Therandë, 5 janar 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 1,439 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi