Gjatë përleshjes me forcat policore serbe, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, natën ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, ranë heroikisht Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, si studentë, me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do t’i shërbejë Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të vitit 1981.
Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi, kurse në vitin 1973 filluan veprimtarinë e tyre në botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Ata kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e bashkim kombëtar, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.
|