Vizita e kryeministrit të Republikës së Serbisë, Aleksanar Vuçiq në Kosovë dhe sidomos provokimet e tij dhe të zyrtarëve tjerë serbë me deklarata me tone fashiste, vetëm sa i thellojnë problemet dhe përkeqësojnë raportet edhe ashtu të brishta në mes të dy popujve.
Duke ia shtuar këtyre deklaratave edhe deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe të ditëve të fundit, atëherë konsiderojmë se ky do duhej të ishte fillim i fundit i projektit për Kosovën multietnike, projekt ky që iu imponua qytetarëve të Kosovës vite më parë.
Ne, Lëvizja për Bashkim, i dënojmë fuqishëm këto deklarata dhe kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Republikës së Kosovës që të mos miratojnë ardhjen e qeveritarëve të Serbisë në Kosovë, të cilët vazhdojnë me provokimin e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës dhe të marrin masa ligjore dhe kushtetuese ndaj të gjithë akterëve të deklaratave provokative e fyese.
Konsiderojmë se nuk duhet të tolerohet askush të fyej dhe të përbalt vlerat tona kombëtare si dhe të sillet si zot shtëpie në shtëpinë tonë.
Lëvizja për Bashkim
Zyra për Informim
15. 01. 2015
|