Masakra e Reçakut vlerësohet të jetë njëra ndër shenjat kryesore të lirisë së Kosovës.
16 vite pas kësaj masakre të kryer nga forcat serbe, sipas shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, institucionet e vendit nuk arritën ta ligjësojnë luftën e UÇK-së, dëshmorët e kombit, e as invalidët e luftës. Kurse, udhëheqësit e institucioneve të vendit thanë se krimi në Reçak u krye për të thyer besimin e popullit të Kosovës tek liria, por ky projeksion doli krejtësisht i gabuar, pasi terrori dhe frika kurrë nuk mund ta mposhtin vullnetin për liri.
Në akademinë përkujtimore me rastin e 16 vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është Reçaku, pasqyrimi më tragjik i veprimeve të çmendura të ushtrisë dhe policisë serbe dhe grupeve të tyre paramilitare për spastrim etnik, pa zgjedhur viktimat, duke vrarë pleq e të rinj.
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se 45 banorët e fshatit Reçak u masakruan barbarisht nga forcat okupatore serbe vetëm pse nuk pranonin shtypjen dhe aspironin lirinë e Kosovës.
Kryekuvendari tha se është detyrë e tyre si qytetarë dhe udhëheqë të institucioneve, që amanetin e dëshmorëve të Reçakut dhe të gjithë Kosovës ta jetësojnë në vepra për t’i garantuar lirinë dhe të ardhmën e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Shtimës Naim Ismaili tha se sot kujtojnë masakrën dëshmorët e masakrës në Reçak të cilët me gjakun e tyre Kosovës i dhanë dritën e jetës.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari tha se Reçaku vjen sot dhe troket në ndërgjegjen e tyre, duke ua rikujtuar se një varg çështjesh nuk janë përmbushur, jo vetëm për ta quar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit, por edhe për të dëshmuar kujdesin e duhur dhe të obligueshëm ndaj atyre që kanë dhënë çdo gjë edhe jetën për lirinë e Kosovës.
|