Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NGJITJA MITIKE NË ALPET SHQIPTARE
Publikuar më 21 janar, 2015 në orën 21:21 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Brahim AVDYLI: “SHTEGTIMI I LIRISË”, poezi, “Faik Konica” - Prishtinë, 2014)

Prologu i një portreti krijues

Brahim Avdyli (1960), vjen në botën e letërsisë në çerekun e tretë të shekullit të kaluar, për të mbetur emër që premton dhe synon drejt vlerave të krijimtarisë letrare në përmasat kombëtare, duke sjellur shumë vepra në poezi e prozë, dramë, publicistikë dhe politikë, për çka ka vend meritor në panteonin krijues të kësaj periudhe kohore. Që në fillimet e krijimtarisë së tij kishte kuptuar se burimi i pashterrshëm i frymëzimit të muzës së tij krijuese është dhe mbetet vendlindja e tij. Që me përmbledhjen e parë të poezive “Në hijen e Alpeve”, (1983), ai kishte vënë vulën e besimit se frymëzimet e jetës vijnë nga trualli i të parëve të tij, atje ku u lind, ku kaloi fëmijërinë dhe vazhdoi ta kuptoj jetën me të gjitha vlerat e saj. Me kohë parapëlqeu spontanisht, por qëndrueshëm, të marr temën e frymëzimeve krijuese nga gurra autoktone dhe ta shtrij mendimin në traditën dhe urtitë e njerëzve të tij. Falë kësaj dashurie për artin e fjalës, Brahimi nuk u ndal për asnjë çast edhe në aktivitetet e tij për lirinë e atdheut dhe bashkimin kombëtar, si çështje madhore dhe të domosdoshme të kohës.

Pas këtij botimi, vijnë njëri pas tjetrit shumë tituj tjerë në poezi, prozë, dramë, publicistikë, etj. si: "Buka e kuqe", "Kur zgjohet Dodona", "Pasqyrë e përgjakur", "Klithje nga fundi i ferrit", "Gjuha e dheut tim", "Baraspesha e humbur", "Vrragat e një kohe", "Lëvozhga e vdekjes", etj. Është prezantuar edhe në shumë libra e antologji dhe, poahtu është fitues i shumë çmimeve letrare në vend dhe në aktivitetet letrare në mërgatë. Nuk duhet harruar për asnjë çast edhe prezantimin e krijimtarisë së tij të përkthyer edhe në italisht, gjermanisht, rumanisht dhe anglisht.
I lindur dhe i rritur në një vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Që në dy këto rrafshe shtroi aktivitetin e tij për të dhënë kontributin prej krijuesi dhe veprimtari të kauzës sonë.
Në frymën e këtyre veprimtarive të pandara vazhdoi gjithnjë e më me ngulm të krijoj opusin e tij letrar, edhepse “Çuditërisht/ më është vrarë koha/diku”, si do të kujtohet autori në një rast. Por, pavarësisht asaj ngulitje kohe, shkrimtari edhe më tutje vazhdon veprimtarinë e tij krijuese, edhepse kjo “vrarje kohe” sikur i ka paralajmëruar diçka që përfundimisht i ka mbetur peng. Domosdoshmërisht, po ai peng i mbetur në atdheun e tij e mban stoikisht në fuqinë krijuese dhe në përballjen e erërave të kohës, duke hapur shtigje të reja krijuese me tehun e mprehtë të shpatës së tij prej vargjeve shpëthyese dhe plot mesazh.

Fryma e atdheut si pikëpjekje

Edhepse me një bagazh të ngarkuar krijimtarie prej më shumë se tri dekada, Brahim Avdyli nuk pushon për asnjë çast të shpurpurisë në palët e kujtesës dhe t’i përgjigjet zërit të muzës së tij krijuese, duke gërmuar kujdesshëm, por me mjeshtrinë e tij në këtë zeje të rryer tashmë, duke hedhur dritë mbi tema e ngjarje të reja e duke latuar vargje plot ndiesi, deri në rrezikun e thyerjes, sa nga bukuria, aq edhe nga sensualiteti dhe kristalizimi i pamjes. Në frymën e kësaj gatishmërie të përhershme vjen edhe me përmbledhjen e re poetike, “Shtegtimi i lirisë”, të organizuar me përkushtim, ku i paraprinë “Prologu im”, me poezinë programatike “Në vend të dashurisë”, për të vazhduar pastaj me ciklet: “Ujëvarat e mallit”, “Flatrat e qiellit tim”, “Krahët e hapsirës” dhe “Lejleku i ëndrrave të mia”. Si mbyllje e kësaj kurore poetike me plot befasi të reja, Brahim Avdyli nuk harron t’ia vë edhe kupolën me “Frymën e fundit” “Në vend të epilogut”. Që në nismë të këtyre mbresave të pakta nga leximi i këtij libri poetik, në asnjë mënyrë nuk mund ta anashkalojmë pa mos e vënë në spikamë, qoftë për trajtimin tematik, qoftë për pjekurinë e autorit në rrahjen e temave dhe ngjarjeve, të brumosura me petkun e atdheut, gjithandej nga vendi ku vepron e jeton përkohësisht. Një lidhje diametralisht mes Alpeve të Zvicrës dhe Alpeve shqiptare, si rrallëkund vjen këtu e sforcuar me elementin e patjetërsuar-atdhe:

“Jam në Zvicër
por kujtoj se jam në Morinë
dhe e shoh veten fëmijë
nëpër arat me misër”

(”Kam zbritur nga yjet”, - fq. 13)

Por, autori nuk ndalet vetëm me kaq, kur është në pyetje kjo lidhje motivore me atdheun. Ai flet përmes njerëzve të tij të kudondodhur, përmes dëshmorëve poetëve, nipërve, mbesave, etj. dhe për asnjë moment nuk harron që ngjarjen ta lidh me atdheun, me mallin, me elemente jetësore atje, me traditën, me trimëritë, etj.
Pikëtakimi i vargut poetik të Brahim Avdylit ka atdheun dhe vlerat e dëshmuara autoktone në çdo kohë. Trajtimet e këtyre temave nga ky rrafsh vijnë të gdhendura me përkushtim dhe të shtruara mbi bazamentin e ngjarjeve dhe pamjeve të veçanta, duke sjellur imazhin e vendlindjes së tij tek lexuesi, si një ekspozitë prej qëndistari të talentuar, ku edhe zogu, edhe gjethet në erë, edhe fije bari e guri i palëkundur nga vendi i vet, kanë fuqinë transponuese të një pamje të bukur dhe plot jetë. Të këtilla janë poezitë: “Ujëvarat e mallit”, “Trandje”, “Teatër i dhimbjes së pafund”, “Zogj të pikëlluar”, “Kthimi i pëllumbave”, “Lejlekët e dhimbjes sime”, e ndonjë tjetër.
Poezia “Shtegtar i lirisë” paraqet shumë kjartë rrugëtimin nga kohërat e lashta pellazxhike e këtej, siç shprehet autori me vargjet: “ne jemi lelekët e parë/ prej emrit të Karianëve/ pellazgëve parahelenë/ dhe paralajmëtarëve/të ditëve më të mira”, duke i përmbyllur me vargjet: “Bëhemi së bashku/ me lejlekët e sotshëm/ e dalim kudo/ nëpër botën e dhimbjeve/ për ta mundur dimrin/ nëpër Evropë/ dhe dëshirojmë Lirinë” dhe krejt në fund duke shpjeguar qëllimin e kësaj enigme mes lelegëve dhe lejlekëve, shton: “lelegë apo lejlekë/ duke ikur nga vuajtjet/ me flatrat e lirisë”, (fq. 78).
Autori e trajton edhe më tej këtë tematikë duke gjurmuar në gjenealogjinë tonë, nëpër arkivat e botës dhe e sjell këtu të realizuar poetikisht: “Nga kaosi e ndau jetën/ siç shpjegojnë shqiptarët/ apo pellazgët mitikë/ nëpër qindra mitet/ që na kthehen nga bota”, (“Shpejtësi e ndritshme”, fq. 12). Këto gjetje poetike Brahim Avdyli i sforcon edhe më, në poezinë tjetër “Koka e luanit”, (fq. 58), duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se ai ka prirje për gjurmime të reja për rrënjën e Ilirisë: “Leu trim/ Llavë e ujqërve/ Luan/ tre emra pellazgë/ përpëliten/ nëpër Alpet tona”. Falë kësaj, mund të besojmë se poeti synon ta lidh autoktoninë tonë me Alpet shqiptare, qoftë edhe përmes miteve e legjendave. Kjo ngritje poetike e bën edhe më të dëshiruar këtë përmbledhje, që mund të konsiderohet nga më të arriturat, pa e lënë në harresë gjithë opusin e tij të deritashëm.

Ambientimi me jetën, traditat dhe kulturën nga vendlindja – shtytje e pakapërcyeshme

Mbi parimin e ambientimit sa më të përafërt me jetën, traditat dhe kulturën e vendlindjes, që reflekton dëshirën, synimin dhe dashurinë për njerëzit dhe për jetën e bukur atje, autori sjell mjaft poezi të ndërtuara mbi këto elemente. Ai e sjell vendlindjen e tij tek lexuesi ashtu të virgjër, me shumë ambientim jetësor nga e kaluara e tij e hershme e fëmijërisë në frymën e këtyre kujtimeve. Autori nuk ngurron të krijoi ambiente familjare edhe në kurbet, duke ua përkujtuar nipërve dhe mbesave të tij me mjete e forma tjera nga vendlindja. Sa herë që kthehet nga vendlindja e tij, sjell diçka të bukur dhe autoktone, që të ngrisë dashurinë e brezave të rinjë për atdheun, për traditat, zakonet dhe kulturën shekullore. Këtë mall të vendlindjes e përcepton edhe me vargjet e poezisë “Tradita në miniaturë”, fq.16), ku siç shprehet autori:

“Sa herë u ktheva nga vendlindja
i solla nga një pjesë të Atdheut

herë tirqit e xhamadanin
topin plisin e shqiponjën
herë çiftelinë e vogël

shpirt i zbritur nga yjet
Zog ndër shtigje të dhimbjes...”

Kështu, e rrumbullakson në poezinë e tij mallin dhe dashurinë për atdheun, duke dëshmuar se bukuritë e tij janë të pazëvendësuara, falë natyrës, traditave dhe kulturës. Ai gjithmonë ia ka drojën një fenomeni, që tashmë ka zënë të lëshoj rrënjë gjithandej kah është shprishur etniteti ynë, nëpër botë, duke u mishëruar me elemente të reja të vendeve ku jetojnë e veprojnë, duke lënë anash këto bukuri natyrore dhe shpirtërore, të cilat e rritën, e frymëzuan dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë edhe autorin dhe intuitën e tij krijuese. Tematika të këtilla takojmë edhe në poezi të tjera, duke sjellur tek lexuesi bindshëm dhe me korrektësi lidhjet e tij të patjetërsuara me atdheun dhe njeriun e tij fisnik dhe liridashës.

“Nëpër botë
u desh të ikja
me dhimbjet e vetminë
pesha e jetës qe e rëndë”

(“Gjaku i shenjtë”, fq.22)

Këtu autori flet në përkujtim të babait dhe lidh dy polet e jetës së tij; të kaluarën e dhimbshme me njerëzit e tij që ka në vendlindje dhe për jetën në mërgim, që e mban të lidhur ngushtë edhe përmes vargjeve të këtilla; me fuqinë e mallit dhe dashurisë së pashuar. Këtë mall e shpreh edhe në kujtimet për nënën, për bashkëvendësit, për të rënët për liri dhe shumë ngjarje që e përshkojnë këtë poezi kaq sensitive dhe plot dhimbje, që nuk i shpëton as vet poeti, i cili i tronditur nga ngjarje të këtilla shkund penën e tij me gjithë forcën e shprehjes, deri në çmallje.
Në poezinë “Gjurmë kohe”, (fq.29), poeti shpreh mllefin e tij për dashurinë e humbur, për mosbesimin e askujt dhe synon daljen nga kjo katrahurë jete, gjithnjë duke ftuar arsyen:

“Unë vetëm pyes a është kjo bota në të cilën pështillem
askush nuk më vëren se jam gjallë edhe pse njëlloj marr frymë
a u dashka të jem shumë më pak njeri dhe kjo qenka e vërteta
e të zbres poshtë në tokë sikur të tjerët dhe të luaj pa ndenja”

Ai këtë gjendje jetësore dhe shpirtërore e përmbyll me vargun e tij të fuqishëm dhe shumë domethënës për rrethanat që trajton këtu: “jeta ime është luftë me të keqen e vetme e pa dashuri...”, (po aty .
Poezitë me tematikë përditshmërinë, jetën urbane, transformimet e shumta politike, edhe te Brahim Avdyli hetohet dukshëm, falë jetës dhe qëndrimit jashtë vendlindjes që kalon ai prej dekadash. I detyruar të bëj jetë mërgimtari, patjetër që i është dashur të integrohet në vendin, kulturën dhe traditat ku jeton dhe vepron. Kjo ia bën edhe më të qëndrueshme dhe i sjell freski poezisë së tij, që e ndërlidhur me botën imagjinative, me elemente të qëndrueshme letrare, filozofike dhe sociale, të trajtuara me vigjilencë prej kurreshtari që nuk ka të ndalur.
Ndërkaq, poezitë “Qyqja e maleve tona”, “Loti i qyqes” dhe “Lulja e qyqes”, vijnë në këtu me motivin e besës, dhimbjes dhe dashurisë që shpreh motra për nëntë vëllezërit e saj, deri në transponimin e variantit të ri të kësaj tematike nga baladat e hershme shqiptare, ku qyqja vjen si: ”lule e bukur dhe e mjerë/ prore e vetmuar/ lulja e qyqes...”, (fq. 85).

Epilog i papërmbyllur

Brahim Avdyli këtë përmbledhje poetike e filloi me poezinë “Në vend të dashurisë“, ku paralajmëronte: “Fusha e ndjenjave/ Shtrihet/ pranë lumit të gjakut”, për ta përmbyllur me vargjet: “këngën e zjarrtë të lirisë...”, (“Fryma e fundit”, fq. 93), që për asnjë çast nuk do të pushoj së dëgjuari edhe në krijimet tjera të reja, edhe në librat e ardhshëm, ku pikësynimi i autorit është vetë liria, në çdo aspekt të jetës, jo vetëm asaj të daljes nga thundra e okupatorit. Një ngritje e këtillë është e pranishme në të gjitha librat e Brahim Avdylit, pavarësisht në çfarë rrethana e krijon dhe përballet me këtë tematikë, nga më sublimet në gjithë opusin e tij krijues.
Gjithçka u tha në këtë vështrim për librin poetik “Shtegtimi i lirisë” vjen si një shtegtim i kujdesshëm në gjithë atë lëndë poetike, ku edhe mund të lind mendimi ndryshe dhe e bën të hutohet lexuesi. E them këtë nga fakti se poezia e Brahim Avdylit ka reputacion të qëndrueshëm te një shtresë lexuesish të formuar, që për pasojë mund të degradojnë vlerat e pakontestuara, pa dashje, por në mungesë përqëndrimi dhe shqyrtimi të vëmendshëm.
Si epilog i këtij vështrimi mbetet fakti se, falë aftësive krijuese dhe përkushtimit të vazhdueshëm në krijimtari, duke i njohur mirë teknikat e krijimit letraro-poetik, me elemente përcjellëse gjuhësore, me një figuracion të pasur, me metafora e toponime nga vendlindja e tij, me rrjedhshmëri gjuhësore, etj. i sigurojnë jetëgjatësi dhe receptor të qëndrueshëm kësaj krijimtarie poetike të këtij eruditi të letrave tona.

Xheladin MJEKU

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 363 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi