Kryeparlamentari i Kuvendit të Shqipërisë zoti Ilir Meta ka filluar shpesh ta vizitojë Republikën e Maqedonisë: herë i ftuar me shpejtësi dhe herë i paftuar por i interesuar.
Herën e parë ai e vizitoi Maqedoninë si mysafir i Musa Xhaferit dhe u interesua për projektet me karakter publiko-privat dhe Zonën teknologjike partiake të Tetovës të quajtur si “konzorcium maqedono-norvegjez” me ç’rast deklaroi se ka ardhur “të mësojë për përvojën e suksesshme të zhvillimit të kësaj zone” që si shembull ta zbatojë në Shqipëri.
Me këtë rast Partia për Prosperitet Demokratik e pyet zotin Meta se çfarë përparimi pa ai në Zonën teknologjike partiake të Tetovës përveç një ndërtese boshe të vogël të ndërtuar në hyrje dhe disa drita elektrike?
Herën e dytë zoti Meta fët e fët fluturoi në Maqedoni me ftesën e kryeparlamentarit Veljanovski me paraporosi se “do ta bëjë rezil” nikoqirin e tij për buxhetin e pamjaftueshëm shqiptar dhe për zhvillimin jo të barabartë ekonomik dhe mungesën e investimeve në zonat shqiptare.
Me këtë rast PPD konsideron se kryeparlamentari Meta kot është munduar të vijë deri në Shkup të kërkojë prej deputetëve dhe qeverisë maqedonase që të ndajnë dhe votojnë më tepër buxhet për shqiptarët kur ata vetë (BDI dhe PDSH) janë pajtuar me atë “copë të bukës”dhe në Qeveri dhe Parlament e kanë votuar. Pra, kryeparlamentari është dashur tu drejtohet deputetëve të “partive mike” të LSI të mos votojnë gjëra lidhje e pa lidhje dhe që janë në dëmë të shqiptarëve në Maqedoni.
PPD është e habitur se si kryeparlamentari Meta dhe funksionarë tjerë të Shqipërisë vijnë në Shkup dhe na shpallin “shtetformues” kur ne nuk kemi asnjëfarë nishani nga kjo!Mos mendojnë ata se neve na ka lënë mendja dhe nuk e dimë se ç’ është shtetformues?
PPD është e habitur se pse funksionarë të Shqipërisë dhe Kosovës kur e vizitojnë Republikën e Maqedonisë e kanë mësuar “hezber” dhe e përsërisin si në shirit manjetofoni “implementimin e Marrëveshjes së Ohrit” pas 13 viteve të dështimit të saj? Mos është ajo korniza e kërkesave tona rreth së cilës duhet të sillemi, që ata në mënyrë diplomatike ua imponojnë partive politike në Maqedoni? Pse ata vijnë këtu në vigjilje të ndonjë ngjarje të rëndësishme: kësaj rradhe ndryshimeve kushtetuese dhe luanit të verdhë partiak të VMRO-BDI-së.
PPD konstaton se porositë e vizitës së Metës i pamë, të shohim se çdo të na sjell ministri Thaçi?
Zyra e shtypit e PPD-së
Tetovë, më 22 janar, 2015
|