Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Jetojmë në feudokapitalizëm
Publikuar më 24 janar, 2015 në orën 18:55 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shkrimin më poshtë e pata nisur që disa javë më parë, por pa e përfunduar akoma, filloi të më tingëllon si kambanë marksizmi; hezitova ta vazhdoj dhe në vijim ta nis për botim. Sot disi u ndjeva pak i zënë në grackë nga që idetë e mia për një barazi në mes të njerëzve nuk kanë asgjë nga filozofia marksiste. Çdo ngjashmëri këtu është nga themele humane që mund të gjinden në shumë fe dhe ideologji në botë por pa pasur asnjë anim ndaj njëra tjetrës.

Këtyre ditëve hasa në shtypin shqiptar e sidomos atë europian, në disa të dhëna të fundit mbi dallimet në mes të klasave, dhe ja me këtë, i kurajuar në synimet e mia vendosa të përfundoj shkrimin mbi kancerin malin të shoqërisë njerëzore i cili do të çoj në trazira shkatërrimtare, në fillim vendet me ekspansion global të cilët në kërkim të zgjidhjeve do t’i rreken shtypjes me forcë të botës më pak të zhvilluar. Nëse këto parashikime duken utopike për disa, atëherë do të shprehem më ndryshe, do të them se pabarazia përkeqësohet me shpejtësi marramendëse dhe kjo është kumti i të ardhmes së zymtë..., të errët.

Ku fillon ndarja?

Pabarazitë fillojnë që nga sistemi edukativ nisur në fillim të shkollimit e që shkon duke thelluar dallimet vit pas viti gjer në mbarim të studimeve. Nga ku mëtej, fillon aplikimi permanent në jetën shoqërore. Është koha që analizat socio-ekonomike të merren seriozisht me gjendjen, mundësitë dhe mënyrën e krijimit të kushteve të mirëfillta për shkollim të gjithë shtresave duke parandaluar shkallëzimin e mëtutjeshëm dhe çarjen më të madhe në këtë kënd shoqëror. Edukimi i një fije të hollë njerëzish me të ardhura që barazohen me fitimet e mijëra punëtorëve, nuk do mënd se jep mundësinë e shkollimit nëpër qendra prestigjioze për një pakicë dhe me këtë, prodhon disi një elitë brez pas brezi që vazhdimisht mban dhe do t’i ketë nën mbikëqyrje botën e “rëndomtë” me të ardhura të “rëndomta” e sidomos pjesën akoma më të madhe, - asaj që nuk ka as ato të ardhura që i quajta “të rëndomta”. Këto marrëdhënie të krijuara që në fillim të një brezi, rrisin vazhdimisht pabarazitë duke transformuar botën në “capital”, “mbijetues” dhe të “pashpresë”. Të parët i gjejmë në çdo kënd të botës; ata mbajnë kapitalin dhe shkaktojnë rritjen e dallimeve. Të dytët i gjejmë po ashtu në çdo cep të botës por përqindja më e madhe e tyre janë qytetarë të shteteve të industrializuara dhe jetojnë poshtë-lartë me një standard të përafërt me njeri tjetrin por shumë larg nga mbajtësit e pasurisë botërore. Grupin e fundit e gjejmë po ashtu kahmos në botë por janë më të rrezikuar për ekzistencë nëpër vendet e pazhvilluara e sidomos aty ku ndarja e fitimeve bëhet plotësisht sipas dëshirës të një pakice që mban njëherësh kapitalin dhe pushtetin. Kur jemi te shkollimi dhe padrejtësitë në të, nuk do të kthehem në “faljen” e notave se kjo formë e sajimit të mundësive për bijtë e të pasurve ka marr fund që në shekullin e kaluar. Tani kemi metodat më perfide për mbajtjen dhe akaparimin e të gjitha mundësive në shoqëri. Kur nuk shkon shkolla, e çojmë me diploma të blera dhe është hapi i parë e ndoshta kryesorë në ruajtje të pushtetit dhe mirësive ekonomike në “familje”, duke evituar kështu ndonjë aversion të mundshëm të rastit apo edhe të përgatitur nga klasat e defavorizuara të shoqërisë.

Kallëzimi, sqarimet dhe statistikat, nuk janë vlerë e mjaftueshme për kurim

Kjo dukuri thelluese e pabarazisë shoqërore nuk i ka rrënjët e freskëta; ajo daton me krijimin e klaneve të para duke u rritur e acaruar nëpër shekuj, duke hasur në kundërshtime e revolta shpesh të përgjakshme që detyronin rishikimin e marrëdhënieve të sistemeve të caktuara. Ishin kohë kur denoncimi i padrejtësive nuk mjaftonte assesi për të vendosur një ekuilibër human. Mirëpo sot, në këtë shekull të përfolur ende pa nisur mirë, si epoka më humane në histori, nuk qëndron në asnjë parametër të ndarjes së pasurive dhe mirëjetesës. Statistikat që hasim në të gjitha anët dëshmojnë për një dallim tronditës në mes njeriut me pagë dhe pakicës që i quajta thjeshtë capital. Pasi statistikat do të ishin të tepërta në këtë shkrim do të ndalem ekskluzivisht në shembullin e trashëgimtares së “L’Oréal”-it, zonjës Liliane Bettencourt e cila pa asnjë ditë pune, vetëm për dhjetë vitet e fundit të shekullit të kaluar, pa t’i rritet pasuria nga 3 më 22 miliardë euro.
Nuk do të ndalem gjatë në denoncimin e pasurimit dhe krijimit të dallimeve jashtë çdo konteksti human në vendet e pazhvilluar. Përkundrazi, do të përmend vetëm se gjendja është shumë më kritike edhe pse diferenca nga vet natyra e resurseve, është më e vogël, ajo ndeshet me dëme më të dhimbshme shoqërore ngaqë numri më i madh i këtyre vendeve përbën shtresën më të lënë pas dore, të harruar plotësisht nga të gjithë.
Sa i përket vendeve që dolën nga një sundim diktatorial gjatë viteve të fundit të qindvjeçarit të kaluar, u pa qartas që në fillim, se ndryshimi do të jetë shkatërrimtar për masat. Një elitë e ngritur nga njerëz të diktaturës dhe nga një numër “luftëtarësh të ditëve të para”, uzurpuan gjithë çka mund të uzurpohej; pushtetin, mallin (pasurinë)..., në mënyrat më perfide duke e vu nën hije edhe regjimet më totalitare të rrezuara me gjak.
Nisem nga kjo dhe them se kallëzimi thjeshtë nuk mjafton; duhet një lëvizje e mirëfilltë demokratike, protesta të palodhshme gjer në mosdëgjim qytetar por gjithmonë pa fije dhune gjer në arritjet e ndryshimeve të duhura, “c’est à dire”, gjer në zhbërjen e sistemit politiko-ekonomik i cili u ngrit nga “elitat” e dyshimta që grabitën pushtetin pa pasur merita të mirëfillta dhe pa pasur ndonjë program e koncepte të zhvillimit shoqëror dhe mirëqenies së popullit.
Një ristrukturim i një të majte përparimtare dhe demokratike, me vlera humane të ndarjes së pasurisë dhe resurseve, mundësimit të shkollimit adekuat dhe me qasje të barabartë për të gjithë, do të ishte dalje nga kjo krizë e thellë shoqërore që mbisundon në rajonet e botës me konfigurim të përafërt politik sikur në trojet shqiptare, do të çonte drejt zgjedhjes së çështjes së mjerimit ku është zhytur njeriu “modern”.
Kur jemi te e majta, nuk flas aspak për ndonjë komunizëm e as socializëm klasik. Unë bëjë fjalë për një qasje më humane të ndarjes së fitimeve dhe barazimit e mundësimit të jetës së denjë për të gjithë. Pra, nuk bëhet fjalë për ndryshim të sistemit politik por për ndërhyrje në mënyrën e ndarjes së fitimit dhe kontrollit të tij në mënyrë të denjë dhe kategorike. Askujt nuk duhet t’i tolerohet pasurim “brenda nate” e as me shfrytëzim të punës së tjetrit në format e tejkaluara që në shekullin e XIX.
Mundësitë janë, edhe na jemi aty, por një denoncim i padrejtësive pa aktivitet efektiv shoqëror, nuk do të lëviz vendit asnjë milimetër bartësit e akaparuesve të pasurisë shoqërore dhe individuale të njeriut punëtorë. Nuk mund të ndërpres as rritjen marramendëse të peculium-it të një kaste e as mund të krijoj përfitime për jetë normale të tjerëve. Jo, një denoncim i pabarazive shoqërore nuk mjafton! Së paku jo në trojet tona, ku jetojmë në një sistem që s’ka të bëjë as me komunizëm, as me socializëm e as me kapitalizëm. Na jetojmë dhe veprojmë në një feudokapitalizëm të koklavitur fund e krye. Neve na duhet të lëvizim për të ndryshuar këtë gjendje të mizerjes!

Reis Mirdita

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 37 vizitorë
Lexuar: 401 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi