Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ka shumë të drejtë Zonja Elida Buçpapaj
Publikuar më 01 shkurt, 2015 në orën 15:34 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Me një tronditje të thellë në shpirt lexova analizën fort profesionale të publicistes së shquar, Zonjës Elida Buçpapaj, me titull “Kosova një Geto në zemër të Europës”, të botuar në faqet e internetit më 29 janar 2015.
Kjo analizë më tronditi thellë edhe për faktin se pas gati tre vjetësh rezulton e vërtetë ajo çka unë pata shprehur në një artikull të shkurtër me titull “Tradhtia në krye të Kosovës”, të botuar në faqet e internetit më 13 mars 2012. Për dijeninë e lexuesve të nderuar, po e riprodhoj në vazhdim:

Tradhtia në krye të Kosovës
Në emisionin e lajmeve të TV Top Channel të orës 19-30 të datës 13 mars 2012, telespektatorët morën edhe njoftimin e mëposhtëm:
“Duket se bisedimet politike rreth çështjes së veriut të Kosovës po bëhen të pashmangshme. Ishte ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Kuper (Cooper), i cili, duke përgënjeshtruar zyrtarët e Prishtinës, konfirmoi se do të ketë bisedime politike edhe për Veriun”.
Nga ky njoftim bëhet fare e qartë se ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Kuper është përfaqësuesi faktik i Serbisë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Evropa, si gjithmonë, që prej vitit 1878 dhe deri tani, ka nëpërkëmbur dhe përbuzur kombin shqiptar, duke u radhitur haptazi në krahun e shovinizmit sllavogrek. Ky Robert Kuperi domosdo që ka edhe sponsorizimin e padiskutueshëm të politikës ruse, e cila që prej Kongresit të Berlinit dhe deri në ditët tona, kombin shqiptar e ka pasur dhe vazhdon ta ketë halë në sy. Por faji në këtë mes nuk është as i Evropës dhe as i Rusisë që qëndron pas saj. Faji është i mbarë popullit shqiptar në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, që nxjerr në krye politikanë mercenarë, tradhtarë, të shitur kokë e këmbë te Evropa, te kjo varrmihëse e kombit shqiptar. Sllavët serbomaqedonas, duke vepruar në sinkron me Evropën dhe Rusinë në prapavijat e saj, po e shtojnë presionin për zhvlerësimin e pavarësisë së Kosovës dhe për çfaktorizimin e popullit shqiptar në Maqedoni. Vrasjet dhe keqtrajtimet e shqiptarëve në Maqedoni janë shndërruar në një dukuri të përditshme. Shovinizmi grekoleckaman i bën presion qeverisë shqiptare se pse ka futur në koalicionin qeveritar partinë e zotit Shpëtim Idrizi dhe pse ka dënuar dhunuesin e varrezave të Boboshticës, Naim Dishon. Hesht qeveria Thaçi për deklaratën shoviniste të shovinistit Robert Kuper, të cilit duhej t'i tregonte vendin. Jo, Thaçi hesht, sepse ai është jo kryeministër i popullit shqiptar të Kosovës, por kryeministër i pakicës serbe në Kosovë, sepse ai është tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës. Hesht Thaçi sepse shumë vite më parë ka bërë plane për shkëmbimin e Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, pra, për shkëmbimin e një territori shqiptar me një tjetër territor shqiptar. Pra, pas deklaratës shoviniste të Robert Kuperit, rezulton se ideali i heroit Adem Jashari dhe i mbarë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paska mbetur në mes të rrugës. Në këto kushte, populli shqiptar i Kosovës duhet të heqë dorë nga letargjia politike dhe të rreshtohet rreth Lëvizjes Vetëvendosja, për të bërë të mundur heqjen qafe të tradhtisë së Thaçit, të këtij mercenari të shitur të Beogradit.
Tiranë, 13 mars 2012

Nga analiza e publicistes së nderuar Elida Buçpapaj, rezulton se situata aktuale në Kosovë është shumë më tepër dramatike se në vitin 2012. Fakti që Kosova po zbrazet vazhdimisht nga brezi i ri, siç dëshmon me fakte zonja Buçpapaj, është dëshmia më kuptimplote e politikës tradhtare që ndjek qeveria e Kosovës, me në krye dyshen tardhtare Mustafa-Thaçi.
Koha e gjatë mbigjashtëmujore që kaloi pas zgjedhjeve të 08 qershorit pa formimin e qeverisë, dëshmoi se “gatesa tradhti” duhej të kalonte periudhën e stazhionimit të plotë në një marrëveshje të fshehtë mes Beogradit dhe Brukselit, në mënyrë që themelet e asaj tradhtie të bëheshin më të sigurt dhe më të besueshëm me përfshirjen në të të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Koha e vërtetoi se Mustafa-Thaçi janë dy tradhtarë të regjur dhe me stazh të gjatë në shërbim të Beogradit.
Fakti që qeveria e Kosovës, nën presionin e Evropës Brukseliane dhe me gatishmërinë prej servili të Hashim Thaçit dhe prej tradhtari të popullit shqiptar të Kosovës, pranoi më 19 prill 2013 të ulej në bisedime me Beogradin, pa ngulur këmbë paraprakisht që Serbia të kërkonte ndjesë botërisht për krimet e rënda që pati kryer në Kosovë dhe të dëmshpërblente të gjitha shkatërrimet dhe barbaritë që kreu atje, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Hashim Thaçi dje dhe Isa Musfa sot, në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, janë varrmihësit e pavarësisë së Kosovës që gëzojnë edhe përkrahjen pa rezerva të Brukselit.
Publicistja e shquar Elida Buçpapaj flet me fakte për urretjen e Evropës ndaj kombit shqiptar dhe, në dëshpërim e sipër, bën thirrje që të ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjendjen në Kosovë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përmbahen atij parimit hyjnor: “ndihmo veten të të ndihmoj unë”. Doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila u hodh në aksione konkrete kundër barbarisë serbe, çka bëri të mundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërmerrnin fushatën e bombardimeve ndëshkuese kundër Serbisë. Se po të kishte qenë puna për Evropën, në vitin 1999 s’do të kishte mbetur asnjë këmbë kosovari brenda territorit të Kosovës. Prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ndërhyjnë derisa vetë populli shqiptar i Kosovës vazhdon ta mbajë mbi kurriz një qeveri tradhtare, derisa opozita nuk është e aftë ta zgjojë popullin dhe të ngrejë më këmbë të madh e të vogël për ndëshkimin e qeverisë tradhtare Mustafa-Thaçi, e cila ka ndër mend të vërë në jetë marrëveshjen e Millosheviçit me Parisin për shrytëzimin nga ana e Francës të minierës së Trepçes për një periudhë 100-vjeçare.

Santa Barbara, Kaliforni
31 janar 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 40 vizitorë
Lexuar: 870 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi