Lëvizja G-7, pas analizave të bëra lidhur për:
Gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, pas situatës së krijuar nga protestat e opozitës dhe demonstratës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, pas dështimit në menaxhimin, të protestës nga ana e organizatoreve, pas përdorimit të dhunës nga protestuesit edhe nga Policia e Kosovës, ku u lënduan shumë protestues dhe policë, pasi u bë dëmë i madh material, pas konstatimit se kjo opozitë është në një masë bashkëfajtore me pozitën për gjendjen në Kosovë dhe se kjo opozitë nuk e ka kredibilitetin dhe kapacitetin për të dalë në ballë të kësaj të keqe që e ka përfshirë Kosovën, mendojmë se, kjo situatë kërkon që të hartohen kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës, të cilat në një masë do të ndikonin që të fillohet me gjetjen e rrugës për të dalë Kosova nga kjo gjendje kaotike, prandaj:
1. Të përmirësohet gjendja ekonomike-sociale e punëtorëve dhe të bëhet një pakt social;
Të zbatohet Kontrata Kolektive;
Të zbatohet Ligji për pagat, të plotësohet ai sa më shpejtë që është e mundur dhe të rregullohen ato në proporcion 1:3 (raporti në mes të pagës më të vogël dhe më të madhe në pagat shtetërore dhe publike) me qëllim që behet një ndarje më e drejtë e buxhetit të shtetit të Kosovës dhe të vendoset një stabilitet sociale;
Të zvogëlohen shpenzimet për funksionaret e lartë te Qeverisë së Kosovës;
Të caktohen të ardhurat e garantuar, të cilat do të mjaftonin për ekzistencën e familjes 5 anëtarësh, në shumën prej 400 euro.
2. Të përmirësohet gjendja në shëndetësi:
Të zbatohet Ligji për sigurime shëndetësore dhe pensional;
Të përmirësohen kushtet për mjekët dhe të vendoset rendi në sistemin shëndetësor;
Të rregullohet sistemi i shërbimeve private në shëndetësi dhe barazimi i tyre me sektorin publik;
3. Të bëhen përmirësime në sistemin e drejtësisë:
Të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve;
Të ndryshohet vlerësimi i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ai me normë në at me cilësi.
4. Të ashpërsohet lufta kundër korrupsioni në të gjitha instancat shtetërore e publike:
Të aprovohet Ligji për prejardhjen e pasurisë, si ligj kyç për luftimin e korrupsionit;
Të hiqet dispozita e Kodit Penal të Kosovës dhe dhënia e ryshfetit të hiqet si vepër penale.
5. Të mbrohet pasuria në tërë territorin e Kosovës dhe të ndihmohet ajo me mjete stimuluese dhe politika fiskale:
Të menaxhohet tërë pasuria tokësore e nëntokësore e Kosovës me theks të veçantë “Trepça” dhe “KEK-u”;
Të krijohet një bankë shtetërore e cila do të kujdeset për zhvillimin ekonomik të Kosovës me kredi dhe kamatë të ulët;
Ti konfiskohet pasuria e të gjithë atyre që e kanë marrë në kundërshtim me ligjin dhe e njëjta t’i kthehet Shtetit të Kosovës;
Të rishikohen të gjitha kontratat e shitjes së pronës shoqërore dhe sa janë përmbushur ato.
6. Të krijohet një administratë profesionale dhe të pa politizuar:
Të largohen nga administrata njerëzit e paaftë, injorantë dhe ata që i kanë blerë diplomat;
Të shkarkohen zyrtarët e lartë dhe administratorët te cilët politizohen dhe japin deklarata fyese, nacionaliste dhe fashiste, siç është rasti me ministrin Jabllanoviq.
7. Të fillohen reforma në arsim.
Lëvizja G-7, mendon se, për realizimin e pikave të lartshënuara, Qeveria duhet të angazhojë njerëz që i plotësojnë këto kritere:
1. Të kenë besim të fortë në vete, familje dhe shoqëri;
2. Të kenë qëndruar kombëtarisht drejtë në të kaluarën;
3. Të jenë të përgatitur profesionalisht për detyrën që i ngarkohet për ta kryer;
4. Të jenë të pakorruptuar dhe që i kanë premisa, se nuk do të korruptohen;
5. Të jenë provuar se janë për zbatimin e ligjit dhe do të zbatojnë atë edhe në të ardhmen;
6. Të jenë njerëz që me profesionet e tyre mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik;
7. Të jenë njerëz që e njohin historinë, gjeografinë, kulturën dhe gjendjen psikologjike dhe shpirtërore të shqiptarëve;
Nëse Qeveria nuk është në gjendje që t’i realizoj kërkesat e latrëshëniuara, do të ishte mirë të mendonte për dorëheqjen e saj.
Lëvizja G-7
Ruzhdi Gashi, zëdhënës
Me 28 Janar 2015
|