Nga Hamburgu për Havanë
Hamburg 1840. Verë. Ania franceze “Rosalie”, e ngarkuar me mallra të çmueshme, çau ujin nga porti gjerman drejt Havanës.
Rosalie hyri në mesin e fantazmave të Bermudeve megjithëse ekziston një burim i vetëm të cilit i referohen të gjithë autorët (përveç J. Metz, shih në vazhdim) që shkruajtën gjer më sot e ky është një artikull i botuar në “London Times” më 6 nëntor 1840 ku shkruan:
“Diçka e rrallë ka ngjarë këtyre ditëve të fundit. Një kabotazh i vogël i yni, ka hasur në një anije të madhe franceze e nisur nga Hamburgu për Havanë, e cila ishte plotësisht e braktisur. Pjesa më e madhe e velave ishte e ngritur. Ndërtesa nuk dukej aspak e dëmtuar. Ngarkesa (mallrat) përbëhej nga verë, frute, mëndafshe, etj, të gjitha me një vlerë të madhe dhe ishin në gjendje perfektë. Dokumentet e kapitenit ishin në vendin duhur dhe të sigurt ... Anija e braktisur ca orë më parë, përmbante disa dengje me mallra të destinuara për tragtarët e Havanës. Kjo anije e emëruar Rosalie, është shumë e madhe dhe e ndërtuar së fundmi. Nuk ka asnjë lajm mbi ekuipazhin.”
Në ndërkohë, hulumtuesi Jules Metz (La vérité sur le triangle des Bermudes, Robert Laffont 1988, (E vërteta mbi trekëndëshin e Bermudeve), duke kërkuar të dhëna mbi anijen e zhdukur, erdh në përfundim se ajo nuk kishte ekzistuar kurrë; nuk ishte e regjistruar askund në Francë dhe në asnjë port detar gjetiu. Ai pasi konsultoi arkivat e “Lloyd’s”, mendon se ka gjetur të vërtetën: Bëhet fjalë për një anije tjetër e quajtur “Rossini”. Të gjitha të dhënat historike përputhen me anijen fantazmë të Rosalie-s me të vetmin dallim thelbësor se ekuipazhi dhe udhëtarët që patën braktisur anijen u gjetën dhe u ndihmuan pranë Bahama-s.
Është me rëndësi të ceket se varianti i Jules Metz është plotësisht veridik nga që ai konsultoi të gjithë dokumentacionin e mundshëm dhe nuk hasi askund me të dhëna mbi Rosalie-n franceze. Sa për Rossini-n është vetëm një hipotezë mjaftë e besueshme por edhe vet autori në fjalë thotë se beson që ka gjetur përgjigjen e saktë duke lënë kështu, një fije të errët në zëvendësimin e Rosalie-s inekzistente me Rossini-n.
Megjithatë diçka mungon...
Me këtë duket dosja e kompletuar dhe fshehtësia e zgjidhur. Por, një vështrim tjetër mjaft i arsyeshëm mungon! Nuk ka të dhëna apo më saktë, nuk ka deklarata veridike nga ekuipazhi dhe udhëtarët e Rossini-t. Kombësia e çdonjërit prej tyre do të jepte ndoshta disa indikacione për të ardhur në ndonjë konkluzion të mirëfilltë mbi ekzistencën e anijes franceze. Nuk kemi as të dhëna që flasin për prejardhjen e të gjitha mallrave e sidomos vërtetime se tiketat mbi ambalazhin e verës ishin origjinale e mos të flasim për prejardhjen e pëlhurave të mëndafshit me vlerë të jashtëzakonshme. Krejt kësaj koklavitje i shtohet edhe pyetja se si një gazetë me nam sikur “London Times”, botoi një artikull të pa verifikuar ku flitej jo më pak se për persona të zhdukur pa lënë asnjë shenjë të mundshme, i bije pak si tallje, sidomos nëse kihet parasysh emri i anijes që nuk mund të gabohej assesi nëse me të vërtetë autori kishte mbledhur informatat nga udhëtarët dhe ekuipazhi i Rossini-t ose nga agjencia për sigurime Lloyd’s.
*Vazhdon me: Shekulli i XIX përplot me enigma
Reis Mirdita
|