Partia për Prosperitet Demokratik është e brengosur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe konstaton se ato janë si pasojë e mungesës së dialogut politik një kohë të gjatë mes forcave kryesore politike në vend : atyre që e përbëjnë qeverinë të udhëhequr nga VMRO--BDI dhe opozitës maqedonase të udhëhequr nga Zoran Zaev. Këto mosmarrëveshtje të filluara qysh para dy vitesh që nuk morën epilog përfundimtar as me ndërmjetësimin e BE-së, kulminuan me lindjen e aferës të paralajmëruar dhe ende të pa zbardhur “bomba” nga ana e liderit Zaev dhe ngritjes së padisë penale kundër Zoran Zaevit për “tentim për grusht shteti”, siç shprehet prokuroria në aktakuzë të publikuar në mjetet e informacionit publik.
Sa i përket padisë penale ndaj Zoran Zaevit Partia për Prosperitet Demokratik përkrah qëndrimet e BE-së, SHBA-së , Gjermanisë dhe tërë komunitetit ndërkombëtar se ky proces gjyqësor duhet të jetë transparent, i paanshëm dhe duke respektuar parimin e presumcionit të pafajsisë, i pavarur dhe nën mbikqyrje ndërkombëtare sepse nuk është vetëm opozita ajo që thotë se Gjyqësia në Maqedoni është e ndikuar politikisht,e korruptuar, selektive, por akuzat më të mëdha për gjyqësinë edhe sot vijnë nga ministrat dhe partia (BDI) që me vite e ka udhëhequr dhe e udhëheq gjyqësorin si dhe lideri i saj Ali Ahmeti i cili shpirtin “ e jep” e qeverinë asesi!
Partia për Prosperitet Demokratik i sugjeron BDI-së në situata të vështira të mos të sillet si organizatë ndërkombëtare që vepron në Maqedoni, si vëzhgues ndërkombëtar i situatës por si parti politike që është pjesë e Qeverisë. Ajo nuk duhet “me kujdes ta ndjek situatën” nga jashtë por si pjesë e Qeverisë ta jep kontributin e saj në zgjidhjen e problemeve që paraqiten në shoqëri. Ajo në rend të ditës në mbledhjet e Qeverisë duhet të ngrejë çështje që i brengosin qytetarët e vendit: lufta kundër korrupsionit, liritë e njeriut, liria e mediume e jo t’ju jep ders partive politike se si duhet të veprojnë dhe ta ruajnë gjakëftohtësinë. Ata që nuk e luftojnë të keqen vetë bëhen pjesë e së keqes!
Zyra për informim e PPD-së
Tetovë, më 3 shkurt 2015
|