Me një ceremoni të veçantë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka dekoruar disa personalitete me kontribute në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë ceremoni të organizuar në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë merrnin pjesë personalitet të larta shtetërore, si kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, familjarë të personaliteteve të dekoruara dhe shumë të tjerë, shkruan AA.
Kështu, me dekoratën “Nderi i Kombit” pas vdekjes për kontribute të veçanta në luftën për pavarësi të Kosovës janë dekoruar Sali Çekaj, Zahir Pajaziti,Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha-“Drini”, Luan Haradinaj, Indrit Cara, Bekim Berisha, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Smajl Hadaraj.
Ndërkohë me dekoratën e “Artë të Shqiponjës” janë vlerësuar figurat Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Latif Berisha, Ukë Bytyçi, ndërsa Agim Hajrizi, Haki Imeri dhe Ismet Rraci janë vlerësuar me titullin për “Merita të veçanta civile”. Ahmet Krasniqi është vlerësuar me dekoratën “Gjergj Kastrioti”.
Që në fillim të fjalës së tij, Presidenti Nishani u ndal në heroizmin e popullit shqiptar nëpër shekuj dhe sakrificat e popullit të Kosovës deri në shpalljes e Pavarësisë.
“Historitë e popujve të vegjël kanë kaluar nëpër portat e tragjedive të mëdha. Ky vlerësim i përgjigjet edhe historisë së popullit shqiptar, ku për mbijetesë kaloi nëpër sakrifica të jashtëzakonshme. Kështu flasin faktet historike nga lashtësia ilire dhe deri në ditët e sotme. Tek këto sakrifica të mëdha qëndron edhe krenaria jonë kombëtare. Në faqet e historisë së kombit shqiptar, kapitulli më i veçantë i krenarisë kombëtare është Kosova, martirja heroike që ndonëse ka kaluar nëpër portat e tragjedisë së madhe, nuk është ndalur deri në kurorëzimin e fitores së plotë, duke u bërë shtet i lirë dhe i pavarur”, u shpreh Nishani në këtë ceremoni.
Ai tha se e kujton me krenari qëndresën heroike të Adem Jasharit, që historisë sonë kombëtare i pasuroi faqet si një akt qëndrese legjendare dhe unike në historinë botërore.
Kreu i shtetit shqiptar përmendi në fjalën e tij edhe heronjtë e rinj të Kosovës, që trashëguan forcën dhe atdhedashurinë e Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës, si luftëtarët Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Sali Çeka, Tahir Zemaj, Luan Haradinaj, Smajl Haradinaj, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
“Për çlirimin e Kosovës u flijuan bijtë e bijat më të mira që janë krenaria e përjetshme dhe që do të ushqejnë edhe brezat e ardhshëm”, u shpreh Nishani.
|