Poeti i jep oksigjen vargut të poezisë, në librin e titulluar ”Kërkoj yllin e fatit” |
Publikuar më 27 shkurt, 2015 në orën 21:18 ( ) |
Kulturë | |
|
|
Të shkruash varg poezie, në radhë të parë, duhet që të flasë shpirti. Dhe, kur flet ndjenja shpirtërore, s’ka se si të ndodhë ndryshe. Kështu, poezia del vetvetiu nga skutat e fshehta të galerisë së mendjes e shtrohet si një tapet pranveror, plot ngjyra lulesh, mbi fletët e bardha për te libri.
Takon poetin Gani S. Pllana, bisedon me atë shtruar në ”livadhin gjelbëror” dhe prekë, padashur, edhe poezinë e tij. Poezia e poetit Gani S. Pllana, ka të veçantat e saj. Ajo është e thjeshtë në të shkruar, ka gjetje tematike të shumëllojshme, por nuk mungojnë edhe gjetjet metaforike, krahasuese dhe, mbi të gjitha, lirika e stili i të shkruarit, që rrok kohën e djeshme dhe të sotmen. Ai, me stilin e vetë, që e kërkon vazhdimisht te vetvetja dhe në hapësirën mbarëshoqërore, jep mesazhe të qarta, me vargjet aq të ngrohta. Ato e bëjnë për vete lexuesin, në përgjithësi, dhe atë lexues, që e do poezinë si oksigjeni, që ne thithim në mushkëri.
Poeti ka ditur të përzgjedhë edhe fjalën e gdhendur, atë e ka vendosur aty ku duhet për te vargu me kolor ndjenjash. Kjo gjetje e ka bërë edhe më elastike, por edhe më të ngrohtë, poezinë e shkruar në këtë vëllim të ri, me titullin”Kërkoj yllin e fatit”.
Në këtë libër gjenden, si një gjerdan njëra pas tjetrës, plot 32 poezi. Poeti Gani S. Pllana, ka shkruar edhe më parë poezi. Dhe, si i tillë, ai është paraqitur para lexuesit me dy vëllime poetike, për të rritur. Në vitin 2013, na paraqitet me vëllimin e titulluar, ‘’Për një pikë ujë’’ dhe ”Melodia e përjetësisë”, në vitin 2014.
Përgjatë tërë gamës së krijimtarisë së tij, sikurse në dy vëllimet e mëparshme, edhe në vëllimin më të ri të përmbledhjes ”Kërkoj yllin e fatit”, ai vjen më i plotë si krijues. Pra, materies poetike në shqyrtim i jep edhe më shumë vlera artistike e letrare. Ky poet e shprehë këtë gjë qartë, nëpërmjet vargut edhe në poezinë, që ka marrë titullin i libri. Ashtu si ylli i mëngjesit që ndriçon në qiell, edhe bijtë e bijat kosovare janë në kërkim të fatit të tyre. Poeti ka një revoltë të brendshme, që i cili e shpreh me vargje në kërkim të fatit, se si do jetë e ardhmja.
Më konkretisht, ai thotë:
‘’Në tokë të huaj, pa shpresë.
Për bukën e gojës,
Me legjendë në krahë të Nojës,
Për një jetë më të mirë...
Në meridianë të tjerë,
Turma- turma, turbull-këllirë!
Bredhje pa fund...
Ylli i fatit, askund!’’
Poetët, nëpërmjet vargut të poezisë, këndojnë si bilbilat në pranverë. Atyre u këndon shpirti, të cilët bëjnë gurët e pemët të vallëzojnë në vargun e shkruar prej tyre. Vargu i poetit Gani S. Pllana është i gjallë, e ”puthë” me dashuri gjirin e tokës mëmë. Në këtë kohë aritmike, ai i këndon Kosovës së bukur, asaj gonxhes së trëndafilit të larë me gjak e sakrifica nëpër shekuj, për të qenë e lirë dhe e pavarur, për të qenë një Zonjë e denjë, në vatrën e truallit arbëror. E, pse jo, një ”nuse” më e bukur, në mes të Evropës. Poeti shprehet thjeshtë, me vargjet e shkruara, te poezia me titullin aq domethënës e të dëlirë, por edhe me llavën e shpirtit të tij, si zjarr dashurie për Atdheun:
”Këtu, lindin djem e goca
Të bukur, syshkruar,
Shtathedhur – pehlivanë.
Përherë bukuri, këndej,
Lakmi na ka bota.
Një gjë e pakuptueshme:
Eksod,
Në çdo decenie?!
Në gjirin e tokës mëmë
Do bëj gjumin e përjetësisë”.
Emocione poetike gjen edhe tek poezitë e tjera, që jepen me aq forcë e dinjitet, në poezinë me titull aq domethënës, ”Kosovë ujë bilur”:
”Kosova, përherë ishte
Një nënë e mirë,
Për bijtë e bijat e vetë,
Mikpritëse për miq.
Zoti i dhuroi edhe begati,
Të veshur me kostumin
E ylbertë”.
ecën i sigurt me hapin e kohës. Ajo shprehë edhe miqësi, jep mesazhe jete, kur e thotë aq hijshëm, me vargjet ‘’Mikpritës për miq,/ Zoti i dhuroi edhe begati...”. Pra, janë të veshura me kostumin e ylbertë, që rroket deri në skutat e shpirtit tonë, me aq dashuri.
Poeti Gani S. Pllana është i vetëdijshëm edhe për ngjarjet e kohës, në të cilën jetojmë ne, por edhe vetë ai. Pra, është fjala për eksodet, që janë bërë si një çiban, në trupin e shoqërisë sonë shqiptare.
Ai vajton me gjithë shpirt, derdhë lot e dhimbje në zemër, e shikon të nesërmen si një kornizë xhami të thyer. Pra, e lexon qartë kohën, që jeton edhe vetë poeti. Poeti ka ditur t’i fusë në rrjedhën e kohës ngjarjet e kobshme, si një plagë e shoqërisë, që duhet rikuperuar. Synimi është që, në fund të fundit, të sjellë begati, në Kosovë e për gjithë shqiptarët. Një poezi, që na përcjell dhimbjen me vargjet e saj, është ajo me titullin kuptimplotë, “Matrapazët e pamëshirë”.
“Ka vdekur edhe shpresa e fundit!
Duan të zhduket smalti e mundi...
Ka hyrë në mendje arratisja,
Te shumë të rinj të pashpresë.
Të gjithë po ikin,
Të ikim edhe ne!...
Apoteozë biblike - e pa fre?”...
Ndërsa te poezia ”Një kërthi”, shprehet me këto vargje:
”Një kërthi gjashtëmuajshe në lukuni,
Këmbëzbathur në krah të babait,
Përtej lumit presin cerberët!
“Ndal,- i thotë zyrtari,-
Të zura - kaliboç...
Nuk mund të ikësh!”
Babai, me foshnje troç,
Nëna i zgjatë duart – në lot,
Foshnja qeshet,
Polici i huaj ngërdheshet...!?”
Autori e shprehë hapur atë mllef, që i del nga shpirti i ngarkuar me plagë dhimbjeje për fatet e Kosovës, të njerëzve të saj, të cilët sakrifikuan edhe me jetët e tyre, për të punuar e jetuar në Kosovën e lirë e të zhvilluar, si nga ana ekonomike e atë shoqërore, por edhe arsimore e kulturore. Ai ka ditur të ndërtojë mure të forta kalaje, nëpërmjet vargjeve të poezisë, që na sjell te ky vëllim i ri. Poeti është i bashkangjitur si një metal, me problemet aktuale të shoqërisë dhe ngre fuqishëm zërin e tij, si një zgalem, nëpërmjet poezisë së tij.
Edhe poezia ”Nënëloket tona” ka gjetje të bukura metaforash, që të mban fort pas saj, me vargjet e shpresës, që krahët janë si të shqiponjës, por me bardhësinë e borës së maleve, plot mesazhe jete:
” Donin Nam’ e Arbëri,
Mbronin pragun e shtëpisë,
Më të forta se guri e stralli,
Të fuqishme si zana mali...”
Ashtu si e kemi shprehur edhe në fillim të hyrjes së parathënies së librit, autori i këtij vëllimi, poeti Gani S. Pllana, nga shpirti pjalmon për Atdheun, vargje me aromë pranvere, që janë mesazhe të qarta dritëdhënëse, për sot e për nesër. Ky mesazh duhet lexuar drejt, nga të gjithë, me qëllim që Pavarësia e liria jonë të jetojnë në shekuj, pra të kemi veç pranverë:
” Për pranverë kam një porosi:
Pëllumbi, kur të vjen krahëhapur,
Mbi derë të shtëpisë sonë,
Le t’u jap lajmin e prerë:
Do kthehem te ju!
Patjetër, në Pranverë
Çelë loti im.”
Vargjet e librit ”Kërkoj yllin e fatit”, të poetit Gani S. Pllana, janë gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtarë shqiptarë. Ata sikur rrezatojnë shpresë jete, perspektivë dhe krenari. Pikërisht këtë mendim të tij, autori Pllana e pasqyron me këto vargje:
”Presim me gëzim
Nëntorin e Tretë,
Do bëhet nuse krenare
Arbëria, Zonjë vetë”.
Autorit të këtij libri i urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij letrare!
Xhevahir Cirongu
Adem Zejnullahu
Durrës, 20 shkurt 2015
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 31 vizitorë |
Lexuar:
547 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|