Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Sa për kujtesë Kancelares së Nderuar, Zonjës Angela Merkel
Publikuar më 02 mars, 2015 në orën 02:59 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Dje, më 28 shkurt 2015, lexova në internet analizën mjaft mbresëlënëse të atdhetarit të nderuar shqiptar Cenë Pushkolli, me titull “Vështrim. Po flitet se…”. Në këtë analizë, më lanë përshtypje të jashtëzakonshme fjalët e mëposhtme të këtij shqiptari me formim të shkëlqyer nacionalist:
“… shqiptari denbabaden ka qenë bukëdhënës, po, po, ka qenë dhe është bukëdhënës, si në kohëra të luftës, po ashtu edhe në paqe”.

Këto fjalë të arta, më kthyen prapa në kohë dhe më sollën në kujtesë një letërkëmbim elektronik që kam pasur para më shumë se një viti me një mikun tim shqiptar, dr. Raif Eminin që banon në Kanada. Në njërin nga ato letërkëmbime, dr.Raifi më shkruante:
“Me një fqinjin tim në Prishtinë, para luftës së Kosovës, rrinim së bashku dhe kishim kohë për të biseduar, sepse ishim edhe shumë të shqetësuar për shkak se në çdo moment mund të hynin serbët për të na vrarë e therur tërë familjen. Njëherë, në bisedë e sipër, fqinji im, që quhet Ismet Mujeci, më rrëfeu për një kushëri të vetin, një plak, i cili, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte qenë në Frontin e Sremit, në Vojvodinë. Atje ishin me mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët serbët i kishin grumbulluar me dhunë, duke i detyruar të braktisnin shtëpitë e veta. Serbët kishin si qëllim kryesor ekzekutimin e tyre, ashtu siç kishin vepruar me të tjerë shqiptarë në masakrën e Tivarit, në mënyrë që Kosova të zbrazej nga popullsia shqiptare dhe të kolonizohej me sa më shumë serbë dhe malazezë, ashtu si gjatë një shekulli.
Në vendgrumbullimin e shqiptarëve, serbët kishin sjellë edhe disa mijëra ushtarë gjermanë, të cilët, pas kapitullimit të nazizmit, ishin dorëzuar te forcat partizane serbe. Por partizanët serbë nuk u jepnin ushtarëve gjermanë asnjë gram bukë, kurse shqiptarëve u jepnin vetëm një copë bukë një herë në 24 orë. Pas disa ditësh, ushtarët gjermanë filluan të vdisnin nga uria. Kjo u ra menjëherë në sy shqiptarëve të Kosovës. Njëri prej shqiptarëve që konsiderohej si përgjegjësi i tyre, iu drejtua të gjithë bashkatdhetarëve të vet dhe u tha:
“Dëgjoni, vëllezër! Ushtarët gjermanë po vdesin nga uria se serbët me yll në ballë nuk po u japin asnjë grimcë bukë. A jeni dakord që racionin tonë ta ndajmë në mes dhe gjysmën t’ua japim ushtarëve gjermanë që të mos vdesin nga uria?”.
Të gjithë shqiptarët nga Kosova pranuan njëzëri ta ndanin racionin në mes me ushtarët gjermanë. Kjo situatë vazhdoi dy javë. Pastaj Gjermania u mor vesh me Titon dhe u vendos që ushtarët gjermanë të liroheshin nga kampi ku i kishin grumbulluar serbët. Por para se të largoheshin nga kampi, një gjeneral i ushtrisë gjermane që ndodhej bashkë me ushtarët në kamp, kërkoi të takonte përgjegjësin e shqiptarëve të Kosovës, i cili dinte pak gjermanisht. Në atë takim, gjenerali e pyeti:
“Çfarë kombi jeni dhe nga jeni?”.
Përgjegjësi i shqiptarëve i përgjigjet:
“Jemi shqiptarë muhamedanë nga Kosova”.
Gjenerali gjerman i thotë:
“Sikur të më tregonte dikush se një popull i tërë është kaq bujar, unë nuk do ta besoja, por këtu, së bashku me njerëzit e mi, e përjetova bujarinë që treguat të gjithë ju”.
Gjeneralit i rrokulliseshin lotët faqeve dhe i binin në tokë. Ai i drejtohet përsëri përgjegjësit të shqiptarëve dhe i thotë:
“Popull më bujar nuk kam parë në jetë dhe nuk kam dëgjuar që një popull i tërë, pa mëdyshjen më të vogël, të vërë veten në rrezik për të ndihmuar të tjerët. Ne e humbën luftën, por ne jemi komb i madh dhe prapë do të ngrihemi më këmbë. Dhe juve nuk kemi për t’ju harruar, sepse ne do ta njoftojmë kombin tonë për ju dhe për bujarinë tuaj. Prandaj do të vijë dita kur do të na e shikoni hairin”.
Kjo letër e dr. Raif Eminit më pati prekur thellë. Mendova të reagoja menjëherë në faqet e internetit, por pastaj i dhashë karar të lë për më vonë dhe këtë letër të dr. Raifit, hëpërhë, e mbylla në “sirtarin” e kujtesës. Por analiza e lartpërmendur e atdhetarit të mirënjohur Cenë Pushkolli, ndikoi mbi mua që ta hap “sirtarin” e kujtesës. Këtu nuk do të them ndonjë gjë të re, sepse fisnikëria dhe mikpritja e kombit shqitar është e njohur tashmë se ajo është e përmasave proverbiale.
Ushtarët italianë, më 07 prill 1939, erdhën si agresorë në Shqipëri, ku vranë, prenë dhe dogjën sa deshën. Por, pas kapitullimit të Italisë fashiste më 08 shtator 1943, u katandisën në ditë të kiametit për një kothere bukë. Megjithatë, populli fisnik shqiptar, deri në fshatrat më të thella të vendit tonë, i strehoi në shtëpitë e tij, i ngrohu pranë vatrave të tij të zjarrit në acarin e dimrit, ndau me ta kafshatën e gojës dhe nuk i la të vdisnin nga uria apo të bëheshin pre e sëmundjeve ngjitëse, siç ndodh në raste të tilla të ngjashme, paçka se ata kishin ardhur me zjarr e me hekur për ta robëruar. Pas luftës, të gjithë ata u kthyen në atdheun e tyre shëndoshë e mirë.
Le të bëjmë një krahasim të vogël mes fatit të robërve italianë në Shqipëri dhe të robërve gjermanë në Bashkimin Sovjetik. Studiuesi austriak Stefan Karner, ka botuar një libër me titull “Arkipelagu GUPVI” (Arkipelagu i Drejtorisë Qëndrore për Çështjet e Robërve të Luftës dhe të të Internuarve), në analogji me titullin e librit të Solzhenjicinit “Arkipelagu GULAG” (Arkipelagu i Drejtorisë Qëndore të Kampeve), i përgatitur në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studimin e Pasojave të Luftës dhe me Universitetin Shtetëror Humanitar Rus. Libri është botuar në Moskë në vitin 2003.
Në atë libër, Stefan Karner tregon se robërit gjermanë detyroheshin nga ushtarët sovjetikë të përshkonin 200 deri 300 km më këmbë. Shumë prej tyre vdisnin rrugës nga të ftohtët e dimrit rus dhe nga uria. Nga 95 mijë robër që ranë në duart e rusëve në betejën e Stalingradit, në Gjermani, pas shumë vjetësh, arritën të kthehen vetëm 2500 prej tyre. Të tjerëve nuk u dihet as nami as nishani.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është botuar një album me titull:“BESA. Myslims who saved jews in World War II” (BESA. Myslimanë që shpëtuan hebrenj në Luftën e Dytë Botërore). Syracuse Unicersity Press. New York 2008”. Autor i këtij albumi interesant është hebreoamerikani Norman H. Gershman, me profesion fotograf. Punimet e tij në artin e fotografisë janë paraqitur në mjaft muze në mbarë botën. Fotografitë e tij kanë qenë të ekspozuara në Izrael dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Fotografitë që ai ka bërë në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shërbyer si subjekt për përgatitjen e një dokumentari me titull “God’s House” (Shtëpia e Zotit).
Nga ai album (që autori edhe në anglisht titullin ia ka lënë “BESA”, me qëllim që të nxjerr në pah faktin se hebrenjtë shpëtuan nga vdekja në Shqipër për forcë të institucionit të besës që karakterizon shqiptarët) mësova se kanë qenë 58 familje shqiptare që kanë pas strehuar hebrenj gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Ato familje vunë veten në rrezik dhe bënë të mundur që të mos binte në duart e nazistëve hitlerianë as edhe një hebre i vetëm. Nuk besoj se mund të gjendet në botë dëshmi më kuptimplote për mikpritjen dhe për besën e një kombi, si kombi shqiptar, sidomos po të karahasojmë qëndrimin që mbajtën ndaj hebrenjve shtete të tilla, si Franca dhe sidomos Greqia etj. Qëndrimi ndaj robërve të luftës dhe ndaj hebrenjve në vitet e Luftës së Dytë Botërore vërteton faktin se ç’vlera të larta morale e karakterizojnë kombin shqiptar, se ç’dimensione befasuese përfton institucioni i besës në formimin psikologjik të kombit shqiptar.
Më 14 maj 2014, pata lexuar në internet shkrimin mjaft interesant të publicistes së talentuar, zonjës Elida Buçpapaj, me titull:
“Takim me zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan shqiptarët”.
Në atë shkrim fort prekës dhe me një domethënie mjaft të thellë, flitet për zonjën 84-vjeçare hebreoamerikane Johanna Neumann, e cila mundi të shpëtonte nga zhdukja fizike prej nazizmit gjerman, falë humanizmit dhe besës proverbiale të popullit shqiptar.
Por Evropa është treguar shpërfillëse ndaj këtyre vlerave të larta morale të kombit shqiptar. Ajo jo vetëm e ka nëpërkëmbur kombin shqiptar, por ka kryer edhe akte të rënda kundër interesave të tij jetike.
Kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor të vitit 1878, shtroi platformën për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, Evropa, një muaj më pas, organizoi Kongresin e Berlinit. Kongresi në fjalë nuk e mori parasysh platformën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi, duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”!!!
Interesante! Të mos e dinte vallë kancelari Bismark se kush i popullonte katër vilajetet shqiptare që shtrihen që nga Tivari, Nishi, Shkupi, Manastiri, Janina e deri në Artë e në Prevezë? Sigurisht që e dinte, por atij i interesonte mbrojtja e interesave të shovinizmit rusomadh, i cili ishte mburoja e fuqishme e shovinizmit grekosllav në Gadishullin Ilirik dhe armiku i betuar i kombit shqiptar. Me qëndrimin e vet shpërfillës ndaj kombit shqiptar, kancelari Bismark, si Kryetar i Kongresit të Berlinit, u bë nismëtari i copëtimit të parë të trojeve etnike shqiptare për interesat e sllavizmit. Ky është një borxh i madh politik që Gjermania ia ka kombit shqiptar, të cilin ia ka shlyer pjesërisht me qëndrimin shumë dashamirës që mbajti ndaj pavarësimit të Kosovës, për çka mbarë kombi shqiptar i është shumë mirënjohës.
Me copëtimin e dytë, edhe shumë më të rëndë të trojeve etnike shqiptare në Konferencën e Londrës të vitit 1913, kryetar i së cilës ishte Eduard Grei (Edward Grey), ministër i jashtëm anglez, Britania e Madhe, po ashtu, hyri në një borxh të madh politik me kombin shqiptar, të cilin, ashtu si edhe Gjermania, ia ka shlyer pjesërisht me qëndrimin burrëror që kryeministri Toni Bler (Tony Blair) mbajti ndaj pavarësimit të Kosovës, duke u rreshtuar vendosmërisht përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për çka kombi shqiptar, gjithashtu, i është shumë mirënjohës.
Sot troje të tjera etnike shqiptare vazhdojnë të mbahen të pushtuara nga shovinizmi grekosllav. A e mendon politika zyrtare e Berlinit dhe e Londrës, si dy kryeqytetet ku u morën vendime të gjëmshme kundër kombit shqiptar, se Çështja Kombëtare Shqiptare vazhdon të mbetet e pazgjidhur ende dhe se duhet organizuar një tjetër konferencë ndërkombëtare për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur? Sepse pa u realizuar ky ribashkim, në Evropën Juglindore nuk do të ketë kurrë qetësi.

Santa Barbara, Kaliforni
01 mars 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 48 vizitorë
Lexuar: 541 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi