PYETJE BUDALLICA! |
Publikuar më 02 mars, 2015 në orën 03:01 ( ) |
Tafil Duraku | Opinion | |
|
|
Një shok imi i idealit shqiptar, gjatë një ndeje, më pyeti nëse e vizitoja uebfaqen www.shqipëriaebashkuar.info. Thënë troç, ajo që më befasoi për të keq, dhe, bile, shumë për të keq dhe nisi të m’i “vrasë” sytë dhe mendjen, qe pyetja më shumë se skandaloze, pyetja budallicë, që ishte bërë në një “sondazh”. Dhe, pyetja, pa asnjë dyshim, ishte ndër pyetjet më budallica që mund t’i bëjnë, t’i konceptojnë e t’i shtrojnë shqiptarët. Shikojeni e binduni edhe vetë, citojmë: “A duhet të shpallët referendum për bashkimin e Republikës së Shqipërisë me Kosovën, si fazë fillestare drejt bashkimit kombëtar? (Përgjigjet: Po, Jo, Nuk e di, Nuk dua të përgjigjem)”(Sic!)
Dhe, ne, pyesim publikisht: A ju ka rastisur të shihni e të lexoni pyetje më budallicë se kjo? Mendojmë se edhe ju do të pajtoheni me mua, dhe, do të thoni: JO. Sepse, vërtetë, pyetje më budallicë, zor se gjën njeriu! Nuk e ka thënë populli i ynë, i shkallmuar nga të zezat e të vetëve dhe të fqinjve, dyfish pushtues, atë thënien e tij të njohur, enciklopedike: Më mirë është me ditë, sesa me pasë! E, “dija” e “prijësve” dhe “udhëheqësve” tanë po shihet se ku na ka sjellur, e, nuk po e shohim fare se në ç‘humnerë do na shpjerë, pa pardon, si “dija” politike, si ajo mediale, si ekonomike, si ajo sportive, kolektive, etj.
Thënë realisht, një pyetje të tillë do mund ta shtronte vetëm Beogradi dhe Prishtina e tij! Thënë të drejtën, pyetje dhe shkrime të natyrës së tillë antishqiptare na bie të shohim e të lexojmë shumë shpesh, sidomos, nga disa “patriotë” e “shqiptarë” të mëdhenj që i kanë mësuar ato si gjeli këngën e mëngjesit, se, edhe ata thonë diçka e çkado, vetëm sa për të thënë e për të “bluar” diçka që e ha pazari i tyre me zarar, për shqiptarët dhe për Shqipërinë!...
Gjithmonë, sipas filozofisë sonë popullore, janë bërë e bëhen pyetje budallica, por, edhe jepen përgjigje budallica, bëhen biseda budallica që i takon vetëm te “shqiptarët” dhe “patriotët”! Dhe, ky lloj komunikimi na bën të shtrojmë shumë pyetje dhe të ngremë edhe më shumë dyshime: Mos, vallë, prapa shumë uebfaqeve tona “patriotike” e “kombëtare” qëndron dikush tjetër, për të na mashtruar se është më shqiptar sesa ne shqiptarët. Dhe, thënë të drejtën, me “patriotë” dhe “shqiptarë” të tillë jemi mësuar me shekuj, prandaj, jemi këtu ku jemi dhe jemi në këtë gjendje që na sollën ata e këta “patriotë” e “shqiptarë” të mëdhenj(!)… Prandaj, kush po fshihet prapa shumë uebfaqeve dhe ç‘maska po përdoren për manipulimin e shqiptarëve?
Pyetja shqiptare e sondazhit në fjalë, do duhej të ishte (jetë): A duhet të shpallet referendum (shqiptar) për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë (Amë), si fazë e parë (fillestare) për bashkim kombëtar? Po ashtu, pyetje mund të bëhen edhe të tjera, sa të duam. A duhet dhe a mund të bashkohen shqiptarët edhe pa referendum fare? Mendojmë se, PO. Prandaj, kush po luan kështu me shqiptarët? A ka ardhur koha që t’ua çjerrim maskat “shqiptarëve” dhe kategorive tjera të tyre, duke filluar prej kategorisë së të “burgosurve politikë shqiptarë”?... Për t’i dhënë fund të keqes, për të mos bërë më pyetje budallica dhe për të mos u dhënë edhe përgjigje budallica në to, duhet të rrimë vetëm në udhën tonë të bashkimit dhe të lirisë sonë shqiptare.
Burojë, 1 mars 2015
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 61 vizitorë |
Lexuar:
1,036 herë
|
|
|
|
|
|
|