Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KAH PO SHKOJNË SHQIPTARËT?
Publikuar më 21 mars, 2015 në orën 14:46 ( ) Tafil Duraku | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Duke e parë me vëmendje emisionin “Gjeniu i vogël 6” të TV KLAN të Tiranës, para ca ditësh, doemos, se më mbërthyen në vorbullën e tyre mendime nga më të ndryshmet. Nuk duam të flasim për dimensionin e shumë emisioneve, tashmë të njohura, si “Ethet e së premtës”, “The voice of Albania”, “X Factor Albania” etj., të cilat, vërtetë, janë të një shkalle të lartë organizimi evropian dhe botëror. Nuk duam të flasim as për një pjesë të “jurive” skandaloze(Sic!) dhe mangësi të tjera profesionale spektaklesh e sprovash të tilla.

Ajo që na shqetëson tej mase është fakti se çfarë përçojnë tek teleshikuesi i ri (i paformuar intelektualisht) ato emisione më shumë se skandaloze!?! Pse e themi këtë? E themi për faktin e vetëm se nga ato emisione kemi filluar të vetëtjetërsohemi e të shkundemi nga çdo vlerë e jona themeltare, të bëhemi më gjermanë se vetë gjermanët, më anglezë se vetë anglezët, me amerikanë se vetë amerikanët, më francezë se vetë francezët, më italianë se vetë italianët, me grekër se vetë grekërit, etj. Po, a po veprojnë ata popuj njësoj me kulturën dhe muzikën tonë, siç po veprojmë ne me të tyren? A po e përfaqësojnë ata popuj muzikën tonë, sikurse ne të tyren? A po e ngrisin ata në piedestal muzikën dhe kulturën tonë, siç po veprojmë ne me të tyret? A po vrapojnë ata theqafas pas kulturës dhe muzikës sonë, duke e zhvlerësuar vetveten e tyre, siç po e zhvlerësojmë ne vetveten?...

Cila është “pjekuria” e jonë e përfaqësimit të muzikës së huaj në shkallë dhe përmasa të tilla, vetëshkatërruese? A po veprojnë dhe a po garojnë popujt e tjerë me muzikën tonë origjinale, autoktone, shqiptare, qoftë me atë të eposit dhe folklorit tonë shumë të pasur, qoftë me këngën popullore shqiptare?... Bile, popujve të tjerë, as që u intereson dhe as që u shkon mendja të bëjnë diçka të tillë, sepse, edhe ata e dinë dhe janë shumë të vetëdijshëm se nuk mund të jenë më shqiptarë se vetë shqiptarët!…

Prandaj, çfarë do të duhej të bënin, të organizonin, të përfaqësonin dhe t’i ofronin (tele)publikut shqiptar juritë tona profesionale, në rastin konkret, njerëzit e muzikës dhe të fushave të tjera të kulturës e të artit? Ato, do duhej të organizonin dhe të përgatisnin kuadro, duke filluar nga “Gjeniu i vogël”, dhe, vërtetë, të nxirrnin gjeni të traditës së eposit tonë iliro-shqiptar, gjë që do të na bënte krenarë para popujve të botës, diçka që do na radhitë krah kulturave të tyre, e, besa, do të na ngritë lart sipër tyre, pikërisht, për begatinë e kulturës sonë tradicionale, për të cilën duhet të përgatiten njerëz të rinj, duke filluar që nga fëmijët tanë të mrekullueshëm, parashkollorë e shkollorë (t’i quajmë gjeni të vegjël), të cilët, duke i përgatitur me profesionalizëm, do të na përfaqësonin kudo me nder e dinjitet. Do të na përfaqësonin para botës me muzikën tonë të begatshme, sidomos, me këngët tona të lashta të kreshnikëve tanë të njohur, me këngën tonë epike legjendare, me atë folklorike, me këngën tonë popullore, me doke e zakone tonat!…

E, si arrihet e tërë kjo? Kjo arrihet me pjekurinë e shtetit tonë shqiptar (të kolektivitetit tonë shqiptar), në të gjitha fushat ku duhet të përfaqësohemi fort e denjësisht. Kjo arrihet duke formësuar kuadro profesionale që do duhet të punojnë shumë dhe pa kursyer asgjë nga vetja e tyre për krijimin dhe formësimin e brezave të rinj shqiptarë, duke nisur nga parashkollarët, nëpër çerdhe fëmijësh, në shkolla fillore, të mesme dhe universitete. Pse të mos mësohen brezat tanë të rinj që t’i bien lahutës, t’u bien fyllave, kavallëve, nrrojsave, çiftelive dhe veglave tona të lashta muzikore, dhe t’i krijojnë (punojnë) ato vegla me duart e tyre të arta, me përkushtim njerëzor e kombëtar? Pse të mos organizohen festivale këngësh tona epike të kreshinkëve tanë? Pse të mos përzgjedhen perla nga ato “krahina” e këngë kreshnikësh tanë? Pse të mos i mbështesë Ministria e Kulturës nismat tona shqiptare?... Nuk do thotë kjo se fëmijët dhe të rinjtë tanë (gjenitë e vegjël) duhet ta mësojnë një “krahinë” të tërë. Mjaftojnë dy-tre strofa perlash të epikës sonë legjendare, sepse, vetëm në këtë mënyrë ruhet kultura e lashtësisë sonë, siç e ruajtën dhe kultivuan atë brez pas brezi, gjenerata të tëra lahutarësh e rapsodësh tanë, që, falë tyre, sot mburremi para gjithë botës me eposin tonë të kreshinikëve, me këngët tona origjinale, autoktone. Madje, në këtë drejtim, një falënderim i madh dhe i veçantë shkon për Zymer Nezirin, i cili është bartës i projektit për Eposin e Kreshnikëve, i cili projekt duhet ta gëzojë mbështetjen e shtetit shqiptar, por, ja që nuk gëzon mbështetje nga asnjë shtet, që po u thonë: “shqiptarë”!...

Vërtetë, kah po shkojnë shqiptarët? Është koha e fundit të dimë se ç‘rrugë po zgjedhin shqiptarët dhe cilët janë ata e këta “shqiptarë” që (për)zgjedhin rrugë të tilla (vetë)tjetërsimi, vetëpërbuzjeje, vetëshkatërrimi, vetëdegjenerimi, sikurse në rastet që përmendëm më lart. Ku do t’i shpjerë vrapi theqafas pas (vetë)tjetërsimit kulturor, zakonor, dokanor?... Cilët janë hapat që duhet ndërmarrë për të mos u shuar përgjithmonë doket, zakonet dhe traditat tona të lashta, për të mos u shuar edhe eposi i ynë i jashtëzakonshëm, të cilin, në përmasat që e kemi ne nuk e ka asnjë popull tjetër në rruzullin tokësor, kaq unik dhe me kaq shtrirje të gjerë gjeoautoktone?...

Mendojmë, se, për ta ndryshuar gjendjen për të mirë duhet të krijohen ekipe të tëra profesionistësh, sidomos, në lëmin e muzikës, për ta ndërruar rrugën dhe drejtimin theqafësh që kanë marrë disa juri, tok me të rinjtë tanë, pas këngëve të huaja (pas këngëve që nuk nderojnë askë), pas këngëve që nuk na shpiejnë askund, vetëm në (vetë)tjetërsim dhe (vetë)shkatërrim përfundimtar, si popull dhe si komb. Prandaj, është koha e fundit që lypset të krijohen ekipe e juri profesionale që duhet të punojnë me fëmijët dhe me të rinjtë tanë, me përkushtim shumë të madh e të pakursyer, që ata të ushtrohen që nga institucionet parashkollore, shkollore (fillore, të mesme, të larta dhe superirore) që të ruhen me fanatizëm dhe të kultivohen traditat e lashtësisë sonë dhe me to të konkurrohet para gjithë botës, sidomos, kur është fjala për eposin tonë legjendar të kreshnikëve tanë paraardhës, që vjen prej kohës parahomerike e homerike. Kjo bëhet duke zgjedhur e seleksionuar perla tekstesh të eposit tonë legjendar. Madje, të rinjtë tanë duhet të mësojnë për lahutën, për nrrojcën, për fyllin, kavallin, fletën dhe vegla tjera muzikore, t’u bien atyre (të ekzekutojnë me to) dhe të marrin pjesë në të gjitha festivalet, pse jo rajonale, evropiane dhe botërore, ku duhet ta përfaqësojnë kulturën dhe traditat tona origjinale dhe unike në gjithë globin.

Pse të mos mësohen (ushtrohen) fëmijët tanë, në shkollat tona, t’i bien lahutës, siç mësohen t’i bien pianos, fizarmonikës, violinës, etj.? Pse, pra?! Kah po shkojnë shqiptarët, me këto juri dhe me këtë vrap theqafës që kanë marrë pas kulturave të huaja?... A ka ardhur koha që të dimë t’i respektojmë dhe vlerësojmë drejt vlerat tona e t’i stimulojmë ato?...

Burojë, shkurt 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Tafil Duraku
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 62 vizitorë
Lexuar: 685 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi