Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kumtesë e LSHK-së
Publikuar më 28 mars, 2015 në orën 21:10 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
DISKRIMINIMI POLITIK I ARTIT

Me vendimin për projektet kulturore 2015, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës ka diskriminuar keq pluralizmin kulturor, iniciativën e lirë krijuese dhe të drejtat e liritë e shprehjes artistike. Me këtë vendim ajo ka rritur buxhetin e institucioneve publike të kulturës dhe ka zvogëluar atë për projektet kulturore të asociacioneve, duke stimuluar më shumë shundin e reklamat sesa vlerat origjinale krijuese.

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës është subjekti qendror i shkrimtarëve të Kosovës me rreth 250 anëtarë aktivë, nga të cilët edhe shkrimtarë nga diaspora dhe minoritarë. Ajo ka një traditë të gjatë të veprimtarisë letrare. Mirëpo, që nga paslufta, pas marrjes së lokaleve të LSHK-së nisin edhe problemet e vazhdueshme duke e nxjerrë asociacionin më të madh në rrugë dhe pa përkrahje përkatëse pikërisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.
LSHK-ja organizon dy manifestime të mëdha letrare, me pjesëmarrje të gjerë të shkrimtarëve nga Kosova, Shqipëria e bota.
Në festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” në Prishtinë-Prizren-Kukës , në kuadër të Ditës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që nga viti 2010 kanë marrë pjesë shkrimtarë nga të gjitha viset shqiptare dhe poetë nga SHBA-ja, Anglia, Turqia, Qiproja, Izraeli, Greqia dhe vende të tjera.
Në takimin letrar tradicional “Esad Mekuli” në Prishtinë, me rastin e ditëlindjes së poetit, marrin pjesë shkrimtarë nga viset shqiptare dhe diaspora.
Manifestimet letrare të LSHK-së kanë karakter krijues artistik e shkencor dhe karakter kombëtar e ndërkombëtar. Përveç ligjërimit të poezisë, ato përmbajnë sesione letrare, përurime veprash letrare, ekspozita artistike e pika muzikore dhe vizita monumenteve kulturore-historike.
LSHK ka dhënë edhe çmimet letrare në manifestime, çmimin për veprën më të mirë dhe atë për krijimtarinë e përgjithshme të shkrimtarit.
Gjithashtu, LSHK ka organizuar akademi letrare, përurime veprash dhe ka marrë pjesë në manifestime të tjera letrare brenda e jashtë vendit, si në vendet fqinje, ashtu edhe në ato europiane, duke afirmuar kështu vendin, letërsinë e kulturën tonë.
LSHK ka institucionalizuar veprimtarinë e saj letrare, duke botuar nga viti 2010 një sërë numrash të revistës periodike letrare, “Metafora “, mjaft moderne dhe e veçantë në llojin e vet, dhe disa vepra letrare, por me financim të vetë autorit.
Vjet Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës iu dhanë për manifestime letrare dhe për botimin e revistës letrare “Metafora” 15.000 euro, ndërsa sivjet as një e treta e tyre: vetëm nga 2000 euro për festivalin ndërkombëtar “Drini poetik” dhe veprimtarinë e saj, ndërsa asgjë për takimin letrar “Esad Mekuli”! Kjo është shumë skandaloze e ofendues për një subjekt të rëndësishëm letrar me një veprimtari të gjerë kulturore e me traditë.

Prandaj, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës kërkon transparencë e kritere artistike për rindarjen e buxhetit për projektet kulturore më 2015 në bazë të vlerave dhe rëndësisë që kanë ato dhe asociacionet e krijuesve të artit për emancipimin e kulturës dhe afirmimin e Republikës së Kosovës.
Nuk mund të kenë trajtim të njëjtë shoqatat me dy-tre anëtarë dhe ato me anëtarësi e veprimtari të gjerë kulturore.

Kërkojmë që Ministria e Kulturës të riformulojë urgjentisht statusin e shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë të artit, duke rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të asociacioneve të tyre.

LSHK-ja kërkon kthimin e ish-lokalit të saj dhe të lokalit për shfrytëzim në ish-hotelin “Union”, që tani janë uzurpuar nga matrapazët, ndërsa ajo ende nuk ka as zyrë të vet.

Ne respektojmë të drejtat e liritë krijuese dhe nuk do të lejojmë e nuk kemi të drejtë të lejojmë keqtrajtimin e mëtejshëm të artit nga autokracia politike. Kul¬tura është e të gjithëve dhe e përjetshme, andaj nuk bën të ngarkohet me krime politike.

Ne kërkojmë pluralizëm artistik dhe një politikë liberale ndaj zhvillimit të lirë të kulturës dhe jo monopol kulturor të klaneve partiake, sepse ministritë përfaqësojnë shtetin.

Klani që sot ka okupuar Ministrinë tonë të Kulturës po rrënon asociacionet e shkrimtarëve, të artistëve të muzikës, të skenës e të artit figurativ, të filmit etj., duke pasur si qëllim të fundit t’i dëbojë me stap nga universi artistik të gjithë ata që nuk u përulen e nuk u shërbejnë. Ky klan me mendësi totalitariste synon të bëjë zap gjithë kulturën, arsimin dhe shkencën tonë.

Mbase sot kumbon mjaft aktual mendimi i Çerçillit në një bisedë me ministrin e tij në kohën kur ishin ngushtë me çështjen e armatimit:
- T’i japim mjetet e kulturës për mbrojtje?
Çerçilli ia kthen: - Përse atëherë luftuam...?!!!

Kryesia e LSHK-së
Kryetarja
Dr. Flora Brovina
__________________


Prishtinë
27 mars 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 335 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi