Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
URAGANI I UÇK - së
Publikuar më 30 mars, 2015 në orën 02:10 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
I nderuari staf drejtues i USHT-së në krye me Rektorin - Prof. dr. Vullnet Ametin,
i nderuari z. Adem Demaçi - legjendë e gjallë e rrezistencës shqiptare,
i nderuari baba i dëshmorit Feriz Guri, familjarë dhe miq të tij,
të nderuar kolegë, studentë, mysafirë dhe përfaqësues të medieve,
i nderuar autor i librit që përurojmë sot - Profesor Nusret Pllana…

Sa herë që më bie hise të flas për vepra të rëndësishme ndihem i privilegjuar, aq më tepër kur ato vepra lidhen me jetën dhe rënien heroike në altarin e atdheut, të heronjëve të luftërave çlirimtare.
Një vepër e rëndësisë së veçantë është dhe “URAGANI I UÇK-së”, që vjen e shkruar nga Profesor Nusret Pllana - i mirënjohur edhe përtej trojeve shqiptare me monumentin e tmerrit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, me të cilin, më bindshëm se diplomacia e fjetur shqipare, ka alarmuar botën, për gjenocidin e paparë që ka ushtruar Serbia mbi shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm ata. Në sajë të përkushtimit të pashembullt të autorit, vepra në fjalë ka rënë tani më në duart e gjithë kancelarive të fuqive të mëdha, përfshirë në këtë mes edhe Senatin e SHBA, që përherë ka mbajtur anën e Shqipërisë së bërë pik-e-pesë në tryezat e konferencave dhe kongreseve antishqiptare. USHT ka meritat e tij brenda ndërmarrjes vetmohuese të Profesor Pllanës, sepse, në vitin 2013, botoi versionin e plotësuar dhe të përkthyer në 7 gjuhë botërore të albumit të tmerrit dhe lemerisë që s’guxon të përsëritet kurrë më.
Të nderuar të pranishëm!
Për heronjtë e betejave shqiptare ka shkruar e shkruan shumëkushi, por jo të gjithë kanë besueshmërinë e duhur; jo të gjithë kanë qenë bashkëluftëtarë të martirëve të lirisë dhe dëshmorëve sypatrembur. Nusret Pllana është pjesëmarrës i drejtprdrejtë në luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës, madje më shumë se kaq: zëri i parë i Radio Kosovës së lirë, që kumbonte fuqishëm nga thellësitë e bunkerëve të UÇK-së, shpesh të gjendur vetëm disa metra larg vijës së zjarrit të ushtrisë armike.
Profesor Nusreti, krahas veprimtarisë së tij arsimore e shkencore, nuk është ndalur me studimin e jetës dhe veprës së martirëve të atdheut, i bindur se vetëm një komb që e njeh mirëfilli historinë e vet, nuk lejon që t’i përsëritet e keqja tim për tim, si në baladat e epopeve të së shkuarës.
Produkt i këtyre preokupimeve është dhe vepra URAGANI I UÇK-së kushtuar dëshmorit Feriz Guri. Fjala është për një vepër të veçantë monografike, që në katër kapitujt e saj hedh dritë, jo vetëm mbi luftën dhe rënien heroike të martirit, po edhe mbi fëmijërinë, shkollimin, formimin intelektual dhe familjen e tij liridashëse..., të gjitha të ndërlidhura me të kaluarën e hidhur të kombit, që në fakt përbëjnë sfondin e jetës dhe bëmave të Feriz Gurit.
Parë nga ky prizëm, vepra paraqet një simbiozë periudhash të ndryshme historike, ku vijnë e gërshetohen ngjarje kohërash të largëta epike me padrejtësitë e perandorive të mëdha, që bënë pamëshirshëm zap lirinë dhe vullnetet shqiptare. Autori ndalet në fenomenet më tragjike dhe më kobzeza të këtyre sundimeve, si: aneksimet dhe copëtimet e territorreve shqiptare në kongreset famëkëqia, shpërguljet e shqiptarëve me marrëveshje tinëzare e gjenocidiste, asimilimi sistematik i tyre dhe terrori i pandërprerë shtazarak, i kamufluar nën ombrellën e vëllazërim-bashkimeve të trilluara për të përkundur budallenjtë dhe laraskat e kësaj bote.
Pikërisht në sfondin e sipëpërmendur të dramave të së shkuarës, autori gjen fillimisht inspirimin për luftën heroike çlirimtare të Feriz Gurit, të cilat heroi i nisi që në rininë e hershme, kur nga familjarët dhe librat e ndaluar të historisë mësoi për padrejtësitë e bëra ndaj kombit të tij. Ai qysh si nxënës i shkollës së mesme u gjend në krye të protestave të vitit 1988 kundër nëpërkëmbjes së autonomisë së Kosovës nga çetnikët e Millosheviqit. Ajo që nuk mund ta gëlltiste dhe ta pranonte assesi ishte tendenca për ricopëtimin e territoreve shqiptare, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen e tyre dhe kultivimin e shpirtit të robit nëpërmjet metodave të sofistikuara. Feriz Guri ishte hero intelektual, ndaj i kishte të qarta këto gjëra. Veç kësaj, ai ishte pinjoll i një familjeje martire, ishte kaçanikas dhe bashkëvendës i titanit Idriz Seferi. Si i tillë, nuk mund të rrinte duarkryq për të bërë sehir krijimin e mollëkuqeve të reja, si puna e Sanxhakut të Nishit me 720 copë katunde dhe 3-4 qytete me numër dominant shqiptarësh, që u aneksua pakthyeshëm nga serbët në vitin 1877, me Traktatin famëkeq të Shën Stefanit.
Natyrisht, në qendër të kësaj vepre është Feriz Guri ushtar i UÇK-së (alias -Komandant Shpata), përkatësisht veprimtaria e tij që lidhet me furnizimin e njësiteve kosovare me armë të sjellura nëpërmjet kufijve anakronikë shqiptaro-shqiptarë, me trajnimet në kampet e Shqipërisë, me kontributin e shquar si komandant dhe projektues bombash e materialesh të tjera luftarake me mjete rrethanore dhe, në fund, me rënien heroike në altarin e lirisë së atdheut, akt ky që pavdekësoi emrin e Feriz Gurit në mesin e martirëve më të paepur të kombit.
Në fund të fjalës sime, dua të them edhe diçka.
Një komb që nuk di t’i çmojë dëshmorët e luftës së vet nuk është i denjë për t’jetuar në liri. Prezenca juaj kaq impresive në aktin e këtij përurimi është ogur i mirë dhe shenjë respekti, shenjë përuljeje dinjitoze para gjakut të dëshmorëve, që nuk arritën ta shohin Kosovën e lirë, por që ikën të qetë në jetën e përtejme me bindjen se gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve do të dinë ta çmojnë pavarësinë, ta duan dhe ta ruajnë si sytë e ballit
Lufta për Kosovën e pavarur përbën vetëm njërin prej kapitujve të historisë në vazhdën e përpjekjeve të njëpasnjëshme për t’realizuar ëndrrën tonë shekullore. Atë kapitull të ndritshëm e shkruan me gjakun e tyre dëshmorët e rënë në betejat e pabarabarta të bëra anekënd trojeve shqiptare. Kapitujt e tjerë përbëjnë amanetin e tyre të rëndë që na bie hise ta realizojmë ne të gjallët, veçmas klasa politike dhe intelektuale shqiptare e cila ka vetëm një mandat: të mos i çojë vetëdijshëm huq shpresat që populli ynë i shumëvuajtur i lidh për misionin dhe politikat e tyre.
Dëshmi për pjekurinë tonë në rritje është dhe kjo vepër kushtuar martirit Feriz Guri, që pikërisht për këtë që gezojmë sot ne bëri sakrificat më sublime. Ëndrra e tij më e madhe ishte të shohë shqiptarët e bashkuar, të lumtur dhe të lirë, që nuk pranojnë ngjyrëra të tjera përpos ngjyrës dhe shijes së atdheut; që qëndrojnë larg ideologjive përçarëse, sepse edhe më e mira ideologji është kategori e harxhueshme dhe e përkohshme…, kurse populli dhe interesat e tij vitale janë ato që mbeten të përjetshme.

Prof. dr. Fatmir Sulejmani

USHT, 23 mars 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 49 vizitorë
Lexuar: 671 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi