Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
REVOLTË SHPIRTI E NJË POETI ATDHETAR
Publikuar më 31 mars, 2015 në orën 01:57 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shkruan: NDOC LOGU

FADIL SHYTI

REVOLTË

POEZI
Prishtinë, 2014
Redaktor: Gjon Bruçi
Recensues: Ndoc Logu Imer Halili
Lektor: Zeqir Duraku
Realizimi kompjuterik: Beqir Elshani
Kopertina: Enver Hyseni

Pothuajse tërë poetët atdhetarë, duke parë dhe analizuar realisht gjendjen e popullit dhe të atdheut, pra mundësinë për t’u realizuar ëndrrat e dëshiruara, idealet e veta atdhetare në harkun kohor të jetës së vet, gjejnë forma të bukura dhe interesante, që nëpërmjet poezive, të lënë për brezat e ardhshëm mesazhet dhe amanetet, të cilave, ata, pra poetët, iu përkushtuan me mish e me shpirt. Motivi që i shtyn poetët për të na lënë amanete në krijimtarinë e tyre është i njëjtë: shqetësimi për fatet e atdheut e të popullit, për luftën e sakrificat, për historinë e vlerat tona, për të ardhmen e përparimit të vendit. Format e shprehjes dhe zgjidhja e momentit se si e ku i lanë të shkruara dëshirat e tyre ndryshojnë nga njëri-tjetri nga koha që jetojnë, apo problemi që ata mendojnë. P.sh. poeti Fadil Shyti, duke njohur historinë tragjike të kombit tonë, me copëtime të shumta nga luftërat e gjata të shkaktuara nga sunduesit, pushtuesit dhe armiqtë e kombit tonë, por edhe me largime të imponuara nga kushtet e rënda ekonomike, si rrjedhojë e qeverisjes së pa përgjegjshme të vet shqiptarëve, në poezinë me titull “…Dhe kujtojmë”, poeti që e ka provuar vetë emigrimin, iu drejtohet bashkatdhetarëve me një thirrje, lutje, amanet a porosi:

Vëllezër e motra, Shqiptarë e shqiptare!
Mos i lakmoni viset e huaja
Por, qëndroni atje,
Ku jeni lindur e rritur,
Në trojet tuaja,
E, mos provoni,
“Gurin nga vendi të lëkundni . . . “!

Shkruan kështu poeti, sepse e din mirë se sa fatale është zbrazja e vendit nga largimi i njerëzve, që arbëreshët tanë, me të drejtë e quajnë si “Gjaku ynë i shprishur”, dhe se sa e vështirë është jeta jashtë vendit tënd. Për të konkretizuar këtë, poeti i thotë lexuesit dhe përvojën e tij:

Fat i hidhur nëpër botë,
Si bilbili po më ngarend,
Larg teje o Atdhe,
Herë – herë, po më çmend . . . !

Tragjikisht vetë shqiptarët po realizojnë atë që tërë jetën kanë ëndërruar dhe punuar armiqtë tanë, zbrazjen e trojeve tona nga ne shqiptarët. Në fund të fundit synimi i tyre ky ka qenë: të mbetet Shqipëria pa shqiptarë. Se sipas armiqve tanë “Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”.

Pikërisht që të mos ndodhë kjo, që të mos realizohen kurrë ëndrrat gjakatare të armiqve tanë, edhe poeti atdhetar Hysni Milloshi, tek kryevepra “Atdheu” na ka ndërthurur një mesazh dhe amanet të jashtëzakonshëm, që nuk e hasim tek asnjë poet tjetër shqiptar, vetëm në legjenda:

Se në varrin nën dy gurë, ti më fole: S’mund të flesh,
Se vjen gjarpri me shtat’ kokë, e të hedh helmin në vesh, Se vjen korbi krramazi, lis më lis ngre folenë Se vjen mortja barkshtrigane, si një ré qefini vjen.

Gjëmëgjaktat kur të ranë, në tërbim të jataganit,
Ndjeva sokëllimakuqet brenda dheut e alarmit,
Ndjeva gjakun tim të shprazur, sipër dheut tim të shtrenjtë, Që me shkulme shponte tokën, e në qiej I skuqte retë.

Se më vinte thinjë e nënës e më thosh: A je i gjallë?
Se më vinte sy i motrës e më thosh: A je ushtar?
Se me vinte ky plis dheu e më thosh: Nga varri ngreu!
Se jam nëna, se jam motra, se jam baba, jam Atdheu. . .!

Unë nuk e di se ç’do të thonë të tjerët pas meje për këtë poemë, apo për tërë poezitë atdhetare e për çdo poet. Por një gjë e them me bindje se për aq kohë sa do të ekzistojë kombi ynë dhe historia tragjike e jona, vargjet e mësipërme janë e do të mbeten për jetë të jetëve aktuale, mesazhe dhe amanete për brezat e ardhshëm. E kundërta ka për të ndodhur vetëm nëse shuhet bota, apo kur të bëhen tërë djajtë engjuj. Fatkeqësisht, djajtë që përpiqen të kontrollojnë tërë elementët e jetës sonë veçse po shtohen.

Ashtu si poezitë e revoltës së shpirtit, poezitë kushtrim në rrethana revolucioni e lufte, edhe poezitë si amanete kanë dhe mbartin të njëjtat mesazhe lufte, qëndrese e lirie. Këto lloj poezish shkruhen në rrethana dramatike të historisë së vendit e kombit, kur kërkohet të realizohet edhe e pamundura në interes të shpëtimit të kombit. Për këto synime, poetët në krijimet e tyre mund t’i drejtohen dikujt, të rënëve, të gjallëve apo ngjarjeve historike. Por në fund të fundit, mesazhet që përcjellin ata janë për cilindo, janë për secilin nga ne, janë për tërë atdhetarët.

Në kërkim të ngjashmërisë, në krijimtarinë poetike si amanete të poetëve tanë, u ktheva pas mbi 70 vjet në kohë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Edhe poeti rus Mihail Vasiljeviç Isakovski ishte një poet revolucionar. Mjaft poezi të tij janë kushtrim e thirrje për të mbrojtur e çliruar atdheun e sovjetëve. Në poezitë e tij thuhej pikërisht ajo që duhej, thuheshin shqetësimet për fatin e atdheut dhe se çfarë duhej bërë, ashtu si tek Milloshi e Shyti ynë. Duke i lexuar poezitë e poetit rus Isakovski edhe për këtë qëllim, të shkruara për luftën e gjatë e të lavdishme patriotike të popujve të B.S., më tërheq vëmendjen poezia me titull “Hakmarrësit”, ku ndër të tjera poeti shkruan”
. . . . . . . . . . .

Si të harrosh kur digjeshin kasollet,
Kur tundeshin kufomat në litar,
Kur kuspull mblidheshin në tokë foshnjet,
Me bajoneta ngulur mu në bark?
Si të harrosh kur gjyshin plak, të verbër,
Me vrerin shtazarak që u dilte për sysh,
E lidhën në dy tanke kriminelët
Edhe të gjall’ siç ish e ndan’ më dysh?

Poezia e mësipërme tregon për krimet që kanë bërë nazistët gjermanë mbi popullin e pafajshëm rus. Por kur i rilexoja këtë poezi, e për krime kaq të llahtarshme në rusi, nuk ka se si të mos kujtosh krimet e kriminelëve serb mbi popullin e Kosovës gjatë një shekulli, për të cilat shkruan i revoltuar edhe poeti Fadil Shyti. Të përbindshme ishin krimet e tyre të kryera gjatë viteve 1998 – 1999. Serbët në këtë kohë arritën deri atje sa të përdhunonin gratë e vajzat në sytë e masës së madhe të banorëve që i kishin grumbulluar për t’i dëbuar. Dhe të mendosh se me këta kriminelë që kanë bërë të tilla krime, kishte jo pak kosovarë që bashkëpunonin, e që sot janë të lirë e madje edhe në parlamentin dhe institucionet e Kosovës! Pikërisht këto mendoj se ka pasur parasysh shqiptari i madh Rexhep Qosja, kur është shprehur se “Tragjedia tij (e popullit) megjithatë po harrohet. A me kësi shteti që i mbulon, i fsheh krimet dhe kriminelët duhet të jetojmë?”, - pyet me shqetësim akademiku.

Pikërisht se kanë ndodhur krime e poshtërime të tilla mbi popullin e pafajshëm shqiptar nga serbët, e në bashkëpunim me tradhtarët shqiptarë, poeti Fadil Shyti nuk gjen prehje pa e pa Kosovën e lirë, pa u vendosur drejtësia, pa e parë dritën e lirisë e të barazisë, pa u kthyer buzëqeshja e fëmijëve, e punëtorit, malësorit, e mbarë njerëzisë. Nuk gjej prehje në jetë, pa e parë atë dritë, që aq shumë e kemi pritë,. Nuk gjej prehje në jetë pa e parë një Fitore, për të cilën derdhëm djersë e gjak, i ri e plak në burgje dhe llogore!

Nuk gjej prehje në jetë,
pa qeshë fytyra e malësorit,
pa u flakur shfrytëzimi i punëtorit.
Nuk gjej prehje në jetë,
pa njohje trimash të vërtetë,
që Atdheut ia falën,
të shtrenjtën jetë . . . !

Poezi të tilla nuk ka se si të mos mbeten thirrje, kushtrim, mesazhe dhe amanete për kohë të gjata dhe për secilin nga ne. Amanetet e drejtpërdrejta, me vlera të spikatura atdhetare si për jetën, lirinë, atdheun dhe kombin, kur nuk je i lirë t’i gëzosh këto të drejta që shprehen qartë e bukur në krijimtarinë poetike të Fadil Shytit, kanë në të njëjtën kohë edhe motive e ngarkesa emocionale me poetët e shkrimtarët e çdo vendi tjetër, kuptohet kur janë në të njëjtat rrethana të ngjashme, ose të përafërta. Të tilla vlera, emocione dhe amanete të drejtpërdrejta, ashtu si tek Shyti, gjejmë tek poezitë e revolucionarit rus Isakovski që kujtuam më lart. Edhe ky poet, kur Bashkimi i lavdishëm Sovjetik ishte sulmuar nga nazizmi, shkroi poezinë me titull “Porosi e nënës”. Ja poezia: O biri im! Në tokë vure veshin,

Dëgjoje fjalën larë plot me lot,
O biri im i dashur, Nëna jote
S’të ka as bukë, as tokë, as strehë sot.

Ata na erdhën, kudo hapën varr,
Erdhën dhe me gjakun tonë u dehën,
Shtëpive nga çdo anë u vunë zjarr,
Na poshtëruan edhe bënë ç’deshën.

Unë natë e ditë shkoj gjithë pikëllim,
Korijeve dhe pyjeve të djegur . . .
Ku më ke nusen ku, o biri im?
Të rënë vallë, ku kam për ta gjetur?

U derdhën dhe e hapën në oborr,
Me duart e fëlliqura katilët,
Gjer në mëngjes u tallën dhe, me zor,
Me bajonetë asaj ja nxorën shpirtin.

Kështu të vdiq, o bir, jetimzeza,
E pocaqisur, me njëmij’ mundime,
Në varr e kalla vetë tinëz
Me fytyrë nga ty, andej në lindje.

Si e thërret e mjerza të shoqin,
Mes luftës që mbjell vdekje a s’dëgjon?
Si qan ai gjaku i saj i pafajshëm,
Si dashuri e saj për ty vajton?

Dëgjo, o bir, dhe drejt përpara shko!
Dërmo, shkatërro armikun e mallkuar!
Për mëmëdheun tënd, për ne lufto,
Për atë varr që vetë e kam gërmuar!

Digje me zjarr dhe ndiqe pa mëshirë,
Ti këmba këmbës bishën me tërbim,
Kudo që do të jesh, o bir i dashur,
Nga pas do të të ndjek’ bekimi im.

E riprodhova të plotë këtë poezi të jashtëzakonshme të poetit Isakovski, e cila kalonte dorë më dorë duke u lexuar në llogoret e luftës nga luftëtarët e lirisë së frontit rus, ku secili provonte emocione të jashtëzakonshme dhe ju qindfishoheshin forcat për të realizuar porosinë e kësaj nëne ruse, ku poezia e Isakovskit kishte lotët, vuajtjet, mallin dhe amanetet e tërë vajzave, grave e nënave ruse. Kishte brenda edhe gjakun e miliona grave, fëmijëve, pleqve e luftëtarëve që kishin dhënë jetën në mbrojtje të atdheut të shenjtë. Poezia tregon qartë, me saktësi tërë llojet e përbindshme të krimeve që kanë bërë nazistët gjerman mbi popullin rus. E solla këtë poezi të plotë jo vetëm për të treguar ngjashmërinë e poetëve, në kohë e vende të ndryshme për ndjenjën liridashëse, por edhe për mesazhet që përcjellin edhe si amanete të pavdekshme e të përjetshme për të mbrojtur vendin, lirinë, sovranitetin. E solla të plotë këtë poezi edhe për t’ju rikujtuar lexuesve shqiptare, e veçanërisht atyre të Kosovës se të tilla krime mbi popullin e Kosovës kanë bërë pa mëshirë edhe kriminelët serb. Harresa e këtyre krimeve do të thotë mohim e poshtërim i vuajtjeve, sakrificave dhe i gjakut të popullit tënd. Kjo do të thotë më qartë akoma: se kjo harresë është një krim tjetër i rëndë ndaj vetë historisë sonë. Ndaj dhe poetët atdhetarë si Fadil Shyti, shkruajnë me kaq revoltë të thellë për ata që pranojnë robërinë e huaj, që bashkëpunojnë me pushtuesit; për ata që harrojnë këto krime, ose për të tjerë sot që i falin krimet e serbëve mbi kosovarët.

Fadil Shyti shkruan që nënat shqiptare të mos çojnë në muze gërshetin e vajzës së vrarë në luftë. Siç thotë një poezi e Hysni Milloshit, që duke e përshkruar këtë çast poeti shprehet: Dhe para vdekjes i preu gërshetat, dhe tha: Shpjerjani nënës kujtim, I thoni se plumbi në ballë ta mori tët bijë në luftim.
. . . . . . .
Nëna i mori, nëna i pa gërshetat e lara nga gjaku, e fjalë trishtimi nëna nuk tha, nga morti s’u nxi konaku . . .

Të dy poetët, Milloshi dhe Shyti, shkruajnë që nënat shqiptare të mos hapin vetë varret e të dashurve të tyre të vrarë në luftë, siç tregon edhe poezia e Isakovskit, ku një nënë ruse :

Çeli varrin e përlotur
Dhe u nda me mallëngjim,
Mori pushkën e gjakosur,
Dhe gërshetin për kujtim . . . (të vajzës së vrarë në luftë).

E që të mos ndodhë kështu, populli duhet të luftojë për të sjellë lirinë, pa të cilën asgjë nuk mund të sigurohet, përveç skllavërisë. Krijimet artistike, antiskllavëri, për lirinë e të drejtën, kanë qenë nga krijimet e para në poezi, pikturë, prozë e muzikë. Për këto arsye edhe kënga e kompozuar nga tekstet poetike është konsideruar si një element që prek, frymëzon, qetëson, kujton, pasuron, dhe frymëzon ndjenjat e njeriut.

Mjaft krijime të poetëve, për vlerat, mesazhet dhe amanetet jetëgjatë që kanë pasur, janë bërë edhe burim frymëzimi për muzikantët dhe këngëtarët e talentuar atdhetarë, ku poezitë me vlerat e mësipërme, janë bërë e kënduar këngë të pavdekshme, duke i ngritur vlerat e poezisë në lartësinë e pavdekësisë. Në këtë rast poezia e bukur atdhetare bëhet pjesë e jetës së popullit që i kushtohet. Nuk e di a ka ndonjë kompozitor që të ketë shkruar muzikë me poezitë e Fadil Shytit. Në se po, do të ishte një gjë e mrekullueshme, sepse poezitë e tij janë qindpërqind atdhetare, e kënga me këto poezi do të ishte jetëgjatë. Meqenëse poeti Fadil Shyti jo pak poezi të vëllimit “Revoltë” ua ka kushtuar luftërave dhe heronjve të UÇK-së, më poshtë po sjell disa fakte që lidhen me poetët, poezitë, këngët, luftën dhe lirinë.

Një nga muzikantët më atdhetar shqiptar, i pakrahasueshëm me asnjë në Shqipëri, Kol Susaj, me pothuajse tërë tekstet e veta, ka kompozuar mbi 300 këngë atdhetare popullore e të muzikës së lehtë nga më të bukurat e të pavdekshme. Për luftën, heroizmat dhe vlerat atdhetare të luftës së UÇK-së, kompozitori Kol Susaj shkruajti tekstet dhe kompozoi 13 këngë, të cilat ia dha një ushtaraku të kësaj lufte për t’i dërguar atje, në vijën e parë të luftës. Kështu kishin vepruar dhe Kolë Jakova e Dhora Leka gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare. Nuk dihet nëse arritën ato këngë të Kol Susajt tek luftëtarët e UÇK-së, por pas pak ditësh në një betejë me serbët, ushtaraku që mori këngët, ra dëshmor në një betejë. Nuk e dimë edhe faktin tjetër, a i pati në gji apo jo ato këngë, a i dëgjuan apo jo ato këngë luftëtarët e UÇK-së! Por një gjë është e sigurt se vargjet poetike, tingujt e muzikës u shkruan e u nisën për në luftë si pjesë e vlerave të jetës shqiptare atdhetare për të shtuar emocionet, mobilizimin dhe krenarinë për vlerat e luftës dhe lirisë.

Afërsisht kështu më ka ndodhur dhe mua me një poemë të Hysni Milloshit. Kur zhvillohej lufta në Kosovë, takova në Tiranë një ushtarak të UÇK-së. Pasi biseduam gjerë e gjatë për luftën dhe jetën e kombit tonë, ushtarakut i dhashë poemën “Atdheu” të Hysni Milloshit që ta lexonte më bashkëluftëtarët. E pëlqeu shumë, sepse poema ishte thirrje e kushtrim atdhetar për të mbrojtur vatanin, e që po rrezikohej i tërë kombi. E lamë për tu takuar pas luftës. Por ky takim nuk u bë kurrë. Pak ditë më vonë, ushtaraku që i dhashë poemën “Atdheu”, kishte rënë në një betejë lufte. E njoha nga fotografia kur po varrosej me nderime, se as emrin nuk ia dija. Më qe prezantuar me pseudonim. Edhe ky luftëtar, kam përshtypjen se do të jetë vrarë me poemën “Atdheu” të Hysni Milloshi në gji. (Këtij fakti i kam kushtuar disa vjet më parë një material të gjërë me titull “Poema dhe dëshmori”, dhe ndodhet te libri im “Hysni Milloshi – poet i madh i krenarisë kombëtare”

Një rast i ngjashëm me këtë, ka ndodhur edhe në Shqipëri gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një partizani të vrarë iu gjet në gji, e shpuar nga plumbat e armëve, historia e Partisë Komuniste Bolshevike Ruse të B.S. Në të njëjtën luftë, në luftën e Dytë Botërore, po në B.S., në afërsi të Velike Lluki, në trupin e një ushtari të kuq të vrarë, midis dokumenteve të tjerë, iu gjet edhe poezia e poetit rus Isakovski me titull “Porosi djalit”, e prerë nga gazeta “Pravda” (E vërteta), të cilën poeti e botoi me titullin “Porosi e nënës”, që e paraqitëm të plotë më lart.

I solla këta shembuj për të argumentuar faktin e padiskutueshëm për fuqinë e jashtëzakonshme që ka fjala poetike e poetëve atdhetarë si Fadil Shyti, Hysni Milloshi, Kolë Jakova, Ali Asllani, Shandër Petef, M.V. Isakovski e deri tek këngët e Avni Mulës e Kol Susës me poezitë atdhetare, për efektet që kanë ato tek njërëzit në rrethana e kohë të caktuara, siç janë ngjarjet revolucionare në dobi të fatit të luftës, lirisë e të ardhmes më të ndritur të vendit.

Përveç poezive mesazhe dhe amanete për brezat e ardhshëm, e të tjera këndvështrime që analizuam më lart, poeti Fadil Shyti, në vëllimin poetik “Revoltë”, na ka dhënë edhe jo pak poezi për dashurinë, për jetën, për dhimbjen, mallin, për të bukurën, për kthimin në atdhe, për mërzinë përvëluese nga jeta në emigracionin e gjatë e të mundimshëm. Largimi nga Atdheu për cilindo është i përmallshëm, qoftë edhe përkohësisht. Unë e kam provuar me njerëzit e mi, por edhe vetë. Akoma më shumë ndjehet kjo nga poetët e shkrimtarët, ndjenjat e të cilëve janë më të buta, më të ndjeshme, më delikate, por shumë më të fuqishme se tek shumë të tjerë. Në poezinë me titull “Lamtumirë”, kur niset në rrugën e mundimshme të emigrimit, poeti Fadil Shyti shprehet:

Të përshëndes me grusht e besë, O Atdhe, këtej lart nga aeroplani, Në këto çaste mizore shpirtërore . . .

Në tre vargjet e para të poezisë, poeti na len të kuptojmë se ai po largohet i imponuar derisa e quan atë largim “Çaste mizore shpirtërore”. Por edhe pse largimi iu imponua, poeti e përshëndet Atdheun me grusht e besë. E në këtë rast, kur poeti na bën përshëndetje me grusht e besë, do të thotë se ai ka forcën dhe besnikërisë, ka ndjenjat shpirtërore të zjarrta për tu kthyer përsëri, për t’i qëndruar betimit, amanetit, vlerave dhe misioneve që Atdheut i detyrohen bijt e bijat e veta.

Pas largimit të përkohshëm nga Kosova, poeti, kuptohet se fillon një jetë tjetër të re, por të mundimshme e të mërzitshme. Kjo, mendoj unë, e ka burimin ndër të tjera edhe nga fakti i ndarjes së imponuar nga të dashurit, familja, miqtë, shokët e bashkëluftëtarët e rezistencës kundër serbëve. Por edhe nga malli e përgjegjësia ndaj Kosovës, që ishte nën shtypjen serbe. Rreziku për jetën nga serbët e detyruan poetin të lërë vendin. Poeti e kupton shumë shpejt se sa e rëndë është jeta larg vendit aq më tepër që Shyti kishte zgjedhur rrugën e kundërshtimit ndaj regjimit serb. Dhe se si e përjeton këtë, poeti shprehet:

Ftohtësia nordike,
M’i mpiu muskujt e kockat!
Largësia nga Shqipëria,
Si darë xhelati,
Po ma shtrëngon zemrën!
Sa malet tona ma rëndon shpirtin. . . !

S’ka dyshim se aq sa ka dhimbje që i shtrëngon zemrën, që i rëndon sa malet shpirtin, poeti në poezinë e tij, shpreh shqetësimin atdhetar për të qenë edhe vetë i pranishëm në realizimin e aspiratës, atë të lirisë së Kosovës, dhe se jeta ne vendin e tij të lirë merr kuptim e vlera të reja e të mëdha që s’mund t'i gjesh në asnjë vend të huaj, siç shkruante Asdreni për Shqipërinë:

Shih sa vend plot bukuri,
ku del ar, ku del flori, ku ndrit dielli me shkëlqim dhe qesh hëna me pëlqim, si në vend të përrallave, trimave dhe pallave . . .

Në tërë vëllimin e tij poetik “Revoltë”, e në çdo poezi, duken qartë si drita e diellit dy linja: ajo e sinqeritetit shpirtëror dhe ajo e realitetit jetësor. Këto dy cilësi të poetit Fadil Shyti janë jo vetëm një vlerë për tu veçuar e vlerësuar, por janë edhe të domosdoshme për cilindo poet e shkrimtar nëse dëshiron

jetëgjatësinë e veprës së vet. Të jesh realist do të thotë të jesh me kohën, të ecësh në një hap me të, me hallet e shqetësimet, me gëzimet e dhimbjet që ka populli yt, atdheu dhe kombi; duke e pasqyruar realisht në krijimtarinë tënde. Të jesh i sinqertë shpirtërisht në krijimtari do të thotë të shkruash me besnikëri për atë që ndjen, vlerëson e gjykon, dhe se ato që shkruan të jenë të pandara nga jeta dhe shpirti i popullit tënd dhe i idealeve të tua, pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo-jo mendimet e tua kundërshtarëve, qofshin në politikë a në qeveri. Aq më keq kjo nëse janë edhe pushtues të vendit tënd. Shkurt, të vësh dhe të lësh shpirtin e zemrën tek poezia, ashtu si Sergej Esenini i Madh.

I veçoj këto dy cilësi të Fadil Shytit, sepse vazhdimisht dhe kudo, në kohë e sisteme të ndryshme, kanë dalë e mbijetuar shkrimtarë e poetë duke spekuluar me krijimtarinë e tyre me pak ose aspak realizëm e me shumë hipokrizi, duke e deformuar realitetin, duke ia përshtatur atë politikës së ditës dhe interesave vetjake. Për këto arsye dhe të tjera, Hysni Milloshi në një studim i ka quajtur këta kalemxhinj kameleonë dhe i ka grupuar në katër kategori si: plotësisht realistë, gjysmë realistë, çerek realistë, dhe aspak realistë. Të tillë tipa, si këta të fundit, i kemi me bollëk në Shqipëri e Kosovë, veçanërisht pas vitit 1990 e këtej, duke ndërruar fytyrën, ose duke u paraqitur me disa fytyra, secila më e ndyrë se tjetra, duke deformuar ose mohuar tërësisht realitetin. Ose, duke qëndruar krejtësisht jashtë kohës, jashtë realitetit, indiferent ndaj çdo gjëje, ngjarje a transformimi siç është rasti i Lasgush Poradecit, që nuk shkroi asnjë varg për luftën dhe lirinë, për transformimet socialiste, për ecurinë dhe përparimin e Shqipërisë. Këta tipa krijuesish të rendit borgjez, ia kthejnë shpinën popullit, tragjedive njerëzore të kohës kur jetojnë, arratisen si dhelprat dinake në xhunglën e përgjakur dhe të pistë të kapitalizmit për të nxirë e mohuar të vërtetat dhe përligjë padrejtësinë e krimin. Jo, Fadil Shyti nuk është si këta. Por le të kthehemi tek sinqeriteti i poetit në poezitë e largimit e të mallit për vendlindjen, Kosovën, Atdheun:

Po iki larg teje Atdhe,
Me shpresën e kthimit,
Po rëndojnë keq mbi ne,
Ditë-netët e mërgimit!
shprehet poeti me mall në mërgim.

Ka një gjë shumë interesante në krijimtarinë e Fadil Shytit se në çdo poezi, siç e kemi theksuar disa herë në këto shënime, malli he ndjehet në emigrim për atdheun, vendin, të afërmit, shokët e miqtë, shprehet nëpërmjet një përkushtimi të caktuar, një historie, ngjarje a mendimi me vlerë të spikatur. Në një poezi që poeti e ka shkruar në prill të vitit 2008 kushtuar Adem Jasharit, shprehet:

. . .Por si valë, e zjarr në mal, Po tundet e digjet shpirti im . . .
Larg këtej në mërgim
Thellë i mbytur në pikëllim!

shprehet poeti lidhur me përjetimet e tij atje, larg Kosovës. Më pas vijon me Heroin, si një burrë që zgjoi kushtrimin e dha edhe jetën me gjithë familjen prej 56 vetash për lirinë e Kosovës.

Thonë se “Humanizmi është biri i sakrificës njerëzore në shërbim të njerëzimit”. Gjykuar nga kjo, asnjëherë dhe askush në këtë botë të trazuar nuk është bërë i madh pa pasur një shpirt të madh njerëzor. Humanizmi i ka rrënjët thellë në tërë fazat që ka kaluar shoqëria njerëzore Ndër të tjera, humanizmi është shprehur që në fjalët e para poetike. Edhe poeti Fadil Shyti, fjalën poetike e ka zgjedhur për të shprehur tërë ndjenjat e veta humane, njerëzore, atdhetare, ndër të tjera edhe nëpërmjet mallit gjatë viteve në emigracion. Edhe në poezinë me titull “I pathyeshëm”, që ia kushton një shoku të ilegalitetit, të bën përshtypje sinqeriteti dhe realiteti i jetës për një fakt të provuar në shekuj me radhë: atë të bashkimit e bashkëpunimit në realizimin e synimeve të veta:

Kur isha pranë teje, i thyeja rrufetë,
Kur isha pranë teje, kisha forca të reja . . .
Armikut ia kemi bërë fora përjetë,
Të mposhtet e vjetra, të fitojë e reja!

Na mungonte koromania e thatë,
Na munguan lapsat dhe fletore, Por, nuk na munguan: besa as qëndresa Në stuhi nëpër natë, deri në fitore!

Poezi të tilla, nuk ka se si të mos jenë mbresëlënëse për sinqeritetin dhe realizmin e saktë. Kjo poezi, nga ana tjetër tregon se ëndrra njerëzore për një botë të re ka ekzistuar, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë. Ajo nuk vdes kurrë tek tërë popujt e shtypur, ndër të cilët edhe tek populli ynë shqiptar. Këtë ëndërr, për tu bërë realitet, e kanë mbajtur të gjallë luftëtarët atdhetarë, shkrimtarët e poetët, njerëzit e përkushtuar, midis tyre dhe poeti Fadil Shyti.

Një vlerë tjetër e poetit Fadil Shyti është edhe fakti se ai nuk është vetëm një zë i efektshëm e me ndikim si poet e agjitator me fjalën e shkruar poetike. Ai është dhe një veprimtar aktiv i një lëvizjeje politike atdhetare siç është Vetëvendosja, me një udhëheqës interesant dhe guximtar si Albin Kurti, që më ngjan disi me Qemal Stafën e viteve të luftës për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi e nazizmi, si për nga shpirti atdhetar, guximi dhe vizioni për të ardhmen e Kosovës e të mbarë kombit shqiptar.

Poeti, edhe pse larg atdheut, në Suedi, nuk është shkëputur nga Kosova e Shqipëria. Ai përjeton, reagon e vepron për gjithçka që ndodh në jetën e vendit. Ajo çka është shumë e rëndësishme në formimin e tij si intelektual atdhetar, është fakti se ai është entuziast dhe ka besim tek aftësia e popullit të tij, që me luftë e punë, me sakrifica e mençuri, duke u frymëzuar nga historia dhe heronjtë tanë të lavdishëm, patjetër do të fitojë lirinë, sovranitetin, përparimin, begatinë dhe bashkimin kombëtar; që Shqiptarët të mos i sundojnë kameleonët mizorë të huaj, as tradhtarët e vendit, por bijtë e bijat e popullit të tij.

Vëllimi poetik “Revoltë” i poetit Fadil Shyti, siç do ta lexoni, shquhet nga një seri veçorish, ku ndër më kryesoret janë: Fryma dhe gjuha popullore; qëndrimi dhe vlerësimi i çdo aspekti në mënyrë atdhetare; përzgjedhja për personazhe të krijimtarisë së tij i figurave dhe personaliteteve nga më të mëdhatë e historisë sonë; qëndrimi i drejtë dhe i rreptë ndaj veprimeve e veprave të tradhtarëve; mesazhet dhe amanetet për ne sot dhe brezat e ardhshëm, që na jepen në krijimtarinë e begatë të tij e që u analizuan më lart, ku secila prej tyre ka një hapësirë të caktuar; janë vlera dhe veçori, të cilat e bëjnë autorin e tyre Fadil Shyti të rreshtohet ndër poetët e zjarrtë atdhetarë, përkrah figurave dhe personaliteteve të tjerë të dëgjuar e të nderuar.

Nuk e di sa ja kam arritur synimit modest me vlerësimin e këtij poeti. Le ta gjykojnë lexuesit atdhetarë. Edhe sahanlëpirësit, të shiturit e tradhtarët, shpresoj ta lexojnë, sepse ata gjejnë vetveten dhe bëmat e tyre brenda fjalëve të mia. Por më bukur e më qartë janë brenda vargjeve të poetit. Gjithsesi, mendimet e këtyre të fundit s’më hyjnë fare në punë. Ata që nuk duan vendin dhe popullin e tyre, që nuk jetojnë e vdesin për to, nuk do të duan as mendimin tim, as fjalën poetike të poetit Fadil Shyti. Ne dhe ata jemi e do të jemi të kundërt, të ndryshëm deri në fund. Kështu do të mbesë edhe në të ardhmen. Do të mbesë kështu gjersa të realizohet ëndrra e poetëve atdhetarë, përfshi dhe A.S.Drenova, kur pas fitores mbi fashizmin e nazizmin në Shqipoëri më 29 nëntor 1944 shkruante:

Sot mori fund çdo gjurmë tiranie, një diell i ri po ndrit plot shkëlqim, për kombin lind një kohë lumturie edhe për bishat e egra një shkatërrim . . .

Krijimtaria poetike e Fadil Shytit në vëllimin “Revoltë” është një degë me rëndësi dhe e shëndetshme në poemën e madhe që i është kushtuar lirisë, sovranitetit, përparimit dhe bashkimit tonë kombëtar. Uroj që kjo krijimtari e bukur të mos mbetet vetëm revoltë e shpirtit të poetit atdhetar Fadil Shyti, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes, e veprimtarisë, e shpirtit dhe e lëvizjes së ndërgjegjshme të mbarë popullit deri në arritjen e synimit final, atë të lirisë, përparimit, bashkimit kombëtar dhe sovranitetit, pa armiq e tradhtarë, pa shtypës e shfrytëzues në atdheun tonë. E përderisa nuk e kemi të realizuar këtë aspiratë, mbetet aktuale thirrja e poetit atdhetar Hysni Milloshi që ia ka drejtuar popullit të tij në korrikun e vitit 1998:

“. . . . Zgjohuni, pra, e ndizni në qiellin e pafund të shpirtit tuaj të madh zjarret e patriotizmit mijëravjeçar, që kurdoherë e ka nderuar e shpëtuar popullin tonë . . . . Atdheun që ne e konsiderojmë moshatar me Diellin e Hënën, Atdheun e Shqiptarëve që ka qenë ndër Universitetet e para të qytetërimit dhe emancipimit të Evropës. . . “

Tiranë, Gusht 2013

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 37 vizitorë
Lexuar: 1,207 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi