Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DALLIMI NË MES GRUAS SË MIRË DHE GRUAS SË BUKUR
Publikuar më 02 maj, 2015 në orën 22:33 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Romanin e shkrimtares amerikane, Daniele Steel "En god kvinna" (Gruaja e mirë) e kisha lexuar në gjuhën suedeze, para daljes së botimit në gjuhën shqipe, kurse më vonë nga kureshtja e lexova edhe në gjuhën shqipe me titull "Gruaja e bukur". Ajo çka më shtyn të shkruaj rreth këtij libri, është ndryshimi i titullit të veprës letrare prej anglishtes në gjuhën shqipe. Prandaj titulli i drejtë i librit “A Good Woman” duhet të jetë “Gruaja e mirë”, jo “Gruaja e bukur”, meqë shkrimtarja, Danielle Stel, nuk flet për pamjen estetike, por për cilësitë e mira të gruas së re, Annabelle Worthington. Me pak fjalë, ngjarja e romanit nis pas përmbysjes së anijes “Titanik” në oqeanin Atlantik, në të cilën babai dhe vëllai i protagonistes (Anabele) mbyten, kurse pas kësaj fatkeqësie i vdes edhe nëna.

Ndërkohë që burri i saj në mënyrë të turpshme e braktis, Anabele, përndryshe gruaja e mirë, detyrohet të shkojë në Francë, pikërisht në zjarrin e luftës, për t'u kujdesur për të plagosurit, mirëpo edhe atje e ndjekin fatkeqësitë e njëjta. Prandaj dallimi në mes gruas së bukur dhe gruas së mirë është si nata me ditën, meqë në të parën flitet për cilësitë e mira të gruas, kurse në të dytën flitet për pamjen estetike. Kur dikush dëshiron të di për aftësinë e mjekes, nuk pyet nëse ajo është e bukur për nga dukja, por nëse është mjeke e mirë për nga puna, do të thotë të jetë e zonja për mjekim, meqë në qendrat mjekësore nuk flitet për mjeke të bukura, por vetëm për mjeke të mira, të zonja, të vyeshme, vetëmohuese, të cilat i përmbahen etikës mjekësore për shërimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve. Duhet pasur parasysh se fjala e kundërt e mbiemrit "e mirë" është "e keqe", kurse fjala e kundërt e mbiemrit "e bukur" është "e shëmtuar". Mirësia vazhdimisht e ka vendin e merituar në art dhe në kulturën e njerëzimit, kurse bukuria ka edhe anën vetjake, për të cilën Shekspiri i madh thotë: “Bukuria i tërheq vjedhësit më tepër se ari."
E njëjta gjë ndodh edhe me veprën e shkrimtarit gjerman, Gunter Gras, veprën e tij "Daullja e llamarintë" (Die Blechtrommel), disa gazetarë e quajnë "Daullja e llamarinës" ose "Daullja prej teneqeje". Përkthyesit e letërsisë së huaj duhet të kenë kujdes me titujt e librave, sepse kanë rëndësi të madhe për bibliotekën dhe lexuesin. Po të mos e kisha lexuar veprën suedisht, “En god kvinna” me përkthim të natyrshëm (Gruaja e mirë) të shkrimtares amerikane, Danielle Steel, do të mendoja se flitet për ndonjë femër të bukur, siç janë aktoret e teatrit e të filmit, mirëpo shkrimtarja flet për një grua të mirë që gjendet në mesin e popullit. Ky veprim i ndërrimit të titujve nuk është aspak i drejtë, sepse krijon huti tek lexuesit, që për nga kuptimi kanë dallime. Prandaj sapo lexuesi lexon veprën do të kuptojë se në libër nuk flitet për gruan e bukur, por për gruan me virtyte të larta e të sjellshme. Konkretisht flitet për gruan e mirë, ashtu siç flitet për një burrë të mirë. Një vepër e tillë letrare është “Njeriu i mirë” i shkrimtarit tonë, Naum Prifti, i cili po ashtu shkruan për mirësinë e njeriut. Vlera e gruas nuk çmohet te bukuria, por te mirësia e saj, që është një veti ngjashëm si te burri i mirë, por jo i bukur, sepse kur një grua apo një burrë ndihmon tjetrin, ai/ajo nuk është i/e bukur, por i/e mirë. Duket qartë që përkthyesja e ka ndryshuar titullin e librit, me një titull që aspak nuk përputhet me përmbajtjen e romanit.
Sipas FGjSSh gruaja e mirë dhe gruaja e bukur kanë dallime: e para është mbiemër që flitet për tipare të çmueshme e të pëlqyeshme, që ka cilësi të duhura e të njerëzishme; e dyta ka të bëjë me vetinë objektive e sendeve dhe dukurive, që janë të zhvilluara në mënyrë të harmonishme e të përkryera në llojin e tyre. Prandaj dallimi në mes së bukurës dhe së mirës është se e mira ka nevojë për prova, kurse e bukura jo, thotë Volteri. Derisa te gruaja e mirë na tërheq qëndrimi i sjellshëm, te gruaja e bukur na tërheq pamja e saj në fytyrë apo në trupin e saj të bukur, vija karakteristike që bien në sy, por që nuk mund të jetë e mirë, ashtu siç nuk ka rëndësi nëse gruaja e mirë është e bukur apo jo, por dallon sjellja e saj e mirë ndaj rrethit familjar e shoqëror. Gjithashtu dallimi në mes fjalisë “grua jo e mirë” dhe “grua jo e bukur” është se në rastin e parë flitet për karakterin jo të mirë të gruas, kurse në rastin e dytë flitet për anën pamore jo të bukur të gruas. Prandaj e para “grua jo e mirë” është më e ndjeshme në krahasim me gruan jo të bukur. Ashtu siç ka djem të mirë e vajza të mira, ka edhe djem të bukur e vajza të bukura, por edhe me dy cilësi të mira. Pastaj plaka apo plaku mund të jetë i/e mirë, jo i/e bukur, prandaj cilado grua që sillet mirë në mesin shoqëror, thuhet grua e mirë. P.sh. shoferja e autobusit mund të jetë e mirë, sepse sillet mirë me udhëtarët, dhe jo shofere e bukur. Pastaj gruaja mund të jetë e bukur, mirëpo mund të jetë edhe përtace, gjithashtu mund të jetë shofere e bukur, por mendjemadhe, në dallim me gruan e mirë dhe shoferen e mirë që kanë sjellje të mirë. Vlen të përmendet fjala e urtë angleze, e cila thotë: “Mirësia vlen më shumë se bukuria”, kurse Bukuria është vetëm në sipërfaqe”, prandaj këtu çmohet mirësia, jo bukuria e gruas.
Gjithashtu dallimi në mes katundit të mirë dhe katundit të bukur, është i madh, derisa i pari ka të bëj me njerëz të mirë e bujarë që kanë marrëdhënie të mira dhe që e nderojnë mikun, i dyti ka të bëj vetëm me ndërtimin e harmonishëm të shtëpive të bukura dhe të kopshteve me pemë e me të gjitha të mirat, me çezme e me udhë të hapura etj. Rast konkret është nusja kur hyn në shtëpi të burrit është e bukur, por jo e mirë, sepse për sjellje të mirë e të vyeshme duhen prova një kohë të gjatë, prej nga nusja mund të jetë e bukur si dielli që shkëlqen, por jo e mirë si dielli. Pastaj për nderimin e mësueses së dalluar në shkollë nuk thuhet "mësuese e bukur”, por “mësuese e mirë”, meqë e para ka të bëj me pamjen e saj të bukur të mësueses, por që mund të jetë një kompliment, në dallim me mësuesen e mirë që ka të bëj me sjelljen dhe punën e saj pedagogjike që është më e vlefshme dhe më njerëzore. E njëjta gjë vlen edhe për vlerësimin e klasës më të mirë për nga suksesi, mirëpo nëse flitet për klasën më të bukur, atëherë ka të bëjë për arkitekturën e brendshme të klasës. Duhet pasur parasysh se suksesi me notën "3" për vlerësimin e shkallës së njohurive të nxënësve thuhet "mirë", jo "bukur".
Në vazhdim, në librin tjetër të shkrimtares amerikane, Danielle Stil “Vajza e madhe”, në të cilin flitet për Viktorinë, e cila në karrierën e saj rinoshe ka probleme me mbipeshë dhe është e trashë, kështu shkruan në librin origjinal anglisht “Big girl”, kurse përkthyesja e paraqet si vajzë të shëndoshë. Prandaj dallimi në mes të vajzës së shëndoshë e të trashë, apo mbipeshë është dukshëm i madh, me që anglisht shkruan “weight”. Kuptohet që sipas shembullit të fjalisë anglisht dëshpërimi i vajzës“I’m overweight, I’m not as pretty as my sister”, duhet të përkthehet drejt “Jam mbipeshë, nuk jam e bukur si motra ime”, dhe jo “Jam e shëndoshë, nuk jam e bukur si motra ime”, pastaj në fjalinë tjetër del sikur vajza ankohet pse është e shëndoshë, që është jashtë logjikës, meqë bëhet fjalë për mbipeshën e saj, prandaj nuk duhet të shkruhet “Asnjë s’ka për të më dashur, për sa kohë jam e shëndoshë”, sepse askush nuk ankohet për shëndetin e mirë, por duhet të jetë “Asnjë s’ka për të më dashur, për sa kohë jam e trashë”, meqë ajo ankohet për mbipeshën e saj. Pastaj shembulli i fjalisë: “Someone who loves you will love you fat, thin, or any” (Ai që të do, do të dojë njëlloj, edhe sikur të jesh e shëndoshë, e dobët apo në çfarëdo lloje forme), duhet të shkruhet: “Ai që të do, do të dojë njëlloj, edhe sikur të jesh e trashë, e hollë, apo në çfarëdo forme”. Tekembramja ka raste kur mbiemri “i, e shëndoshë” përdoret me ironi për njerëzit që janë të trashë e mbipeshë.
Me një faqe të shtypit shkruante për të ëmën që është më e shëndosh se bija. Prandaj edhe këtu e ëma mund të jetë më e trashë se bija, por jo më e shëndoshë se bija, meqë të dyja janë të shëndosha. Tekembramja, edhe burri, apo gruaja, djaloshi apo vajza, fëmija apo foshnja ka kufirin kur thuhet se ai apo ajo është i, e shëndoshë, sepse kur pesha e trupit e tejkalon mesataren, atëherë njerëzit nuk thonë qenka i, e shëndoshë, por i, e trashë, sepse përshtypja “i, e shëndoshë”, është shprehje ironike që edhe mjedisi e kupton për tallje. Nëse shkruesit nuk dinë se çka do të thotë fjala ”i, e shëndoshë”, të shikojnë FGjSSh, aty shkruan se mbiemri (i, e) shëndoshë do të thotë njeri, kafshë apo organizëm i tyre që gëzon shëndet të plotë, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje, që është i fortë nga trupi. Pikërisht ndonjë kokërr molle, dardhe apo pjeshke mund të jenë të mëdha për nga madhësia, por jo të shëndosha nëse janë me krimba. Prandaj kudo që përdoret ky mbiemër, ka tipare të mira dhe përparimtare, kundër së keqes, sëmundjes dhe të shëmtimit: burrë ose grua i (e) shëndoshë; arsim i shëndoshë; traditë e shëndoshë; brumë i shëndoshë; molla të shëndosha etj.

Suedi, 2 Maj 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 1,565 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi