Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Komandant Ilaz Kodra- Ikonë e trimërisë shqiptare
Publikuar më 03 maj, 2015 në orën 18:47 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 16- vjetorin e rënies heroike të Komandant Ilaz Kodrës

Pushtimet e huaja kalëruan mbi shqiptarët,
ashtu siç rrëshqet uji mbi kurrizin e patës.
(Edith Durham)

Mëngjes i bukur pranveror. Po agonte 30 prilli 1999. Rrezet e diellit herak shigjetonin Majën e Zezë të Qyqavicës mitike. Një puhizë e hollë freskuese rrëshqiste fare lehtas korieve e monopateve të thata. Zogjtë ia thoshin këngës ngeshëm duke krijuar një melodi magjepse e mjaft tërheqëse. Edhe fluturat krahëlehta shëtisnin shkujdesshëm nëpër lulet vesëplote dhe hidhnin valle lozonjare.
Por, ç’e do, ore lumë vëllai?!
Gjithë kjo bukuri e natyrës binte ndesh me zemrat e thyera të njerëzve, që, fare të pashpresa, lëngonin e vuanin në tokën e djegur shkrumb.
Në një bregore bleroshe, gjysmë të zhveshur, mbi ca shkurre të prera moti, qëndronin ulur dy të rinj me uniforma laroshe. Sa bukur u rrinin shqipet e lirisë në ballë e në krahë. Mitralozi e automatikët me qyta hekuri u vezullonin në mes. Për çudi, nuk po flisnin fare. Njëri, ai me sy zhbirues, të futur thellë në rrashtë e me një qëndrim mjaft të matur, mbante një brisk në dorë dhe gdhendte lehtë- lehtë një bilbil lajthie. Siç dukej mendjen s’e kishte atypari, por diku gjetkë. Tjetri, me një palë dylbi të mëdha e të tejzgjatura, u kishte dhënë fre syve larg e larg, diku mbi bjeshkën e Kosmaçit.
-Ç‘je fundosur aq thellë në mendime, o Komandant?- foli ai duke i ulur dylbitë e duke i fshirë sytë e stërlodhur.
-Po si të mos thellohem, ore Ilir?!- ia priti tjetri, pa e ndërruar pozicionin e pa e ndalur briskun e mprehtë anzë. Pasi u mendua pakëz, drodhi kokën habitshëm dhe shtoi: Gjithë kjo popullatë e paarmatosur dhe e pambrojtur gjendet para një tragjedie shfarosëse. Fati i tyre mbështetet në duart tona. E vështirë qenka kjo. Ata shpresojnë te ne e mundësitë tona janë të paketa për t’u dalë krahë. Të mjerët, po ma brejnë shpirtin si sëmundja kanceroze. U bënë dy javë që po përpëlitemi me vdekjen e sigurt. Jeta nën plumba qenka e rëndë dhe e tmerrshme. Edhe ata që arrijnë të mbijetojnë do të ngelin me pasoja të përjetshme. Kjo e ligë do të lërë vragë të pashlyera në mendjet e tyre për jetë të jetëve. Këto të zeza mendime po ma çukisin kokën si korbat e zinj dërdëllisësh e nuk po më lënë të qetë,- përfundoi ai, duke pështyrë me nervozizëm, gjë që ishte e pazakontë për të.

Poshtë, Fushë- Molla, zu të gumëzhinte si zgjua bletësh. Heshtja mbytëse u gris si daulle letre. Vaji i fëmijëve, mallkimet e plakave flokëthinjura dhe rënkimet e të plagosurve përziheshin me gurgullimën e lumthit, që mezi ia dilte mbanë gjithë asaj mizërie. Ah, e bekuara Fushë- Mollë, që kur plasi lufta në Drenicë, nuk mbeti pa mysafirë. Dhe, përherë të tillë: pleq, gra e fëmijë, të përndjekur e të uritur. Ishte bërë strehë e të pastrehëve. Ngjante në një lëndinë lotësh a në sofër boshe skamnorësh. Lindje e vdekje tok, të pandara, si vëllezërit siamezë. Edhe varret e djepet përplot. Zanat flokëgjata nanurisnin e mëkonin kujdesshëm të porsalindurit, ndërkaq krismat i burrëronin para kohe...
-Ai mali përballë, quhet Shkoza e Vërbocit,- rrëfente qetas një plakë jetike e asaj ane, që goja i kishte mbetur vetëm me një dhëmballë të nxirosur e që i lëkundej si kallami në ujë. Aty pat qëndruar një kohë edhe Azem Bejtë Galica i plagosur për vdekje. Dhe, kur u nis për në Shqipëri, këtu e la Zojën shtatzënë, e cila pas një jave e lindi Azeminen...

-Zoti Komandant, edhe nga ana e xhamisë po arrijnë përforcime të reja serbe,- raportoi rrëmbyeshëm ushtari zeshkan, i cili erdhi me vrap dhe mezi ngopej frymë.
-Ju qëndroni nëpër istikamet tuaja dhe mos u shqetësoni fare se s’kanë ç’të bëjnë të mallkuarit, jo,- foli ai gjakftohtë, pa e prishur fillin e mendimeve torturuese.
-Vërtet, punën e kemi pisk,- bëri me vete, pasi ushtari qe larguar tutje. Doemos duhej hapur shteg për të pambrojturit. Nuk u besohet vrasësve të pashpirt. Keq, shumë keq, na kanë futur në grackë. Edhe jeta mizerabele, pa bukë e pa strehë, na ka sfilitur fare. Të plagosurit e të sëmurët nuk po përballojnë dot. Po të mos ishin kalamajtë e padjallëzuar, që me çapkënllëqet e tyre po i japin pakëz gjallëri kësaj skëterre të llahtarshme, shumica do të çmendeshin...
-Ngrihemi se u bë vonë, Komandant,- ia priti tjetri,- se do të bëhet mirë, do të bëhet mirë, patjetër.

Dhe, kur dielli kishte arritur zenitin, luftëtarët e lirisë kishin zënë vend nën hijen e lisit qindvjeçar. Me pushkët në gjunjë e gjoksoret përplot, dëgjonin vëmendshëm Komandantin që nuk po ulej dot:
-Djema, o sot, o kurrë!- zuri t’u flasë ai mjaft bindshëm. Popullit i ka arritur laku në fyt. Është momenti i duhur ta tregojmë veten se e meritojmë emrin e Komandantit legjendar Fehmi Lladrovci. Ashtu veproi edhe ai, besnikërisht nderoi emrin e kryetrimit Azem Galica. Edhe Xheva ripërtëriu amanetin e dadës Shotë. As ne nuk do të koritemi. Jo, jo. Të luftojmë e të qëndrojmë si burrat, për jetë a vdekje. T’i shpëtojmë familjet tona nga kthetrat e gjakosura të bishave karpatiane. Fitorja qoftë me ne!
Edhe të tjerët ishin të një mendjeje. Të gjithë ishin trima e trimëresha që të merrnin gjak në vetull dhe i thoshin vdekjes plaç!

Pas pak, sakaq, lufta u ndez ashpër. Armiku sulmonte furishëm nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet. Mortajat, minahedhësit, topat, pragat e mitralozat villnin mnershëm zjarr e helm nepërkash. Dhe, ashtu, i hapnin rrugë këmbësorisë të tërbuar, e cila e çakërdisur nga droga dozëfortë ulërinte drejt turmës së shastisur. Trimat ua prenë rrugën, duke i kamxhikuar ashpër si dragonjtë kuçedrën shumëkrerëshe. Beteja sa vete e ashpërsohej. Luftohej edhe nga afër, fyt më fyt e dhëmbë për dhëmbë. Dheu i tokës mëmë zu të skuqej e bari i njomë pllakoste nga gjaku rrëke.
-Ah, qyqet ne, qyqet, po ç’na duhet jeta e zezë, kur lulet e rinisë po i lëmë në flakë!- mërmëriti me zë të çjerrë një plakë gungaçe tek kapërcente shtegun e hapur e që kokën nuk e shqiste dot që andej ku kërciste dyfeku.

-Më shpejt loke, më shpejt, nëse mundesh e për ne mos u merakos hiç-, ia prit ushtari që e ndihmoi të kalonte matanë gardhit.
Luftimet veçse shkallëzoheshin. Rrathët dantesk vinin duke u ngushtuar, por edhe popullata depërtonte më të madhe jashtë tyre. As viktimat nuk qenë të pakta, ama, jo aq sa ishin menduar në atë kataklizëm.
-Kur të kalojë edhe familja e fundit, vetëm atëherë do të qetësohem. As vdekjen nuk do ta honepsi dot e nuk do t’ia kam dronë fare,- bënte trimi me vete, duke ia ndërruar karikatorët mitralozit...

...Dhe, mendja i kishte kredhur në të shkuarën... Jeta e tij ishte histori në vete. Rrënjë të thella kishte sypatremburi, diku nën shkëmbinjtë e thepisur strallorë. E quanin Ilaz Kodra. Në këtë botë erdhi më 1 maj 1966, në Prekaz të Poshtëm. Vinte nga një familje jo e kamur ekonomikisht, por me tradita burrërie e atdhetarie. Në ato troje, në janarin e egër të vitit 1945, qe likuiduar shtabi serbo çetnik i Batalionit të Rinisë, i cili, kamufluar me lëkurë qengji, shqyente me dhëmbë ujku. Kështu, qysh herët, djaloshi u mishërua me fatin e hidhur pelin të popullit të vet liridashës.

Mësimet fillestare i bëri në vendlindje, të mesmet në Skënderaj, ndërsa të lartat i nisi në Pejë, por u detyrua t’i lërë përgjysmë. Atdheu mbi të gjitha!- tha një ditë, duke parë rrjedhat e kohës zezonë, dhe, me mish e me shpirt iu dha ilegales. Tok me Adem Jasharin, Jakup Nurën, Hashim Thaçin, Sahit Jasharin, Sami Lushtakun, Fadil Kodrën etj., nuk pushuan për asnjë çast së vepruari në rrugën e nderit e të lavdisë.
Tetori i vitit 1991 qe më i gëzuari për ta, sepse vajtën në Tiranë për ta ushtruar artin luftarak. Oficerët shqiptarë u ndanë mjaft të kënaqur me djemtë sypatrembur dhe vlerësuan lart punën e tyre. Kështu sulmi i 30 dhjetorit 1991 nuk i zuri bëftë. Përkundrazi. Aty dhanë provimin e pjekurisë me sukses të shkëlqyeshëm. Çeta e Adem Jasharit bëri emër në Drenicë e më gjerë. Më kurrë nuk pushoi as kënga e grykëhollës së Ilaz Kodrës. Plumbat e tij ua qëndisën ballin edhe policëve serbë në Drenas, më 22 maj 1993.
Ilaz Kodra, si shumë luftëtarë të tjerë, për pak kohë u detyrua të kalojë në mërgatë e të veprojë në ilegalitet.

Më 6 maj 1997, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë e Selim Krasniqin, Abedin Rexhën, Ramush e Luan Haradinajn, Sami e Rafet Ramën ia mësyjnë Kosovës. Por, në kufirin kobtar vëllandarës, te Qafë-Mullari, afër Kushninit të Hasit, bien në pritën e forcave serbe. Aty vritet trimi Luan Haradinaj e plagosën Fehmi Lladrovci e Rafet Rama. Kjo i preku thellë në zemër të gjithë luftëtarët e lirisë. Zëri i bukur i Mujë Krasniqit e Beqir Gashit atë e përjetësuan:

Te ai guri i mallkuar,
Që na vuri hasmi n’mes
Pushoi trupi i Luanit
Porse vepra nuk i vdes...


...Dielli ende kishte për të bërë rrugë derisa të rrokullisej tej bjeshkëve kësulëbardha. Vaji i fëmijëve nuk po dëgjohej gjëkundi. Trimat po frymonin më lirshëm. Edhe zëri i grykëhollave ishte më i kthjelltë.
-Po na shpëtuan këta dreqen, u pret plumbi në kokë!- kërcënonte me zë hakërrues oficeri serb, duke bërë me dorë nga trimat që nuk po luanin vendit. Të gjallë dua t’i zëmë, të gjallë,- lëpihej ai si dhelpra para kotecit, duke ua marrë krahët tinëzisht. Dhe, ca flokëgjatë e mjekërzinj, ma shami të zeza rreth kokës, zhgërryheshin barkas nëpër baltë.

-Komandant, kujdes nga ana e majtë!- briti fort një luftëtar i ri, por kot.
Një plumb e kapi keq, mu nën zemër. Gjaku i rrodhi rrëke. As ofshame, as britmë, as rënkime. Një lulëkuqe hapi petalet dhe thithi gjakun pa rënë fare në tokë. Aty do të mbinte liria. Mbi një gem të hollë pehatej një shpendkeqe ndjellakeqe.
-Ik tutje, ore zog i lig, se këtu s’ka vend për ty!- bëri bilbili i lajthisë nga xhepi i tij i përparmë. Nuk kemi nevojë për kuje e vaje. Vetëm kënga ua shëron shpirtplagamën e tyre liridashëse. Dhe, zu të këndojë ëmbël-ëmbël. Trimi hapi sytë me vështirësi, duke u dhënë zor qepallave të rënduara. Bjeshka lëvizi nga vendi. Edhe Kalaja e Vërbocit, bashkë me patkoin e kalit të Skënderbeut poshtë saj, kishin ethe zjarrmie. Përreth, bashkëluftëtarët bënin heroizma të pashoqe. Ca e kishin mbuluar dhe po e ndihmonin.

-Ikni tutje, ju lutem, ikni, që të gjithë, se unë dua të qëndroj deri në fund...Sakaq, shumë afër, pa një grup kriminelësh tek zvarriteshin drejt tij. Ejani, ejani,- bëri me vete dhe me bisht të syrit vështroi bombat gjatoshe para vetes. Vetëm dora e djathtë i punonte. Me dhëmbë ua hoqi siguresat dhe i flaku me sa fuqi që pati. Plasja e tyre e fuqishme që trandi edhe Shtuticën, u shoqërua me “olelejka” të shumta dhe me copëra gjymtyrësh, që fluturuan në ajër...

Gjaku nuk po i ndalej dot. Edhe fuqia po i shteronte gradualisht. Krismat zunë të rralloheshin. Edhe një herë mezi arriti t’i hapte sytë me zor. Një shqipe sillej në qiellin e përflakur. Hija e saj ia mbuloi fytyrën e zbehur e me një buzëqeshje të ngrirë...
Dhe, fare paqetueshëm, shpirti i tij i ndritur vajti në amshueshmëri. Atje e prisnin komandantët legjendarë: Adem Jashari e Fehmi Lladrovci. Fare pranë tij kishin bulbëruar edhe lulëkuqe të tjera lirie: Haki Prokshi, Antigonë Fazliu, Bajram Aliu, Nysret Halili, Ajet Rukiqi...Nuk donin ta linin vetëm komandantin e dashur e të paepur, të pavdekshmin Ilaz Kodra.

Galicë, fundprill 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 50 vizitorë
Lexuar: 1,624 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi