Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare, të shtunën, më 30 maj 2015, duke filluar në orën 14:00 pranë Bibliotekës Kombëtare Universitare në Prishtinë, fillon marshi protestues me kërkesë që institucionet e Republikës sonë të njohin përmes Ligjit edhe dëshmorët e rënë në fushën e nderit para luftës çlirimtare në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Qëllimi i protestës paqësore ka të bëjë me kërkesën për Qeverinë e Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga Komisioni Qeveritar për Verifikim që të përfshijë në Ligjin për statusin e dëshmorëve të kombit edhe të ata veprimtarë e atdhetarë shqiptarë, të cilët para luftës çlirimtare ranë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sepse, edhe Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, neni 8 pika 2 e këtij Ligji thotë: Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha të ndryshme historike. Prandaj, të na bashkojë gjaku i dëshmorëve, dhe të dalim në protestë për të përkrahur gjakun e derdhur edhe të atyre dëshmorëve që ranë para luftës çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit, në mënyrë që edhe ata të shpallen me ligj dëshmorë të kombit.
Vetëm të bashkuar do t’ia dalim për të sendërtuar në vepër amanetin e dëshmorëve për liri, pavarësi dhe bashkim!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit (KFDK)
_______________
Behram Krasniqi, anëtar i Komisionit
|