Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kambanat e alarmit bien për UÇK-në
Publikuar më 29 maj, 2015 në orën 07:21 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Duke e parë veten si pjesë të pandashme të njerëzimit shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej e konsideronte si humbje për njerëzimin humbjen e secilit njeri, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri, padrejtësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri ... Për këtë arsye, ai na drejtohet që të mos pyesim se për kë bie kambana në rast fatkeqësie, sepse ajo bien për ne.

Proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë kambana të alarmit se në proceset e montuara gjyqësore qëllimi politik është i qartë: të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, Nëse parafrazohet Hemingueji atëherë mund të themi lirisht se kur dëgjoni kambanat e padrejtësisë kundër Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre mos pyetni se për kë bie kambana. Ato bien për ne si shqiptarë!

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?

Që nga ardhja e tij në Kosovë, fillimisht në kuadër të UNMIK-ut e më vonë në kuadër të EULEX-it, prokurori italian Maurizio Salustro nuk ngriti asnjë aktakuzë të vetme kundër kriminelëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë. Të gjitha ndjekjet dhe paditë i orientoi kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk po i përmend të gjitha proceset që ngriti ky prokuror kundër udhëheqësve të disa zonave operative të UÇK-së. Po kufizohem vetëm në periudhën pas miratimit të Raportit të Dick Marty-t nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 25 janar 2011. Ky vendim e mobilizoi prokurorin Maurizio Salustro si asnjë prokuror tjetër më parë.
Një muaj pas miratimit të raportit të Dick Marty-t, në mars të vitit 2011, i ngarkuar nga EULEX-it si shef i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro urdhëroi arrestimin e Fatmir Limajt dhe nëntë luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së.
Për ata që nuk e njohin Fatmir Limajn po sjell shkurtimisht disa të dhëna. Ai është njëri ndër komandantët më të njohur të UÇK-së dhe pas përfundimit të luftës ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i saj dhe Shef i Grupit Parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Më 17 shkurt 2003 Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt. Në kohën kur u bë publike aktakuza kundër tij, Fatmir Limaj ndodhej në vizitë private në Slloveni. Ai u dorëzua te autoritetet sllovene dhe kërkoi ta shoqëronin për në Hagë, i gatshëm të ballafaqohej me drejtësinë ndërkombëtare.
Procesi gjyqësor kundër tij, i mbështetur në akuza të përpiluara në bazë të burimeve serbe, filloi më 15 nëntor 2004 dhe pas një viti shqyrtimi të kësaj lënde, më 30 nëntor 2005, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm. Më 27 shtator 2007 Dhoma e Apelit hodhi poshtë ankesën që bëri Carla Del Ponte ndaj këtij vendimi dhe konfirmoi pafajësinë e Fatmir Limajt.
Fatmir Limaj u kthye i lirë në Kosovë pak kohë para se Carla Del Ponte ta botonte librin e saj, nga i cili kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës shkoqitën përmendjen e pretendimeve për trafikim me organet njerëzore.
Edhe pse asnjëherë nuk kishte qenë i sistemuar në Zonën Operative të Drenicës, në librin e Carla Del Pontes dhe në Raportin e Dick Marty-t Fatmir Limaj figuron si njëri nga anëtarët e «Grupit të Drenicës»! Kjo e pavërtetë ishte publikuar në “librat e bardhë” të Shërbimit Sekret Serb shumë vite para se të botohej libri i Carla Del Pontes apo Raporti i Dick Marty-t.
Paraqitja e Fatmir Limajt nga Carla Del Ponte, Dick Marty dhe nga shumë kumbarë të tjerë të sajimeve të Shërbimit Sekret Serb si pjesëtar i «Grupit të Drenicës» dëshmon për “plagjiaturën” që këta autorë kanë bërë nga burimet “sekrete” serbe të shpërndara publikisht.

Duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet serbe dhe “dëshmitarët” e ofruar nga Prokuroria serbe për krime lufte, më 25 gusht 2011 Maurizio Salustro ngriti aktakuzën kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt.
Procesi gjyqësor kundër këtyre dhjetë pjesëtarëve të UÇK-së filloi më 11 nëntor 2011 dhe pasi u shoshitën të gjitha provat e ofruara nga të dyja palët, më 2 maj 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e hodhi poshtë akuzën e Maurizio Salustros dhe të gjithë të akuzuarit u liruan si të pafajshëm.
Maurizio Salustro u ankua ndaj këtij vendimi dhe Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 nëntor 2012, e ktheu këtë lëndë në rigjykim. Rigjykimi filloi më 13 prill 2013.
Ndërsa zhvillohej rigjykimi i dytë i Fatmir Limajt dhe i nëntë ushtarëve tjerë të UÇK-së, më 23 maj 2013 Gjykata Komunale e Mitrovicës lëshoi urdhër arrest kundër Sylejman Selimit, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që ishte ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtakut, ish-Komandant i Zonës Operative të Drenicës, që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Skenderajt në zgjedhjet e lira të vitit 2009, dhe pesë ushtarëve të kësaj zone operative: Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit.
Jo vetëm akuzat ndaj këtyre personaliteteve të shquara të UÇK-së por edhe emërtimi «Grupi i Drenicës» ishte marrë nga «Libri i Bardhë» që e trajtova më lart.
Fatkeqësisht, prezantimi i këtyre komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së si të ishin pjesëtarë të një “grupi” dominoi në shkrimet dhe emisionet televizive që mbuluan këtë rast. Ky prezantim ka marrë përmasa aq të mëdha sa termi «Grupi i Drenicës» përdoret aq shpesh si të ishte një realitet e jo stigmatizim i sajuar nga Shërbimi Sekret Serb.
Gjykata e Apelit mori vendimin që shtatë pjesëtarët e lartpërmendur të UÇK-së të mbaheshin në arrest shtëpiak deri në fillimin e procesit gjyqësor. Edhe pse asnjë udhëheqës apo ushtar i UÇK-së nuk i iku ballafaqimit me drejtësinë, Maurizio Salustro u ankua kundër vendimit me arrest shtëpiak. Dëshironte t’i shihte të burgosur! Gjykata e Apelit anuloi vendimin e mëparshëm dhe e shndërroi masën e arrestit shtëpiak në paraburgim.

Më 31 maj 2013 u arrestuan shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe u dërguan në burgje për të plotësuar kërkesën e Maurizio Salustro-s.
Paralelisht me veprimet kundër ish-pjesëtarëve të Zonës Operative të Drenicës, Maurizio Salustro vazhdoi procesin e dytë gjyqësor kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ushtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut. Mirëpo, pas pesë muajsh, më 17 shtator 2013, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i hodhi përsëri poshtë akuzat e pabaza të Maurizio Salustro-s dhe i liroi si të pafajshëm Fatmir Limajn dhe nëntë ushtarët tjerë të UÇK-së.
Edhe ndaj këtij vendimi shefi i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro bëri ankesë dhe në momentet kur jam duke i shkruar këto rreshta, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me këtë ankesë.
Nga ana tjetër, më 6 dhjetor 2013 filloi gjykimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe pjesëtarëve të lartpërmendur të Zonës Operative të Drenicës.
Një muaj më vonë, më 9 janar 2014, Maurizio Salustro njoftoi se largohet nga funksioni i tij në Kosovë pa dhënë asnjë sqarim për angazhimet pas largimit nga Kosova. Tre muaj më vonë, të gjitha mediat njoftuan se ish-shef i Departamentit për krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro “ishte punësuar në Beograd, si këshilltar në Prokurorinë serbe për krime lufte.”

Nëse i hedhim një sy makinave kërkuese në internet rreth kësaj çështjeje do të shohim me qindra artikuj në të cilat shprehet revolta e Kosovës për këtë veprim të Salustro-s.
As Maurizio Salustro e as Prokuroria serbe për krime lufte nuk dhanë asnjë sqarim për muaj të tërë. Por, kur shpërtheu skandali i korrupsionit në kuadër të EULEX-it dhe kur shefja e diplomacisë evropiane ngarkoi juristin francez Jean-Paul Jacqué që të hetojë këtë skandal, Prokuroria serbe për krime lufte reagoi duke pohuar se “asnjë i dyshuar i EULEX-it nuk është punësuar në kuadër të kësaj prokurorie.”
Cila është e vërteta për skandalin e korrupsionit dhe “punë¬simin” e Maurizio Salustro-s në Prokurorinë serbe për krime lufte mbetet të shihet. Por, ajo që dihet tashmë qëndron në faktin se, as Prokuroria serbe për krime lufte e as prokurorët ndërkombëtarë që erdhën në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë hap për të çuar drejtësinë në vend.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!

Nuk mund ta di se cili do të jetë rezultati i hetimit të Bashkimit Evropian dhe nëse do të zbulohen prokurorët që janë korruptuar për të lënë në heshtje paditë kundër kriminelëve të vërtetë që kryen krimet më të përbindshme në Kosovë. Por, atë që mund ta them nga ajo që kemi parë deri tani del qartë se mosndëshkimi i kriminelëve për krimet e kryera është shndërruar në njërën nga pengesat e mbylljes së kapitullit më tragjik të dekadës së fundit të shekullit XX. Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdo¬shëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve.
Për këtë arsye, publikimi i listës së plotë të krimeve që Shërbimi Sekret i Serbisë i ka bërë kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike, listës për të cilën fliste ish-Shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Marković-i, do të ndriçonte krimet që janë kryer në Kosovë. Sipas mendimit tim, hedhja dritë në këto krime të përbindshme do të përshpejtonte ngadhënjimin e drejtësisë sepse do të krijonte klimën e përgjithshme për domosdoshmërinë e ndëshkimit të kriminelëve të vërtetë. Publikimi i listave të vërteta të kryera me urdhër të Shtabit Strategjik të Milošević-it do të nxirrte në dritë gënjeshtrat e listave që ishin përpiluar në funksion të manipulimit me opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Jo vetëm kaq! Kjo do të kishte ndriçuar edhe punën e prokurorëve ndërkombëtarë që kanë ngritur aktakuza duke u mbështetur në burimet e këtij shtabi strategjik, pasojat e të cilit i mbajnë mbi kurrizin e tyre Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe udhëheqës tjerë të UÇK-së.
Ndriçimi i plotë i këtyre ngjarjeve do të nxirrte në shesh motivet politike dhe ideologjike të krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës që do të merrej me pretendimet e propagandës serbe dhe të kumbarëve të tyre për krimet që gjoja kanë kryer udhëheqësit tjerë të UÇK-së.
Padrejtësia troket në dyert e Kosovës! Kjo u pa edhe nga Konferenca e Clint Williamson-it!
Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, se gjatë hetimeve trevjeçare nuk siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së dhe imponimi i krijimit të një Gjykate Speciale për t’i gjykuar “krimet e UÇK-së” pa prova dhe pa dëshmitarë është dëshmi se padrejtësia troket fuqishëm në dyert e Kosovës!
«Mashtrimi i Madh» f. 551-557

Padrejtësia e madhe u pa edhe në dënimin e personaliteteve të shquara të UÇK-së në proceset politike «Drenica 1» dhe «Drenica 2». Dënimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Jahir, Zeqir e Nexhat Demakut, Hysni Thaçit, Bashkim, Selman dhe Driton Demajt... pa prova dhe me dëshmitarë të rrejshëm është dëshmi se ndërhyrja politike ka marrë në duart institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Dënimi i Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, i Komandantit të Zonës Operative të Drenicës dhe bashkëluftëtarëve të tyre për “krime lufte” nxori në shesh propagandën boshe se gjoja proceset e tilla gjyqësore “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Por, drejtësia nuk ngadhënjen me dënimin e çlirimtarëve që kapën pushkët në mbrojtje të popullit. Dënimi i atyre që i dolën përballë makinerisë gjenocidare serbe është turp i ndërhyrjes politike në institucionet e drejtësisë. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarët e tyre duhet të lirohen menjëherë dhe t’u thuhet publikisht:Ju lumtë pushka trima!

Bardhyl Mahmuti

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 43 vizitorë
Lexuar: 483 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi