Qindra qytetarë të veshur kuqezi dhe me flamuj kombëtar kanë marrë pjesë të mërkurën në rivarrimin e Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në një ceremoni në nder të veprës së heroit kombëtar.
Në ceremoninë, e cila u zhvillua në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe familjarë të babait të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit.
“Përtej ngurtësive të pragmatizmit politik, Isa Boletini ishte njeriu i idealeve madhore kombëtare. Duke qenë i këtyre përmasave, ai na bashkon edhe sot, në ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij i gjatë, pothuajse shekullor drejt Boletinit të tij, aty ku lindi dhe aty ku e pret toka e tij, vendi nga i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit, një vend i shenjtë, ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim në të ardhmen”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.
Për veprën e Isa Boletinit, gjatë ceremonisë në Mitrovicë folën edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, përfaqësues të shqiptarëve nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
Ndërsa në emër të familjes të pranishmit i falënderoi Gazmend Boletini, stërnipi i heroit kombëtar. Pas ceremonisë në stadiumin e qytetit, eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij u përcollën drejt fshatit Boletin, në veri të Kosovës, ku u rivarrosën me nderime në kullën e Boletinajve, të shoqëruar nga kalorës me veshje kombëtare.
Kjo ceremoni i dha fund edhe një kalvari të gjatë shumëvjeçar që ka shoqëruar fatin e heroit, që nga procesi i identifikimit të eshtrave e deri tek ndërrimet e datave dhe përpjekjeve për ta varrosur në Vlorë.
Në ceremoninë kryesore ka pasur një prani tejet të madhe të qytetarëve të pranishëm, të cilët shoqëronin eshtrat dhe nderimet ndaj Isa Boletinit edhe me thirrjet “Shqipëri Etnike”, ndërkohë që transferimi i eshtrave drejt Veriut të Mitrovicës është bërë pa praninë e qytetarëve, pasi ajo pjesë e qytetit kontrollohet ende nga forcat e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
/ Top Channel
|