Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ironia në lëvizje- Pse na mallkoi historia?
Publikuar më 30 qershor, 2015 në orën 19:15 ( ) Mr. Ardian Ramadani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Vështrim librit të Shefki Ollomanit « Çështja kombëtare shqiptare », Shkupi, Mars 2008, fq. 246)

Ciceroni në një rast do të shprehej për historinë se ajo është një ironi në lëvizje. Popuj të shumtë kanë mësuar nga gabimet e tyre dhe nuk i kanë përsëritur. Ka edhe të tillë që kanë mësuar nga gabimet e të tjerëve, e ata është normale të konsiderohen më të suksesshëm. Mirëpo shtrohet pyetja se ne si shqiptarë sa kemi mësuar nga gabimet tona, e aq më pak nga gabimet e të tjerëve ? Them shumë pak, për të mos thënë aspak.

Kronologjinë e ngjarjeve historike shqiptare e përcjellin kundërthënie mes figurash reprezentative të politikës shqiptare. Nuk ka periudhë historike ku mos të ketë pasur kundërthënie mes të ashtuquajturëve dyshe politike. Kësisoj kjo përplasje, kjo kundërthënie dhe këto divergjenca na kanë sjellur deri tek vonesat në zgjidhje të problemeve tona politike, shoqërore, ekonomike. Populli shqiptar në përgjithësi nuk ka pasur liderë që kanë ditur të zgjedhin momentin e duhur për tu bërë pjesë e aleancave gjeopolitike, me qëllim zgjidhjen e çështjeve nacionale. Edhe atëherë kur pretendohet se e kanë bërë, (lexo : rasti i Perandorisë Osmane), ata shumë shpejt e kanë braktisur aleatin e vetëm, pa kuptuar mirë momentin dhe pa gjetur aleatin e duhur. Ndërsa periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, edhe pse në fillim kishte rëndësinë e saj, më tej do te zbehej si pasojë e zbehjes së kuptimit të saj si dhe alienimit në luftë brendashqiptare me qëllimin e vetëm, kapjen e pushtetit. Ndërsa aleanca me SHBA-të dhe Evropën, megjithëse në fillim kishte frytet e saja, ka filluar të zbehet, si pasojë e asaj se ne ende nuk kemi mësuar leksionin e pësimit në histori. Ndërsa kur është fjala për luftën brenda llojit, e njëjta histori përsëritet edhe në tri luftërat më të fundit, ku përplasjet dhe kundërthëniet janë më se evidente. Meqenëse asnjë perëndi nuk mund ta ndryshojë të kaluarën (sipas Poetit tragjik athinas Agathon), shtrohet pyetja se sa kuptojmë ne sot nga e sotmja, për të projektuar të ardhmen.
Kësisoj këto lloj pyetjesh janë më se të nevojshme dhe të domosdoshme për të dalë nga nebuloza që na shoqëron parreshtur. Autori i librit « Çështja kombëtare shqiptare », Shefki Ollomani me të drejtë dhe me një guxim të shquar merr përsipër të analizojë ecurinë historike të përplasjeve ndërshqiptare. Ndoshta unë të vetmin sugjerim që do i`a bëja autorit do të ishte ndryshimi i titullit, pa mos hequr as edhe një shkronjë të vetme, e as edhe nëj shenjë të vetme nga libri i tij. Sepse titulli më i mirë dhe më i përshtatshëm do të ishte « Përplasjet dhe kundërshtitë shqiptaro-shqiptare ».
Autori me një intelegjencë të theksuar, përdëfton se Shqipëria u bë shtet më 1912, ndërsa Kosova pas 96 vjetësh, më 2008. Nëse do të ndiqej itinerari shqiptar, Ilirida do të bëhet shtet në të ardhmen, respektivisht më 2110-12, Kosova Lindore më 22210-12, Malësia e Madhe më 2310-12, Çamëria më 2410-12, kurse Shqipëria Etnike (lexo : Ajo Reale) më 2512. E një vit pas këtij bashkimi do të ndodhë Apokalipsi-Kiameti-Përmbytja e Dytë më e Madhe, me ç`rast do të fillojë procesi i shtetndërtimit nga e para. Prologu i këtij libri më tërhoqi pa masë, duke vazhduar më tej edhe me përmbajtjen.
Në fillim të librit autori merret me copëzimin e kombit shqiptar që nga 1878, 1912, 1919 e gjer më sot. Autori me guxim thekson se çështja koloniale shqiptare lëre që nuk është zgjidhur ende, por ajo edhe më tej vazhdon të ngelet e pandërkombëtarizuar, krejt kjo për fajin e politikës shqiptare. Edhe pas pavarësisë së Kosovës, autori nuk sheh mbylljen e projektit të (ri)bashkimit kombëtar, por edhe vëren një morozitet dhe lodhje të politikës dhe të politikanëve shqiptarë.
Edhe me luftërat më të fundit (që unë do t`i quaja rebelimet apo konfliktet) shqiptarët nuk përfituan rezultate në favor të tyre, krejt kjo për shkak të indiferencës dhe miopisë së një politike pacifiste kozmopolite shqiptare, mosorganizimit të një Kryengritjeje të Përgjithshme, si dhe mospërkrahjes totale dhe të sinqertë të vet shqiptarëve për këto projekte, e kësisoj edhe mospërkrahjes sa e si duhet nga ana e faktorit politik relevant ndërkombëtar. Sipas Ollomanit, Kombi shqiptar sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Neë Ëorl Order-it, nuk i përmbushë asnjë nga standardet dhe kriteret e tyre, të parashikuara për integrim në shkallë europiane, ndërkombëtare e më gjerë, ngase ende (vet)llogaritet dhe ka statusin e popullit vasal dhe të kolonizuar (në zemër të Europës demokratike), nën sundimin hegjemonist të shteteve ballkanike. Nga kjo rezulton mosqenia e tij si kandidat i përshtatshëm ligjërisht për të pranuar aderimin në integrimet europiane, pa mos u integruar mes veti. Nuk mund të ndodhë ky integrim përderisa një përqindje bukur e madhe e hapësirës së këtij shqiptarëve, si për nga numri i popullsisë e poashtu edhe për nga territori etnik, janë të cunguara dhë të pushtuara.
Dialektika e ngjarjeve përcaktohet nga fenomenet natyrore e shoqërore, që janë të lidhura dhe në varshmëri me njëra-tjetrën. Njëri nga ligjet dialektike të zhvillimit dhe transformimit të materies dhe shoqërisë njerezore është edhe ligji i luftës dhe ai i unitetit të të kundërtave. Këtu bën pjesë edhe lufta kundër luftës. Robëria është negacion i lirisë, ndërsa lufta për liri është mohim i robërisë. Sipas kësaj del se asnjëherë nuk mudn të ketë pajtim mes gjërave dhe fenomeneve të kundërta. Sipas tij, pushtimi dhe robëria imponojnë detyrimisht fillimin e luftës për liri të popullit të nënshtruar dhe robëruar. Ky proces është i pashmangshëm historikisht dhe determinues për ecurinë e mëtutjeshme. Ndërsa asnjë pushtues nuk heq dorë vullnetarisht nga pushtimi, shtypja dhe shfrytëzimi ndaj një populli tjetër. Ndërsa kur është fjala tek paqja, ajo nuk mund të arrihet kur mungon liria. Paqja në robëri nuk është paqë, pro është robëri e re. Përndryshe në këso rrethanash e kundërta e paqes së këtillë, është Revolucioni, rrebelimi apo kryengritja. Sepse aty ku nuk ka liri, drejtësi apo barazi, ka vend të përshtatshëm për rrebelim dhe kryengritje. Sipas autorit aktualisht në Shqipërinë Etnike, jashtë Shqipërisë londineze, mbretëron një « paqe » nën robëri. Me gjithë manipulimet dhe kërcënimet shqiptare, ndërkombëtare … për ruajtjen e kësaj paqeje artificiale, kjo nuk do të jetë e mundur, ngase sipas autorit është e ligjshme, natyrore, ligj i paracaktuar të ndodhë.
Autori me një mprehtësi të shquar shpërfaq dhe analizon poashtu edhe definicionet mbi kryengritjet, pacifizmin dhe lëvizjet pacifiste, luftëm duke dalluar këtu 1. Lufën e drejtë : çirimtare, kombëtare, popullore, revolucionare, mbrojtëse… si dhe 2. Luftën e padrejtë : imperialiste, pushtuese, grabitqare, robëruese, invaduese, sulmuese…
Më tej autori ndan luftërat në civile, bërthamore, tokësore, detare, ajrore…. të nxehta (me armë), të ftohta (pa armë), paqësore. Shefki Ollomani poashtu definon dhe analizon edhe revolucionin si revoltë të masave popullore, kundërrevolucionin si dhe marrveshjet. Këto të fundit ai i ndan në të përhershme (afatgjata) dhe të përkohshme (afatshkurtëra). Sipas autorit me të drejtë, kombi shqiptar ka përjetuar rishtazi 2 marrëveshje të përkohshme, atë të Konçulit dhe të Ohrit. Sipas tij këto dy marrëveshje lëre që nuk kanë sjellur ndonjë permanencë apo afatgjatësi, por kanë robëruar në performim tjetër kombin shqiptar. Aton ë vetë përmbajnë farën e armëpushimit, e përderisa janë në vete të tilla e jo marrëveshje për përfundimin e luftës, janë të pazbatueshme dhe të dështuara që në fillim.
Autori duke analizuar më tej çështjen kombëtare shqiptare si të pazgjidhur, vën në analogji edhe çështjet tjera të pazgjidhura, si në Irlandën e Veriut, në Baski e Kataloni, në Korzikë… çështen e pazgjidhur euro-aziatike të Kurdistanit e kështu me radhë. Pushtimi i kombit shqiptar është fakt dhe ky fakt duhet të ndryshojë, por si dhe në ç`mënyrë ?
Normalisht jo me fragmentarizim të identitetit kombëtar. Me të drejtë Shefki Ollomani sajesën më të re (kombi kosovar) e quan të dëmshme, antikombëtare bile tezë të rrezikshme. Kjo tezë që në vete përmban farën shkurtpamëse dhe përçarëse, është projekt i madh eksperimentues, laboratorik, i dhunshëm, … përjashtues ndaj bashkimit. Sipas tij Kombet nuk janë krijuar dhe nuk mund të krijohen me dekrete dhe me anë të ligjeve të ndryshme politike apo shtetërore, por përmes nëj procesi të gatë historik dhe në mënyrë spontane dhe evolutive. Tentativën për imponimin e një kulture, letërsie apo gjuhe tjëtër shqiptarëve të Kosovës është rrezik dhe cen i dëmshëm. Kësisoj edhe kombi « kosovar » do të jetë politik (artificial), e jo etnik (natyror). Sipas Ollomanit shumica e kombeve ballkanike dhe europiane kanë ndjekur ecejaken e nacionalizmit me bazë etnike. Edhe lëvizja kombëtare shqiptare që nga 1912 (Azem Galica) e deri tek Adem Jashari, ka pasur karakterin etnik kombëtar dhe në thelb shqiptar. Autori kombëtarinë shqiptare e sheh si të formuar shumë më herët në Kosovë, ndërsa edhe po të ndërtohej kombi « kosovar », ai do të ishte një ndërtim pa leje e një shtëpie, në një pronë të huaj. Pronari i tokë së Kosovës është Kombi Shqiptar. Tentimi për ndarje të kësaj prone ka qenë në permanencë, marrim rastin e ndarjes në ALBANCI dhe SHIFTARI, një tezë kjo shoviniste. Po edhe teza e ndarjes së kombit shqiptar në atë shqiptar dhe kosovar është vazhdimësi e shovinizmit serb, me doras shqiptar. Sipas autorit identiteti kosovar ekziston, por vetëm në kuadër të historisë kombëtare shqiptare, si identiter rajonal, krahinor, me veçoritë e tij historike, kulturore, dialektore, etnografike, zakonore, etje, mu ashti si ekzistojnë identiteti i Malësisë së Madhe, ai i Pollogut, Mirditës, Labërisë, Çamërisë, rreth identitetit kombëtar shqiptar, si përbashkues i këtyre identiteteve rajonale-krahinore. Ndërsa flamurin si simbol të identitetit kombëtar dhe unifikues (Flamur i Zeusit të Pellazgjisë, Lekës së Madh, Pirros, Skënderbeut, Ismail Qemalit) e sheh si të vetmin dhe të patjetërsueshmin. Asnjë luftë shqiptare nuk është bërë pa këtë flamur, e kësisoj as edhe këto të fundit, andaj edhe do të ishte paradoksale denatyrimi i asaj që është natyrore. Nuk mund të quhet askush kosovar e të përvetsojë çdo gjë që është shqiptare. Nëse shqiptarët pranojnë këtë sajesë të rrezikshme, sipas autorit, atëherë kjo logjikë do të shpiente shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës Lindore, Greqisë në asimilim dhe tkurrje.
Kur autori analizon më tej rolin e faktorit të jashtëm dhe të brendshëm politik, ai theksons e bërjen e këtij kombi e ndihmoi të bëhet si shtet Austro-Hungaria (shën. I imi këtu nuk pajtohem me autorin, ngase një rol tejet të madh ka luajtur edhe Perandoria Osmane, duke mos mohuar edhe rolin e Austro-Hungarisë), ndërsa e mbrojti zhbërjen e tij Presidenti Ëilson (SHBA-të), sikurse më 1991, atëherë kur Kosovën e ndihmuan SHBA-të, BM, Gjermania…. Turqia (nuk përmendet nuk e kuptoj se përse).
Mirëpo shtrohet pyetja se si ka vepruar populli shqiptar dhe faktori i brendshëm politik. Të gjithë në radhët e Shqiptarëve, sipas autorit ankohen se ndërkombëtarët nuk lejuan apo nuk lejojnë që populli shqiptar të bashkohet. Po, me të drejtë, nuk mund të kërkohet faji tek pala ndërkombëtare, kur me të drejtë sipas autorit, shqiptarët nuk kanë pasur konsistencë në kërkesat e tyre. Ata herë kanë kërkuar autonomi, herë shtet, herë republikë, herë bashkim me Shqipëri. Të gjitha deklarimet dhe referendumet e realizuara si në Maqedoni , Kosovë, Kosovë lindore, kanë qenë për autonomi, respektivisht minimaliste. Edhe pse të tilla, pra minimaliste, ato janë braktisur dhe kurrë nuk janë realizuar me sukses. Pra, shkurt e shqip, kombi shqiptar e ka dëshmuar me vepra (fjalët i merr era), se nuk është i gatshëm të luftojë me të gjitha mjetet për bashkim. Autori lëshon kumtin, Të ndryshojmë vetveten, në mënyrë që të ndryshojnë edhe të tjerët.

Ajo që të tërheq më tepër te ky libër, është analiza e saktë e mosunitetit shqiptar, respektivisht si e metë më e madhe, është kundërshtimi dhe përçarja. Sipas autorit shqiptarët unifikohen shumë shpejt përballë një rreziku të madh, ndërsa shumë shpejt ndahen e armiqësohen me njëri tjetrin, pa kaluar ai rrezik. Edhe luftërat më të fundit autori i sheh si projekte që u zhvilluan ndaras, në kohë të ndryshme, që flet për mosunitetin flagrant, bajraktarizmin, lokalizmin, karrierizmin e klasës politike shqiptare. Në kuadër të kësaj teme autori flet edhe për rolin e fesë (shumë fetarisë) dhe rolit të saj. Ollomani thekson se Religjioni, Besimi në Zot bëhet dhe pranohet me zemër, çiltërsi, sinqeritet dhe jo me tru, sepse truri analizon, logjikon, kundërshton dhe mohon. Sipas tij përfaqësuesit fetarë shqiptarë, nëse kundërshtojnë dhe kontestojnë fenë dhe besimin religjioz të njëri-tjetrit), nuk janë besimtarë të vërtetë, janë armiq numër një të religjionit të vet si dhe armiq numër dy të religjioneve dh ebesimeve të tjera. E në fund nuk janë as shqiptarë, as atdhetarë. Sipas tij feja përhapet vetëm me predikim, por nuk guxojmë të lejojmë që të lavdërojmë një religjion e shajmë tjetrin. Sipas Ollomanit, nuk ka fe pa komb, as komb pa atdhe, as Shqipëri pa shqiptarë.
Duke analizar projektin e luftërave të fundit, autori merret fillimisht me atë të Kosovës, duke kritikuar rolin dhe qëndrimin e pacifizmit rugovist, si një politikë pa dinjitet, pa bosht kurrizor, një politikë inferiore dhe e lëmoshës. Sabotimi i luftës përmes krijimit të formacionit tjetër luftarak karshi atij të UÇK-së, autori e sheh si veprim antikombëtar dhe tentim devijimi të kursit kombëtar. Ndërsa demobilizimin e luftëtarëve shqiptare e sheh si dorëzim dhe pacifikim të sërishëm, në çon në dëm të interesave madhore kombëtare. Ky dëm shihete dhe te projekti i shtetësisë së Kosovës, në atë mënyrë ku Kosova shpallet shtet multietnik, me vetëm 10 % pakica kombëtare, edhe atë kur dihet se shumica e shteteve europiane, me një numër trefish më të madh të pakicave kombëtare, edhe pse janë të tilla, ato përsëri llogariten si shtete kombëtare. Duke qëndruar edhe më tej në analiza të thukta, autori parashtron shumë dilema dhe pse, si vijojnë : 1. Pse Greqia u pranua si shtet anëtar i BE-së, edhe pse is hpallur si shtet monoetnik dhe duke anashkaluar përbërjen heterogjene të saj 2. Pse Rumania u cilësua si shtet demokratik kur mban nën pushtim Transilvaninë hungareze me mbi 3 million hungarez 3. Pse Kurdistani dhe Baskia nuk kanë të drejtën të bashkohen 4. Pse Moldavia mos të bashkohet me Rumaninë 5. Pse Timori Lindor pati të drejtë të shkëputet nga Indonezia, ndërsa një të drejtë të tilla nuk e gëzon krahina e Acehut 6. Pse u krijua nga hiçi Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, kurse krahina e Vojvodinës nuk paska të drejtë të ngritet në Republikë 7. Pse 400.000 malazezët patën të drejtë të mbajnë referendum për shkëputje, kurse 3 milionë shqiptarët e ish- Jugosllavisë, nuk patën të drejtën e njejtë 8. Pse Osetia Jugore dhe Abkhazia paskan të drejtë të shkëputen nga Gjeorgjia, kurse Çeçenia nuk paska të drejtën e pavarësimit 9. Pse Tajvani duhej të bashkohej me Kinën, dërsa 1/3 e Mongolosë, nuk gëzon të drejtën e pavarësimit nga Kina 10. Pse Kashmiri, i ndarë përgjysmë, nuk paska të drejtë ti bashkohet Indisë apo Pakistanit 11. Pse nuk ka të drejtë Irlanda e Veriut të bashkohet me Irlandën, kurse dy Vietnamët dhe dy Gjermanitë patën të drejtë të ribashkohen 12. Pse Shqipëria Etnike, aktualisht e ndarë në katër shtete fqinje nuk paska të drejtë të bashkohet ??
Këto të drejta asimetrikem arbitrare, parabolike e diabolike, performojnë herë si Ëngjull e herë si Djall. Sipas autorit këto çështje të sipërpërmendura dallojnë në nuanca të vogla, por në thelb ato janë të njejta dhe identike, ngase liria është liri, pavarësia është pavarësi.
Autori sipas filozofisë karteziane, që asgjë nuk mund të rrjedhë nga asgjëja, thekson se arsyeja që shqiptarët gjenden në gjendjen e këtillë, të padëshiruar prej tyre, pra ende në robëri, është se ata presin nga të tjerët, e nuk bëjnë asgjë. Nëse nuk ndërmerr asgjë, prit asgjënë. Nëse koha e bën të vehten, ne duhet të bëjmë tonën vetëm duke ecur me kohën në kohë. Vonesa është nëna e dështimit dhe humbjes. Arsyeja e humbjes së ballistëve sipas autorit ishte vonesa kundruall partizanëve.
Sipas autorit shqiptarët i përcjell mallkimi i historisë. Krejt kjo shihet nga gjendja jonë politike dhe ekonomike, nga gjendja e jonë e pushtuar dhe e robëruar, e copëtuar dhe e varfër. Duke radhitur taksativisht arsyet e pse-ve të mallkimit të historisë autori me një precizitet përgjigjet. Na mallkoi historia sepse Ilirët fillimisht kurrë nuk u bënë shtet, por mbetën fise, sepse ata nuk u unifikuan përballë pushtuesve, por luftuan egërsisht njeri-tjetrin. Sepse Dhimitër Fari tradhëtoi Teutën. Sepse Batoja tradhëtoi Baton. Sepse ilirët nuk bëheshin gjeneralë dhe perëndorë të Ilirisë, por të Romës dhe Bizantit. Sepse Ilirët kurrë nuk u ngritën në kryenfritje të tërë, por fis pas fisi. Sepse Ilirët e Veriut kur u ngritën në vitin 156 p.e.r, fiset tjera bënin sehir. Sepse ardianëve dhe peluratëve u dilte gjumi i robërisë romake në vitin 135 p.e.r, dalmatëve na vitin 78 p.e.s, pirustëve në vitin 54 p.e.s, panonët në vitin 16 p.e.s, sepse edhe atëherë kur u bashkuan në kryengritje në vitet 6-9 të erës sonë, ngriti krye tradhëtia. Sepse më tej arbëreshët nuk donin të kishin Arbëri të përbashkët, por donin shumë principata arbërore, sepse kapedanët arbëreshë luftonin më tepër për pasuri, se sa për liri. Sepse ende pa u tharë vula në letër e Besëlidhjes së Lezhës, Nikollë e Pal Dukagjini ia kthyen shpinën Gjergj Kastriotit, sepse Mojsi Golemi e tradhëtoi Skëndërbenë, sepse Hamzi Kastrioti tradhëtoi Skëndërbeun, sepse në vazhdimësi luhej vallja e moçme iliriane, sepse Lekë Dukagjini vrau Lekë Zaharinë. Sepse Lekë Dukagjinit vonë i ra ndërmend që të shkulë leshrat për vdekjen e Skëndërbeut, sepse Pashallëku i Shkodrës nuk ndihmonte Pashallëkun e Janinës, sepse Ali Pasha luftone Sulin, sepse pashalleqet shqiptare luftonin njëri tjetrin. Sepse Zef Jubani mbronte kërkesat e shqiptarëve për autonomi brenda, ndërs thimi Mitko kërkonte shkëputje. Sepse Abdullah Pashë Dreni tradhëtoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sepse Lidhja e Prizrenit u nda në dy rryma : në rrymën indipendiste dhe atë për autonimi, sepse Lidhja e Pejës, u nda në tre rryma : turkofile, austriake dhe autonomiste, sepse para Kongresit të Manastirit shqiptarët përdornin tre alfabete : atë të Stambollit 1879, atë të Shoqërisë « Bashkimi » të Shkodrës 1899 dhe atë të Shoqërisë « Agimi » të Shkodrës, ndërsa në Kongresin e Manastirit, nuk morën pjesë as F. Konica, as Asdreni, F. Noli, sepse Esat Pashë Toptani ishte kundër Ismail Qemalit, sepse shqiptarët kishin dy qeveri një në Vlorë një në Durrës. Sepse shqiptarët lejuan dëbimin e Ymer Prizrenit, lejuan burgosjen e Abdyl Frashërit, lejuan varjen e Sulejman Vokshit, lejuan vrasjen në pabesi të Dedë Gjo Lulit e Mehmet Shpendit, lejuan vrasjen e Haxhi Zekës, Çerçiz Topullit, Isa Boletinit. Sepse shqiptarët lejuan bërjen mbret të një katili dhe rezili si Ahmet Zogu, sepse lejuan që mbreti të vrasë Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Avni Rrustemin e Hasan Prishtinën. Sepse Zogu bashkëpunoi me serbët. Sepse Fan Noli nuk e dëgjoi Bajram Currin. Sepse Abaz Kupi dhe Mujo Ulqinaku pritën italianët më 1939 me pushkë, ndërs Xh. Ypi dhe Sh. Vërlaci pritën italianët me lule. Sepse Balli Kombëtar dhe Fronti Nacionalçlirimtar nuk u pajtuan për luftë të përbashkuar, sepse partizanët e Shqipërisë nuk u bashkuan me ata të Kosovës. Sepse shqiptarët i shoqëroi në permanencë urrejtja mes figurave politike, ndarja në dy tabore, mes F. Nolit dhe A. Zogut, M. Frashërit dhe E. Hoxhës, E. Hoxhës dhe M. Shehut, S. Berishës dhe F. Nanos, I. Rugovës dhe F. Nanos, S. Berishës dhe R. Qosjes, I. Rugovës dhe Rexhep Qosjes e Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit, Arbër Xhaferit dhe Ali Ahmetit, sot Hashim Thacit e Albin Kurtit e Ramush Haradinajt, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, Menduh Thaçit e Ali Ahmetit.
Na mallkoi historia se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga dy milionë shqiptarët e Kosovës arriti të rreshtojë 10 000-15 000 ushtarë, pra as edhe 1 % të popullsisë, Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kishte 2000- 3000 luftëtarë nga 100 000 banorët e Kosovës Lindore, sepse Ushtria Çlirimtare Kombëtare nga 800 000 shqiptarët e Maqedonisë, kishte në radhët e saja 4000-5000 luftëtarë. Dhe kur i grumbullon ushtarët e tri ushtrive çlirimtare shqiptare në një të vetme ai numër nuk tejkalon shifrën prej 22 000 luftëtarë, kurse vetëm Armata e Maqedonisë kishte 50 000 ushtarë, duke mos futur këtu Ushtrinë e Serbisë, si një ushtri tejet e fuqishme në nivel rajonal e europian. Pra kronologjikisht shqiptarët i ka shoqëruar lufta me veten dhe kundërshtitë mes veti, tradhëtitë dhe vonesat, nxitimet dhe mungesat. Pra as paqja e demokratëve e as lufta e revolucionarëve nuk arritën realizimin e ëndërrë së kahmotshme. Po sipas autorit çfarë mund t`i bashkojë shqiptarët. Vetëm një politikë unifikuese dhe përafruese, elita politike të etabluara mirë, projekte ideore dhe konkrete të ravijëzuara me maturi dhe me guxim, rruga e bashkimit politik, mëtimi në një Shqipëri e jo në gjashtë syresh.
Fantazia jonë thotë se kombi shqiptar nuk ka fituar as në paqe e as në luftë, ideologët serbë thonë se ata humbin në paqe e fitojnë në luftë. Ata me të vërtetë erdhën nga Karpatet me luftë, u ngulitën me luftë, me luftë u zgjeruan, me luftë zgjeruan veten në tokat kroate dhe boshnjake. Ndërsa ne vetëm kemi humbur. Humbëm Gadishullin Ilirik. Edhe atë pak çerek që na ka mbetur, mund ta humbasim nga sulmet e pandërprera slavvo-bizantine ortodokse.
Mesazhi i fuqishëm u autorit, është se kur ne nuk vendosim vetë, vendosin të tjerët për ne, por jashtë vullnetit dhe aspiratave kombëtare. Pra na faturohet një ksenokraci- sundim i të huajve.
Për në fund unë do të shtoja se unifikimi i kombit shqiptar është imperativ dhe domosdoshmëri. Jam ithtar dhe tifo i katër dogmave geshtaltiste që insistojnë me vërtetësi se :
1. E tëra (gestalt) është më e madhe se pjesët që e përbëjnë
2. E tëra mund të ketë cilësi që nuk mund t`i kenë pjesët
3. E tëra nuk mund të shpërbëhet
4. E tëra nuk përcaktohet nga pjesët, përkundrazi ajo përcakton natyrën e pjesëve që e përbëjnë.

Andaj edhe ky libër i Shefki Ollomanit, është një gur i çmuar që fton në një të tërë, në trupëzim dhe në unifikim, por duke mos nxituar. Me të drejtë një autor diku në një rast kishte thënë se « Shqiptarët janë populli i vetëm në botë që vonohen duke nxituar ». Pra, as të mos nxitojmë e as mos të vonohemi. Por të shfrytëzojme momentin, i cili është krucial dhe përcaktues në gjeopolitikë dhe në gjithçka tjetër. Mos të urrejmë njëri-tjetrin më shumë se hiç, sepse do të vazhdojë të na mallkojë historia, e do të çbëhemi dhe më tej, deri në asgjësim.

Nga ARDIAN RAMADANI- profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, autor i katër librave, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mr. Ardian Ramadani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 674 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi