Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një komedi e shpëlarë grekoevropiane që s’dihet se kur do t’i ulet sipari
Publikuar më 17 korrik, 2015 në orën 05:52 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
U bënë kaq kohë që analistët e “gjithëditurisë”, me llafet e tyre të pafundme nëpër gazeta dhe ekrane televizive, po u rrokanisin kokën njerëzve me krizën greke. Greqia na është bërë si puna e atij njeriut epileptik që s’dihet se kur do të shembet në tokë pa mend e pa gojë.

Në analiza të mëparshme nëpër faqet e internetit, kam theksuaer se Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet kështjella e gënjeshtrës, e hajdutërisë, e hipokrizisë, e mashtrimit dhe e pabesisë. Se domosdo që Greqia nuk mund të jetë ndryshe, përderisa ajo ka notuar dhe vazhdon të notojë në detin e legjendave të stisura, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten thjesht legjenda, me lëndën e mashtrimeve të kulluara brenda vetes.
Sa herë që bie fjala për Greqinë, më kujtohet gazetari dhe shkrimtari francez Edmond Abu (Edmond François Valentin About - 1928-1885), autor i librave “La Grèce contemporaine” (Greqia bashkëkohore), “L’Homme à l’oreille cassée” (Njeriu me vesh të thyer), “Le Roi des montagnes” (Mbreti i maleve) etj.
Në librin “Greqia bashkëkohore”, të cilin e pati shkruar në vitin 1851, ai thekson:
“Greqia bashkëkohore është i vetmi shembull i njohur i një vendi, i cili ka falimentuar që ditën që është krijuar… Në vitin 1846, ministria e financave nuk hartoi një buxhet orientues dhe që asokohe kjo erdhi e u shndërrua në një normë të zakonshme për qeverinë greke… Kur rezervat e krijuara nga borxhet e jashtme qeveria i pati shteruar plotësisht, fuqive të huaja që e kishin marrë në mbrojtje Greqinë, për forcë të shpirtmirësisë së tyre, iu desh t’i përballonin vetë ato, sipas përqindjeve: sepse Greqia s’kishte para për t’i larë ato borxhe… Taksapaguesit grekë janë të mendimit se kryeedrejta e njeriut është e drejta për të mos paguar taksa… Ministria e luftës u paguan 600 mijë dhrami, kurse ministria e marinës - 250 mijë dhrami njerëzve, të cilët nuk janë as ushtarë, as marinarë” (Citohet sipas: Kristian Mijo. “Atlantico”. “Greqia ka falimentuar që ditën që është krijuar”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 28 janar 2013).
Pikërisht për këtë “kryetëdrejtën” e grekëve për të mos paguar taksa, 161 vjet më pas, bashkatdhetari i Edmond Abusë, kritiku i… restoranteve dhe shkrimtari Kristian Mijo (Christian Millau - 1928) vazhdon:
“Në Greqinë e Lashtë nuk ka pas ekzistuar një fjalë e tillë, si ekonomia. Por ama kjo do të thotë se të bësh politikë ekonomike në kushte të tilla, është, gjithashtu, e pamundur, apo jo? Jemi në gushtin e vitit 2012. Një kontroll tatimor në restorantin e portit në ishullin Hidra, erdhi e u shndërrua në rebelim. Pronarin e lokalit e nisën për në polici për faktin se llogarinë ai nuk ua kishte paraqitur asnjëherë klientëve të vetë. Por atë po e përkrahnin të gjithë sipërmarrësit e tjerë, të cilët bllokuan të gjitha rrugët detare për në Athinë. Ja se çfarë deklaruan ata për t’u shfajësuar:
“Ne në Hidër asnjëherë nuk kemi paguar taksa. Dhe po ju themi me saktësi se nuk kemi ndër mend të fillojmë ta bëjmë një gjë të tillë”” (po aty).
Këto mendësi paradoksale për të mos paguar taksa, të shoqëruara edhe me mendësi të tjera egoiste dhe anarshiste, si mosrespektimi i ligjit, grevëthyerja etj., grekët janë munduar t’i kultivojnë edhe në vendet ku kanë pas emigruar. Kjo ka qenë edhe arsyeja që banorët vendës herë-herë kanë protestuar fuqishëm kundër emigrantëve grekë.
Aleksandra Filindra, me prejardhje greke, profesore e asociuar e Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Ilinoisit, në një artikull të saj, flet për emigrantë grekë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada në vitet e para të shek. XX. Ajo rrëfen:
“Në vitin 1909, komuniteti grek u vu në shënjestër të sulmit të banorëve të qytetit Omaha të shtetit Nebraska, sepse pronarët e uzinave i shfrytëzonin punëtorët grekë si grevëthyes. Një turmë prej 3 mijë amerikanësh, iu afrua lagjes greke për t’i dhënë një ultimatum:
“Nëse dëshironi të mbeteni gjallë, largohuni nga Omaha”.
Në Nju Jork, pronarët e restoranteve kishin varur nëpër vitrina tabela me mbishkrimin:
“Ushqim i pastër amerikan. Pa minj dhe pa grekë”.
Diasporës greke në Amerikën e Veriut, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, i është dashur të përplaset me racizëm, me ksenofobi dhe me një izolim social në kontinent, i cili pranonte si qytetarë vetëm “të bardhët”, kurse grekët i vlerësonte si një racë të ulët. Antropologjia sociale e asaj epoke i pati klasifikuar grekët si një komb i pazhvilluar në aspektin biologjik dhe moral. Prandaj argumentet racore të kësaj natyre i shfrytëzonin shteti dhe punëdhënësit, të cilët shkelnin të drejtat e emigrantëve grekë. Amerikanët i përbuznin grekët, meqenëse i vlerësonin ata të padisiplinuar, të pistë, të prirur për dhunë dhe kishin krijuar bindjen se grekët nuk janë të aftë për patriotizëm dhe për fisnikëri që vendi (Amerika) kërkonte prej tyre… (Citohet sipas: Aleksandra Filindra. “Pa minj dhe pa grekë”. Gazeta “Kathimerini”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru” 09 nëntor 2012).
Aleksandra Filindra përmend edhe një episod të ngjashëm me atë të qytetit Omaha që qe përsëritur nëntë vjet më vonë, më 1918, në qytetin Toronto të Kanadasë. Ajo thekson:
“…ky incident në historinë e Kanadasë ka një rëndësi të veçantë për ne, grekët, meqenëse në shënjestër të kanadezëve ishin emigrantët grekë. Në gusht të vitit 1918, më shumë se 5 mijë kanadezë sulmuan “grekët e pistë” që jetonin në Toronto” (po aty).
Lind një pyetje e thjeshtë: po si shpjegohet që në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX, banorë vendës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë, mes emigrantëve evropianë, sulmonin pikërisht emigrantë grekë dhe jo emigrantë, fjala vjen, polakë, hungarezë, austriakë, francezë, e le më pastaj gjermanë apo skandinavë etj.? Me sa duket, egoizmi dhe anarkizmi, që përbëjnë tiparet karakteristike të formimit psikologjik të grekëve, duhet të kenë qenë arsyeja kryesore që patën ngjallur revoltën e amerikanëve dhe të kanadezëve kundër emigrantëve grekë.
Po si duhen kuptuar gjithë ato pekule të Evropës Perëndimore për Greqinë, sidomos pas pranimit të saj në Bashkimin Evropian?
Pas shembjes së sistemit komunist, Greqia, me përkrahjen e fuqishme të Bashkimit Evropian, i pati mbushur mendjen vetes se vetëm ajo mund të bëhej “padronia” e Ballkanit, për, demek, “kultivimin” e vlerave të “demokracisë” në ish-vendet komuniste të këtij gadishulli. Për më tepër, në raport me Shqipërinë, ajo u bind përfundimisht se “mund ta vinte në jetë” ëndrrën e vet mbinjëshekullore për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Prandaj, në dhjetor të vitit 1990, kufijtë me Shqipërinë, po me aprovimin e heshtur të Bashkimit Evropian, ajo i hapi kat e kat, sikur të kishin qenë portat e ndonjë shtëpie publike, në mënyrë që emigrantët shqiptarë, të varfëruar deri në skajshmëri prej regjimit kriminal të Enver Hoxhës, të dyndeshin valë-valë drejt qyteteve greke. Sipas Karolos Papuliasit, ish-ministër asokohe, emigrantët shqiptarë do të shfrytëzoheshin si karrem për klasën politike të Tiranës, së cilës do t’i kërkohej të bënte lëshime pas lëshimesh, siç edhe i ka bërë faktikisht, për kënaqjen e epsheve të shovinizmit grekokaragjoz në Shqipërinë e Jugut. Fill pas dyndjes së emigrantëve, Greqia mori masa të menjëhershme për dërgimin në Shqipëri të komisarit të vet politik, Anastas Janullatosit, i cili, duke shfrytëzuar veladonin e kryepeshkopit të kishës ortodokse, do të shërbente si kreu i shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë.
Kësisoj u krijuan rrethanat që Greqia, si “pararoja e demokracisë” në Ballkan, t’i drejtohej Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për t’i ofruar asaj kredi kolosale për mishërimin në praktikë të “vlerave të demokracisë” greke në ish-vendet komuniste të Evropës Juglindore, sidomos për përballimin e shpenzimeve për qindra mijë emigrantë të ardhur aty. Nevojën për sigurimin e këtyre kredive e bënë më të ngushme edhe përgatitjet për organizmin e Lojërave Olimpike të vitit 2004, në të cilat Athinës i duhej të mburrte me të madhe madhështinë e lashtësisë së qytetërimit të vet, i cili duhej të shërbente si “shembull” për qytetërimet e tjera. Kështu, “dashnores së Perëndimit” nuk ia prishën qejfin për asgjë, borxhet iu ofruan me zemërgjerësinë më të madhe, aq më tepër kur të gjithë në Perëndim ia kishin mbushur mendjen vetes se pas shembjes së komunizmit, vetëm Greqia mund të luante rolin “e pazëvendësueshëm” të “dados zemërmirë” në Evropën Juglindore. Dhe “dadoja” e zellshme greke, duke notuar në detin e kredive shumëmiliardëshe perëndimore, i ktheu mirë sytë nga Shqipëria. Këtu ajo, pas lëshimeve tradhtare që i bëri Tirana zyrtare, në dëm të interesave tona kombëtare, dhe me dijeninë e Bashkimit Evropian, vendosi të ngrinte varreza, memoriale dhe manastire për ushtarët kriminelë grekë që kishin rënë gjatë luftës italo-greke, duke siguruar paraprakisht blerjen e eshtrave të të vdekurve shqiptarë dhe reklamimin e tyre si eshtra të ushtarëve të vet. Për një pazar të tillë të pistë eshtrash, i cili del bukur në spikamë në filmin e regjisorit të talentuar Edmond Budina, duheshin shpenzuar shuma kolosale, të cilat Athina nuk i kurseu asnjëherë, se ato ishin “drekët” e taksapaguesve evropianë. Shuma të tjera kolosale ajo i shpenzoi për ndërtime kishash greke në mbarë territorin e Shqipërisë së Jugut, deri edhe në Tiranë, ku ka ngritur një kala gjigante ortodokse, tërësisht me simbolikë greke, për hapje shkollash greke, për pagesa pensionesh për qytetarë shqiptarë në moshë pensioni, të cilët jo vetëm që nuk kanë punuar në Greqi as edhe një ditë të vetme, por që as nuk e dinë fare se ku e ka adresën Greqia, për rekrutime spiunësh të të gjitha kategorive, deri edhe në sfera të larta të politikës shqiptare. Për të gjitha këto bëma të shtetit grek në Shqipëri, Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht në dijeni. Se diplomatët e vet këtu, në kryeqytetin shqiptar,i ka patur dhe i ka, dhe nuk mund të mos u ketë rënë në sy kalaja janullatiste që kur iu hapën themelet dhe derisa u përfundua mu në kryeqendrën e Tiranës, një kala kjo që u ka zënë frymën, deri në dritare, disa dikastereve qendrore të administratës shtetërore. Pra, Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht në dijeni që Janullatosi dhe administrata e tij grekoortodokse, si kreu i shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë, ka vepruar dhe vepron si një shtet shumë më i fuqishëm brenda shtetit zyrtar shqiptar. Se ndryshe si mund të siguroheshin mjete aq të shumta financiare për bëmat e lartpërmendura janullatiste, të cilat shteti shqiptar nuk do të ishte në gjendje t’i përballonte dot kurrsesi.
Bashkimi Evropian nuk mund të mos ketë qenë në dijeni për armatimin kolosal që Greqia pati grumbulluar me kalimin e viteve. Ato armatime sigurisht që u blenë me malet e parave që kreditorët e huaj i jepnin Greqisë pa kursim. Po pse i duhen Greqisë gjithë ato armatime? Me kë mendon ajo të hyjë në luftë? Me Republikën e Turqisë, para së cilës i shkojnë tetë në qase? Apo mos ndoshta me Shqipërinë, të cilën Greqia nuk e zë fare në hesap, se në të tillë derexhe e ka katandisur vendin tonë Tirana zyrtare. Ku ta dish? Mos ndoshta prandaj ajo edhe vazhdon ta mbajë në fuqi ligjin e luftës që prej vitit 1940?
Veç kësaj, Greqia mori përsipër shpenzimet për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, me vetëdeklarim të kombësisë dhe të fesë, në mënyrë që të ndryshohej përbërja e saj etnike në favor të Greqisë. Dhe për këtë regjistrim ajo kishte marrë bekimin e plotë të Bashkimit Evropian, i cili, me sa duket, i kishte ngarkuar Greqisë rolin e krishterizimit ortodoks të popullsisë shqiptare. Prandaj edhe për realizimin e një vetëdeklarimi të tillë duheshin shpenzuar shuma marramendëse për blerje shqiptarësh “pa identitet”.
Rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve vërtetoi në praktikë se cila ishte fytyra e vërtetë e Greqisë dhe sa ishte në gjendje ajo, sipas politikës dritëshkurtër të Bashkimit Evropian, të kryente misionin e “demokratizueses” së Ballkanit.
Në tallazin e krizës së rëndë që pllakosi Greqinë në vitin 2008 e në vazhdim, është kërkuar që të shpiken edhe “koka turku”, të cilat na qenkan “fajtore” për gjendjen ku është katandisur vendi. Kështu, mitropoliti Pirej, si përfaqësues i lartë i klerit grek, “i paska gjetur fajtorët”. Sipas mendimit të tij, përgjegjësinë për të gjitha problemet që ka shkaktuar kriza greke, na e paskan hebrenjtë e mbarë botës. Më 24 dhjetor 2010, në efirin e njërit prej kanaleve televizive kryesore të vendit, ai deklaroi:
“Për të gjitha fatkeqësitë tona ekonomike, fajin e kanë hebrenjtë e mbarë botës”(Citohet sipas: “Për krizën ekonomike të Greqisë fajtorë janë hebrenjtë”. Marrë nga faqja e internetit “poiskpravdy.com”. 24 dhjetor 2010).
Mitropoliti Pirej njoftoi teleshikuesit se lëvizja sioniste botërore, si edhe bankierët hebrenj, të tillë, si, fjala vjen, baroni Rotshild, qenkan përzier në një “komplot” që paska për qëllim dobësimin e kishës së krishterë ortodokse. Këto janë përçartje grekësh të lajthitur nga trutë që nuk duan ta kuptojnë se çfarë marrëzish nxjerrin nga goja. Mitropoliti Pirej do të bënte mirë të zbulonte faqe botës të vërtetën lakuriq se cila ishte arsyeja që Greqia, në vitet e Luftës II Botërore, shkatërroi me themel varrezat hebraike në Selanik dhe dhjetra mijëra hebrenj, në bashkëpunim me nazizmin gjerman, i degdisi për në kampet gjermane të shfarosjes në masë.
Ndërkohë, ditët e fundit, një tjetër mendje e lajthitur greke, del para opinionit publik grek dhe botëror me një tjetër deklaratë paradoksale, në të cilën kërkohet të bëhet kokë turku dikush tjetër për krizën greke. Analisti Meral Tamer shkruan:
“…vëmendjen time e ka tërhequr libri i ministrit të financave Janis Varufaksis (Yanis Varufaksis), me titull “Minotauri global”. Me gjithë rreptësinë e vet shkencore, libri është shkruar në një stil letrar që është befasues për një ekonomist. Duke bërë një paralelizëm me minotaurin e Kretës, të cilit athinjotët ishin të detyruar t’i paguanin një haraç, Varufaksisi i quan “minotaur global” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, duke filluar prej viteve ’70 të shekullit të kaluar, vjelin një haraç nga pjesa tjetër e botës për financimin e buxhetit të vet dhe për deficitin e bilancit tregtar” (Citohet sipas: Meral Tamer. “Gjatë 200 vjetëve të fundit, flamurin e bardhë të falimentimit e patën ngritur 83 vende”. “Milliyet”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru’. 03 korrik 2015).
Duhet të jesh prift apo politikan i lajthitur grek që të dalësh në publik me deklarata të tilla marroqe. Sipas tyre, “fajin” për malet me para që Greqia ka marrë borxh nga kreditorët e huaj, e paskan hebrenjtë e mbarë botës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Sipas mendësisë greke, nuk mund të jetë ndryshe, se grekët gjithnjë janë mësuar vetëm të zhvatin dhe kurrë të mos japin. Se, sipas tyre, siç u përmend më lart, kryeedrejta e njeriut na qenka, demek, mospagimi i taksave! Një paradoks i pastër ky me autorësi greke.
Evropa Perëndimore, tradicionalisht, ka ushqyer një dashuri përvëlimtare për Greqinë. Për ç’arsye? Mos ndoshta për pozicionin e saj gjeografik? Për ishujt e shumtë për pushime turistike? Për gjatësinë e vijës bregdetare, e cila, ishullore dhe kontinentale, arrin në 14 mijë kilometra? Apo për monoteizmin e saj ortodoks?
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në këtë dashuri çmendurake të Evropës Perëndimore ndaj Greqisë, ka një paradoks: si është e mundur që Greqia, duke mos qenë kurrë një vend demokratik, të gëzonte dhe të vazhdojë të gëzojë gjithë atë përpkrahje të gjithanshme nga ana e Perëndimit demokratik? Se një vend, i cili, ashtu si edhe në mesjetë, vazhdon të mbetet nën pushtetin e fesë, nuk mund të jetë kurrsesi demokratik. Perëndimi vetë e ka larguar me kohë fenë nga shteti, kurse Greqinë e ka toleruar për t’i dhënë fesë një pushtet të pakufizuar. Dhe domosdo që ky pushtet i pakufizuar i fesë në Greqi, nuk mbahet me lëmoshat e besimtarëve, por ka në themel malet me para nga kreditë e huaja që shteti grek ia ka vënë në dispozicion pa kurrfarë kufizimi.
Një tjetër gazetar francez shkruan:
“Në Greqi, kisha, pavarësisht nga autonomia e saj, nuk është e ndarë absolutisht nga shteti. Priftërinjtë janë funksionarë shtetërorë me mjekra të gjata dhe me veladonë të zinj. Ata t’i zë syri gjithandej. Ata përurojnë shkolla në një mënyrë solemne, u thurin himne fitoreve sportive, janë në krye të qoshes në ditët e festave. Dy shtylla ka shoqëria greke: ushtrinë dhe kishën. Kjo ka bërë që, në vjeshtën e vitit 2011, qeveria e Jorgos Papandreut, objektet në pronësi të kishës, t’i çlirojë nga një taksë e posaçme në kohë krizash që e paguajnë të gjithë grekët.
E gjendur nën goditjet e kritikës, kisha qe mbrojtur me njëfarë statusi të veçantë, kurse paskëtaj filloi të tundte flamurin e ndihmës sociale: me kontributin e pamohueshëm financiar në jetën e njerëzve në nevojë” (Citohet sipas: Маtjе Маrtiniеr (Mathieu Martiniere). “Në Greqi kisha është më e fuqishme se shteti”. “Slate.fr.” Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 13 korrik 2012).
Gazetari francez citon fjalët e Effi Fokasit, një sociolog grek ky, drejtor i forumit të feve të shkollës londineze të ekonomisë, i cili thotë:
“Shtetit grek i ka hyrë frika nga reagimi i kishës, sepse kjo, historikisht, ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e politikës” (po aty).
Duke qenë nën pushtetin e fesë, Greqia e ka pasur të pamundur të përqafonte vlerat e demokracisë dhe të kulturës perëndimore. Jorgos Kraloglu shkruan:
“Ka vetëm një rrugë për lulëzimin e vendit: të punojmë dhe ta sigurojmë vetë këtë lulëzim. Natyrisht që neve të gjithëve na e priste mendja se asgjë nuk mund të ndërtohet mbi bazën e sistemit politik bashkëkohor dhe të parullës së tij: “Shpërndaji të gjitha paratë!”. Një shprehje kjo që kishte hyrë në fondin e fjalëve të urta, me të cilën kryeministri Andreas Papandreu i qe drejtuar ministrit të financave. Asgjë nuk mund të ndërtohet mbi bazën e ujdive të zuzarëve, e shkërmoqjes së shtetit, e mungesës së ligjit, mbi themelet e mashtrimit, të cilat kanë qenë burimet kryesore të të ardhurave, të qarkullimit të parasë dhe të mirëqenies. Asgjë nuk mund të ndërtohet, bazuar në idenë e marrjes së borxheve, për të cilën ne tani jemi duke e pësuar dhe për të cilën kanë për ta pësuar edhe fëmijët tanë, minimumi gjatë dy dhjetëvjeçarëve… Greqia mendon sikur i përket Perëndimit, por, në të vërtetë, ajo nuk ka hedhur asnjë hap përtej Ballkanit… Shtimi i rendimentit të punës në sektorin shtetëror dhe zbatimi me etikë i ligjeve, janë detyrime që do të na krijojnë mundësinë të shkurtojmë prapambetjen nga vendet e kulturuara të Bashkimit Evropian” (Citohet sipas: Jorgos Kraloglu. “Greqia që kemi njohur ka perënduar një herë e përgjithmonë”.“Capital.gr”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 28 nëntor 2012).
E pra, ja cila është Greqia e vërtetë, e cila zyrtarisht quhet anëtare e Bashkimit Evropian, por që, në të vërtetë, edhe si “demokraci”, edhe si “kulturë”, ka qenë dhe vazhdon të mbetet brenda caqeve të Ballkanit, shumë larg standarteve të demokracisë dhe të kulturës së Evropës Perëndimore. Prandaj ka shumë të drejtë analisti amerikan Robert D. Kaplan (1952), i cili Greqinë e quan “dashnore të Perëndimit” dhe “grua të Lindjes” (sipas librit me titull “Greqia - dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes”. Shtëpia Botuese “Dituria”. Tiranë, 2002).
Ndërkohë, është vënë re se Greqia, kohët e fundit, për shkak të krizës ekonomike që e ka mbërthyer keqas nga mali i kredive të papaguara, po shikon me bisht të syrit nga “shtrati i burrit të saj të ligjshëm”: e ka kthyer një antenë nga Moska. Siç është bërë e ditur, kryeministri grek Tsipras, para do kohësh ka vizituar Moskën. Mandej, sipas një njoftimi të ditëve të fundit, “…udhëheqësi i SIRIZËS ka parashikuar një tjetër vizitë në Moskë edhe në muajin shtator të këtij viti… për të zhvilluar bisedime me qeverinë ruse” (Citohet sipas: “Vizita e Aleksis Tsipras-it në Moskë”. Marrë nga faqja e internetit “Grekomania”. 02 korrik 2015).
Po si duhet vlerësuar kjo lëvizje e fundit e Athinës drejt Moskës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’ia lëmë fjalën një analisti rus. Ky është Matvej Ganapolski - 1953), i njohur si gazetar, si regjisor teatri dhe si një figurë publike, i cili, që prej vitit 1991, drejton radiostacionin “Jehona e Moskës. Në të njëjtën kohë, ai është edhe drejtues i një rubrike të gazetës “Moskovski komsomolec”. Ai përshkruan një tablo të botuar në faqet e internetit, në të cilën një klysh ariu athinjot, diku, në njërin breg të një ngushticë detare, ka marrë drejtimin drejt një horizonti të kaltër, duke u kapur pas një kthetre të një ariu paqësor rus. Ndërsa përballë tij, në bregun tjetër, në ca degë shkarpash gjëmbaçe, janë varur dy flamuj: poshtë - flamuri i Bashkimit Evropian, kurse lart - flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Klyshi i ariut athinjot, me flamurin grek përpara vetes, ka kthyer kokën nga të dy flamujt e lartpërmendur dhe u ka nxjerrë gjuhën.
Dhe analisti vazhdon komentin e vet:
“Dy fjalë për faktin se çfarë fshihet pas asaj tabloje:
Greqia mori një mal me kredi nga Bashkimi Evropian. Pastaj ia mori valles Sirtaki (është një valle popullore që është krijuar në vitin 1964 për filmin “Greku Zorba”. Vallen dhe muzikën që e shoqëron, e ka krijuar kompozitori Mikis Teodorakis (1925). Kjo valle nganjëherë quhet “Vallja e Zorbës” - E.Y.). Paratë mbaruan. Mori përsëri një mal me kredi. Ia mori valles përsëri. Paratë mbaruan. Atëherë bolsheviku kryeministër Tsipras shpalli referendumin nëse duheshin shlyer borxhet. 61% thanë: “të mos shlyhen!” (Në këtë mes duhet nënkuptuar se njerëzit votuan jo vetëm “për të mos i shlyer”, por edhe “për t’i braktisur bisedimet për punën e shlyerjes”, në kuptimin: “unë nuk t’i jap dhe ti mos m’i kujto!”). Domethënë, shumica e njerëzve votoi për t’i braktisur kreditorët. Me sa duket, kjo është braktisja më e madhe masive në histori nga ana e vendit të Sofokliut, të Euripidit dhe të Fidit. Tani Greqia nuk e do më Perëndimin që i pati dhënë para, por do Putinin, sepse ky nuk e do Perëndimin. Sot, Greqia, duke ia marrë përsëri valles Sirtaki, me sa duket, pret ndihmë materiale nga Rusia, sepse, si puna e asaj damës së profesionit të kryelashtësisë, pranon të jetë trevë e subvensionuar e kujtdo qoftë. Si puna e Abhazisë dhe e Osetisë së Jugut, fjala vjen. Për ariun paqësor rus, ky është një shans që, për punë kredish, ta detyrojë Greqinë të dalë nga Bashkimi Evropian, të hyjë në Bashkimin Doganor (që përfshin Bjellorusinë, Kazakistanin, Rusinë, Armeninë dhe Kirkizinë, si një territor unik doganor - E.Y.) dhe të vendosë në territorin e Parfenonit (monument i arkitekturës antike, një tempull i lashtë grek ky që ndodhet në Akropolin e Athinës - E.Y.) nja dy “Iskanderë” (raketa ruse - E.Y.) paqësorë të paanshëm, për të drejtën e grekëve për të vazhduar të hedhin vallen “Sirtaki”, për të dërguar në Moskë ullinj dhe për t’u rrëfyer turistëve për heroizmin e stërgjyshërve, duke demonstruar gërmadha para syve të tyre. Dhe grekët do ta pranojnë një gjë të tillë se ata udhëhiqen nga shpirti i parazitëve të majtë. Të gjitha legjendat për ta janë thjesht legjenda. Përfundimi: referendumi në vendet e plebejve zbulon se masa kryesore e qytetarëve nuk është gjë tjetër, veçse një kope hajdutësh. Greqia, kam shpresë, do të fundoset, duke nxjerrë një mësim të mirë. Kurse historia do ta përfshijë këtë referendum në eposin e saj, sepse ky është monumenti më i thekshëm i saj dhe i historisë së saj të dikurshme, të harruar me kohë e me vakt” (Citohet sipas: Matvej Ganapolski. “Greqia, kam shpresë, do të fundoset, duke nxjerrë një mësim të mirë”. Marrë nga faqja e internetit “politolog.net”. 07 korrik 2015).
Tani, së pari, “dashnorët perëndimorë” të “dashnores greke”, duhet të tregohen një çikëz të mëshirshëm dhe t’ia lirojnë pakëz lakun që i kanë hedhur në fyt. Nuk duhen harruar kaq lehtë dhe kaq shpejt vitet e “dashurisë përvëlimtare”, kur Greqia kacagjelohej dhe ledhatohej tërë afsh në prehrin e tyre. Se duhet pranuar që “dashnorët perëndimorë” vetë e kanë fajin se paskan qenë fare kaqolë nga trutë kur “dashnores greke”, për vite e vite me radhë, i dhanë male me para, duke harruar faktin që “dashnorët” asaj i duheshin për qejf, kurse “burrin” ajo e do për hall. Prandaj asaj nuk mund t’i shtrohet kërkesa për kthimin e borxheve gjigante se s’ka ku t’i gjejë paratë.
Së dyti, kreditorët perëndimorë nuk kanë dashur ta marrin parasysh një paralajmërim të ish-presidentit grek Karamanlis, i cili, në vitin 1981, pikërisht atëherë kur Greqia u pranua në Bashkimin Evropian, pati deklaruar:
“Greqia është një azil të çmendurish” (Citohet sipas librit të lartpërmendur të analistit Robert D. Kaplan, f. 40).
Pra, Bashkimi Evropian, në formë kredish, i pati ofruar male me para një azili të çmendurish. Vetë e ka fajin se me azilin e të çmendurve nuk merret kush. Prandaj le të heqë dorë nga kërkesa për kthimin e borxheve. Por mund të gjendet edhe një rrugëzgjidhje. Se Greqia nuk do të jetë në gjendje kurrën e kurrës të shlyejë një borxh prej 350 miliardë dollarësh.
Nga të dhënat e shtypit dhe nga faqet e internetit, është bërë e ditur se politikanët pasanikë dhe oligarkët grekë kanë të depozituar në bankat e Zvicrës një kapital gjigant prej 600 miliardë dollarësh. Kryeministri Tsipras pse nuk i kërkon Bashkimit Evropian ta ndihmojë për t’i ngrirë këto shuma kolosale që ata i kanë grabitur nga kreditë e ardhura nga jashtë vendit dhe t’ia kthejë Bankës Kombëtare Greke? Me këto kapitale financiare mund të shlyhen borxhet për bukuri, vendi të shpëtojë një herë e mirë nga kthetrat e krizës ku e katandisi politika e PASOK-ut dhe e “Demokracisë së Re” dhe krerët e tyre të përfundojnë në bankën e të akuzuarve, si hajdutë kriminelë. Këtë të bëjë kryeministri Tsipras dhe jo të rri e të rrahë gjoksin se gëzuaka përkrahjen e shumicës së popullit grek. Se simpatia e popullit është si puna e shigjetës së peshores: një herë shkon përpara, një herë shkon prapa.

Tiranë, 14 korrik 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 37 vizitorë
Lexuar: 769 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi