Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Shqiptari Hasan Tahsin Mesarea, gjenerali që u dhuroj grekëve Selanikun (-1-)
Publikuar më 20 korrik, 2015 në orën 00:07 ( ) Prof. Arben Llalla | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Selaniku është kryeqendra e Greqisë së Veriut. Unë jetova dhe punova rreth 12 vite në këtë qytet. Gjatë qëndrimit tim u mora dhe me studimet historike që lidheshin me jetën politike-shoqërore të shqiptarëve që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot. Kështu, në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemali Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqit) në Korrik-Gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, qëndruan disa ditë në Selanik.

Në vitin 1916, në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar Themistokli Gërmenjin. Bashkësia shqiptare në Selanik ka pasur edhe varrezat e saja në lagjen e sotme Triandhria. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Këto varrezat u shkatërruar nga qeveria greke në vitin 1983. Eshtrat e mijëra të vdekurve u zhdukën, përveç disa të cilat i tërhoqën familjarët e tyre që jetonin ende në Selanik atë vit.
Me Selanikun lidhet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Greqinë, është ajo e 26 Tetor 1912, komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha Mesarea (1845-1918) ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pasi ua dhurojë grekëve Selanikun u largua në fillim për në Francë e më pas në Zvicër, vdiq në vitin 1918, në Lozanë, aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937, Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat qëndruan 23 vite. Toka ku gjendej varrezat e shqiptarëve në Selanik u ndërtuan pallate, rrugë e një pjesë mbeti lulishte dhe njihet me emrin Parku Triandhria.
Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për tu rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke, Kostandinit nga 25-26 Tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës, quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë qytetin e Selanikut e ndihmojë më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. Hasan Tahsi Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstadin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani, etj.
Historia e Hasan Tahsin Mesarea është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptar që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesarea, në Jugun e Shqipërisë (Mesare ndodhet në rrethin e Kolonjës) dhe përfundoi më 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Mesarea ishte një ushtarak vizionar i cili shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve të kombësive të ndryshme që jetonin në qytetin e Selanikut. Akti i tij për dhurimin me paqe të këtij qyteti tregon shpirtin human të një njeriut i cili i takon nderi më i madh për shpëtimin e Selanikut nga shkatërrimi nën grykat e topave. Historianët grek çlirim e Selanikut ja dedikojnë komandanti të ushtrisë greke Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human të gjeneralit Mesaresë i cili preferoj më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lum. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26.000 ushtar nën komandë dhe preferoj më mirë tu shpëtonte jetën se sa të vriteshin.

Dorëzimi i Selanikut nga gjenerali turk me kombësi shqiptare

Pas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 Tetor 1912, kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 Tetor, të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut. Prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha - JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga krye-gjenerali Todorov dhe ushtria e tij. Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke Londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesarea duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.

Piktori shqiptar që krenohet Greqia, Qenan Mesarea (-2-)

Qenan Mesarea, djali i Hasan Tahsin Pashë Mesaresë u martua në Janinë me Rafetën,vajza e shqiptarit Mustafa Pashës, që ishte pasanik i madh i Çamërisë. Pas mbarimit të shkollës në Janinë studioj në shkollën Gallatasarait në Stamboll, Qenani punoj adjutant i babait të tij, gjeneral Hasan Tahsinit. Ai ishte piktor i vetë mësuar dhe pas martesës më 1934, u vendos në qytetin e lindjes, Janinë. U mor me pikturë dhe shumë vepra të tij gjenden tek koleksionistët privat dhe në Shtabin e Armatës së tretë të ushtrisë greke, në Janinë, në klubin e oficerëve në Selanik. Një nga pikturat e rëndësishme është çasti kur babai i tij gjenerali Hasan Tahsin Pasha firmosi dokumentin e dhurimit të qytetit të Selanikut grekëve në 26, Tetor, 1912.

Nëpër penelin e tij kaluan peizazhet e liqenit të Janinën, shpendët e ndryshme, çaste të çlirimit të Selanikut dhe Janinës. Është njëri nga hartuesit e kufirit të Greqisë së Re. Vdiq në vitin 1965, dhe u varros sipas dëshirës së tij në varrin familjar në varrezat shqiptare të Selanikut. Pas prishjes brutale nga shteti grek të këtyre varrezave eshtrat e tij u rivarrosën në një varr me babanë e tij më 2006. Për nder të figurës artiste të Qenan Mesarea, qyteti i Janinës ka një rrugë me emrin e tij, Kenan Mesare. Prefektura e Janinës ka botuar edhe një album me pikturat e Qenan Mesaresë si pjesë e propagandës turistike të këtij qyteti.
Djali i Qenan Mesare, Shahini i njohur me emrin Serxhio ose Ini Mesarea ka lindur në Janinë më 1936, u martua me Margarita Arvanitidhu, dhe bashkëshortja e tij ishte me origjinë shqiptare. Nga kjo martesë patën vetëm një fëmijë, Aleksandrën. Shahin-Ini Mesarea ndoqi gjimnazin Zosimea të Janinës dhe më tej u diplomua në Romë më 1962, dega Arkitekturë. Vajza e Shahin Mesares, Aleksandra ka punuar deri pak vitesh në zyrën e Greenpeace.

Dy teza të gënjeshtrës nga ana e historianëve dhe studiuesve grek

Historianët grek rreth ngjarjeve që kanë lidhje më familjen Mesarea hedhin dy teza gënjeshtër, duke shtrembëruar të vërtetën dhe ushqyer lexuesin me histori të shtrembëruar, ata na paraqesin personazhet në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë:
1.) Historianët dhe studiuesit grek shkruajnë se gruaja e gjeneral Hasan Tahsin Mesarea ishte greke e fesë myslimane. Këtë tezë e paraqesin vetëm e vetëm për të përfituar vlerat e larta të piktorit Qenan Mesaresë për të cilin thonë se ka gjak grek nga nëna. Por deri më sot asnjë historian dhe studiues grek s’na ka ofruar fakte se si quhej gruaja e Hasan Tahsi Mesaresë, pra nëna e Qenanit, nga cili vend ishte, etj. Për fat të keq edhe ne s’mundëm të gjenim emrin apo origjinën e saj. Kështu, çdo tezë se gruaja e gjeneral Mesaresë është greke bie poshtë. Asnjë historian dhe studiues nuk e ka të drejtën për të përcaktuar origjinën e gruas së Hasan Mesaresë pa fakte, pa të dhëna shkencore. Gruaja e Hasan Tahsi Mesaresë kishte shoqëri të ngushtë me gruan e Mustafa Pashës, pasaniku i madh i Çamërisë. Kjo shoqëri e ngushtë u bë shkak që Qenan Mesarea të martohej më 1934 me Rafetën, vajzën e shqiptarit Mustafa Pashës.
Botërisht dihet se grekë mysliman nuk ka, edhe pak mysliman të etnive të tjera që kanë mundur të rezistojnë në qytetet e Selanikut, Janinës, Konicë, Kozanit apo gjetkë tashmë janë asimiluar ose kanë emigruar për mos u kthyer më në vatrat e tyre. Në Greqi jetojnë myslimanë në Thraki dhe ishullin e Rodosit të cilët mbahen me kulturë e kombësi turke. Siç dihet Kushtetuta e shek.19 dhe fillim të shek.20 përcaktonte qartë se kush quhej grek. Grek quhej ai njeri që i përkiste besimit ortodoks. E si paska qenë greke gruaja e Hasan Tahsin Mesaresë dhe nëna e Qenanit, kur ajo i përkiste besimit mysliman!?
2.) Historikisht grekët festojnë çlirimin e Selanikut, por e vërteta është se Selaniku nuk u çlirua, por u dhurua nga gjenerali Hasan Tahsi Mesarea. Ky akt i madh ka të bëj me botën humane dhe njerëzore të këtij ushtaraku që preferojë të shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve që i përkisnin kombësive dhe besimeve të ndryshme se sa të masakroheshin. Nuk besoj se në Ballkan ka ndodhur ndonjëherë një akt i tillë të dhurimit me paqe dhe pa kushte të ndonjë qyteti apo kështjelle. Pra, qyteti i Selanikut nuk është çliruar e as dorëzuar, por është dhuruar, kjo gjë del qartë nga dokumentat historike sepse gjeneral Mesarea ka patur mundësi t’ia dhuronte bullgarëve. Nëse do bëhej një akt i tillë nuk e dimë se si do ishin kufijtë dhe politika ballkanike sot.
Dhurimi i Selanikut u bë pa luftë, pa asnjë kusht dhe për këtë Porta e Lartë e dënojë me vdekje gjeneral Hasan Tahsin Mesaresë dhe djalin e tij, Qenanin. Familja Mesarea u largua për në Francë me ndihmën personale të Venizelosit i cili më tej do tu jepte edhe shtetësinë greke.
Nuk është dëgjuar asnjëherë që të ndihmohet një kundërshtar lufte i dorëzuar pa kushte dhe të pajiset me shtetësinë e shtetit që pak kohë më parë kishte luftuar me armë!? Historia botërore nuk njeh ndonjë figurë ushtarake që të dorëzohet e ti ngrihet kult respekti nga kundërshtari siç i është ngritur Hasan Tahsi Mesaresë. Pra, qartë del se Hasan Tahs Pash Mesarea ua dhurojë grekëve Selanikun dhe nuk e dorëzojë. Ka dallim të madh midis dhurimit dhe dorëzimit: a) Dhurim do të thotë se bënë veprim human, me dëshirë, me zemërgjerësi. b) Dorëzim ka kuptimin e humbjes së luftës, dorëzon armët pasi pranon humbjen. E vërteta është se ushtria turke e gjeneral Hasan Tahsi Mesaresë nuk i dorëzojë armët.
Grekët festojnë si datë të çlirimit të Selanikut, 28 Tetorin, 1912, por ajo ditë në të vërtetë s’ka qenë ditë e çlirimit. Më 28 Tetor, 1912, ora 11 paradite komandanti i trupave greke, Konstandini hyri zyrtarisht me flamurin grek në Selanik dhe në mesditë në kishën e Shën Minas u mbajt mesha fetare. Më 29 Tetor, në Selanik mbërriti dhe mbreti Gjeorgjio.
Historia e familjes Mesare është njëra nga ato historitë e shumta të familjeve shqiptare që kanë dhënë një kontribut të madh Greqisë moderne. Piktori Qenani Mesarea dhe karikaturisti Ali Dino, janë dy figura të shquara të artit shqiptar që krenohet Greqia. Edhe pse këta dy figura vijnë nga familje myslimane shqiptare me punën e tyre artistike i kanë imponuar Greqisë që ti respektojë dhe ti nderojë ata. Këto janë raste të rralla që Greqia krenohet me figura jo greke, që nuk i përkasin besimit ortodoks.
Që e vërteta të quhet e vërtetë dhe historia të quhet histori e vërtetë duhet thënë ashtu siç është, pa i shtuar dhe i hequr ndonjë shkronjë. E pash të arsyeshme ti rikthehesha edhe njëherë historisë të gjeneral Hasan Tahsin Pasha Mesaresë, dhe besoj se ka vend për plotësime edhe në të ardhmen për të zbardhur figurën dhe kontributin e familjes Mesarea në të mirën e Greqisë Moderne.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Arben Llalla
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 48 vizitorë
Lexuar: 1,328 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi