Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“Kafkat politike” të Ballkanit
Publikuar më 24 gusht, 2015 në orën 01:04 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Gazeta e njohur austriake “Der Standard”, së fundmi kishte botuar një shkrim me titull “Më mirë diktatura se anarkia”. Ç’është e vërteta, asnjëri nga sistemet e lartpërmendur nuk është i duhuri por se krahasimi është mëse i vërtetë. Kjo, sepse në diktaturë së paku respektohen ata ligje në fuqi të shtetit, shoqëruar kjo sigurisht me shkelje të të drejtave të njeriut, ç’ka nuk është aspak gjë e duhur.

Ndërkaq, në sistemin e dytë të sipërcituar, pra në anarki, gjithçka i ngjan kaosit, shteti është “i plagosur” e thuajse nuk funksionon. Ka gjakderdhje, përplasje, larje hesapesh, kaos, konflikte etnike apo fetare, padrejtësi etj. Si shembuj përfaqësues janë ata kujtesa të afërta historike, që servirte Associated Press këta ditë, që nga konfliktet e ashpra në ish-Jugosllavi, deri tek i konsideruari “viti i mbrapshtë” për Shqipërinë, 1997-ta. Sot, më 2015 anarkia në shtetet e Ballkanit zor se ekziston, aq më pak në formën që ekzistonte fill pas daljes nga sistemet diktatoriale, por se ka elementë në disa shtete që ngjasojnë edhe me sistemin anarkik.

Shqipëria
Në rrjedhën e zhvillimeve politike të saj në “demokraci”, Shqipëria e ka përjetuar edhe anarkinë, edhe sistemin e padrejtësisë, të asaj se barra më e rëndë bie mbi qytetarët më të thjeshtë të vendit. Sot, shteti përballet me probleme jo të pakta po ashtu. Problemi më i madh është drejtësia e munguar. Si rrjedhojë, sidomos të padrejtësive shumë shtetas janë larguar jashtë vendit për jetë më të mirë. Derisa drejtësia do vijojë të mos funksionojë siç duhet apo do të jetë e varur politikisht, sistemi do të mbetet po njëjtë i padrejtë, mbi të varfërit. Megjithatë, nuk janë vetëm të varfërit që duan të ikin nga ky vend, por një “armatë” e tërë të zhgënjyerish, në një vend ku politika shtrihet thuajse kudo dhe që është pikërisht militantizmi partiak që e shtyp meritokracinë.

Kosova
Kosova është “copëza shtetërore” më e izoluar sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky izolim nxit jo pak qytetarët që ata të kenë dëshirën që shkojnë gjetiu për një jetë më të mirë apo për të qenë më të lirë. Situata bëhet edhe më e rëndë, tek mendon se Kosova është një shtet me papunësi thuajse rekord, e cila sipas sindikatave në vend arrin deri në 40 - 50 përqind.

Elita politike, e cila jo pak është edhe elitë ekonomike, ka mbledhur shumë pasuri rreth vetes, ç’ka përjashton shumë qytetarë nga një jetesë së paku normale. Kësisoj, jo pak për faj edhe të klasës politike, Kosova është ndër shtetet më problematike sa i përkert kërkesave për azil në Gjermani apo në shtete të tjera evropiane.

Maqedonia
Maqedonia është shteti ballkanik më tipik, ku gjen jo pak edhe elementë “diktatorialë” , por edhe të anarkisë. Në këtë shtet dora e shtetit në të shumtën është e fuqishme, por se ndonjëherë është kaq e fortë, sa rrezikon të rrëshkasë drejt diktaturës. Duke qenë shpesh në një gjendje të përgjithshme destabiliteti, dora e fuqishme e pushtetit “godet” me qëllim që gjërat të “stabilizohen”.

E tillë duket se ishte edhe politika që u ndoq me emigrantët që përpiqeshin të kalonin përmes kufirit Greqi – Maqedoni, ku shteti policor i Gruevskit, në dhunën e përdorur nuk kurseu as gratë dhe as fëmijët. Dhe më e rëndë është kjo, kur mendon se ata burra, gra apo fëmijë janë njerëz që vijnë nga vatrat më të nxehta të luftës aktuale që zhvillohet në botë.

Këta emigrantë, më së shumti sirianë, irakenë apo afganë janë përpjekur ti ikin një lufte të përgjakshme civile që zhvillohet në Siri apo në Irak, ku mes tjerash, në tokën e tyre luftojnë “xhandarët e ISIS”, luftëtarë këta aq famëzinj, sa krimet e tyre, edhe kryemonstra i politikës evropiane e botërore Hitleri, vështirë se i ka kryer. Të dhunosh njerëz, sidomos ata që arratisen nga fantazmat ndjellakeqe e ISIS apo nga regjimi i Asadit, është sikur ti vrasësh ata për të dytën herë e të nëpërkëmbësh në mënyrën më ç’njerëzore të drejtat e njeriut.

Akoma më keq është, se disa emigrantë humbin jetën rrugëve të Gjevgjelisë, qytet ky kufitar mes Greqisë dhe Maqedonisë, apo më e dhimbshme akoma: shtypen nga trenat, teksa përpiqen të ndjekin udhën përmes shinave. Këta humbje jetësh apo të dhunuarish, kanë mbi trupa iniciale të dhunës, vuajtjes e mjerimit që vjen qysh nga terrorizimi nga ISIS deri tek shtetet, që udhëhiqen nga qeveri, që vështirë se njohin premisa që kanë të bëjnë thellësisht me parime njerëzore.

Bosnja
Bosnja, ashtu gati e përçarë dhe me shumë etni, me boshnjakë, serbë e kroatë vazhdon të vuajë ndasitë dhe politikat irredentiste. Edhe pse viti 2015, daullet e dallimeve etnike akoma bien në këtë shtet. Kësisoj, një politikë e përçarë, që nxit urrejtje dhe jo me pak probleme “kontribon” në largimin masiv të njerëzve nga vendi. I tmerrshëm është treguesi i REL se gjysma e të rinjve boshnjakë duan të ikin nga vendi, ç’ka dëfton se Bosnja është ndër republikat më të dobëta e më të pasigurtat jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.

Serbia
Serbia po ashtu është renditur si një shtet problematik sa i përket kërkesave për azil për në shtete perëndimore. Fakti është se përveç disa serbëve, ata që duan të ikin jashtë vendit për në Perëndim, janë shqiptarët që jetojnë në tre komunat e banuara nga shqiptarë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Natyrisht që këta shqiptarë llogariten si shtetas serb. Ikja e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve shtetërore të Serbisë dëfton jo pak edhe për atë se zonat ku jetojnë shqiptarët janë ndër më të prapambeturat dhe të lëna të tilla prej kohësh. Si rrjedhojë, e ardhmja dhe sigurimi i një jetese më të mirë shihet emigrimi. Kjo flet jo pak edhe për atë se ndaj zonës dhe njerëzve, nga ana e shtetit serb, ka patur jo aq kujdes.

“Kafkat politike”...
Shtetet e lartpërmendura kanë probleme me demokracinë, dikush më pak e dikush më shumë. Demokraci me të tilla probleme janë edhe për shkak të dështimit të klasave politike në disa fusha. Një gjë të tillë e theksonte gazetarja e Deutsche Welle, Verica Spasovska, teksa për problemin me emigrantët e drejtonte gishtin për nga klasat politike të Ballkanit.

Fenomeni i emigrimit masiv bëhet i rëndë, në mos tragjik, teksa mendon se edhe njerëz të shkolluar, që vetëm e vetën nga fakti se mund të jenë lënë jashtë sistemit, në vende ku partizimi i shtetit është “traditë”, mundet që në ndershmërinë e tyre të jenë arratisur jashtë atdheut.

Në kohën që jetojmë, ku më së tepërmi vendos paraja sesa intelekti, ky tipar i fundit i ndonjërit, shpesh as që i hyn njeriu në punë, përpara interesave të biznesit. Kur ndodh që të ikin kësisoj njerëzish nga vendi i tyre, është e denjë të thuash se njerëz të tillë, pra koka të tilla largohen nga “kafkat politike” të vendit të tyre. E, kj0 të kujton atë se nëse dikur në diktaturë, njerëzit që dilnin kundër burgoseshin, internoheshin apo vriteshin, sot ndershmëria “vritet”, duke i përjashtuar apo larguar të gjithë ata që nuk pranojnë të bëhen palë, shpesh me politika të pista dhe interesa të pastra.

Nga ana tjetër, ikja jashtë atdheut, është edhe një fenomen normal, për shkak se çdokush përpiqet për një jetë më të mirë dhe se askush nuk duhet ta ndalojë njeriun për tia arritur një qëllim të tillë, kur ai e arrin pastërtisht këtë qëllim. Në këtë kuptim, fjalët e Ramës dhe të Vuçiçit, të cilët fajësuan Evropën për politikat ndaj emigrantëve janë të sakta, por se shprehin vetëm një anë të medaljes së problemit në fjalë. Premisa se keqtrajtimi i emigrantëve është turp i Evropës është e vërtetë, por se premisa e dytë që nuk thuhet është se për fenomenin jo pak fajtor janë edhe liderët e Ballkanit. Rama dhe Vuçiç do të kishin qenë edhe më ndershëm po ti adresoheshin edhe vetvetes për problemin në fjalë.

Dionis Xhafa

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 41 vizitorë
Lexuar: 314 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi