Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
JO, ende nuk ka ndodhur ribashkimi, por bashkëpunimi dhe afrimi i shqiptarëve në Ballkan!
Publikuar më 25 gusht, 2015 në orën 23:54 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Barometri diplomatik

*** Lidhjet dhe marrëdhëniet e shkëmbimit ekonomik, tregtar, kulturor, arsimor dhe sportiv etj. brendashqiptare në Ballkan, nuk mund cilësohen si “bashkim kombëtar”, ashtu siç është shprehur kryeministri Edi Rama, por vetëm si “bashkëpunim kombëtar”. Një bashkëpunim i tillë i Shqipërisë ekziston edhe me vendet fqinje, evropiane dhe me vendet e tjera të botës.

Në kuptimin konkret dialektik materialist filozofik, historik, politik, juridik, gjeopolitik-territorial dhe shtetëror, ende nuk ka ndodhur ribashkimi i gjithë kombit shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike në Ballkan. Këtë e provon statusi ekzistues i shqiptarëve të kolonizuar dhe të shtypur nën Serbi (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), nën Maqedoni, nën Greqi dhe në Mal të Zi. Ky është argumnenti i parrëzueshëm faktik, që përgënjeshtron deklaratën absurde të kryeministrit Edi Ramës se gjoja paska “ndodhur bashkimi kombëtar”!

- Po, në kuptimin abstrakt shpirtëror të psikologjisë filozofike, të aspiratës dhe të shpresës së popullit shqiptar, ribashkimi kombëtar ka ndodhur qëmoti, dhe jeton me shekuj si i tillë në shpirtin e tij liridashës, por praktikisht dhe realisht, ende nuk ka ndodhur ribashkimi kombëtar mbase gjysma e popullit shqiptar ende jeton i ndarë nën robërinë e egër të shteteve fqinje sllave ballkanike (1878-2015), siç theksuam më sipër shembujt konkret.

Pa shkolonizimin e shqiptarëve dhe të territoreve të tyre nga kolonialzimi shekullor sllavo-ballkanik, nuk ka asnjë gjasë që ribashkimi kombëtar shqiptar, të bëhet “i prekshëm” sipas tezës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ngase deri tani ligjërisht nuk është konkretizuar asgjë nga qeveria dhe parlamenti i Shqipërisë (1991-2015) qoftë në kuptimin e politikës së brendshme, qoftë në atë politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare.
Në këtë pikëvështrim deri tani, as Amerikës, as OKB-së dhe as BE-së, nuk u është dërguar ndonjë Kërkesë zyrtare e Shqipërisë (1991-2015) për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Pra, ky fakt dhe argument i qëndrueshëm prerazi e hedh poshtë këtë deklaratë abstrakte të Edi Ramës (kryeministër aktual i qeverisë së Shqipërisë) se “Bashkimi Kombëtar ka ndodhur, duhet ta bëjmë realitet të prekshëm.” (http://lajmpress.com/lajme/shqiperi/71110-rama-bashkimi-kombetar-ka-ndodhur-duhet-ta-bejme-realitet-te-prekshem.html/24/08/2015).

Po, meqë paska “ndodhur bashkimi kombëtar” i Edi Ramës, atëherë, arsyeja logjike e thotë se, tanimë, ky fenomen është realitet i prekshëm, është çështje e kryer, pse duhet të pritet, që ky të “bëhet realitet i prekshëm” në të ardhmen ?!

Shikuar edhe në kuptimin e filozofisë politike, kjo deklaratë është kontradiktore dhe fallso, sepse në njërën anë, pohon “ndodhjen” afrimative të “bashkimit kombëtar”, kurse në anën tjetër, shpreh dëshirën e kushtëzuar, që ky të “bëhet realitet i prekshëm” në një të ardhme të papërcaktuar.

Kjo kontradiktë përbën asbtrakten në kohën e kryer dhe realen në kohën e ardhshme, që pritet të preket, të konkretizohet dhe të rrumbullakësohet procesi i ribashkimit kombëtar. Me një fjalë, ky konkluzion i gabuar politik dhe filozofik, provon qartë se deri tani nuk ka ndodhur kurrfarë ribashkimi konkret dhe real kombëtar shqiptar, por pritet, që ai si “realitet konkret” të “bëhet” dhe të “preket” në të ardhmen, sepse hëpërhë, në kuptimin e trajtimit filozofik ka vetëm karakter abstarakt derisa ai ende nuk mund të “preket” si “realitet konkret”.

Deklarata e Ramës simterike me deklaratat absurde të Hashimit!

-Se gjoja “Serbia de fakto dhe de jure ka filluar ta njohë Kosovën”. (http://article.wn.com/view/2013/01/1/Thaci_Serbia_de_fakto_dhe_de_jure_ka_filluar_ta_njohe_Kosove/).

-Kjo, ende nuk ka ndodhur, këtë e di tërë Evropa dhe tërë bota. Por ndodhi e kundërta, Serbia me ndihmën e Moskës, të Pekinit, të Brukselit dhe të OKB-së së Ban Ki Moon-it, shpiku dhe themeloi Gjykatën Speciale Evropiane për dënimin e Kosovës (gjoja në emër të kryerjes së krimeve të luftës nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së), si dhe pengoi njohjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke falënderuar VETO-s së Rusisë së Vladimir Putinit.

Serbia as de fakto e as de jure nuk e ka njohur Kosovën!

-Në vend të njohjes së Kosovës, Beogradi zyrtar në shkallë evropiane dhe ndërkombëtare (OKB, BE dhe OSBE) po e akuzon qeverinë e Kosovës për “diskrimin” dhe për “spastrim” etnik” të minoritetit serb në Kosovë. Kjo padi u dëgjua edhe në seancën e 21 gushtit 2015 të KS të OKB-së, të cilën në emër të qeverisë së Serbisë e bëri Ministri i Jashtëm i saj, Ivica Daçiq, i cili kërkoi me çdo kusht zbatimin e mëtejmë të Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës njihet sovraniteti territorial dhe shtetëror i Serbisë si sukcesore e ish-RSFJ-së.

Pra, pyetja shtrohet për Thaçin, ku janë ato argumente të tij, sipas të cilave Serbia “de fakto dhe de jure e paska njohur Kosovën”?

Po të kishte qenë kjo e vërtetë, Kosova qe shtatë vite, do të ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara (pa mbikëqyrjen e UNMIK-ut dhe të EULEKS-it) dhe do të kishte kufijt e vet territorialë dhe shtetërorë, jo kufijt administrativë artificialë , të caktuar nga Jugosllavia e Titos (me Kushtetutën e KSAK dhe me Kushtetutën e RSFJ-së së vitit 1974), sipas të cilëve, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë ngelur jashtë Republikës së Kosovës.

Po ta kishte njohur Beogradi zyrtar “de fakto dhe de jure” Kosovën, siç ka deklaruar disa herë ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, Kosova nuk do kishte figuruar në Kushtetutën në fuqi të Serbisë (2006) si “krahinë e Serbisë”, si dhe më nuk do të kishin figuruar UNMIK-u dhe EULEX-i në Kosovë, duke zbatuar Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara.

Këto dy dekarata të Ramës dhe të Thaçit, nuk përbëjnë të VËRTETËN as për “ndodhjen” e RIBASHKIMIT KOMBËTAR, as për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana Serbisë, por ipso facto kanë karakter politikto-propagandistik për të siguruar sa më gjatë kolltukun në pushtet dhe për të fituar ndonjë votë më shumë nga elektorati i tyre, sepse asnjëra e as tjetra nuk kanë ndodhur as de fakto, as de jure në terrenin e sotëm ballkanik mbase as Serbia nuk e ka njohur Kosovën e as nuk është bërë kurrfarë ribashkimi kombëtar, por vetëm bashkëpunim kombëtar dhe ndërshtetëror (ekonomik, tregtar dhe kulturor) përmes shkëmbimit të bashkëpunimit recirpok të Shqipërisë me Serbinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe me Greqinë. Kjo ka ndodhur, por jo, assesi nuk ka ndodhur “bashkimi kombëtar” siç ka deklaruar kryeministri Rama.

Kur u bë “bashkimi kombëtar” i Edi Ramës?!


-Çudi, se si kombi shqiptar, Ballkani, Evropa dhe Amerika, ende nuk janë në dijeni për këtë lloj “bashkimi kombëtar të ndodhur” të kryeministrit Rama!?

Kur, dhe si u “bë ribashkimi kombëtar”, kur asnjë qeveri, asnjë parlament, asnjë president dhe asnjë kryeministër i derisotëm i Republikës së Shqipërisë (1991-2015) ende nuk e kanë vënë në “rend dite” për debat Kërkesën legjitime dhe historike të gjithë kombit shqiptar për ribashkimin e tij brenda kufijve natyrorë, historikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike?!

Të paktën, sikur qeveritë dhe parlamentet e derisotme të Shqipërisë demokratike, ta kishin debatuar Kërkesën për Ribashkimin Kombëtar (bile njëherë gjatë 25-vjeçarit të shkuar) në ndonjërën e seancave dhe të mbledhjeve të tyre zyrtare shtetërore, domethënë në shkallë vendore (1991-2015), do të kishim qenë të kënqur, pavarësisht se çfarë do të thonin armiqtë kolonialistë serbosllavë ballkanikë dhe faktorët evropianë dhe ndërkombëtarë me peshë politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore dhe me dialog demokratik në kuadrin e bashkësisë ndërkombëtare.

Një mrekulli e tillë e ribashkimit kombëtar nuk ka ndodhur as de fakto e as de jure. Kjo është e vërteta e pamohueshme!

Gjithashtu, të paktën, sikur Tirana zyrtare në bazë të së drejtës historike dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Preambula ku thuhet: “ me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…”) të kishte “trokitur” në dyert e qendrave të vendosjes ndërkombëtare në Uashtingtin dhe në Bruksel, duke shpaluar Kërkesën për ribashkimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, sigurisht se deri tani, do të kishim pasur një përgjigje meritore nga partnerët dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë.

Mirëpo, duhet pranuar të vërtetën se, në këtë drejtim as politika e jashtme e as diplomacia e Tiranës, asnjëherë deri tani nuk ka shtruar Kërkesën për ribashkimin kombëtar para BE-së, OKB-së e as Uashingtonit zyrtar, sepse para së gjithash dhe mbi të gjitha axhenda e saj kombëtare dhe shtetërore, është e fokusuar se si të intgerohet në BE (1991-2015), jo se si të integrohet në shkallë mbarëkombëtare si një komb dhe, si një shtet i vetëm në Ballkan.

Dhe, prapë shtrohet pyetja, si qenka “bërë bashkimi kombëtar” siç ka deklaruar Edi Rama, kur kjo çështje madhore, ende nuk është shtruar për diskutim as në “sofrën mbarëkombëtare” e as në tryezën e gjelbër diplomatike evropiane dhe ndërkombëtare?

Nuk mund të bëhet kurrfarë ribashkimi me deklarata boshe të Edi Ramës dhe të Sali Berishës, pa u shtruar dhe debatuar kjo çështje, së pari në qeverinë, në parlamentin dhe në presidencën e Republikës së Shqipërisë. Kjo është metodologjia e startegjisë së konkretizimit zyrtar vendor e Kërkesës së ribashkimit kombëtar dhe e Shqipërisë Etnike. Ndërkaq, si hap i dytë strategjiko-politik dhe diplomatik, do të duhej të ishte parashtrimi protokolar i kësaj kërkese Uashingtonit dhe Brukselit.

Si u bë ai “bashkim kombëtar” i Edi Ramës, kur Kosova me Kushtetutë e ka të ndaluar ribashkimin me Shqipërinë. Prandaj, asnjëherë deri tani nuk e ka diskutuar këtë çështje në nivel qeverie a parlamenti?
Si u bë ai “bashkim kombëtar”, kur shqiptarët në: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Iliridë, Epir (Çamëri), Tuz, Hot, Grudë, Plavë, Ulqin e Tivar, ende janë nën çizmen e hekurt të shtypjes dhe terrorit të kolonializmit sllavo-bizantin ballkanik?

Ribashkimin kombëtar nuk mund ta bëjnë dy-tre veta (madje me deklarata boshe dhe abstrakte), por i gjithë kombi shqiptar me REFERENDUM, nëse Tirana zyrtare, edhe më tej e injoron dhe e margjinalizon ribashkimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike sikurse këtu e 25 vjet më parë (1991-2015).
Fundja, as de fakto as de jure nuk mund quhet kurrfarë “bashkimi kombëtar” nëse shqiptarët si minoritet jetojnë nën sundimin e egër kolinial të shtetve fqnije sllave (Serbisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Malit të Zi).

Të jetosh rob-plaçkë koloniale në katër shtete të huaja fqinje (Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi), e të pohosh në sy të popullit tënd të robëruar dhe të gjithë botës se “është bërë bashkimi kombëtar shqiptar”, kjo nuk është vetëm gënjeshtër, por edhe turp, edhe përgjegjësi morale, njerëzore dhe ligjore.

Të mos i ngatërrojmë tezat me qëllim dhe për interesa meskine dhe të huaja sikurse propaganda dhe politika zyrtare serbo-sllave kundër së vërtetës shqiptare në Ballkan, sepse ribashkim kombëtar shqiptar, do të ketë vetëm atëherë, kur shqiptarët dhe Shqipëria Etnike të ribashkohet në kuptimin e njëmendtë faktik dhe gjeopolitik (me popullin dhe me terrtorin e vet autkotn) sikurse Gjermania e sotme, që u ribashkua pas shembjes së Murit të Berlinit (1989).

Sa më sipër, bashkëpunimi dhe unionet e ndryshme tregtare, ekonomike, kulturore dhe sportive, nuk mund quhen quhen kurrfarë ribashkimi kombëtar, por vetëm bashkëpunim protokolar (mbi bazën e reciprocitetit ndërshtetëror). Nuk ka ribashkim të popullit, pa ribashkimin territorial dhe shtetëror të tij, ashtu siç ndodhi me Gjermaninë e Helmut Kolit dhe të Hans Ditrih Gensherit me rastin e përfundimit të luftës së ftohtë (1990).

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 44 vizitorë
Lexuar: 693 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi