Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Serwer: Bashkësia e Komunave serbe është përkufizuar në baza etnike
Publikuar më 22 shtator, 2015 në orën 22:22 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Nënshkrimi i katër marrëveshjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë ka ngjallur polemika të mëdha në Kosovë. Zëri i Amerikës bisedoi me dy analistë që i ndjekin nga afër zhvillimet në Ballkan, për të marrë mendimin e tyre mbi marrëveshjet. Ndonëse marrëveshjet shihen në përgjithësi si një hap i madh përpara, fakti që Bashkësia e Komunave Serbe është krijuar thjesht në baza etnike, është problematik.

Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe ishte një lëvizje e pritur, thotë analisti i Fondit Marshall, Ivan Vejvoda. Ai thotë se nënshkrimi i katër marrëveshjeve të fundit është një përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Mendoj se lëvizja drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit është shumë pozitive dhe është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar. Mendoj se dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Alekandër Vuçiç, hynë në këto negociata me synimin për të arritur përparim në një numër çështjesh, veçanërisht në krjimin e Bashkësisë së Komunave serbe. Pra, unë mendoj se kjo pritej të ndodhte”.
Ndërsa profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer thotë se problemi me marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe është se ajo parashikon krijimin e një bashkësie komunash në baza etnike.

“Problemi është se Bashkësia e Komunave serbe është përkufizuar në baza etnike. Unë mendoj se kjo është për të ardhur keq dhe unë nuk do të preferoja që kjo të ndodhte”.
Por zoti Serwer thotë se krijimi i Bashkësisë së Komunave serbe ishte parashikuar në Planin e Ahtisarit dhe zbatimi i marrëveshjes së fundit për krijimin e kësaj bashkësie komunash do të realizohet.

“Kjo është në Planin Ahtisari. Kosovarët janë të detyruar ta zbatojnë Planin Ahtisari dhe ata do të kenë mundësinë ta rregullojnë atë përmes sistemit të tyre ligjor. Sipas mendimit tim, kjo nuk ishte mënyra më e mirë, por ajo mund, duhet dhe do të bëhet”.

Ndërsa analisti Vejvoda thotë se në fund marrëveshja për Bashkësinë e Komunave serbe do të zbatohet pasi Kosova dhe Serbia duan të përparojnë në përpjekjet e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Është e vështirë të parashikohet se si do të shkoj procesi i zbatimit të kësaj marrëveshje. Jam i sigurt se, ashtu si me marrëveshjet e mëparshme, edhe zbatimi i kësaj marrëveshje do të ndeshet me vështirësi. Por në fund, kjo marrëveshje do të zbatohet sepse të dyja palët duan të bëjnë përparim në hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Muajin e kaluar Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi katër fusha, energjinë, telekomunikacionin, Bashkësinë e Komunave serbe dhe lirinë e lëvizjes në urën e Mitrovicës. Sipas analistëve, nënshkrimi i këtyre marrëveshje është një përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do t’i ndihmojë ato drejt synimit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
/ZeriiAmerikes/

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 585 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi