Më rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, më 23 shtator në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u shpalos një program special kushtuar figurës së tij si simbol i rezistencës dhe fitues i çmimit “Saharov” nga Parlamenti Evropian. Ky takim u organizua dhe u mbajt nga “Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë”, ku morën pjesë mbi 20 personalitete të shquara të letërsisë e kritikë nga disa shtete të Evropës si, Belgjika, Spanja, Anglia, Franca, Rusia, Greqia, etj.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ku ndodhej edhe Adem Demaçi, profesor doktor, Rexhep Qosja foli për jetën dhe veprimtarinë atdhetare, letrare e publicistike të Simbolit të Rezistencë Kombëtare, duke u ndalur në të gjitha etapat e jetës së tij të bujshme revolucionare, në drejtim të çlirimit të Kosovës dhe bashkimit të kombit. Ai, në mënyrë realiste ka zbërthyer të gjitha momentet kyçe të veprimtarisë së Demaçit si dhe raportin e tij me shoqërinë, politikën dhe rrjedhat historike. Duke veçuar faktin se Demaçi i kishte dhënë gjithçka lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Qosja shtroi pyetjen se çka i kishte dhënë Kosova atij. Duke e krahasuar me Nelson Mendelën dhe për meritat që atij ia kishte njohur dhe ia kishte dhënë populli jug-afrikan pas daljes nga burgu, Qosja konkludoi se politikanët e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi nuk u kujtuan për Demaçin, nuk i ofruan asnjë vend, qoftë edhe të këshilltarit të ndonjë qeveritari të lartë, të presidentëve apo të kryekuvendarëve që janë ndërruar në 16 vitet e pas luftës. Demaçin e anashkaluan të gjitha qeveritë e pasluftës, ndërsa në vitet 90-të politikanët pacifistë të kohës e kishin mbajtur në distancë dhe nuk i kishin afruar asnjë vend për meritat e tij dhe 28 vitet që kishte mbajtur burg për lirinë e vendit nga okupimi serb. Ai nuk u shpall deputet nderi, nuk iu dha posti i deputetit, ministrit apo i zëvendës-ministrit, madje as edhe posti i një zyrtari. Demaçi bëri gjithçka për Atdheun, por përfaqësuesit e institucioneve e politikanët e Atdheut, nuk i dhanë asgjë, ka thënë mes tjerash dr. Rexhep Qosja në fjalën e tij.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përshëndeti Bacë Adem Demaçin. Ai tha se ne kemi lindur dhe jemi rritur me mësimet dhe veprën e tij.
Për Demaçin foli edhe shkrimtari Reshat Sahitaj.
Në fund, “Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë” i ndau një Mirënjohje Adem Demaçit për veprimtarinë e tij krijuese.
|