Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Edi Rama në OKB si katolik apo si kryeministër i Shqipërisë?
Publikuar më 02 tetor, 2015 në orën 01:50 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Barometri diplomatik

*** Edi Rama në OKB: “Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe ne kemi një vajzë dhe një djalë të besimit ortodoks. Ndërsa djali tjetër, i sapolindur duhet të vendosë vetë për besimin e tij, edhe pse Papa Françesku e ka bekuar dy herë.” “http://www.kohajone.com/index.php/forum/rama-ne-okb-jam-katolik-me-grua-myslimane-e-femije-ortodokse-video/26/09/2015).

-Krejt në rregull, për lakmi, kjo është begati, mirëpo një raport të këtillë (me temë private) nuk e kanë kërkuar për shqyrtim në Sesionin e 70-të AP-së së Kombeve të Bashkuara, as sekretari Përgjithshëm, Ban Ki Moon e as Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Mogens Lykketoft. Ky është absurdi politik dhe diplomatik i kryeministrit Rama. Karahasimet e tilla "nuk i ha pazari" pavarësisht nga mesazhi i tyre. Vendet e vegjël, nuk i bën hesap askush (nuk janë kurrfarë faktori relevant në zgjidhjen e problemeve dhe të konflitkeve ndërkombëtare), lere më fuqitë e mëdha botërore. Prandaj, me çdo kusht dhe me çdo çmim, duhet të ruajnë individualitetin dhe interesat e tyre në kuadrin e aleancave të fuqive të mëdha botërore. Kjo vlen posaçërisht për Shqipërinë dhe për Kosovën, të cilat, për herë të parë në historinë e tyre kanë pasur fatin e madh, që të rreshtohen në anën e një superfuqie botërore siç është Amerika. Ndaj politika dhe diplomacia e tyre nuk duhet të veprojnë "kokë më vete", por duhet të jetë e bashkërenduar dhe komplementare me interesat vitale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në OKB, Edi Rama ka vajtur në rolin e kryeministrit-përfaqësuesit zyrtar të shtetit të Republikës së Shqipërisë, jo në vizitë private si emisar katolik, mysliman apo ortodoks. Paraqitaja në këtë formë, është nonsens politik dhe diplomatik, duke ditur se OKB-ja nuk është institucion, as kurrfarë organizate a shoqate religjioze rajonale apo ndërkombëtare.

Si është e mundur që brenda vetëm një muaji (shtator 2015), politika dhe diplomacia shtetërore e Shqipërisë me Edi Ramën në krye i bëri dy gabime kardinale:
1) Së pari, më 11 shtator, diplomatët shqiptarë votuan së bashku me Rusinë dhe me Serbinë etj. për ngritjen e flamurit të Palestinës (e cila në rastin e Kosovës e mbështet Serbinë) në selinë e OKB-së, ndërsa Amerika voti kundër një Rezolute të tillë për të cilën votuan 119 vende-anëtare të OKB-së dhe
2) më 26 shtator 2015, kryeministri Edi Rama doli në foltoren e AP-së të OKB-së, ku fjalën e tij e hapi me një çështje private religjioze të familjes së tij (!)

Letërnjoftimi multifetar i Ramës, i pamohueshëm

-Ne shqiptarët, vërtet, jemi, edhe myslimanë, edhe katolikë, edhe ortodoksë . Kjo është pasuri e çmueshme multifetare e kombit shqiptar në Ballkan. Për më tepër, ne, në sy të gjithë botës mburremi me këtë fenomen multifetar, sepse kurrënjëherë, gjatë historisë së derisotme, këto tri religjione nuk kanë qenë të konfrontuara mes tyre, por me shekuj kanë koekzistuar në mirëkuptim, në mirëbesim, në harmoni, në paqe dhe në ekumenizëm të plotë. Pa dyshim se, ky është shembull i veçantë pozitiv në botë. Anadaj, edhe kemi arsye të krenohemi me vlerat tona multifetare.

Këtë të drejtë të përkatësisë multifetare, Edi Ramës, askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë, sepse kjo nuk ka asgjë të keqe, por është shembull unikat i bashkëjetesës paqësore i tri konfesioneve të ndryshme religjoze.

Prandaj, deklarimi i letërnjoftimit multifetar i kryeministrit Edi Rama, në asnjë aspekt nuk mund të jetë objekt kritike me përmbajtje të njëanshme të urrjetjes mbi bazën fetare. Përkundrazi, ky është një shembull pozitiv i koekzistencës, i harmonisë dhe i paqes multifetare. Mirëpo, kjo është vetëm çështje personale private dhe e drejtë e pakontestueshme e individit, që është në përputhje të plotë me Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkauara (10/12/1948), si dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Fundja, nëse këto të drejta dhe liri, të garantuara me instrumentet juridike ndërkombëtare, në çfarëdo forme i kontestohen apo i mohohen Edi Ramës dhe familjes së tij multifetare, e gëzojnë të drejtën e ankesës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazbur të Francës, jo direkt në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Përkatësia fetare nuk është interes politik, as tregtar

Për të përfituar në politikë, në diplomaci dhe në tregti, nuk është kusht, as faktor vendimtar prezentimi i përkatësisë fetare, por vetëm interesi i ndëresjellë poltiik, diplomatik dhe tregtar. Asgjë tjetër. Prandaj, OKB-ja nuk është vend i shenjtë i bekimit të statusit multifetar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Për të mos rënë në gabime të tilla politike dhe diplomatike, nuk duhet ngatërruar religjionin me politikën, me diplomacinë dhe me tregtinë. Në këtë kontekst mjafton një shembull i thjeshtë ilustrues nga jeta e përditshme: Nëse hyn në ndonjë shitore për të blerë ndonjë mall konsumi, së pari, duhet të paguash paratë për të, ndryshe, shitësit nuk i intereson nëse je katolik, mysliman, ortodoks apo budist, po qe se nuk paguan, kthehesh dorëthatë nga ke ardhur. Kjo është logjika e thjeshtë e tregtisë, e politikës dhe e diplomacisë-INTERESI, jo, as dashuria e as përkatësia fetare, qoftë ajo edhe MULTIFETARE, sepse kjo është vetëm çështje private individuale, jo politike, as shtetërore.

Për të qenë njeri i respektuar dhe me famë qoftë në mahallë, në komunë, në rajon, në Europë dhe në botë, nuk është fare me rëndësi, që së pari, të shpërpallësh përkatësinë fetare se kush je, ashtu siç bëri naivisht kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Kombet e Bashkuara, por kryesorja është që me humanizëm, me punë, me veprime, me sjellje, me vepra konkrete, me kulturë, me dituri, në mënyrë të civilizuar dhe me dituri të dëshmohesh para botës, se lufton për mbrojtjen dhe për respektimin e vlerave universale të mbarë njerëzimit, ashtu siç dëshmoi shkëlqesia Papa Françesku kudo që shekli në vendet jashtë Selisë së Shenjtë të Vatikanit, mbolli vetëm mirëbesim, paqe, humanizëm, unitet, mirëqenie dhe ngjalli vetëbesim dhe shperesë për gjithë njerëzimin e mbarë globit tokësor, jo si Edi Rama, duke i “shtirë në gjynah” pjesëmarrësit e Sesionit të 70-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, se ai vetë është katolik, gruaja myslimane dhe fëmija ortodoks!? – Krahasim ky, i huqur krejtësisht, pa kurrfarë ndërlidhurie të interesit politk dhe diplomatik në shkallë ndërkombëtare.

Po ky prezentim multifetar, është vetëm çështje personale private e Edi Ramës, që nuk ka lidhje me interesat politike dhe diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me prezentimin dhe me përfaqësimin e shetit shqiptar si kryeministër.

Prandaj, ky prononcim naiv dhe i panevojshëm i Edi Ramës, nuk zgjoi kurrfarë interesimi dhe kurreshtjeje për pjesëmarrësit e AP-së së Kombeve të Bashkuara, sepse të gjithë ishin të fokusuar dhe të mahnitur nga fjalimi historik pozitiv të Papa Françeskut, përmbajtja e të cilit ishte tejet studioze, analitike dhe gjithëpërfshirëse e trajtimit objektiv të problemeve ndërkombëtare në vështrim të funksionit, të rolit, të rëndësisë dhe të veprimit të OKB-së, që nga themelimi i saj (1945) e deri në ditët tona të dekadës së dytë të shekullit XXI (2015), duke u mbështetur në zbatimin e Kartës së OKB-së dhe të parimeve e normave të së drejtës ndërkombëtare.

Kjo ligjëratë e përkryer politiko-juridike dhe diplomatike e Papa Françeskut bëri që të kuptojmë të gjithë, se pa zbatimin e mekanizmave ligjorë juridikë ndërkombëtarë, të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në parimet e normat e së drejtës ndërkiombëtare, drejtësia, siguria, paqja, mirëqenia dhe demokracia, do jenë rrezik të vazhdueshëm nga aktorët e ndryshëm të sistemit shtetëror ndëkombëtar.

Gabimi i adresës

Edi Rama, duke anashkaluar faktin se OKB-ja nuk është as kishë, as xhami, as Mekë, as singogë e as kurrfarë tempulli religjioz, që mëshiron dhe ndan sadaka për ndonjë katolik, ortodoks, mysliman, budist të varfër, por Orgnaizatë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe ruajtjen e paqes, të drejtësisë, të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, të sigurisë, të stabilitetit, të zhvillimit dhe të përparimit të gjithë botës, AI, edhe doli nga “tema” e debatit të AP-së së OKB-së, duke u përqëndruar në temën e tij personale private të ngushtë multifetare. Kështu “humbi rrugën në oborrin“ e OKB-së sikurse që ndodhi disa ditë më parë me diplomatët e tij, të cilët, pa asnjë arsye votuan kundër Amerikës për ngritjen e flamurit të Palestinës në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, edhe pse Palestina nuk e njeh Kosovën, por e quan "provincë të ligjshme" të Serbisë(!)

-Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me prezentimin e letërnjoftimit multifetar, deshi të tregohej më “papë” sesa Papa Françesku, por këtij qëllimi nuk ia arriti në asnjë aspekt, sepse tema e tij kishte vetëm karakter të ngushtë privat , kurse tema e Papa Françeskut ishte me përmbajtje shumëdomethënëse dhe shumëdimensionale pluraliste dhe kozmopolite ndërkombëtare sipas axhendës dhe “rendit të ditës” së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

-Shkëlqesia e tij, Papa Françesku me rastin e vizitës njëjavore që i bëri Amerikës, duke iu drejtuar Presidentit Barack Obama, Kongresit Amerikan dhe Kombeve të Bashkuara në Sesionin e 70-të të Asamblesë së Përgjithshme, nuk përcolli mesazhin krahasues të pavend të katolikut Edi Rama, por mesazhin më human dhe më paqësor për gjithë botën: mirëkuptimin, mirëbesimin, tolerancën, dashurinë, koekzisencën, mirëqenien dhe mbarësinë, pa dallim race, feje, nacionaliteti, gjuhe, besimi, ngjyre, bindjeje, kulture dhe civilizimi.

Jo, vetëm katoliku Edi Rama, por të gjithë liderët e botës me përkatësi të ndryshme fetare nevojitet të ndjekin shembullin humanist, progresiv dhe paqesor të Papa Françeskut, sepse ky Personalitet ngado, dhe, kudo që po shkelë në vendet e ndryshme të botës po mbjell paqe, dashuri, tolerancë, mirëbesim, humanizëm dhe shpresë për të ardhmen e ndritshme dhe të sigurtë për gjithë popujt e botës, pa dallim race, feje, besimi a bindjeje politike. Këso personalitete dhe liderësh humanistë dhe paqësorë me kredibilitet të lartë dhe të pakrahasueshëm i duhen njerëzimit, jo ata që botën e shikojnë ndryshe sipas inetresave të ngushta meskine personale, fetare, partiake dhe ideologjike për të përfituar vetë, familjet, klanet dhe grupet e tyre, jo interesi i përgjithshëm dhe fati i gjithë popujve të botës.

Tema, jashtë “itinerarit” debatues të OKB-së!

Shpalosja e “letërnjoftimit” MULTIFETAR e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në OKB, nuk pati asgjë të përbashkët me trajtimin e temave politike të Asamblesë së Përgjithshme. Veçse ishte një nonsens pa kurrfarë efekti politik dhe diplomatik. Ky farë nonesni politik, do mbahet mend nga asambleisitët e OKB-së, sikurse dikur “këpuca e hedhur në tavolinë” e Nikita s. Krushçovit në vitet e 60-ta të shekullit XX, i cili, në emër të Bashkimit Sovjetik si superfuqi botërore, me diskutimin e tij arrogant dhe kërcënues, deshi që t’i frikësojë pjesëmarrësit e pranishëm.

Ndryshe nga “stili diplomatik i Nikita S. Krushçovit, kryeministri Edi Rama e pati shumë lehtë ta gjente rrugën në “oborrin” e OKB-së, sikur ta ndiqte me vëmendje shembullin e ndritshëm human dhe kosmopolit të Papa Françeskut, jo, së pari, ta “shfletojnte” letërnjoftimin e tij privat multifetar në OKB- si “ Premabulë” imponuese për të hyrë medias res në temat e përcakjtuara debatuese politike të “rendit të ditës”, ashtu siç veproi, me rastin e marrjes së fjalës në sesionin e 70-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (26/09/2015), e cila pikë qendrore të debatit kishte “Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit Tërësor të Armëve Bërthamore”, jo “letërnjoftimin” multifetar të kryeministrit Edi Rama, sepse kjo temë krejt personale private, nuk ishte në axhendën e AP-së së OKB-së.

Pra, temë bosht e dabatit të AP-së së OKB-së ishte mobilizimi dhe gatishmëria për çarmatimin bërthamor në dimensione globale të përbotshme. Angazhimi dhe veprimi i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare në gjetjen e formave dhe mundësive reale për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, për parandalimin e shkaktarëve të ndryshimit të klimës, për parandalimin dhe eliminimin e armëve bërthamore, me qëllim të shpëtimit të gjithë njerëzimit nga shkatërrimi dhe katastrofa e tyre, JO LETËRNJOFTIMI PRIVAT MULTIFETAR i kryemenisttrit Edi Rama, i cili ishte tërësisht jashtë temës debatuese të pjesëmarrësëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai prezentim personal privat, ishte vetëm një lloj humori komik, që asnjërin nga pjesëmarrësit nuk e bëri për të qeshur ose për të duartrokitur për këtë fenomen sui generis në botë, thjesht për faktin se, ky është vetëm një çështje private e Edi Ramës, jo e OKB-së, as e BE-së, as e OSBE-së, përkatësisht as e bashkësisë ndërkombëtare.

Ky farë humori apolitik zbavitës i kryeministrit Edi Rama, nuk “pi ujë” as në OKB, as në BE, as në OSBE, sepse bota nuk është duke përjetuar kurrfarë krize, as katarëze ndërfetare, dhe, assesi nuk është në rrezik të shpërthimit të ndonjë lufte ndërfetare me përmasa botërore, por është e rrezikuar nga politikat e gabuara të liderëve politikë me ambicie dhe me pretrendime për të copëtuar dhe mbizotëruar botën në sfera të ndryshme të interesit gjeoekonomik, gjepolitik dhe gjeostrategjik. Ky është rreziku permanent, jo konfrontimi i botëve të ndryshme mbi bazën religjioze.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 621 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi