Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një "lodër" në kohë të shkuar (tregim)
Publikuar më 02 tetor, 2015 në orën 01:57 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ndodh, nganjëherë, që futesh në një "lodër" ku nuk ke dashur të luash. Futesh dhe, mandej, zë e luan si lojtar titullar. Siç thuhet me gojën e popullit: jep një grosh dhe hyn në valle dhe jep pesëqindë e nuk del dot. Kështu ndodhi dhe me mua.

Këtë histori ma tregoi Behari, një kolegu im. Unë do mundohem që ta sjellë,sadopak, ashtu siç ma ke treguar ai." Qeshë emëruar në fshatin N... Aq larg qe nga vendbanimi im, sa, po ta bëja rrugën të gjithë në këmbë (atëherë makinat qenë të rralla fare), do të doja, pa frikë, një ditë të tërë. Sado që më kishin emëruar larg ( në fshatin tim kish mësues jabanxhinj), do të paraqiteshe në punë, me domosdo. Ndryshe, po mos zbatoje vendimin e komitetit ekzekutiv, pushoheshe menjëherë. Dhe unë si prifti që zuri e kërceu nga belaja, u praqita në punë. Atë natë, përkohësisht, këshilli i fshatit më caktoi të flija tek një fshatar. Qenë vitet '60-të dhe fshati qe kooperativë. Atje ku bujta atë natë, s'kam se si mos vë në dukje pritjen babaxhanëshe (me këto që na ndodhen...) dhe,pa dyshim, varfërinë që binte mirë në sy. Sidoqoftë, që të nesërmen m'u caktua si godinë për të fjetur, një banesë që dikur kish shërbyer për një ushtarak që kish shërbyer aty, në vijën kufitare-detare. Pak kish qëndruar ushtaraku aty dhe, meqë ndërtesa qe bosh, më strehuan mua. Nga shkolla ku jepja mësim, nuk qe fort afër, por kush po ta qante hallin, në ishte afër apo larg. Majfton që të futje kokën, se, sa për ushqim, ishte mensa e kooperativës që qe, pothuaj, ngjitur me shkollën.
Meqë dhoma e fjetjes ishte goxha larg, unë, dhe pasi haja drekën, kthehesha në shkollë dhe, aty, ose lexoja për qejf tim, o shkoja tek "Vatra e kulturës" që,edhe kjo, ishte po ngjitur me shkollën. Parë me një sy të kthjellët, kohën e kisha me pashë. Po si riosh që isha,e jetoja "këtë kohë me pashë", si ta kisha me tepricë. Më kish gjetur si me atë personazhin gazmor të rrëfenjave popullore që e shpotitin me" ku leh qen e ku del tym/ ku ia bën daullja bym!. Them tani që po rrëfehem, i tillë do të ketë qenë dhe ai si unë. Kur them kështu, nuk flas kot. Më gjeje o tek fusha e sportit, o tek vatra e kulturës dhe, pa tjetër, në gjithë veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në fshat. Dhe mos kujtoni se bëheshin pak të tilla. Mjafton që dikush nga rrethi të vinte për "inspektim" dhe ky, dikushi, do kalonte mbrëmjen në fshat, atëherë "për nder" të tij, binin daullet. Daulle vërtet nuk kishte, po kishte orkestër fshatçe dhe luante qeni i kallajxhiut. - Kemi "ballo", ndajnate,- dëgjoja që i thoshin njëra-tjetrës ato, kooperativistet. Ndajnate apo në mbrëmje, po kur t'i shihje si ato "modistet" e sotme që nisen për sfilatë, me të vetmin ndryshim: pa tualet fare. Ashtu siç vinin nga puna dhe, ndonjëherë, edhe me rrobat e punës. As që u bënte përshtypje fare që në një "ballo" do ndryshuar pak garderoba! Po për ç'garderobë flas dhe unë, ku nuk skuqem fare tek rrëfej për një të vërtetë që sot duket si e përçudur. Kishte prej tyre që vinin dhe zbathur. Dëfrenin për shtatë qejfe (sikur gjithë punët i kishin në terezi) dhe, në ndodhej aty kryetari i kooperativës (qejfli i madhe dhe për këto "ballot") dhe t'u bënte thirrje që, ashtu siç ishin në "ballo", të niseshin për aksion (ta zëmë për thyerje misri). pa ngurrim do niseshin drejt dhe atje. Ç'të tregoj, i kam parë me sytë e mi. Por mos harroj vetëm një gjë: vërtet fshati ku më emëruan mua qe larg e larg, mërguar/ tri male kaptuar (mbi 30 km larg nga Fieri dhe, po t'i shtosh faktin që unë shtëpinë time e kam diku në kufi me rrethin e Beratit), por një gjë duhet ta theksoj: tek ky fshat i largët (mes shokësh, thosha:-Më kanë caktuar në një fshat ku ndajnë paratë hajdutët!), të gjitha femrat qenë të bukura, sa të binte syri kllap përdhe. Aq më tepër, në sytë e mi, ato tek shkonin në punë apo dhe në punën e tyre, seç kishin një rrezatim si pak magjik. Epo i riu, si veriu. Mandej, për të qenë pak më i drejtpërdrejtë, sa të bukura qenë, aq intimitet të jepnin. Ndonjëherë, tek i bëja qejfin vetes, thosha:- Ato vdesin për mua!!! Epo kjo këndellja ime prej axhamiu vërtet tani ta çon gojën vesh më vesh, por unë flas për një kohë kur merrja fluturim.
* * *
-Ka " ballo" ndajnate,- më tha Zariku. Kaq qe mjaft për mua. Duke pritur për "ballo", organizova një ndeshje futbolli me nxënësit e shkollës dhe, aty, afër mbrëmjes, shkova në "ballo". "Balloja" bëhej tek lëmi i fshatit, ku në mungesë të korentit, kishin vënë dy "petrogazë" dhe, sa orkestra kurdisej, Zariku, njoftonte:- I thonë "tango", kësajta! Dy çapa para dhe një më mbrapa!
Oho,- dalldisi kryetari qejfli,- qo "laço" qenka si ajo vepra e Leninit. -Tunde, Zarik! Se Zariku qe violinisti i orkestrës dhe hiqej dhe si dirigjent. Epo dirigjent,- i thënçin. Unë në ato "ballo" qeshë si ai djali i njerkës që hante dy vezë. Sa lija njërën nga ato valltaret, kapja tjetrën dhe u nxirja ujtë e zi ballove. Po jo vetëm "ballove". Si pak djall që isha, pothuajëse secilës prej tyre, i bëja propozim. Me demek, jam dashuruar me ty dhe bjerë e vdis. Se, helbete, isha i "sërës" së lartë unë dhe kisha parë botë me sy. Ato, pse do ta bëj hasha, asnjëherë nuk ma prishën ajkën duke më zënë besë. Kjo nodhte jo se unë bëja vezën e kuqe apo se isha ndonjë bukurosh që nuk kishte shokun, por duke më parë me një profesion të lakmueshëm për kohën, mendonin se mund të shpëtonin nga zgjedha e fshatit. Qe pak lojë me zarar kjo imja. Ishe si të luaje me zjarrin. Po mua, aso kohe, më rrinte sahati tetë dhe as e vrisja mendjen për pasojat. Vërtet kështu qe, por jo gjithmonë të shkon kungulli mbi ujë. Se më ndodhi si me atë historinë e katruves: vete çdo ditë me të për ujë dhe, një ditë, të mbetet bishti në dorë.
* * *
Kështu ndodhi dhe me mua. Pas "ballos", një natë, tek po shkoja tek dhoma e fjetjes, më kish zënë rrugën Ura! Kur them Ura,e kam fjalën për Uraninë. E bukur qe si ruspë dhe unë në një nga "ballot", i paskam propozuar. Ajo, pa vënë re, në e kisha seriozisht atë "propozimin", më kish zënë pritë dhe donte të ndante fjalën:-Po apo jo?
Sado natë, u befasova nga një "pritë" e tillë dhe rruga m'u duk si me gropa. Më duket se po korrja atë që mbolla. Doja ta largoja, si pak me politesë Urën, po nuk largohej lehtë ajo. Tani jo vetëm nuk po kërceja "ballo", po ndjeja sikur po më shkelte dikush në kallo. Mbaj mend që i thashë:- Urë, unë të dua, por ç'e do: unë jam mysliman dhe ti je e krishtere. Po Ura nuk qe dhe aq e pagojë dhe ma këputi si me sëpatë dardhari:-Pse atje, në "ballo", nuk ishe mysliman ti? Nuk kisha se nga mbaja. Ngeci, karkaleci! Atëherë si për ta bërë pak më të lehtë atë "dhëmbjen mbi kallo", i premtova Urës se, pas pak kohe, do ndërhyja tek prindërit e saj për ta marrë për grua. Natyrisht, kjo qe vetëm një "lodër" imja, sa për të fituar pak kohë. Dhe në gjithë këtë histori ku "sherrin" e kërkova vet, ja se si ndodhi më vonë.
* * *
Kur i premtova Urës, shkollës, për atë vit, po i vinte fundi. Unë kisha tri vjet aty, tek fshati i "ballove", dhe kisha kërkuar transferim. Për fatin tim të mirë dhe të keq për Urën, gushtin e atij viti , kur fillonte viti i ri shkollor, mua më transferuan në fshatin tim. Po atë vit dhe u martova me një mësuese, të njohur prej kohësh. Me fshatin e "ballove" nuk më lidhte më gjë dhe,siç kuptohet,as me Uraninë që e "mashtrova". As që do ta tregoja këtë histori, po të shkonte deri këtu.
* * *
Kur takoja ndonjë të njohur, ashtu si me terezi pyesja dhe për Uraninë. Nuk e di pse më mori dreqi mendtë dhe e mashtrova, kur fare bukur mund të qe bashkëshortja ime. Epo thashë se mos do ta shoh më. Kur shtrova timeshoqe për lindjen e dytë, në maternitetin e Fierit, po prisja të më njoftonin për lindjen. Jam befasur dhe gati u hodha përpjetë, kur një mami kërkoi, të shoqin e Teutës (Teutë quhet imeshoqe).- Kush është i shoqi i Teutës?- pyeti mamia.
-Jam unë,- u përjgigja flakë për flakë.
Ndërsa ajo zgjati kokën përmjet sportelit, unë nuk e doja veten më. Mamia që më jepte lajmin e gëzueshëm që imeshoqe kish lindur djalë, ishte Ura! Ajo, sa më pa, u bë e kuqe flakë dhe mua sa nuk më ra materniteti mbi kokë.
-Jotshoqe ka lindur djalë,-tha. Dhe iku sikur të kishte bërë faj. Mua më doli gëzimi nga hundët dhe, sa herë e kujtoj atë"lodër" të kohës së shkuar, pezmatohem dhe mrolem nga një faj që nuk ia fal vetes kurrë.

Përparim Hysi

Tiranë, 23 shtator 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 564 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi