Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Feniksi”, kërkonte një ringjallje më 1972, kërkon ringjallje përsëri “Feniksi i ri”
Publikuar më 08 tetor, 2015 në orën 12:51 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
“Feniksi”, kërkonte një ringjallje më 1972, kërkon ringjallje përsëri “Feniksi i ri”
Agim VINCA, “FENIKSI” (Poezi, Ribotim), KREK, Prishtinë 2014

Agim Vinca lindur më 22.05.1947, Veleshtë, Strugë (Maqedoni), i dëshmuar deri më tani si një nga poetët më të dalluar bashkëkohorë të letërsisë shqipe. Është një poet, kritik letrar, historian i letërsisë, dhe profesor universitarë.

Në vëllimin poetik “Feniksi”, të cilën e realizuan në kuadër të Redaksisë së botimeve “Flaka e vëllazërimit”, në Shkup, më 1972, e ribotuar nga “Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës”, në Prishtinë, më 2014, 42 vite pas botimit të parë, ku ribotimin e sjell në kuptimin e plotë “Feniksi-n”, sepse tani vjen dhe ribotohet nga rinia dhe e pa censuruar, vjen edhe me vargjet e poezisë “Letër vëllait”, e cila është shkruar më 1969, kur autori ishte student, për të cilën nuk kishte lejuar Sigurimi Shtetërorë të botohej më 1972.
Cili ishte motivi apo shtytja e KREK-ut, për ta ribotuar “Feniksi-n”, besoj se e ndjenë se autori (profesor Vinca), në këto vargje shkruante i çiltër, i hapur dhe i pa ngarkuar me agjentura shtetërore dhe politike, d.m.th ai ishte vetja, ndoshta ishte edhe arsyeje shtesë se ky ishte libri i parë i autorit.
Edhe pse autori ende nuk mund të thuhej se ishte formuar në aspektin shkencor (vazhdonte studimet bachelor – master), por poeti lind, andaj edhe për të ishte një portë e hapur ky botim.
Janë dy elemente që dua t’i potencoj, e para vlera letrare, gjuhësore dhe artistike, që janë në çdo varg te “Feniksi”, ndërsa e dyta se ky poet premtues i kohës ishte i ri, i pashëm, flokë zi, për të cilat nuk do i rrinin gjithnjë, pasi Vinca, nuk ndalej së shkruari, këtë e bënë edhe dje, sot, dhe …., por flokët dhe mjekra i vazhdojnë së thinjuri çdo ditë.

Urojmë edhe shumë botime dhe ribotime tjera, pasi vlerën letrare-gjuhësore dhe artistike që e solli profesor Vinca, e shumë autorë tjerë të gjeneratës, kanë lënë rrënjë të thella, të fuqishme dhe të pa cënueshme.
Vetë autori e thekson se ka qenë e vështirë të gjendesh në përpjekje të ndryshimeve letrare, dhe nuk ka qenë e lehtë të gjendet mesi, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sa i përket krijimtarisë letrare, pasi që në Kosovë shkruhej lloji i poezisë pa identitet dhe vargje të mbyllura
Vlenë të theksohet se vargjet dhe mënyra artikuluese e profesor Vinces, ishte frymëzim dhe fuqi për autorë tjerë të gjeneratës, por jo vetëm (sepse autori edhe sot është shembull).
Përmes vargjeve tek “Feniksi”, autori tenton ta ringjall ndjenjën e të menduarit dhe të vepruarit, pas mbetjes në harresë nga sundimi i huaj.
Në mos më shumë ai ishte prijës i zbërthimit më të thellë letrar, më depërtues deri tek lexuesi, përmes vargjeve të pa ngarkuara, siç e thotë Dritëro Agolli për Agim Vincen.
Vinca ishte person që nuk i ka menduar pasojat e sigurimit shtetërorë dhe politik të kohës, e po i tillë ka qenë dhe është ende.
Ai ishte vetëvetja në të menduar, shprehur dhe në vargje. Vinca nuk ju bënte qefin askujt në artikulime dhe vargje letrare, nuk botonte me porosi (nuk ishte dorë e zgjatur e pushtetit), por nuk botonte as me pagesa (pagesa nga agjentura shtetërore apo politike të kohës).
Vinca ishte promotor i mbrojtjes dhe avancimit të vlerave letrare shqipe në trojet e copëtuara të Shqipërisë, por edhe tek mërgata shqiptare anekënd botës.
Përpjekjet e poetit për t’i shërbyer kombit, nuk kanë qenë të vogla, madje ai ishte bërë halë në sy edhe te Sigurimit Shtetëror maqedonas, pikërisht për vargjet e tij që shprehnin atdhedashurinë, ndër to ishin vargjet “Letër vëllait”, këto vargje i kishte dorëzuar për botim të vëllimit poetik “Feniksi”, por që nuk ishin botuar këto vargje dhe kjo poezi, mbase arsyet nuk ishin të qarta atëherë (më 1972, kur ishte bërë botimi i “Feniksi”, pa poezinë “Letër vëllait”), për arsyen e mos botimit, autori mësoj më vonë, kur ju prezantua gjatë marrjes në pyetje nga Sigurimi Shtetëror maqedonas, duke e akuzuar ndër të tjera edhe për këtë letër (pra për “Letër vëllait”), ku ata e akuzonin për përmbajtjen e atdhedashurisë që ka kjo letër e shkruar si student nga autori më 15.03.1969.

Analizimi i kësaj situate nuk donë shumë për të menduar dhe kuptuar se autori Vinca (por edhe autorë tjerë të kohës), u përballën edhe me denoncime dhe spiunime nga “vëllezërit” të cilët ishin “shqip folës” (të ashtuquajtur) mjerisht, kjo kishte ndodhur edhe në rastin ku kryeredaktori ia kishte ofruar “Letër vëllait”, Sigurimit Shtetëror maqedonas dhe nuk e kishte lejuar që të jetë pjesë e “Feniksi-t”, këtë e kishte bërë pa dijeninë e autorit Vinca.
Duke analizuar rrugëtimin e profesor Vinces, ndër vite, vërejmë se këto ndërhyrje, maltretime dhe censurime, autorin e bënë më të fuqishëm, më argumentues dhe më artikulues të vargjeve shqip, të themi më drejtpërdrejt e bënë shumë më shumë atdhetarë dhe kombëtarë, (jo vetëm Vincen, por dhe lexuesin e vargjeve të tij), nuk e vëmë në dyshim se ai ishte i tillë (atdheu dhe kombi buronin dhe i kishte trashëguar nga familja dhe rrethi familjar).

Kapitulli “FENIKSI”: “Feniksi”, shkëputje të vargjeve: “Syrin-pishë, zemrën-barut”, “Zog i stuhive! Kurrës`t`u shëruan plagët, kurrë s`t`u mbyllën qerpikët! Me nëntorin u nise drejt bardhësive.”, “Feniksi do diell! (Njërëz lexoni) Diell, diell, diell! Ligjërojnëvoglushët me abetare, dëgjoni, dëgjoni...:”,“Feniksi përsëri fluturon”, shkëputje të vargjeve: “Dhe i ranë Feniksit të gjorë me gurë, me plumb, me zjarr dhe qafën ia vunë në litarë. As "of", as "lele", as lot: Të vërtetën nuk e vritni dot!”, “Dhe e shpunë Feniksin martir në zjarr. – Të digjet – thanë. Të humbasë! Po hiri i tij i përvëloi dhe vazhdën e ndritur la pas Feniksi përsëri fluturoi.”,“Një Feniks i ri”, shkëputje të vargjeve: “Ka rënë në fole të tij ky Fenisk i ri, që s`digjet më kur i mbush njëqind, (as) kur i mbush një mijë!”, pra në këto vargje trajtohet tematika mbi Feniksin, mbi ringjalljen e Feniksit, por që e frymëzojnë lexuesin në ideale kombëtare dhe frymëzimi në ringjalljen kombëtare, duke u ndier zot në shtëpi Feniksi i ri, duke përdorur figura “syrin, zemrën, barutin, zogun, plagët, diell, nëntorin”, “me gurë, me plumb, me zjarr, në litarë, të digjet, të humbasë, përsëri fluturoi Feniksi”, “fole të tij, që s`digjet, njëqind, njëmijë”.“Kështjellë e lashtë”, shkëputje të vargjeve: “Në damarët e saj rrjedh gjaku im dhe i birit tim t`palindur.”, pra në këto vargje trajtohet rrugëtimi i popullit në këto troje, duke mbrojtur truallin me gjakë. “Ushtar i ri në kështjellën e lashtë”, shkëputje të vargjeve: “Ti hyre me guxim, bir betejash kreshnike, që me zëmër, pa bombë, u sule mbi artilerinë e rëndë armike”, “me abetaren nën sqetull dhe pushkën e gjatë (pushkën s`e hoqe kurrë nga dora!)”, pra në këto vargje trajtohet fuqia e secilit që me gjoks mbrojtën pragun e shtëpisë., gjithashtu autori përdorë dy figura të fuqishme, librin (abetaren) dhe armën, çka na bënë të mendojmë se autori është gjithnjë paqedashës, por nuk e ka përjashtuar asnjëherë edhe armën për t’i mbrojtur trojet tona. “E urrej heshtjen”, shkëputje të vargjeve: “S`më pëlqen kur zogjtë pushojnë së kënduari”, “s`më pëlqen kur rrugët pushojnë së jetuari”, pra në këto vargje trajtohet heshtja dhe vdekja e gjallërisë së rrugëve, autori luan me dy tema që janë sa të thjeshta aq të thella në të menduar, heshtja kolektive dhe kombëtare, për të cilën autori gjithnjë e ka ngritur zërin në ringjallje, por edhe porosia tjetër në mos zbrazjen e rrugëve, ndërtimi i këtyre vargjeve në vitet e 70-ta nënkupton protestat dhe gjallërinë në rrugët me të rinjt. “Në shtëpinë e De Radës”, shkëputje të vargjeve: “Ballkoni ku mbrëmjeve rrinte poeti dhe priste frymëzimin t`i vinte nga deti.”, në këto vargje trajtohet mënyra se si frymëzohej për të shkruar një autor i madhë i letërsisë shqipe. “Në shtëpinë e De Radës Variant”, shkëputje të vargjeve: “Ja dhe ballkoni ku net të tëra kalonte poeti në vetmi zemërzhuritur, sytë drejtuar përtej detit, në Arbëri.”, në këto vargje trajtohet mënyra e jetës të një autori të madh, që në artikulimin e tij shihte gjithnjë përtej asaj që shihej dhe ishte në sipërfaqe. “Letër zotit”, shkëputje të vargjeve: “I kisha shkruar letër Zotit dhe i kisha thënë: o Perëndi, eja njëherë, pashë besën, hyn në ndonjë kishë, në ndonjë xhami falu dhe ti!”, pra në këto vargje trajtohet tema e komunikimit me krijuesin, duke bërë lutje dhe duke e ftuar që të merr pjesë në xhami apo kishë, pra në këto vargje autori ka trajtuar fuqinë e tij, besimin e tij dhe të menduarit e tij, duke i parë vargjet e tij përtej ndarjeve fetare, pra duke ju drejtuar dashamirësve të letërsisë shqipe. “Porosia e një luftëtari”, shkëputje të vargjeve: “Një rënça në luftë, në këtë luftë të gjatë, të pasosur; më lini të fle në tokën time të dashur, në gjirin e saj të prehem më lini mua, hoxhë as prift dua t`më bëjnë s`dua, mos luteni për shpirtin tim.”, “Më lini, vetëm më lini të fle në këtë truall, te këta gore; mos më mbështillni me qefin, po me flamur!”, këtu trajtohen lutjet që kemi pasur gjithnjë si popull, si komb për fqinjët tanë për të na lënë të jetojmë në token tonë martire dhe të vuajtur, pra të kemi lirinë, dhe lutjen për tu mbështjellë me flamur, kjo tregon dashurinë për atdheun.

Kapitulli “ANËS LIQENIT”: “Anës liqenit”, shkëputje të vargjeve: “Anës liqenit qëndron ai shkëmb, asgjë s`e tremb, asgjë s`e shemb.”,“Mendimi mbi urë”, shkëputje të vargjeve: “Me urat lidhim miqësi nga njëri breg në tjetrin breg”, “Baladë kurbeti”, shkëputje të vargjeve: “E ai kur shkoi s`mori me vete asgjë, asgjë pos krahëve, pos duarve, pos këmbëve. Kur u kthye s`i kishte as ato!”, “Fshatarët”, shkëputje të vargjeve: “Kemi shirë ëndrrat, kemi shirë dëshirat, ditët dhe vitet i kemi shirë”,“Hakmarrje”, shkëputje të vargjeve: “Kush qe ai, kush, kush?! Është gjaku që thërret.”, “Vargje të shkruara në autobus”, shkëputje të vargjeve: “Gërric çasti i ndarjes si akrep i trishto. Mirë mbetsh, o Dri` i Zi!”, “E kujtoj mësuesin”, shkëputje të vargjeve: “Pat ikur mësuesi im në Turqi, unë abetaren e laga me lot.”, “Dëgjoja zërin e tij tëdashur”, “"E di çështë mërgimi, ti Agim?"”, pra në këto vargje trajtohet figurat e natyrës, që në mënyrë mjeshtërore autori i ka përdorur, duke mos i ngarkuar me ngjyrime dhe estetikë, vargje të thjeshta dhe shumë të kapshme për t’i kuptuar lexuesi. Po ashtu, i ka shkruar edhe kurbetit, që sipas autorit kanë lënë gjurmët nëpër vendet e huaja, duke e trajtuar edhe në vargjet për mësuesin i cili ka emigruar. Vargjet janë sa të thjeshta në të lexuar, aq të thella në tematikën dhe mesazhin që bartin në vete.

Kapitulli “PËRDERËSI I DASHURISË”: “Histori dhe dashuri”, shkëputje të vargjeve: “Kështu ka qenë dhe do të jetën`logt`historisë, shumë gjëra kanëndrruar nëjëtë pos dashurisë.”,“Histori zemrash”, shkëputje të vargjeve: “Atë natë çdo gjë heshte. Çdo gjë. Veç liqeni ishte i trazuar”, “të kujtohet kur unë të pata thënë për herë të parë: Të dua! E ti, në vend të përgjigjes m`i afrove buzët e tua.”, “Rreshkemi në diell unë dhe ti”, shkëputje të vargjeve: “Drini rrjedh ngadalë liqeni kotet në qetësi qielli puthet me valë, kaltërsi... kaltërsi...”, “Këngë strugave”, shkëputje të vargjeve: “Ti dhe e bukura valë më flisni të njëjtat fjalë.”, “Atë ditë nëntori binte shi”, shkëputje të vargjeve: “Por nuk fshihet dot jeta, nuk fshihen kujtimet, nuk fshihen, nuk fshihen!...”, “Sot përsëri bie shi”, shkëputje të vargjeve: “Sa kisha dashur të hyj në dhomën tënde, tëtë shoh ç`bën, si qesh, si nusëron, qan apo aktron...?!”, “Letër e asaj”, shkëputje të vargjeve: “Ato letra, që dikur më sillnin blerim e kaltërsi, që në mes të dimrit më ndiznin zjarr në gj”, “Vetëm ti më do pa hile”, shkëputje të vargjeve: “Vetëm ti mund të më dashurosh aq madhërisht, vetëm ti.”, “Vetëm ti më do pa hile. Vetëm ti o Nënë, vetëm ti. Në këto vargje trajtohet ajo më e rëndësishmja që sipas autorit është dashuria, ku në vargjet për dashurinë autori derdh çdo gjë, mendimet, imagjinatën, dhe ndjenjën e tij, e më miri i shkruan vargjet që ja dedikon nënës.

Kapitulli “DY POEMA”: “Vargje për Veleshtën”, shkëputje të vargjeve: “Jam unë, biri yt, Veleshtë, unë – biri yt shkollari.”, “Ndërsa mua, nga dashuria me ty, më lindi kjo poezi.”, “Velështa ime duarplot dhe pa asgjë në dorë!”, “Jam unëVeleshtë, unë biri yt poet (ndoshta veç shpirtin e kam t`poetit)”, “Po vij në pushime. Me një valixhe librash dhe ëndrrash, po vij.”, “Kosova në vitet shtatëdhjetë”, shkëputje të vargjeve: “Një dridhje e lehtë përshkon shtatin tënd, Kosovë”, “Një lajm i ri, një lajm i madh: në faqet e gazëtave, në valët e radios, në minierë, në fabrikë, kudo: Huajapër shkolla (Thirje për dritë!)”, “,,Amanet, sokolat e mi, një shkollë tëndertoni për shpirtin tim!”, “Në rrugët tua Kosovëvraponjnë: Fëmijë me libra në dorë, voglushë me abetare”, “Armatë e re, që për çdo dot me kondakun e penës errësirën godit!”, “Vitet shtatëdhjetë. Alarm!”, pra në këto vargje trajtohet tematika e rikthimit, fshatit, fëmijërisë dhe zhvillimit personal, duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen dhe ëndrrat e tij.
Po në vargjet për Kosovën, autori vërtet qet në pah si një i ri sa shumë ndjenë për vendin e ndërtimit të tij intelektual e njerëzor, të gjitha figurat dhe sinonimet që i përdorë i drejtohen mësimit (siç e quan autori ”Thirje për dritë!”), duke përdorur gëzimin dhe thirrjen për edukim, emancipim dhe zhvillim të vendit dhe popullit të cilit i përket autori.
Kapitulli “VJERSHA E NDALUAR”: “Letër vëllait”, shkëputje të vargjeve: “Dallgët të sulmonin, thanë: vëlla, priti, qëndro i pamposhtur, ballëlart, krenar! Kuptova qenkan tërbuar n`atë anë do erëra, që duan gjer nëpalcë të fusin acar, frikë, por jo! ashti ynë i fortë është, o vëlla barrë e vuajtje duron pa u ligë.”, “Sokrat i vuajtur, jo derr i kënaqur!”, “Përbuzja e budallenjve mos të t`lodhë aspak, as zëri i qenve që për një koc të thatë çirren duke lehur. Të veshur në frak do ngordhin ata, nuk e kanë të gjatë.”, “Ti je një Promethe që në vend të dhuratës merr ndëshkim, se jeta, vetë m`ke thanë, është luftë, është beteje.”, në këto vargje trajtohet përpjekjet e poetit për t’i shërbyer kombit, me vargjet e tij që shprehnin atdhedashurinë, siç janë vargjet “Letër vëllait”, këto vargje i kishte dedikuar vëllait (autori ju kishte drejtuar secilit bashkëkombës të tij, pra këto vargje autori i ka shkruar për të shprehur përkrahjen për qëndresën kombëtare dhe duke tentuar që ta ringjallë ndjenjën e të menduarit dhe vepruarit për kombin, pasi koha në të cilën ishin shkruar këto vargje ka qenë shumë domethënëse për kombin tonë, kanë qenë vitet e 70-ta.

Profesor Agim Vinca, në ribotimin e librit theksoi: “Këtë libër e botova kur isha i ri, tani pas aq vitesh po e ribotojmë këtë me kërkesën e kohës dhe me kërkesën e rinisë”. Pas mitit të ringjalljes, mitit të qëndresës, me figurat si kështjella, shkëmbi, lumi, bregu etj., në vëllimin poetik “Feniksi”, poeti ka ndërtuar mitin e qëndresës, virtytet të cilat i përdorë me mjeshtëri autori.
Poezia e autorit Vinca është me tematikë, e thellë, depërtuese dhe me mesazhe të qarta për atë që e dedikon, pra lexuesin i cili vargjet i ndjenë në shpirt/zemër.
Duke përdorur atdheun, vendlindja dhe familja, autori këtë e përbën si një armë të fort tek lexuesi, sidomos të lexuesit (shqiptarëve), pasi që i prekë në dashurinë, përpjekjet për liri dhe sakrificat që i kanë shoqëruar trevat tona, duke mos u vërejtur dallimet fetare, sociale, kulturore etj, duke i parë të gjithë lexuesit si persona që i kontribuojnë shoqërisë dhe duke i vlerësuar përpjekjet shekullore për liri. Autorin Vinca e karakterizon sidomos aspekti i të menduarit, dhe të vepruarit human, siç është rasti edhe në vargjet e “Feniksit”, intelektual në të vepruar.
Pra, autori dhe profesori Vinca është vlerësuar si poet i idealit kombëtar dhe një poet human (mbrojtës i të drejtave të njeriut)”, duke e pasuruar poezinë shqipe me thjeshtësitë që i ka përdorur në secilin varg, ku akademik Rexhep Qosja shprehet se Agim Vinca është “intelektual që jetën dhe punën ia ka kushtuar ardhmërisë së popullit të cilit i takon”.

Pjesëmarrës aktiv në ngritjen e vlerave njerëzore, letrare dhe humane. Pse këto vargje janë kaq domethënëse për rilindjen, sepse rrjedhin pas demonstratave të vitit 1968, ku autori ishte pjesëmarrës.
Përballje me aparaturën shtetërore, nuk kanë qenë të vogla për autorin, duke e quajtur “nacionalist”, duke e larguar nga universiteti, dhe duke e burgosur. Përfaqësimi i tij i denjë në mbledhjen e OKB-së, në “50 vjetorin e Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut”, ku profesor Vinca, ka përfaqësuar dhe ka kërkuar që të respektohen këto të drejta edhe për shqiptarët. Patriotizmi i tij dëshmohet edhe në liri, atëherë kur jep dorëheqje nga posti i lartë udhëheqës në Arsim, sepse nuk pajtohet me politikat e misionit të UNMIK-ut për arsimin, pra si gjithnjë Vinca, del përtej mendimit të ngushtë dhe interesit personal, kjo është edhe një arsyeje për ta kuptuar ndërtimin intelektual të tij (në Kosovë nuk ka shembuj të tillë të dorëheqjeve).
Profesor Vinca në vargjet e tij tek “Feniksi”, hap zemrën e çiltër dhe mendjen e hapur në secilin varg, që nga fillimi e deri tek fundi, që e bënë depërtimin më të lehtë deri tek lexuesi.

Florim Shatrolli

(Autori vazhdon studimet Master në Letërsi Shqipe, drejtimi Shkencor)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 1,177 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi