• Mbështetja për themelimin e Shoqatës u mor gjatë vizitës në Kullën e qëndresës shqiptare të familjes Jashari, si dhe në familjen Meha në Prekazin legjendar
Komisioni i Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit në një takim të rregullt vendosi që të themelojë Shoqatën e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit. Kuvendi themelues i Shoqatës do të mbahet më 21 nëntor në Prishtinë. Edhe Bacë Rifat Jashari, gjatë vizitës që Komisioni kohë më parë pati në kullën e qëndresës shqiptare të familjes Jashari, i dha mbështetje të plotë themelimit të saj, ndërsa pastaj në mbledhjen që u mbajt në kullën e rezistencës së Tahir Mehës u vendos themelimi i Shoqatës. Krejt kjo bëhet për shkak se edhe 16 vjet pas luftës çlirimtare në Kosovë institucionet qeveritare kanë anashkaluar plejadën e dëshmorëve të kombit të rënë në periudha dhe në forma të ndryshme për liri dhe pavarësi.
Po ashtu, me qëllim të sensibilizimit edhe më të madh të opinionit dhe për të bërë presion në institucionet qeveritare të Kosovës, u vendos që më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizohet një protestë paqësore, me kërkesë të vetme që dëshmorët e paraluftës të njihen dëshmorë të kombit sipas Ligjit aktual, i cili faktikisht i njeh dëshmorë edhe të gjithë të rënët në periudha dhe forma të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por që ende Komisioi Qeveritar për Verifikim nuk i ka futur në listë si të gjithë dëshmorët e tjerë.
KFHDK fton të gjithë qytetarët, veprimtarët e të gjitha periudhave të marrin pjesë në protestë, duke mbështetur kërkesat e arsyeshme, thuhet në kumtesën e Komisionit të Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK).
Nga aktiviteti i KFHDK-së
|