Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Sa për kujtesë zotit Vangjel Tavo
Publikuar më 15 nntor, 2015 në orën 19:26 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, para pak ditësh në Sarandë dikush kishte djegur flamurin grek të “Omonias”. Lidhur me këtë ngjarje, në një të përditshme të Tiranës, ishte botuar një deklaratë e deputetit Vangjel Tavo. Në atë deklaratë thuhej:
“Kërkoj nga strukturat e policisë që të zbardhin plotësisht këtë ngjarje, të identifikojnë autorët e saj, të cilët duhet të ndëshkohen nga drejtësia për këtë akt të rëndë ndaj simbolit të një vendi fqinjë dhe aq më tepër mik shekullor i Shqipërisë” (Citohet sipas: “Tavo: Drejtësia të zbardhë djegien e flamurit grek në Sarandë”. Gazeta “Koha Jonë”. 12 nëndor 2015, f. 6).

Me këtë rast, e quaj të arsyeshme të theksoj se djegia e flamurit grek nuk është një gjest që e nderon atë apo ata që e kanë kryer. Sepse me djegie flamujsh të huaj nuk zgjidhet gjë. Për më tepër që në kodin moral të shqiptarëve nuk ka qenë traditë fyerja e simboleve kombëtare të vendeve të huaja. Prandaj ky gjest është i dënueshëm dhe ata që e kanë kryer këtë akt duhet të përgjigjen para drejtësisë. Megjithatë, nga ky rast nuk duhet të vëmë kujën se flamuj vendesh të huaja digjen gjithandej nëpër botë dhe kjo nuk është ndonjë hata e madhe. Por në ndërhyrjen e deputetit Vangjel Tavo për ngjarjen në fjalë, më bëri përshtypje të thellë ajo pjesë e deklaratës së tij, ku ai Greqinë na e konsideruaka, demek, “mike shekullore të Shqipërisë!!!”.
Me këtë deklaratë, deputeti Vangjel Tavo shtrembëron të vërtetat historike në marrëdhëniet e shtetit grek me Shqipërinë. Më vjen keq që ai u ofron lexuesve, sidomos brezit të ri të vendit tonë, thjesht një të pavërtetë . Sepse e vërteta qëndron krejt ndryshe. Se Greqia kurrën e kurrës nuk ka qenë “mike shekullore” e Shqipërisë, ashtu siç nuk është edhe në ditët tona.
Le të flasim me gjuhën e fakteve, duke u mbështetur në disa burime shkencore, në të cilat zbulohet natyra egërsisht armiqësore e Greqisë shoviniste ndaj vendit tonë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Si burime kryesore më kanë shërbyer:
“Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”. Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002.
“Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë”. Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë, 2004.
Autor i këtyre dy vëllimeve prej mbi 1000 faqesh, është Prof.dr. Beqir Meta, historian, drejtor i Institutit të Historisë.
Përveç këtyre dy burimeve, janë shfrytëzuar edhe vepra të personaliteteve të tjera të shquara të historisë së kombit shqiptar, si Faik Konica, Eqrem bej Vlora dhe Sejfi Vllamasi.
Le t’i marrim faktet me radhë.
Së pari, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shovinist grek, tamam si bandit, dërgoi në ujërat e Gjirit të Vlorës kanonieret e veta dhe filloi bombardimin e qytetit, duke prerë, në të njëjtën kohë, edhe kabllon e lidhjes telegrafike me Italinë (shih: Eqrem bej Vlora. Kujtime, 2, f.18, 21-22).
Së dyti, në vitin 1913, kur populli shqiptar, ende i paorganizuar mirë në një shtet të centralizuar, për shkak të pazareve që po bënin Fuqitë e Mëdha në Londër për copëtimin e trojeve tona etnike, shteti shovinist grek shfrytëzoi pabesisht rastin për të kryer barbarizma në Shqipërinë e jugut. Ja se çfarë shkruan Faik Konica për ato çaste tragjike në një letër që u dërgonte nacionalistëve Dervish Duma dhe Andon Logoreci, më 6 dhjetor 1940: “Nuk do t’ju mërzis duke iu referuar historisë së shkuar, për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë Jugore.., që do t’ju rifreskojë kujtesën rreth barbarizmave greke të vitit 1913: vrasje të shumta, djegie sistematike, përdhunime pa numër, madje edhe vajzash nën 15 vjeç” (vëllimi 4, f.276-277).
Së treti, me fillimin e Luftës I Botërore, shteti shovinist grek organizoi pabesisht në Jug të Shqipërisë të ashtuquajturën “lëvizje popullore” dhe formoi “Qeverinë Autonome Vorio-Epirote”, me qëllim që, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 11-12 gushtit 1913 për përcaktimin e kufijve jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë (edhe pse Greqisë i ishte aneksuar një ndër “thelat më të majme” të trojeve shqiptare - Çamëria), të realizonte aneksimin e “Epirit të Veriut”. “Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga qeveria greke, vënë në veprim prej saj, e paguar prej saj, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht prej saj” (Sejfi Vllamasi. Ballafaqime politike në Shqipëri. 1897-1942, f.73). Dhe “ndërkaq “bandat vorio-epirote” (8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt) kryen masakra të tilla të turpshme, që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve, siç tregojnë kronikat e Mesjetës” (Eqrem bej Vlora, po aty, f.39). Madje ushtria greke, në kulmin e Luftës I Botërore, e ripushtoi Shqipërinë e Jugut “dhe në mars rë vitit 1916 Greqia e shpalli, me dekret mbretëror, aneksimin e saj…” (Tensioni greko-shqiptar…, f.20).
Së katërti, pas Luftës I Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Fuqitë e Mëdha përsëri po diskutonin për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë mes ortodoksisë sllavo-greke, gjë që s’u realizua falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Uillson, kryeministri shovinist grek, Venizellosi, “u përpoq me të gjitha forcat të fitonte bekimin për realizimin e ambicieve territoriale në kurriz të Shqipërisë. Më 13 shkurt 1919 ai i kërkoi Konferencës aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia” ( po aty, f. 22).
Për realizimin e qëllimeve të veta aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut, pikërisht në çastet e luftës për mbijetesë të kombit shqiptar, shteti shovinist grek ka vënë në funksionim edhe mekanizmin e shpifjes, e cila në Greqi është një “shkencë” me arritje shumë të shënuara. Falsifikimi i së vërtetës, mashtrimi dhe shpifja kanë qenë dhe mbeten tipare karakteristike të kodit moral të diplomacisa greke. Zhan Zhak Ruso thotë: “Të gënjesh vetveten për përfitime personale do të thotë të bësh një falsifikim, të gënjesh për një tjetër njeri do të thotë të mashtrosh, kurse të gënjesh me qëllim që të dëmtosh dikë do të thotë të merresh me shpifje”. Dhe shovinizmi grekokaragjoz ka shpifur pikërisht për ta dëmtuar kombin shqiptar. Kështu, Faik Konica, në një letër që i dërgonte Fan Nolit më 26 gusht 1940, e njoftonte si më poshtë: “… po ju komunikoj juve një lajm me rëndësi, nga një burim diplomatik grek i sigurt: Greqia ka përgatitur një memorandë për Konferencën e Paqes, ku do të provojë se Shqipëria është bërë një vatër panislamike dhe një sukursalë e Mustafa Qemalit” (vëll.4, f. 218). Pra, diplomacia greke, për të “shpëtuar” Evropën nga “krijimi” i një vatre “panislamike” shqiptare, kërkonte që Shqipërinë ta fuste në “gjirin” e ortodoksisë greke. Gjynah që s’ia dëgjoi fjalën presidenti Uillson! Greqia për “të mirën” e krishtërimit evropian “po përpiqej”!
Në një informacion të ambasadës sonë nga Moska për Behar Shtyllën, datë 8 tetor 1956, thuhej: “MPJ e B. Sovjetik i ushqeu shpresat e udhëheqjes shqiptare se mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë ishin reale. Ajo njoftoi ambasadorin shqiptar në Moskë, se nga bisedimet me deputetët grekë dhe me të dërguarin special të qeverisë greke, kishte arritur në konkluzionin që tani Greqia dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Shqipërinë, porse ajo gjente kundërshtim nga amerikanët” (Shqipëria dhe Greqia…, f.125).
Një shpifje tipike greke kjo, sa e poshtër, aq edhe cinike, që kishte si qëllim pikërisht armiqësimin edhe më shumë të Shqipërisë me SHBA. Po si qëndronte e vërteta? SHB vazhdimisht kanë qenë për normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, jo vetëm sapo mbaroi lufta civile atje, por edhe në vijim, deri sa ato u vendosën faktikisht më 6 maj 1971. Le t’u drejtohemi fakteve që hedhin poshtë shpifjet e ulëta greke: “Ambasadori amerikan (në Beograd më 1949 - E.Y.) Kanon pohonte: “Ne do të presim që zhvillime të tilla të bëjnë të mundur marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… dhe ta orientojmë Shqipërinë nga Perëndimi” (Tensioni greko-shqiptar…, f.625). Ja edhe një tjetër fakt i vitit 1963, që hedh poshtë shpifjen greke: “Me qëllim që Shqipëria të hapej drejt Perëndimit, amerikanët e mirëprisnin një dialog të saj me vendet perëndimore. SHBA dëshironin marrëdhënie të reja tregtare dhe, gradualisht, të zgjeronin njohjen diplomatike të Shqipërisë, duke pasur parasysh që kjo njohje të bëhej edhe nga Greqia” (Shqipëria dhe Greqia…, f.197). Ja edhe një fakt i tretë i vitit 1966: “Qeveria amerikane e konsideronte çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë si një vendim, që duhej ta merrtë vetë qeveria greke, në bazë të interesave të saj dhe se qeveria greke ishte në gjendje të gjykonte për perspektivat dhe rrjedhojat më mirë se Vashingtoni. Qeveria e SHBA, as në të shkuarën, dhe as në të ardhmen, nuk kishte kundërshtuar dhe nuk do të kundërshtonte përpjekjet e qeverisë greke për të hequr gjendjen e luftës dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike” (po aty, f. 200).
Ja edhe një tjetër shpifje e vitit 1966 kundër Shqipërisë nga arsenali i shpifografisë greke, që kishte për qëllim armiqësimin e Evropës me Shqipërinë, një shpifje e fëlliqur kjo, që mbështetej edhe nga Moska, “mikja” e deridjeshme e popullit shqiptar:
“Ndërsa Tirana po përsëriste ofertat për normalizimin e marrëdhënieve, shtypi grek ngriti në këmbë opinionin vendas mbi rrezikun që i kanosej Greqisë dhe Evropës nga instalimi i raketave kineze në territorin shqiptar… Ajo (Shqipëria - E.Y.) u krahasua me rrezikun që paraqiste Kuba për SHBA. Gazeta “Eleftheros Kosmos” theksonte se… ekzistonte mundësia që Kina komuniste të kërcënonte Evropën nëpërmjet Shqipërisë në të ardhmen… Pikërisht në këtë kohë, edhe Agjencia Sovjetike e lajmeve njoftoi se Shqipëria po ndërtonte një bazë raketash bërthamore me ndihmën kineze, rrezja e të cilave mbulonte gjithë zonën e Evropës” (po aty, f.204-205).
Si gjithmonë, edhe këtë herë diplomacia amerikane doli në mbrojtje të Shqipërisë: “… Departamenti i Shtetit e vuri në dyshim vlerën e këtyre informacioneve sepse: nuk kishte të dhëna që kinezët të kishin aftësi për ndërtimin e një baze të tillë; nuk kishin arsye të dukshme që të ndërtonin një bazë të tillë në Evropë dhe sepse as shqiptarët as kinezët nuk mund të fitonin ndonjë gjë duke ndërtuar një bazë të tillë. Madje, përkundrazi, në rastin e ndonjë krize, ekzistenca e një baze të tillë do ta shndërronte Shqipërinë në një objekt primar goditjeje” (po aty, f.205).
Pas shembjes së komunizmit, në vitet 90-të të shekullit të kaluar, një tjetër pinjoll i shovinizmit grekomadh, një armik i betuar i kombit shqiptar dhe i kombit turk, një gjeneral ultrashovinist grek me emrin Nikolaos Grilakis, ish-këshillëtar i kryeministrit Micitaqis, në një libër me kujtime, të botuar në vitin 2001 me titull: “…zbuloj ngjarjet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të në Greqi dhe në Ballkan, siç i jetova”, vazhdon të notojë në ujërat e fëlliqura me shpifjet e diplomacisë shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek. Greqia nuk rri dot pa shpifje kundër kombit shqiptar. Në artin e shpifjes ajo gjen ngushëllim për mosrealizimin e objektivave “madhore” të shovinizmit grekomadh - kthimin e trojeve të Perandorisë Bizantine, për trashëgimtare të së cilës e mban veten edhe sot e kësaj dite.
Ky gjenerali Grilakis shkruan: “Personalisht e kisha bërë të qartë qysh në fillim se isha kundër një mendimi për dhënie ndihme partive të djathta në vendet myslimane, si Shqipëria, me mendimin se partitë e djathta shqiptare do të përfundojnë në serat e kultivimit të shtrirjes turke në Ballkan. Parashikova, gjithashtu, se imamët e Turqisë shumë shpejt do të mbillnin në mendjet ateiste të shqiptarëve hashashin e myslimanizmit me idetë kanceroze të shtrirjes turke në Ballkan” (“Shekulli”, 8 maj 2004, f.3). I shkreti Grilakis! Megjithëse ishte në shërbim të kabinetit të djathtë të Micotaqisit, atë e paska torturuar dashuria përvëluese për të majtën shqiptare, së cilës, tërthorazi, gjenerali i gjorë ia zbulon keq ca vende delikate faqe miletit dhe e lë zbuluar, si tradhtare të çështjes kombëtare shqiptare: të majtës shqiptare nuk na i pëlqyekej “çallma” myslimane, ajo na qenkej e djegur për kamillafin e greko-ortodoksisë!
Në kujtimet e veta gjenerali Grilakis pretendon se kur e ftoi Kryepeshkopi Serafim për të biseduar lidhur me helenizimin e “Vorio-Epirit” pas rënies së komunizmit, ai nuk e vuri në dijeni kryeministrin Micitaqis. Këto përralla gjenerali i zhgënjyer le t’ua shesë atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve. Deklarata shoviniste e Micotaqisit e 14 korrikit 1993 vërteton më së miri se sa “i painformuar” paska qenë ai për veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë të prapavijave të kabinetit të tij kryeninistror!
Së pesti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke më 28 tetor 1940, shovinizmi grekomadh përsëri iu kthye realizimit të ëndrrës së vjetër për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke shfrytëzuar pabesisht rastin që vendi ynë e kishte humbur tashmë sovranitetin e vet dhe, si subjekt juridik, figuronte vetëm nën kurorën e Viktor Emanuelit III. “Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën” (Tensioni greko-shqiptar…, f.50).
Së gjashti, pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë në vitin 1948 dhe përfundimit gradual të luftës civile në Greqi, vendi ynë u gjend i rrethuar nga dy shtete armiq. Pikërisht këtë situatë të rrezikshme që po përjetonte Shqipëria shovinizmi grekokaragjoz u mundua ta shfrytëzonte pabesisht. Atij iu nxitën edhe më shumë epshet shoviniste për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. “Në fillim të prillit të vitit 1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum tjetër Londrës dhe Vashingtonit, i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë” (po aty, f.621). Disa muaj më vonë qeveria greke bëri një tjetër kërkesë këmbëngulëse për pushtimin e Shqipërisë. “Në gusht të vitit 1949 u zhvilluan luftimet vendimtare të UKG kundër gueriljeve. Qeveria greke e shtoi presionin ndaj aleatëve perëndimorë që ushtria e saj të lejohej të pushtonte territorin shqiptar” (po aty, f.622).
Së shtati, Greqia shfrytëzoi pabesisht edhe situatën e rrezikshme që u krijua për vendin tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Udhëheqja shqiptare, tani në marrëdhënie krejt të ndryshme me Moskën, e ndiente se ajo po e kërcënonte, duke përkrahur synimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut” (Shqipëria dhe Greqia…, f.166). Synimet shoviniste të shovinizmit grekomadh i kishte përkrahur vetë Hrushovi në takimin që kishte pasur me Sofokli Venizellosin më 5 qershor 1960. Ndërkohë, “përveç deklaratave të hapura të qeveritarëve grekë mbi “Epirin e Veriut”, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut” (po aty, f.169-170).
Së teti, me daljen në pah të acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, shovinizmi grekomadh u hodh përsëri në veprime agresive kundër vendit tonë. “Qeveria greke…dha një sinjal tjetër se planet e saj kundrejt Shqipërisë së Jugut nuk ishin arshivuar. Në vitin 1976, në parlamentin grek u aprovua një ligj i ri mbi emigracionin. Ai ishte shtojcë e ligjit të vjetër të Venizellosit, i cili ndalonte dhënien e shtetësisë greke emigrantëve me origjinë nga Shqipëria e Jugut, me synimin që, në rastin e zhvillimit të ndonjë referendumi të mundshëm, ata të votonin pro aneksimit të saj nga Greqia” (po aty, f.300).
Së nënti, në vitin 1990, kriza e regjimit komunist, që ishte në kulmin e saj, ashtu edhe periudha e gjatë e tranzicionit të vështirë, “e nxitën më tej aktivizimin e lobit grek, sepse ai pa hapësira të reja për të realizuar objektivat e tij të vjetra. Vazhduan përpjekjet e qeverisë dhe të shtetit grek për të mobilizuar dhe nxitur diasporën si një vegël për zbatimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë. Madje ajo ka krijuar një përvojë të madhe dhe mekanizma shumë efektive për të realizuar një politikë të tillë” (po aty, f.326).
Përveç organizimit të të gjitha strukturave shtetërore kundër Shqipërisë, shovinizmi grekomadh, në këto kushte, përveç lobit shovinist greko-amerikan, si gjithmonë në historinë e tij, nxiti për veprime të shpejta kishën shoviniste greke për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Gjenerali Grilakis kujton: “…më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit pas rënies së komunizmit. E pranova me kënaqësi…” (“Shekulli”, 09 maj 2004, f.3). Pikërisht në kohën e amullisë politike dhe të varfërisë së skajshme që kishte pllakosur vendin tonë, shovinizmi grekomadh, si gjithmonë me pabesinë që e ka karakterizuar, harton “Planin Lotos”, në themel të strategjisë së të cilit qëndronte çlirimi i “Epirit të Veriut” nga “sundimi shqiptar”. Me hollësitë e këtij Plani lexuesi është njohur në fjalën e Kryetarit të SHIK-ut, zotit Bashkim Gazidede, të mbajtur në parlament në pranverën e vitit 1997 dhe të botuar në gazetën “Albania” më 04 mars 2004.
Së dhjeti, rënien e firmave piramidale dhe tragjedinë që shkaktuan neokomunistët socialistë në Shqipërinë e Jugut, të përkrahur tërësisht nga shteti shovinist grek, në bashkëpunim më tradhtarë shqiptarë, që sot ndodhen në në majat e politikës, shovinizmi grekokaragjoz u mundua ta shfrytëzonte pabesisht për të futur trupat e veta pushtuese në Shqipërinë e jugut. Në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar në TV “Top channel” më 18 mars 2004, Prof.Sherif Delvina deklaroi: “Më 1997 Greqia, përmes zonjës Ollbrait (Allbright), u kërkoi SHBA që të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut, por zonja Ollbrait u tha: “Po ç’do të bëjë Turqia? Do t’ju bjerë nga pas”. Dhe Greqia nuk u fut në Shqipëri”.
Ja, kjo ka qenë dhe është fytyra e vërtetë e shtetit shovinist grek, i cili e ka manifestuar me fakte armiqësinë e egër ndaj Shqipërisë, sa herë që kësaj i është dashur të përjetojë çaste kthesash vendimtare dhe situata të rrezikshme në historinë e saj të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.
Prandaj, përveç burimeve të sipërcituara, zoti Tavo mund të konsultohet edhe me burimet e mëposhtme me vlera shkencore të jashtëzakonshme në zbardhjen e të vërtetave rreth marrëdhënieve të Greqisë me Republikën e Shqipërisë.
Fillimisht, duke klikuar në Google, ai mund të gjejë në internet:
1. “Kastriot Dervishi - Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura”.
Këtu ndodhet korpusi i veprave të këtij Profesori të shquar të faktologjisë që zbulon lakuriq se ç’është Greqia, ç’është shovinizmi grekokaragjoz, ç’është kisha shoviniste greke në qëndrimin thellësisht armiqësor që kanë mbajtur që kryeherazi dhe që vazhdojnë të mbajnë deri tani ndaj vendit tone.
2 “Dosja e zezë e Greqisë, 1912-2007. Përgatitën: Dorina Topollaj, Qamil Xhani”.
Për dijeninë e deputetit Vangjel Tavo dhe të lexuesve të nderuar, në hyrje të kësaj dosjeje shkruhet:
“Këtu keni vetëm dicka, nga të tëra ato akte të turpshme e çnjerëzore, që kanë qenë të detyruar të heqin në kurriz shqiptarët falë “fatit” që kanë gjitonë “të civilizuar” e “djep qytetërimi”. Shikoni kulturën helene si rrezaton dhe shkëlqen.., rrezaton si dielli mbi gjakun e foshnjave që u këputën kokat, që nga Çamëria e deri në Përmet.
Lexoni dhe mos harroni.., lexoni dhe dëgjoni ndërkohë videon greke, sepse ata nuk qenkan ngopur akoma.., lexoni dhe mendoni se si do t’u vejë halli shqiptarëve me sharlatanë të tillë antishqiptarë, si politikanët tanë.., lexoni dhe mos harroni se jeni gjak nga ai gjak që është derdhur kot pa pikë faji.., lexoni dhe imagjinoni dhimbjen e shqiptarëve.., mos harroni kurrë varret e tyre... mos harroni as veten tuaj, sepse dhe neve që jemi gjallë, ashtu duan të na shohin - rrjepur e djegur.., lexojeni dhe shpërndajeni ku të mundeni këtë material…”.
Veç këtyre dy burimeve, deputeti në fjalë mund të lexojë edhe librat e mëposhtëm:
1. Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike” Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009.
2. Rasim Bebo. “Artikuj dhe ngjarje. Pjesa I”. Botimet “Vllamasi”. Tiranë, 2012.
3. Rasim Bebo. “Artikuj dhe ngjarje. Pjesa II”. Botimet “Vllamasi”. Tiranë, 2013.
Në përfundim dua të theksoj se deputeti Vangjel Tavo duhet të shqetësohet jo dhe aq për djegien e flamurit, sesa për arsyen se pse e kanë djegur atë flamur. Vallë nuk e kuptuaka ai që Greqia ka në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë, të cilin nuk dëshiron ta shfuqizojë në asnjë mënyrë? Sepse përmes atij ligji ajo vazhdon të mbajë “të konservuara” pronat e shqiptarëve në territorin e saj, kërkon të mohojë Çështjen Çame. Për pasojë, ajo, ligjërisht, është në gjendje lufte me Republikën e Shqipërisë. Ka një “nyjë gordiane” në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë: shteti grek, në hije, vazhdon t’i bjerë teneqesë për Epirin e Veriut, prandaj edhe shovinizmin e tij e kam quajtur dhe vazhdoj ta quaj grekokaragjoz. Shqiptarët me vetëdija të lartë kombëtare, me formim nacionalist, kërkojnë rikthimin e trojeve tona etnike deri në Artë e në Prevezë. Kjo nyjë gordiane do të zgjidhet vetëm atëherë, kur neve të na rikthehen trojet tona që Greqia, me mbështetjen e shovinizmit evropian, vazhdon të na i mbajë të pushtuara ende. Prandaj edhe banorëve autoktonë të Çamërisë që dëshirojnë të shkojnë të vizitojnë varret e të afërmëve të tyre, shovinizmi grekokaragjoz ua gris pasaportat në kufi, me pretekstin absurd se Çamëria “nuk ekzistuaka”.

Santa Barbara, Kaliforni
14 nëntor 2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 49 vizitorë
Lexuar: 1,039 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi