Më 18 nëntor 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t'i dënojë me 9 vite burgim, pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët kishin arrestuar rojat ilegale të Aleksandër Vulin.
Ashpërsia e shtetit të Kosovës ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë depërtimin ilegal të Serbisë në Kosovë, si dhe toleranca e Qeverisë ndaj strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, që cenojnë për çdo ditë sovranitetin dhe sigurinë e vendit, janë të padurueshme.
Nuk është më e qartë se për kë po punojnë strukturat e Qeverisë së Kosovës të cilat ndikojnë dhe strukturat e tjera të shtetit siç është drejtësia. A janë këta për sovranitetin shtetëror dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve apo për realizimin e planeve të Serbisë për kontroll të brendshëm në Kosovë.
Sistemi i drejtësisë sot është vënë në funksion të Qeverisë, e cila, po sulmon, arreston e burgosë, ata që janë kundër planeve të Serbisë, kurse po i toleron, mbron dhe mbështetë ata që po ia lehtësojnë veprimtarinë Qeverisë së Serbisë në Kosovë.
Vendimi për dënimin e policëve që arrestuan rojat ilegale të Vulinit është i manipuluar politikisht e si i tillë është i papranueshëm. Në këto kushte kërkojmë pushimin sa më parë të një procesi të montuar politikisht nga kërkesat e Qeverisë së Serbisë për policët që mbrojtën sovranitetin shtetëror nga rojat ilegale të Serbisë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
20 nëntor, 2015
|