Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Shtëpia e Alfabetit demaskon deri në palcë klasën politike shqiptare në IRJM!
Publikuar më 28 nntor, 2015 në orën 20:26 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Manastiri - kjo kryeqendër shqiptare, në gjirin e së cilës, në nëntor të vitit 1908 u mblodhën atdhetarët nga të gjitha trojet shqiptare dhe e bën alfabetin e shqipes, sot mezi hetohet se është gjallë. E gjithë kjo është edhe meritë e atyre kravataxhinjëve shqiptarë, të cilët që nga mëngjesi e deri në darkë e kanë gojën plot patriotizëm, kurse në institucionet shtetërore, në komisionet parlamentare, në projektet qeveritare janë pjesë e politikave antishqiptare.

Kjo është pamja e sotme e Shtëpisë së Alfabetit, në të cilën në vend të Muzeut Kombëtar Shqiptar, profiterët e pronave të shqiptarëve shesin pllaka dhe materiale ndërtimore
Manastiri ashtu sikurse edhe trevat tjera shqiptare në IRJM, ndër vite u përballen me të gjitha politikat më antishqiptare në Ballkan. Ai vuan nën thundrën e hekurt të politikave të spastrimit gjuhësor, kulturor dhe etnik. Ky qytet me dekada është venë përballë projekteve të zhdukjes dhe dëbimit masiv të popullsisë autoktone shqiptare, kurse në anën tjetër klasa politike shqiptare në IRJM sillet sikurse Manastiri dhe Shtëpia e Alfabetit të ishte diçka e parëndësishme dhe e huaj. Ata, shkojnë në Manastir vetëm atëherë kur kanë nevojë për të, për të reklamuar gjoja "patriotizmin e tyre", edhe pse çdo gjë është demaskuar deri në palcë. Në qafën e tyre, janë varur projektet antishqiptare, patriotizmi i rrejshëm dhe servilizmi i skajshëm.
Në njëzet e pesë vitet e fundit ku partitë shqiptare PPD, PDSH dhe BDI ishin dhe mbeten pjesë e bashkëqeverisjes në IRJM Manastiri dhe qytet tjera shqiptare në IRJM, në vend që të ringjallen në aspektin kulturor, shoqëror dhe në realizimin e të drejtave kombëtare, ato vazhduan të mbeten edhe sot e kësaj dite nën hijen e një sundimi totalitar të projekteve dhe politikave antishqiptare. Ashtu sikurse Kumanova, Shkupi, Krusheva, Velesi, Prilepi, Ohri, Dibra edhe Manastiri bashkë me Shtëpinë e Alfabetit kanë mbetur nën mëshirën e fatit, nën mëshirën e individëve të papërgjegjshëm. Këta zyrtarë të politikës së ditës: zv. kryeministra, ministra, drejtorë, zv. drejtorë, deputet, ish-zyrtarë dhe zyrtarë të shtetit, të cilët janë në gjendje të përfitojnë edhe nga tjegullat e lodhura nga koha, edhe nga muret e rrahura nga projektet e shumta antishqiptare, edhe nga dyert apo dritaret e demoluara ndër vite. Këta zyrtarë të "dërzhavës", të cilët nuk u ngopen asnjëherë me vuajtjet e popullit shqiptar janë në gjendje ta shesin jo vetëm Shtëpinë e Alfabetit, por edhe njerëzit e gjallë duke e ndryshuar komplet strukturën e popullsisë së këtij qyteti dhe vendbanimeve tjera për rreth.
Kjo klasë politike e ka sjell Manastirin dhe shqiptarët buzë vdekjes. Shqiptarët e kanë të ndaluar të blejnë pronë në këtë qytet, ata nuk kanë të drejtë as të riatdhesohen, të përfitojnë nga pikat e gjakut të popullit të pafajshëm dhe të ndëshkuar në të gjitha pikëpamjet në shek. XX.
Në leksikonin historiko-topografik të Sami Frashërit, në fund të shekullit XIX-të, Manastiri quhej «çelës i Shqipërisë» ndërsa sot është bërë një derë e ndryshkur, ku nën represionin politik dhe policor kanë kaluar mijëra dhe mijëra shqiptarë për të mos u kthyer më.
Muzeu i Alfabetit në Manastir simbol i kulturës dhe pjekurisë kombëtare edhe sot e kësaj dite është në gjendje të mjerueshme, kurse zyrtarët shqiptarë të cilët kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë votën shqiptare në Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, në ministritë dhe drejtoritë e qeverisë antishqiptare te Shkupit janë bashkëfajtorë për shkatërrimin e këtij objekti historik të shqiptarëve dhe arsimit shqip në këtë komunë. Oborri i Shtëpisë së alfabetit me një sipërfaqe mbi 700 metra katror, që gjendet prapa ndërtesës, tani është në duart e katër pronarëve sllavo-maqedonas, të cilët e kishin ndarë për t`i humbur gjurmë këtij objekt-kulti të shqiptarëve. Gjatë tërë vitit në këtë oborr vizitorët nuk mund të shohin një shtëpi - muze siç gagarisin pushtetarët e sotëm, por vizitorët mund të shohin goma të vjetra të makinave, një kamion të prishur e deri tek mbeturinat e grumbulluara prej vitesh.
Në katin e poshtëm të objektit, shiten pllaka për banjo dhe materiale ndërtimore, të cilat e përbuzin edhe ashtu të lodhur këtë objekt kombëtar të shqiptarëve.

Kati i poshtëm i Shtëpisë së Alfabetit nëpërmjet falsifikimeve në Kadastër thuhet se është blerë nga ish- prefekti i Manastirit Zllatko Milloshovski.
Këtë lojë të falsifikimit dhe nacionalizimit të pronave të shqiptarëve në IRJM e njohin shumë mirë shqiptarët, por parashtrohet pyetja si e gëlltitë klasa politike shqiptare këtë turp të shekullit?
- Në brendinë e sajë ka vetëm disa fotografi, dhe disa gjësende të parëndësishme që s`dëshmojnë asgjë për historikun e Alfabetit. Thuhet se në kuadër të Shtëpisë - Muze të Alfabetit janë punësuar mbi 25 veta, në mesin e tyre edhe joshqiptarë, të cilët në vazhdimësi janë kujdesur që dyert e kësaj shtëpie t`i mbajnë të mbyllura. Në anën tjetër, të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë, se tapinë këtij vendi e ka familja Zavaljani që jeton në Shqipëri. Ata jo vetëm që nuk janë në gjendje t`ia kthejnë pronën kësaj familje shqiptare por edhe oborrin nuk janë në gjendje t`ia kthejnë Shtëpisë së Alfabetit, që i takon sipas kadastrës.

Dikur Manastiri - kryeqendër e kulturës shqiptare


Dikur Manastiri ishte kryeqendër i kulturës shqiptare, kishte me qindra nxënës shqiptarë kurse sot nuk ka as shkollë të mesme.

Edhe pse shqiptarët e kanë ministrin në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, si dhe përgjegjësin e sektorit të arsimit të mesëm Manastiri - qyteti i Alfabetit, sot e kësaj dite mbetet pa shkollë të mesme. Në bazë të këtyre fakteve dhe mijëra fakteve tjera që kanë të bëjnë me diskriminimin politik dhe ekonomik të shqiptarëve vijmë në përfundim se shqiptarët nuk ka kush t`i mbroj, se shqiptarët janë mall i përfitimeve grupore dhe partiake.
Dhe sot në këtë përvjetor të 107-të, do të kisha pasur dëshirë t`i shoh shqiptarët të bashkuar rreth flamurit kombëtar dhe Shtëpisë së Alfabetit duke realizuar ëndrrat e miliona shqiptarëve ndër shekuj. Do të kisha pasur dëshirë ta shoh Manastirin duke folur shqip ashtu siç e bënë të flet në gjuhën shqipe më 1908, ata të cilët i dolën zot kombit. Kisha dhe kam dëshirë që shqiptarët të veprojnë dhe punojnë ashtu si dikur bashkatdhetarët tanë: delegatët e kongresit, të cilët më 1908 kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga mërgata shqiptare: nga Rumania, Italia, Greqia, Turqia, Egjipti, Amerika etj. Kisha pasur dëshirë që sot të punohet dhe të veprohet rrugës së trasuar nga atdhetarët si Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Parashqevi Qiriazi, Grigor Cilka, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja etj.
Dhe përballë kësaj dëshire të kamotshme shqiptare më duket se po i shoh nxënësit shqiptar duke kërkuar Gjimnazin e Manastirit, më duket se po i shoh Qiriazët duke kundërshtuar politikën e ditës në realizimin e kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar në këto treva: gjuhën, flamurin, shkollën, lirinë...
Më duket se po e shoh Hristo Qiriazin, të vëllanë e Gjerasimit, Sevastisë, Parashqevisë duke punuar në shtypshkronjën e Manastirit, ashtu sikurse në vitin 1909, i cili nxori me mijëra tekste, të botuara në 13 gjuhë.
Më duket se po e shoh Gjergj Fishtën duke i flakur botimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, të cilat i paraqesin shqiptarët “njerëz mali” apo “ardhacakë”.
Dhe thënë shkurtë dhe qartë për të gjitha ata që mendojnë se shqiptarët nuk e kuptojmë realitetin politik : Manastiri dhe Shtëpia e Alfabetit janë në gjendje tepër të rëndë, ku shteti shkel me të dy këmbët pronën historike të shqiptarëve, duke e rënduar frymëmarrjen shqiptare në veçanti, si dhe duke e përdhosur me të gjitha mjetet e mundshme kulturën dhe jetën shqiptare nëpërgjithësi. Dhe në këtë përvjetor asgjë e veçantë nuk ndodhi, ashtu sikurse herave tjera pushtetarët e sotëm dhe të djeshëm erdhën, u frynë duke ngrënë e duke pirë dhe vazhduan rrugën për në Kërçovë, Tetovë apo Shkup, për ta varrosur këtë shtëpi aq të rëndësishme të kombit shqiptar, të cilën e bren dhëmbi i kohës dhe duart e atyre që dëshirojnë të zhdukin me çdo kusht gjurmët e popullit shqiptar në këto treva.

Vaxhid Sejdiu

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 291 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi