Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
FJALA JOTE E MENÇUR, O JUSUF GËRVALLA…!!!
Publikuar më 17 janar, 2016 në orën 03:56 ( ) Faridin Tafallari | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
“…..Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s‘do të ketë forcë, që të na ndalë në rrugën tonë….”
JUSUF GËRVALLA

“…..Vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. T´i bashkojmë grushtat tona në këtë luftë të shenjtë….”
KADRI ZEKA

“…..Do të luftoj vetëm kundra armikut, kundra atij, që po na burgos e po na i vret motrat e vëllezrit tanë, vetëm atë armik kam….. se ditët e mira do të vinë, se LIRIA do të agojë dhe malli, që na djeg për atdheun e robëruar, do të shuhet….”
BARDHOSH GËRVALLA

E fillova këtë shkrim homazh, për JU O SHOKËT E MI TË PAHARRUAR, JUSUF, KADRI, BARDHOSH, me Fjalët Tuaja Lapidar, të shkruara nga pena Juaj e artë, me mundin e sakrificën Tuaj, në rrugën aq të vështirë drejt Lirisë e Çështjes Kombëtare, të skalitura me gjakun Tuaj të derdhur, në atë 17 janar të kobshëm, të vitit 1982, kur dora gjakatare e UDB-së titiste, ju preu jetën në mes, ju ndau nga gjiri ynë....por për të hyrë në zemrën e kombit shqiptar, për t’u mbuluar me lavdi e për t’u ngritur në përjetësi!....

.....Po, Ju jeni gjallë.. jeni të gjallë në zemrat e shqiptarëve patriotë e atdhedashës, në ballë të historisë së mbarë shqiptarisë, në zemrën e Kosovës Loke, që ju rriti, ju mëkoi me patriotizmin e të parëve, me dashurinë e zjarrtë për tokën arbnore, me dashurinë për Kosovën, Shqipërinë Amë, me dëshirën e kahmotshme për LIRINË e për Bashkimin Mbarëkombëtar!

O JUSUF GËRVALLA! Jemi ne, shokët e tu...jemi mbledhur, si atëhere, kur Ti na afrove e na bashkove rreth vetes...na afrove me njëri tjetrin...se na deshe... na respektove ashtu thjeshtë, me atë zemrën tënde të madhe, me ngrohtësinë tënde, me FJALËN tënde të mençur, të një njeriu të Madh, të ditur, dinjitoz, të një intelektuali, që se njohu kurrë mëndjemadhësinë, vlerësimin e vetëvetes...që nuk diti jo kurrë të nënçmojë njeri, por njohu vetëm guximin, trimërinë!!!

Ti na afrove...Ti na bashkove...dhe ashtu së toku, të bashkuar u bëmë bashkëveprimtarë të paepur në rrugën e vështirë, plot sakrifica e mundime drejt LIRISË dhe Çështjes së Bashkimit Mbarëkombëtar! E dëgjuam fjalën Tënde të thjeshtë, por teper te mencur, ku pesha e saj ishte e rëndë....ishte e rëndë se mbante brënda IDEALIN e madh. E ne, nuk u bashkuam as për pasuri, nuk u mblodhëm për ahengje, për qejfe e orgjira, as për inate, por u bashkuam si luftëtarë të vendosur për të sakrifikuar deri edhe jetën tonë, po ta lypte nevoja, për Çështjen e ATDHEUT, KOMBIT, KOSOVËS, POPULLIT TONË!!! Na bashkoi IDEALI I MADH...dhe në rrugën e nisur u bëmë shokë ideali!

...Dhe e dinim fort mirë se kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë. Ndaj duhej vërtet guxim, trimëri, atdhedashuri, patriotizëm, por mbi të gjitha vullnet, vullnet të çeliktë për të ecur nëpër atë rrugë të nderit, gatishmëri për çdo sakrificë, duke qenë të sigurtë deri në fitore, me fjalën e revolucionarit të vërtetë, të thëna në BETIMIN TONË, kur u betuam së bashku: ”O LIRI, O VDEKJE!”

Kurrë nuk mund t’i harroj fjalët e Tua, për rrugën e vështirë drejt fitores, ku na thojshe se: ”...rrugën nuk do ta kemi të asfaltuar e të rrafshtë... ne do të ecim në tehun e shpatës...dhe në çdo moment mund të na marri edhe plumbi. Por për LIRI e BASHKIM KOMBËTAR nuk do të kursejmë asgjë asgjë, as jetën...”
U betuam së bashku, por u betuam edhe para trupit Tënd se, ne, shokët e Tu të IDEALIT do të vazhdonim rrugën e nisur, aty ku ti na le!? Dhe e kemi vazhduar... kemi bërë një hap para, por jo nuk kemi arritur deri në fund, nuk kemi arritur atë për të cilën edhe u betuam...BASHKIMIN MBARËKOMBËTAR, Bashkimin e të gjitha trojeve stërgjyshore me Shqipërinë Amë, bashkimin e gjithë shqiptarisë në një atdhe të vetëm!!!

Nuk di si të të tregoj për ngjarjet që rrodhën më pastaj, janë shumë...por janë edhe shumë të hidhura… Ne vazhduam...por disa shokëve (shokë ju thënshin) ju duk rruga jonë e nisur, rrugë e largët, e lodhshme, me shumë sakrifica dhe... u ndalën në mesin e rrugës...dhe... gjetën rrugën më të lehtë!?!… Disa kaluan nëpër parti politike, disa të tjerë, të prirë nga karierizmi, nga bajraktarizmi, nga lakmija për të kapur ndonjë post a lekë, një dreq e di....dolën nga rruga e nisur, tradhëtuan IDEALIN... harruan betimin që kishin bërë para flamurit kuq e zi.... shkelën gjënë më të shtrenjtë të shqiptarit luftëtar, BESËN e dhënë!!! Kështu nga burra u kthyen në burrecë!?...Por ma merr mendja që ky soj burrash, veç burra asnjëherë s’kanë qenë, sepse populli e thotë një fjalë të urtë: “ Burri i vërtetë mbahet prej fjalet e jo prej ... “.

Dhe një ditë, me rradhët e UÇK-së, me rradhët e luftëtarëve të LIRISË, ku u rreshtuan bijtë tanë më të mirë u bashkua i gjithë populli ynë i shumëvuajtur e i maltretuar në vite...Edhe ne, mërgimtarët kontribuam me të gjitha mundësitë, ju bashkangjitëm luftëtarëve të lirisë, me krenarinë e shqiptarit atdhedashës, që edhe pse në mërgim, kurrë nuk e harroi Kosovën e SHQIPTARINË!!!

Nuk vonoi...dhe për popullin tim agoi LIRIA...U shporr një herë e përgjithmonë armiku shekullor serbosllav!

Më në fund erdhi edhe DITA e PAVARËSISË....Kosova shtet i(pa)varur e “sovran”... por....nën “komandën” e të huajve, pra qeveria jonë kukull e ndërkombëtarëve!!! Çfarë të të them, ata, të cilët ishin në ballë, ata që drejtuan luftën e UÇK-së, ata të parët devijuan....e ndryshuan vizionin, tradhëtuan idealin e shenjtë!? Shkelën betimin, shkelën mbi flamurin e hymnin kombëtar, shkelën besën e dhënë! Ndryshuan shumë çka e gjithçka të shenjtë kombëtare! Shkelën mbi gjakun e shokëve të rënë!? Ata u bënë një me ata, të cilët dikur kishin ndihmuar në ndjekjen tonë, në shërbim të armikut, u bënë shërbëtorë të armikut shkja, shërbëtore të UDB-së…Ata, që dikur, pa fije turpi ishin regjistruar madje edhe me kombësi jugosllave, që nuk kishin lënë gjë të keqe pa bërë në dëm të popullit shqiptar, përsëri dolën në skenë vetëm tash duke e ndërruar qimen… Kështu ish spiunët dhe udbashët në vend që të ndëshkoheshin… depërtuan dhe hypën në majë të shtetit, u futën edhe në qeveri, në kuvend, kudo kudo!?

Pavarësine e shpallën ata që luftuan! Populli i stërmunduar ndjeu një gëzim dhe lehtësim të madh se, ata, luftëtarët, u zgjodhën për të drejtuar vendin, për të qeverisur Kosovën!?. Por mjerisht, ajo që pritej nuk ndodhi as nga këta luftëtare, të cilët vepruan njësoj si qeveritë e parashpalljes së pavarësisë, qeveri të korruptuara!?! … Kështu lanë çdo gjë jashtë kontrollit… u korruptuan, u lëshuan pas vjedhjes, pas lekut e harruan të kaluarën e afërt, harruan çdo gjë që ishte arritur me shumë mund e sakrifica, harruan popullin, gjakun e derdhur per liri, shokët e rënë!? … Eh sa shumë gjak u derdh për këto ditë lirie!

O Jusuf Gervalla!… Nga këta, që u prit për më mirë për habi ndodhi edhe më keq, këta jo vetëm që nuk e përmirësuan gjendjen ekonomike te popullit… nuk e siguruan as sovranitetin e pavarësise… por nuk kanë aspak interesim për bashkimin e Kosovës me shtetin amë, nuk kanë thënë deri tani qoftë edhe një fjalë të vetme për Bashkimin Mbarëkombëtar!!! Madje në qeveri ka shumë nga ata, që akoma janë të prirë për të vazhduar punën e tyre të ndyrë që, Kosova mos të bashkohet me shtetin amë Shqipërinë!?!

Pra, për këtë çështje madhore të kombit tonë, krerët e Shqipërisë, Kosovës, Iliridës, të Kosovës Lindore, të Malësisë së Madhe, duken se kanë rënë në gjumin e ariut polar…Mesa duket këto koka të “mëdha” të kombit, janë të kënaqur me këto “fitore” të arritura dhe bashkimin kurrë nuk e zënë në gojë! Euuuu, qeveritarët nga çdo krah i kufirit janë majm e janë fry... e gojën ua ka zënë paraja, or paraja… po i thyejnë këmbët tu vrapu veç për pasuri e hajni…Po e vjedhin dhe po e rrjepin këtë popull në atë farë feje, sa i shku thika deri në rrasht!!!

Por toka jonë e Kosova lind përherë trima, kombi lind bij që ju dhimset vendi e shqiptaria…që po punojnë me mish e me shpirt për Shqipërinë Natyrale…E këtu në Kosovë është Albini me”VETEVENDOSJEN” e tij… Dikur O JUSUF GËRVALLA na ndiqte UDB-a këmba këmbës, se luftonim për komb e atdhe...e sot Albinin dhe shokët e tij i arreston ditën për diell polici shqiptar, sepse kërkon pavarësi të vërtetë, vetëvendosje, bashkimin e të gjitha trojeve etnike me Shqipërinë Amë!?. Është edhe atdhetari Koço Danaj. Prof. Dr. Mehdi Hyseni e shumë të tjer, jemi edhe ne shokët e tu të vërtetë, patriotë, që kurrë nuk do rreshtim së punuari deri sa të agojë ENDRRA e madhe e shqiptarëve atdhe e kombdashës, ëndrra e gjithe shqiptarise – SHQIPËRIA NATYRALE-!!!

Në paç me pyet për Mërgatën sot, euu, qeveritarëve tanë as ju ha palla!? E harruan… e lanë fare jashtë, mërgimtarët mbetën shumë të zhgënjyer. E pra gjithkush e di fare mire se, mërgata ishte shtyllë e fortë e ndihmave materiale dhe e forcave në UÇK, sa e sa prej mëgimtarëve, ranë dëshmorë, në betejat e lirisë! Por kurrë e askujt nuk po i intereson më për mërgimtarët, të lënë në harresë, të shpërndarë kudo nëpër botë..i kanë harru, si çifuti në shkretëtirë…!!!

E Ti, O Jusuf Gërvalla i vlerësove e i deshe mërgimtarët…e shkrove për mërgimtarët: “…Një presioni jashtzakonisht të madh nga shumë drejtime i ekspozohet luftëtari i lirisë, kur detyrohet që aktivitetin patriotik ta vazhdojë jashtë atdheut. Nga ky presion ndodh që disa edhe të bien. Luftëtari i vërtetë dhe bir besnik mbetet ai, i cili, në çdo hap të tij bazohet në interesat e popullit.”

Po dua të të them se, me ata shokë, që kanë mbetur besnikë.
Me kujtohet kur, me fole me aq respekt e dashuri për Kolë Mërturin: ”Kola i bën disa punë shumë të mira, nëpër mes tij i mbaj lidhjet me Kosovën…vetëm ty të tregova se tek ti kam shumë besim dhe e di se kjo do të mbetet midis nesh”. Që nga ai moment edhe unë Kolën e kam nderuar dhe ashtu vazhdoj edhe sot e kësaj dite, ta nderoj e ta respektoj!
Rri e çmallem edhe me shumë shokë të tjerë, që Ti i kishe afruar, shokë të mirë të idealeve tona!. Mbaj kontakte edhe me të tjerët, por në veçanti me Xhafer Durmishin. Ai i ka shkruar faqe të tëra me shkrime për veprimtarinë tënde të lavdishme. Por Xhaferi ka bërë dhe po e bën një punë shumë të mirë, duke demaskuar disa kalemxhinj, që po mundohen të flasin në “emrin tënd”, pa thënë të vërtetën, por vetëm gënjeshtra, vetëm sajesa!?… Madje, unë disa herë ju jam kundërvënë, sepse kam qenë dhe jam dëshmitari i gjallë e më i afërti i veprimtarisë tënde, i veprimtarisë sonë të përbashkët, të atyre viteve te stuhishme, por edhe sepse nuk mund t’i duroj këto pseudopena! Kam dashur dhe dua përherë, të shkruhet e vërteta, vetëm e vërteta e atyre viteve…e vërteta për TY, PËR JU të Tre, për këdo…Çudi kjo e vërtetë nuk ju pëlqen disave…aq sa më kanë “akuzuar”, sikur unë ju kam “quajtur” “pronën time”!!! Por këtë ama, e kanë thënë ata, shpirtvegjëlit, cmirëzinjtë, ziliqarët, dallkaukët…se shqiptarët e vërtetë, patriotë e atdhedashës, shokët tanë besnikë, ma njohin mirë karakterin dhe e dinë, sikurse unë, se TI O JUSUF GERVALLA, se JU O YJE TE PAVDEKËSISË jeni “pronë” e kombit shqiptar, e Kosovës, e mbarë SHQIPTARISË!!!

Ka edhe nga ata, që bashkëpunuan me armikun, udbashët, ata gjak shprishurit, e sot mundohen me shkrimet e tyre, të të “njollosin”, të të “ulin”, mundohen të të ndryshojnë madje IDEALIN tënd!!! Shkruhet e çfarë nuk shkruhet në disa të ashtuquajtura forume, nëpër faqe të internetit, nëpër faqe të zeza. Dalin me emra të dreqit e të birit, të maskuar, me fytyra të mbuluara me brek b…e laviresh, dhe shajnë e çfarë nuk thonë jo vetëm për Ty, por edhe për figura të tjera të ndritura…Unë nuk futem në ato pisllëqe. Për mua, të futesh në ato shkarravina është sikur të zhytesh në gjeriz, në m… Por populli nuk e ka thënë kot fjalën e madhe se, në pyll ka edhe derra e çakall….E këta çakenj e “bjerën ujkun në torishtë”, ju ranë në gjurmë dhe ju vrau UDB-a e pabesë e gjakatare! Sepse Ti ia fute frikën armikut të përbetuar të shqiptarisë! Ty, tu vërsulën pikërisht kur veprimtaria jote atdhetare bëri jehonë si brenda trojeve shqiptare, ashtu dhe në botë!Ti e ngrite zërin në arenën ndërkombëtare, për padrejtësitë e të zezat, që i bëheshin popullit tënd, kombit tënd, Kosovës tënde! Dhe bota fjalën tënde e dëgjoi, e mbështeti Me penën dhe mendjen tënde të ndritur të intelektualit të vërtetë e ngrite çështjen e çlirimit jo vetëm të Kosovës, por e te gjitha trojeve etnike shqiptare nën Jugosllavi, si dhe të Çamërisë…

….Sa të fuqishme e sa aktuale, sa të mençura janë Fjalët e Tua, të shkruara nga ajo pena jote e artë! Sikur këta politikanët tanë t’i lexonin vetëm një herë, vetëm një herë, do të mësonin shumë e më shumë…Pale sikur t’i zbatonin, gjendja do të ishte krejt ndryshe...Po kështu pena e Kadriut të paharruar, fjalët patriotike të Bardhoshit!

Vitet ikin e ikin, duke ja lënë vendin njeri-tjetrit e vlera e këtyre Fjalëve Magjike veç rritet e rritet!

…..Po e mbyll këtë shkrim homazh për JU, në këtë 34 vjetor të rënies, O SHOKËT E MI TË IDEALIT TË SHENJTË, po me FJALËT E TUA LAPIDAR, O JUSUF GËRVALLA:
”.....NEVE NA DUHET NJË ZË I FUQISHËM DHE JO SHUMË ZËRA TË MEKUR…!!!”

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 828 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi