Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ranë për të mos vdekur kurrë!
Publikuar më 17 janar, 2016 në orën 07:46 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kujtesë për dëshmorët e kombit: Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha

U mbushën 34 vjet nga rënia e tre dëshmorëve të kombit. Tre ideatorëve të mëvetësisë së Kosovës dhe çështjes shqiptare, tre udhëheqësve kryesorë të rezistencës ilegale: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Ndërkaq 32 vjet më parë, më 11 e 12 janar 1984, ranë heroikisht, për të mos vdekur kurrë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, në qendër të Prishtinës, nga forca të mëdha policore të urdhëruara nga Beogradi vrasës. Tani kur jemi në këtë përvjetor të janarit tragjik, nderojmë e kujtojmë me respekt, deri në përulje, veprën e pavdekshme të tyre.

Udhëheqës dhe organizatorë të demonstratave në Evropë
Demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981 hapën një epokë të re për popullin shqiptar. Kishte ardhur momenti që lëvizja ilegale të dilte hapur në skenën politike për t’i orientuar e organizuar drejt masat e gjëra popullore dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë dhe pa rreziqe. Ish-Jugosllavia, si një fuqi reale propagandistike, ushtarake e policore e kohës, kishte ndërmarrë një fushatë të egër antishqiptare për ta shtypur me dhunë, me zjarr e me hekur, me vrasje kur të mundet, ditën e natën, brenda apo jashtë Kosovës, zërin liridashës të popullit shqiptar që padrejtësisht ishte ndarë e copëtuar.
Në këto rrethana Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla morën përsipër të dilnin në “ballë dhe te këmbët e popullit”, siç do të thoshte vetë Jusufi.
Ideologu largpamës, organizatori i shkëlqyeshëm dhe njeriu i përkushtuar deri në fund ndaj çështjes kombëtare, Kadri Zeka, pavarësisht rrezikut, i pari doli hapur në ballë të mërgatës shqiptare. I konsultuar me shokët brenda dhe jashtë Kosovës, i përgatitur politikisht dhe i informuar jashtëzakonisht mirë me të gjitha zhvillimet politike, Kadri Zeka, si përfaqësues i OMLK-së, kishte vendosur t’i organizonte demonstratat e para në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore në Kosovë. Pas një analize të thellë të rrethanave dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në Vjenë, këtë vendim të Kadri Zekës e mbështetën pa rezerva edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla që përfaqësonin Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe Ibrahim Kelmendi si përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor.
Demonstrata e parë e 11 prillit të motit 1981 në Bern hapi një faqe të re për mërgatën shqiptare. Nisën demonstratat, tubimet dhe takimet e tjera publike të cilat u bënë një bazament i fortë e i pathyeshëm i një organizimi të pavarur të mërgatës shqiptare me një program të qartë politik për Republikën e Kosovës, pikërisht ashtu siç kishte kërkuar në ato rrethana në mënyrë krejt demokratike e paqësore lëvizja studentore dhe mbarë populli shqiptar i Kosovës.

Forcimi i rrjetit organizativ dhe mobilizimi i mërgatës
Falë punës së madhe dhe largpamësisë së dëshmorëve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, gjatë vitit 1981, brenda në Kosovë, u ndihmua lëvizja ilegale dhe u qartësua programi politik. Ndërkaq në shtetet evuoperëndimore shumë klube punëtorësh shqiptarë që mbanin lidhje me ambasadat ish-jugosllave u shkëputën dhe u vunë në shërbim të një organizimi të pavarur kombëtar. U themeluan edhe klube e shoqëri të reja të cilat mobilizuan mërgatën shqiptare në mbështetje të kërkesave të drejta që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar. Thënë shkurt, themelet e organizimit të pavarur të mërgatës shqiptare i vunë Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla.
Mbi këto themele pastaj, vit pas viti e dekadë pas dekade, janë themeluar organizime të shumta të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë në funksion të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Këto tri figura emblematike kombëtare e politike i kishin të gjitha tiparet e rilindësve shqiptarë, ndërsa vetë organizatat që drejtonin ata vepruan në frymën dhe traditën më të mirë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Nëse u referohemi fakteve dhe dokumenteve arkivore që lidhen me ato vite, shohim qartë se që nga viti 1981 kishte dalë në skenë një plejadë e tërë veprimtarësh brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët i mbetën besnikë mësimeve të dëshmorëve. Kjo plejadë veprimtarësh, që ka pasur nderin e madh të njihej sadopak me Kadri Zekën (Zeqën), Jusuf e Bardhosh Gërvallën, por edhe plejada tjetër atdhetarësh që nuk i kanë njohur drejtpërdrejt, gjithnjë burim frymëzimi e edukimi ka qenë vepra e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës. Këta pesë pishtarë të lirisë me jetën dhe veprën e tyre kanë qenë shembull frymëzimi edhe për qindra mijëra të burgosur politikë në burgjet e tmerrshme ish-jugosllave, të cilët, të ndodhur prapa grilave, e përjetuan me dhembje e krenari rënien e këtyre tre prijësve dhe ideologëve, Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, e dy vjet më vonë edhe të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës.

Në asnjë rast nuk përjashtohej lufta çlirimtare
Nëse shikohen me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, vërehet qartë një filozofi politike që s’e duronte nënshtrimin e popullit shqiptar para askujt, që nuk e dëshironte luftën, por që në asnjë rast nuk e përjashtonte luftën çlirimtare. Sot, pas 34, përkatësisht 32 vjetësh, nëse analizojmë me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Kadri Zekës para demonstruesve, shohim se nuk ka shkrim as fjalim të tij që nuk lidhet me luftën çlirimtare. Moto e Kadri Zekës ka qenë “Rroftë lufta e drejtë e popullit shqiptar”! Filozofia politike e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit nuk përshkohej asnjëherë me tone pesimiste, nënshtruese apo disfatiste. Mendimi dhe filozofia e këtyre tre pishtarëve të lirisë për bazë gjithnjë kishte guximin, optimizmin dhe bindjen e plotë në fitoren e sigurt sepse kishin besim të madh tek e drejta dhe populli i vet. Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha kanë qenë të armatosur me dije, me maturi e guxim. Ata kanë qenë njëkohësisht, atdhetarë të flaktë, ideologë të mëdhenj, diplomatë të shquar, burrështetas të përgjegjshëm dhe luftëtarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar. Ata e dinin çfarë po bënin, kur do të niseshin e kur do të arrinin në cakun e dëshiruar. Çdo fjalë e tyre peshonte shumë, çdo hap që bënin ishte i matur, çdo mendim kishte peshë e ndikim të jashtëzakonshëm në mesin e bashkatdhetarëve. Ata ndjenin përgjegjësi për çdo fjalë e për çdo veprim. Ishin të kujdesshëm në veprimet e përditshme e shumë vizionarë për të ardhmen!
Si bashkëpunëtorë të mirë që dinin t’i koordinonin veprimet e tyre të përbashkëta në interes të çështjes kombëtare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla ishin bërë simbol i unitetit, i mirëkuptimit dhe i bashkimit në mes njerëzve dhe organizatave të ndryshme politike, të cilat synim kryesor kishin realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve. Sado që në atë periudhë ende ishte i fortë kampi socialist dhe qeverisej me sistem monist, mund të thuhet se Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, asnjëherë nuk i kanë nxjerrë në plan të parë pikëpamjet politike, apo interesat e ngushta të organizatave që përfaqësonin, para çështjes kombëtare. Ata nuk ishin të vetëquajtur demokrat me fjalë e me rrahagjokse, por shumë demokratike ishte vepra e tyre. Demokratike ishte gjuha tyre, demokratike ishin shkrimet e tyre, demokratike ishin sjelljet dhe veprimet e tyre politike, demokratike ishte dashuria e madhe ndaj popullit të tyre. Qysh para më shumë se tri dekadave, ndonëse në rrethana krejt tjera shoqërore e politike, ata kanë ditur të jenë tolerant ndaj mendimit të ndryshëm dhe ta respektojnë pluralizmin politik dhe shumëllojshmërinë e mendimeve, gjithnjë në funksion të çështjes kombëtare shqiptare. Por, të jesh demokrat nuk donë të thotë të jesh frikacak dhe ta durosh robërinë, të padrejtën dhe okupatorin. Ndaj këta ishin njëkohësisht revolucionar e luftëtarë të lirisë që ditën ta luajnë gishtin atëherë kur duhej, ditën të qëndrojnë e luftojnë si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha në qendër të Prishtinës. Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, udhëhiqeshin nga parimi të cilin pastaj e dëshmuan me jetën e tyre: “Mbi gjithçka tjetër duhet të jetë çështja kombëtare, liria, pavarësia dhe bashkimi i tokave shqiptare në një shtet të vetëm”!

Atentati politik ndërpreu nënshkrimin e marrëveshjes për bashkim
Zëri i Kadriut, pena e Jusufit dhe puna vetëmohuese e Bardhoshit kanë qenë si një trup i vetëm dhe model i afrimit e i unitetit në mes të shqiptarëve. Ndaj qëllim kryesor kishin bashkimin rreth idealeve çlirimtare. Çdo fjalë e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit ishte bashkim. Çdo hap, çdo lëvizje që bënin dhe çdo mendim i tyre ishte bashkim. Edhe natën e errët të 17 janarit 1982, në Untergrupenbach, afër Shtudgardit, ishin bashkë, duke biseduar për bashkimin e organizatave dhe krijimin e një fronti të fuqishëm gjithëpopullor për çlirimin e Kosovës. Puna vetëmohuese e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës ishin udhërrëfyese dhe bazament i fortë mbi të cilin pastaj u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me sukses i priu popullit në luftën e drejtë çlirimtare.
Pas një pune të lodhshme gjatë ditës dhe orëve të para të natës së 17 janarit 1982, të tre veprimtarët kishin vendosur të dilnin për pak kohë të çlodheshin, të merrnin frymë dhe të bënin disa telefonata. Ka qenë ora 22 e 30 minuta. Aty afër garazhit ishin fshehur atentatorët. Pas nisjes së veturës nga Bardhosh Gërvalla, shkrepin plumbat e pabesë mbi veturën BMW 316, ngjyrë të gjelbër. Dhjetë plumba të kalibrit 7.65 kanë qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën e tre bijve dhe udhëheqësve të dashur të popullit shqiptar. Gjashtë plumba qëllojnë mbi trupin e Bardhoshit, 31-vjeçar, dy plumba kanë goditur nga afër Kadriun, 28-vjeçar, dy plumba të tjerë tinëzarë Jusufin, 36-vjeçar. Në karriget e para të veturës ndërrojnë jetë, Kadriu e Bardhoshi, mbrapa përpëlitej Jusufi i plagosur rënd. Atë moment të dhembshëm sikur kishte filluar ta ndjente edhe vetura, e cila lëvizte pa shofer, derisa ndalet në muret e garazhit bashkë me zemrën e Kadriut dhe Bardhoshit. Gjaku më i mirë shqiptar kishte filluar ta skuqte borën e atij dimri të ftohtë. Jusufi arrin gjallë deri në spital, duke pyetur vazhdimisht rrugës për Kadriun dhe Bardhoshin nëse janë gjallë, por gjithçka ishte bërë vonë. Ka ndërruar jetë në spital, duke thënë: “Na vrau policia sekrete jugosllave”.
Kjo vrasje në natën e errët të 17 janarit 1982 kishte goditur rënd familjet Gërvalla dhe Zeka. Jusufi dhe Bardhoshi kishin lënë bashkëshortet dhe fëmijët jetimë. Familja Gërvalla kishte humbur dy bashkëshortë e dy prind të mirë, Nënë Ajshja kishte humbur dy djem si dy drita të syve. Kadri Zeka kishte lënë mbrapa, bashkëshorten dhe bashkëveprimtaren e dalluar, Saime Isufi, të martuar vetëm 15 ditë më parë në malet e Biel/Biennit. Familja e Kadriut kishte humbur një djalë, një zë Kosove që dridhte rrugët, sheshet dhe qytetet e Evropës me zërin e tij që buçiste për liri.

Lajmi mbi vrasjen e dëshmorëve tronditi mërgatën shqiptare
Lajmi për vrasjen e tre bijve më të shtrenjtë të popullit shqiptar ishte pritur me dhembje e pikëllim të thellë nga mbarë bota shqiptare. Qindra veprimtarë nga Zvicra, Gjermania, Franca, Belgjika, me lot në sy ishin nisur drejt Untergrupenbachut në familjen Gërvalla, për të ndarë së bashku dhembjen dhe krenarinë për dëshmorët. Ky lajm kishte prekur jashtëzakonisht shumë të burgosurit politikë në burgjet ish-jugosllave. Nga Kosova kishte ardhur Nënë Ajshja, babai i Kadri Zekës, Pajaziti dhe vëllezërit Shaipi dhe Taipi. Ka qenë shumë emocionues momenti kur zemërmadhja Nëna Ajshe, para se ti përqafonte djemtë e saj të dashur, të parin e përqafon Kadriun, duke ju drejtuar me këto fjalë: “Kadri, loke, nëna jote nuk ka mundur të vijë. Unë të kam djalë edhe ty si Jusufin e Bardhoshin”. Një qëndrim të fortë e kanë mbajtur edhe babai e vëllezërit e Kadriut, të cilët në vend që të pranonin ngushëllime i ngushëllonin bashkëveprimtarët, miqtë dhe pjesëmarrësit e shumtë.
Agjencia Telegrafike Shqiptare kishte lajmëruar se “Kosovës po i vriten djemtë e saj nga dora e UDB-së jugosllave”, ndërkohë që agjencia shoviniste e lajmeve shtetërore ish jugosllave “Tanjug” këtë vrasje makabre e trumbetonte si “qërim hesapesh në mes emigrantëve shqiptarë”. Të nesërmen gazetat më prestigjioze gjermane, zvicerane, austriake në faqet e para e kishin vendosur si lajm kryesor të ditës vrasjen e tre bijve më të shtrenjtë të popullit shqiptar. Të gjitha gazetat, përveç një fotografie, në të cilën dukej vetura dhe gjaku shqiptar që kishte skuqur borën e bardhë, përve[ dyshimeve, nuk sillnin asnjë fakt konkret për dorasit. Enti Kriminalistik, kishte deklaruar se “atentatorët ishin profesionistë, ndaj nuk kem asnjë gjurmë të bazuar”. Edhe sot pas 34 vitesh ende nuk është zbuluar ajo dorë e zezë kriminale.
Varrimi i dëshmorëve u bë tri javë më vonë, në varrezat Bad Constad të Shtudgardit, më 05 shkurt 1982. Që nga ajo kohë deri pas çlirimit të Kosovës, në çdo janar, mijëra veprimtarë nga mbarë Evropa, bënin homazhe pranë varreve të dëshmorëve në Shtudgard. Për çdo përvjetor organizoheshin tubime përkujtimore, flitej, recitohej e këndohej këngë për dëshmorët. Ndërkaq nga viti 2001 eshtrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës prehen në fshatin Dubovik, pranë blirit, ndërsa eshtrat e Kadri Zekës prehen në Varrezat e Dëshmorëve, pranë shokëve të idealit të përbashkët, në Gjilan.

Rrethimi i heronjve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha
Dy vjet më vonë, në mes natës 11 e 12 janar 1984, forca të mëdha policore rrethojnë heronjtë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, në Prishtinë. Këtë rrethim të hekurt, Rexha dhe Nuhiu e shpërthejnë nëpërmjet një lufte të pabarabartë: Në njërën anë qindra policë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në anën tjetër dy hero sypatrembur e krenar me idealin e tyre të pathyeshëm kombëtar. Pas një qëndrese të gjatë dhe heroike, bien për të mos vdekur kurrë, dy ideologët dhe pararendësit e UÇK-së. Krismat e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, ishin paralajmërimi parë se pa rezistencë dhe luftë të armatosur, nuk mund të çlirohet Kosova nga okupimi shekullor serb. Ata ranë për të mos vdekur kurrë, ndërsa shembulli i qëndresës së tyre u bë udhërrëfyes për rininë dhe mbarë popullin shqiptar për çlirimin e trojeve shqiptare.

Ismet Rashiti

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 671 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi