Bashkësia ndërkombëtare në rastin e Kosovës identifikohet me ambasadat e 4-5 shteteve të cilat vazhdimisht ushtrojnë ndikimin e tyre dhe përzihen në punët e brendshme të Kosovës thuajse çdo ditë. Këtë mund ta vërëjmë nga veprimtaria e tyre, dhe nuk është kurrfarë sekreti të thuhet se më e zëshmja ndër to është ambasada e SHBA-së sepse dihet dhe shihet. Roli i këtyre ambasadave në instalimin e pushtetit kriminal, korruptiv dhe mashtrues për eksperimentim me popullsinë e Kosovës, tani është sekret publik. Koalicionin e tanishëm qeverisës të Kosovës, përkundër betimit dhe këmbëngulësisë së LDK-së se nuk bënë kurrë koalicion me PDK-në, e imponuan SHBA.
Këtë fakt më mirë se çdo kush tjetër mund t’ua tregoj vetë LDK-ja. E ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare nuk e ka pasur dhe ende nuk e ka për qëllim që të ndihmoj në rrëzimin e kriminelëve por aktulisht mbështetjen dhe mbrojtjen e tyre. Lojërat dhe prapaskenat me Gjykatën Speciale tani duket se e kanë për qëllim mbrojtjen e kriminelëve të dyshuar dhe dënimin vetëm të njerëzve të opozitës, madje edhe individë të pafajshëm. Me këtë qasje bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA, do ta vërtetojnë qëndrimin e opozitës se Gjykata Speciale do të jetë instrument i garniturës së tanishme kriminale në pushtetin e Kosovës dhe pazar me Serbinë të cilës Qeveria e Kosovës po i bënë koncesione të patolerueshme. Përveç kësaj, nuk ka se si të interpretohet ndryshe fakti se SHBA i kishte bërë presion koalicionit qeverisës të Kosovës për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale, me zotimin e prerë që ta bëjnë këtë “nëse doni ta keni SHBA-në në anën tuaj, se përndryshe këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së”. Kjo mund të konfirmohet edhe nga zyrtarët më të lartë të Stejt Departamentit amerikan si John Kerry dhe Victoria Nuland. Dhe me të vertetë deri më tani SHBA ka dalur në anën e atyre që u ka bërë presion ta votojnë Gjykatën Speciale, pra në mbrojtje të kriminelëve në pushtet, pavarësisht se çfarë krimesh kanë bërë. Më tutje, kjo lojë që e vë në dyshim serioz qëllimin dhe punën e Gjykatës, vërtetohet nga ndërhyrjet arbitrare të ambasadorit amerikan Greg Delawie me deklaratat e tij të forta kundër çdo gjëjë të opozitës dhe në mbrojtje të pozitës. Këto reagime përputhen me zotimet e mëhershme të SHBA-së se do të jetë në anën e atyre që u bënte presion për ta votuar Gjykatën, dhe ndryshe nuk ka se si të interpretohet kjo rrjedhje e ngjarjeve me faktet në terren. SHBA-të po e mbajnë fjalën. Çështja e dëmtimit dhe përdhosjes së dinjitetit qytetar ka shkuar deri në atë masë sa që qytetarët janë neveritur nga çdo ndërhyrje ndërkombëtare, sidomos të SHBA-së, e cila në njëfar forme paraqet mbështetje të hapur për këto grupe mafioze e kriminale. Gjykata Speciale do të duhej të merrej me çdo lloj krimi pavarësisht se a janë të dyshuarit në pozitë apo opozitë, por veprimet e policisë së Kosovës dhe arrestimi i njëpasnjëshëm i aktivistëve të opozitës me urdhër të pozitës, po e tregon ditën në mëngjes për qëllimin e Gjykatës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të SHBA-së.
|