Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
HISTORIA, ARKITEKTURA DHE DOKET E NDËRTIMEVE NË SULOVË
Publikuar më 26 prill, 2016 në orën 22:49 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Sulova, është një zonë kodrinore e Elbasanit, e banuar që në periudhat e hershme historike, me veçorinë e vargut të kodrave shkëmbore, dhe shtrirjen e luginës ku rrjedh lumi Devoll. Ajo është e njohur për peizazhin e saj të gjelbër, traditat e bukura, por edhe histori që enden të mbushura me patriotizëm. Është mëse e kuptueshme dhe e natyrshme, që një zonë, me një pozitë të tillë gjeografike, të mos mbetej jashtë vëmendjes së çdo bashkësie njerëzore. Atë e vërtetojnë zbulimet e objekteve të shumta arkeologjike, fortifikimet, dhe vendbanime të vjetra, por edhe dokumente e toponimia e shumtë. Gjatë antikitetit të vonë, në shekujt IV-VI, aty do të shfaqen karakteristika interesante në ndërtimet me karakter fortifikues, (kala, kulla) rrugë, ura, por edhe në periudha të tjera të mëvonshme historike, e sidomos në shekujt e parë pas pushtimit turk, me ndërtime publike dhe fetare, që do të ishin të shumta në atë kohë.

Nje nga ndertimet 100 - vjeçare
Por në këtë shkrim studimor ne do të flasim për banesat familjare në këtë zonë, të cilat nga një periudhë historike në tjetrën, dhe nën ndikimin e faktorëve luftarakë, ekonomikë e shoqërorë kanë ndryshuar në formë dhe strukturë.
Banori i kësaj zone e deshi jetën, dhe e lidhi atë fort me banesën e tij. E ndërtoi atë prej guri, apo prej druri. Atje ku kishte gjetur tokë të përshtatshme, burim uji e mera për bagëtinë, por edhe për mbrojtje nga sulmet e pushtuesve, keqbërësve, apo edhe kafshëve të egra. Dikur si fillesë të banimit mendohet të kenë shërbyer ndërtimet brenda kalave, kullave antike, dhe pasi njerëzit janë siguruar në mundësitë e jetës në këto vende është kaluar në ndërtimet e terreneve të hapura. Ka pasur banesa brenda rrethimeve të fortifikuara si në kalanë e Qafës. “Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një kompleks banesash (13 shtëpi banimi) brenda mureve rrethues të kalasë”. (Y Cerova, Iliria Nr 2, viti 1987, faqe 167). Ndërtimet aty kanë pasur karakter kryesisht mbrojtës, sepse jeta e pasigurt, dhe njerëzit preferonin të banonin brenda mureve të fortifikuara megjithëse jo në kushte të përshtatshme. Në periudha të mëvonshme u ndërtuan banesa edhe jashtë këtyre fortifikimeve ka shumë histori gojore që tregojnë në lidhje me vendbanimet e vjetra. Ndër më të njohurat janë ato që tregojnë për Klosin, një vendbanim i vjetër e me një shtrirje të gjerë në një pllajë poshtë kalasë antike të Qafës. Një histori thotë se: “Shtëpitë në këtë zonë ishin ngritur njëra mbi tjetrën, rrethuar me mure, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës, me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”. Gjithashtu qarkullon edhe një histori tjetër se: “Aq të dendura ishin banesat sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te kisha dhe keci shkonte nga çatia në çati pa prekur këmbët në tokë.” Kjo histori e të tjera si kjo, në Sulovë dëshmojnë se ka pasur një bazë e mbështetje reale madhësia dhe lashtësia e vendbanimeve.
Zakonisht banesat u ndërtuan në vende të ngritura dhe zotëruese, me pamje dhe horizont të gjerë, në kodra dominuese, duke u dhënë edhe atyre shpesh pozicione strategjike, në terrene të thyera mbi toka joprodhuese për të ruajtur arat. Toponimet me emra të vjetër në këtë zonë ruajnë dhe përcjellin ende karakteristikat e vendbanimeve të dikurshme, veçanërisht: Kloset, Vilza, Kisha, Goricë e Çalës, Bovisht, Skunaj, Guri i Bardhë, Lekri, Radësh, Zhavur, Mëhallë e Kuqe, etj. Banesat ishin të vendosura në një parregullsi, në varësi të kushteve të terrenit, të grumbulluara, të rrethuara nga gjelbërimi i drurëve të ndryshëm frutorë e jo frutorë, me mure të larta e pengesa të tjera pasi jeta e pasigurt në periudha të caktuara e bënte edhe sulovarin të mbrohej sa më mirë. Një tipar tjetër dallues, i këtyre vendbanimeve ishin banesat larg njëra-tjetrës, pasojë kjo e mundësive që të ofronte terreni në kushte të caktuara të kohës, si edhe karakterit të pronësisë,të cilat ishin ndërtesa dykatëshe prej guri me mbulese prej rrasash guri.
Mbizotëruese në periudhën e regjimit të Zogut ishin banesat njëkatëshe, apo ndryshe tip “përdhese” prej gardhi lyer me baltë dhe të pashtruar, mbuluar me kashtë. Ky tip banesash ishte shprehje e varfërisë së popullsisë, që mbizotëronte në Sulovë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Gjëndjen e këtyre banesave dokumentat e shtypi i kohës e nënvizonin. “Gjëndja ekonomiko-shoqërore dhe shëndetësore e kësaj prefekture nuk është e mirë, sidomos popullsia e krahinave Çermenikë, Dumre, Shpat, Mollas (Sulovë). Nuk kanë as shtëpi të mira,as jetesë të mirë dhe mungesa e komunikacionit, e arsimit i ka izoluar, i ka lënë mbrapa’’ (Letër drejtuar qeverisë në vitin 1925 nga Prefekti i Elbasanit Murat Pod Gorica).
Orientimi i banesave bëhej nga jug-perëndimi. Ky ishte dhe është një rregull i përgjithshëm, por me përjashtime në varësi të terrenit, dhe përshtatjes së ekonomisë familjare. Ndërtimi i banesave të mira dëshmonte para së gjithash edhe për forcën ekonomike të porositësve të tyre, ku pasqyrohej edhe diferencimi klasor, ndaj shumë nga ndërtimet kanë qenë njësoj. Por, për ndërtimin e e këtyre banesave vendimtare në çdo kohë kanë qenë ndikimet e mënyrës së jetesës dhe doket e popullit sulovar. Zakonisht banesat ndërtoheshin në vende të kulluara, e me taban e, por që kishin fushëpamje të gjërë, me oborr, tërësisht apo pjesërisht me kopsht të gjelbëruar pemësh frutore nga më të ndryshme, të rrethuara me mure, por ka pasur edhe shumë shtëpi të rrethuara me gardhe ferrash veçanërisht në familje të varfra. Tokën për ndërtim e përcaktonin të moshuarit e fisit. Kushti i parë ishte të ruhej, se mos në atë vend ka pasur varre të vjetra, apo ka qenë vend i shenjtë, e siç thuhej në popull, i nemur, në troje që banorët e tyre ishin shuar nga fatkeqësitë. Trualli për banesë duhet të ishte afër pronave, Është e njohur në traditën popullore, që në zgjedhjen e trojeve për banim një faktor i rëndësishëm ka qenë mundësia e sigurimit të ujit të pijshëm, dhe që në mjaft raste largësia e burimeve diktonte transportin me krahë e kafshë ngarkese. Sipas mënyrës së atëhershme popullore, një truall konsiderohej i mbarë vetëm mbas disa provave më të përhapura, sidomos ajo e vathëve të dhenve. Në truallin që mendohej për ndërtim tufa e bagëtive lihej tre net me radhë, nëse delet pushonin të qeta ai truall konsiderohej i mbarë dhe fillohej ndërtimi i saj. Provë tjetër, ishte ajo me tre rrasa guri. Nëse ato mbusheshin me milingona ai konsiderohej përsëri i mbarë, dhe vetëm mbasi përcaktohej trualli fillonte grumbullimi i materialeve të ndërtimit. Si materiale bazë janë ato prej guri dhe druri. Prania e gurit edhe sot është e dukshme në këtë krahinë, dhe nuk ka qenë asnjëherë problem e shfrytëzohej bollëku i gurëve nga rrënojat e vjetra, por edhe të diktuara nga terreni,nga lartësitë shkëmbore, dhe gurët e përrenjve. Përpara se të ndërtohej banesa apo diçka tjetër, guri duhej të gjendej sipas cilësisë së kërkesave të përdoruesit të kohës. Me gurë të gdhendur në mënyrë mjeshtërore përgatiteshin qoshet e pragjet, por edhe shkallët nga jashtë. Guri përdorej edhe për mullinjtë e blojës, për të larë rrobat e trasha në dërstila, apo për të pirë ujë bagëtia. Me gurë ndërtoheshin edhe çezmat, ledhet e arave, vetulloret e ullinjve, apo pendat mbrojtëse nga vërshimet e përrenjve. Si material mbulimi të shtëpive përdorej rrasa e gurit. Me rrasa guri shtrohej edhe para shtëpisë oborri, rrugica, lëmenjtë e shirjes së të lashtave, kasollet e bagëtive, dhe gardhecët e drithërave. Gati çdo gjë ishte e ndërtuar apo e mbuluar më këtë material të fortë dhe me kosto të ulët. Por, ndërtimi i gjithçkaje prej guri në ndërtimin e shtëpive është një dëshmi i një pune të madhe e të mundimshme, duke marrë parasysh gjëndjen e tij për ta sjellë në formën e dëshiruar, si për qoshet apo edhe për portikët, pragjet, etj. Teknika e ndërtimit me baltë dhe gëlqerja e përzier me rërë lumi, preferohej shumë nga banorët, pasi ajo përmbante elementë lidhës, dhe ka përbërë një traditë ndërtimi. Druri përdorej për trarët, duke e mbushur çatinë me një katrahurë trerësh, çatmash, dërrasash, të cilat janë përdorur shumë edhe për dyshemetë e ndarjet e kthinave, por edhe për dyert e dritaret. “Punimet e drurit dyer e dritareve qenë të punuara nga duart e ustait më të zotë e mjeshtrit Elmas Qosja nga Dragoti”, shkruan autori nga Gramshi Shyqyri Tafa në librin e tij “Në mes njerëzve të thjeshtë”, faqe 45. Në shumicën e familjeve tavanet mungonin,dhe rrallë herë me kallama. Hapësira në mes gurëve të mëdhenjë mbushej me gurë të vegjël. Në banesat e vjetra deri në periudhën e mbretërimit të mbretit Zogu nuk është përdorur suvaja në mure. Vetëm në vitet ‘30 të shekullit të kaluar u vu re prirja për të futur në përdorim suvatë, e për të ndërtuar tavane e dritare të pajisura me xham, madje në ndërtimet e asaj kohe është vënë re në mënyre të natyrshme faktori klasor, i pashkëputur nga faktorë të tjerë. Dhe shtëpi të tilla në atë kohë ishin një luks i rrallë për atë kohë, që jo çdo familje e pasur mund ti kishte. Tipi më i përhapur i banesave me dyer e dritare të ngushta, ishte banesa me hajat, tip dykatëshe, që më vonë pati përmirësime në materialet e përdorura në përmasat, shtrirjen, orientimet etj.
Themelet e banesave sipas besytnive të kohës hapeshin vetëm ditën e shtunë. Ndërtimi shoqërohej me ceremoni të shumta. Festohej kur nisnin punimet, por edhe kur hyhej në shtëpinë e re. Zakoni i cili ishte aq i vjetër sa s`mbahej mend, kur hidheshin themelet therej një kurban, (zakonisht dash.) Urohej “qoftë truall i mbarë”, “për hajër trualli i ri”,“ta gëzoni me fëmijë e të dashur” etj.
Për ndërtimin e banesave deri në vitet `50 të shekullit të kaluar, ustallarët më të dëgjuar më së shumti vinin nga krahina të tjera. Të moshuarit e kanë çmuar punën shumë të mirë të ustallarëve nga Opari. Historitë gojore tregojnë se ata vinin në formë grupi, 5-6 vetë kryesisht në muajt e verës. Në të gjithë vendin, nuk ka mjeshtër më duarartë se ustallarët oparakë për punimin e gurit në ndërtim. Ata ndërtuan në Sulovë jo vetëm shtëpi, por edhe rrugë, ura, kisha, xhami, dhe është fakt që këto objekte në përgjithësi kanë një teknikë të lartë. Gurët ata i gdhëndnin me kujdes, dhe i lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme. Në ndërtimin e këtyre shtëpive, mendimi i ustallarëve oparak zinte vend në zgjedhjen e materialeve, por edhe të vendit për ngritjen e saj. Për punën që bënin, sulovarët i shpërblenin ata jo vetëm me para, por edhe me mikpritje e urime të shumta.
Kohërat zëvëndësojnë kohrat dhe gjurmëte këtyre banesave tashmë pothuajse janë zhdukur. Diku janë kthyer në gërmadha, e të mbuluara nga ferrat e fieret, aq sa nuk përcaktohen më se ç'janë, dhe se ç'kanë qënë dikur, e ç'kohë i përkasin, por e ruajnë lashtësinë e tyre.
Është e vërtetë që në formatin e një shkrimi të tillë e pamundur të pasqyrosh të plotë historinë e ndërtimeve dhe arkitekturës së një zone, por me aq sa shkruajtëm shkurtimishi mendojmë se kemi thënë diçka.

PËLLUMB GORICA

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 34 vizitorë
Lexuar: 1,355 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi