Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një enciklopedi e vërtetë e Luftës së Vlorës
Publikuar më 08 maj, 2016 në orën 01:47 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Vitin e kaluar, dhe pikërisht më 06 nëntor 2015, intelektuali vlonjat Albert Habazaj, poet, publicist, studiues i folklorit dhe hulumtues i mirënjohur, në Qendrën e Studimeve Albanologjike, para një komisioni shkencor, mbrojti punimin me titull “Lufta e Vlorës - historia në epikën historike”.

Në fillim të muajit mars 2016, punimi në fjalë u botua si libër më vete, të cilin e vuri në qarkullim Shtëpia Botuese “Neraida”. Libri zë një vëllim prej 204 faqesh. Megjithëse autori e quan këtë vepër “një kontribut modest të studiuesit të folklorit”, unë dëshiroj të theksoj që në fillim se kjo vepër është një himn i madhërishëm, kushtuar këngëve epike në nderim të Luftës së Vlorës dhe të heronjve të saj. Kjo për faktin se, siç thekson autori, “folklori i Luftës së Vlorës… bëhet kështu hipotekë e fitores së merituar…”.
Lufta e Vlorës qe mejdani i burrërisë shqiptare, e cila vërtetoi në praktikë se shqiptarët, kur e do puna, dinë të vetorganizohen dhe, me grykën e pushkës, të mbrojnë trojet amtare nga epshet shoviniste të agresorëve fqinjë që gëzonin përkrahjen e shovinizmit të fuqive të mëdha evropiane. Aristoteli thotë:
“Burrëria është virtyt, në saje të së cilit njerëzit, të gjendur në kushte të vështira, bëjnë mrekullira”.
Paraqitja vitrinore që autori u ka bërë në këtë punim shkencor këngëve historiko-heroike, kushtuar Luftës së Vlorës, përfaqëson në vetvete një shtresëzim të artit poetik popullor, në të cilin janë skalitur ngjarje të zulmshme që kanë përcaktuar një periudhë të rëndësishme në mozaikun e jetës së popullit shqiptar
Duke ndjekur me kujdes kronologjinë e ngjarjeve që u zhvilluan në amfiteatrin e Luftës së Vlorës, autori ka skalitur mjeshtërisht figura mjaft të spikatura të asaj epopeje të lavdishme në historinë e mbarë kombit shqiptar. Këngët historiko-heroike lidhen me ngjarje reale, ato pasqyrojnë fakte konkrete nga jeta e popullit dhe ngrenë lart aktet heroike të pjesëmarrësve në atë betejë vendimtare për fatet edhe të asaj Shqipërie të vogël, të katandisur sa një “vathë delesh” për qejfin e kryediplomatëve kriminalë evropianë të Konferencës së Londrës.
Figurat sa heroike, aq edhe tragjike, stili origjinal i parashtrimit të materialit, forca shprehëse e gjuhës poetike, përshkrimi me shije të hollë i jetës dhe i zakoneve të popullit, bëjnë që këngët historiko-heroike të shndërrohen në një burim të pashtershëm të dhënash për filologët, për historianët dhe për etnografët.
Mund të thuhet me bindje të plotë se Albet Habazaj, me këtë punim, përmes këngëve të epikës historike, i ka paraqitur lexuesit një analizë të historisë në truallin e poezisë popullore. Kjo për arsye se poezia e epikës popullore ka lindur si jehonë e drejtpërdrejtë e fantazisë krijuese të popullit, si një vlerësim mjaft objektiv që ai u ka bërë ngjarjeve që ka pasë përjetuar në jetën e përditshme. Këngët e epikës historike, kushtuar Luftës së Vlorës, kanë lindur mbi bazën e fakteve dhe të dukurive që janë vënë re në një truall konkret, i cili ka kushtëzuar, në tërësi, natyrën dhe specifikën e tyre artistiko-estetike.
Tërë ai material i pasur faktik i artit të epikës historike, kushtuar asaj lufte zulmëmadhe, që autori e ka qëmtuar si bleta nektarin, bie në sy për mungesën e elementeve mitologjike. Sepse në themel të tij populli ka vënë një parim sa historik, aq edhe estetik. Në të, siç u përmend edhe më lart, janë ravijëzuar fakte historike konkrete, të cilat i krijojnë mundësi lexuesit të përfytyrojë ortekun e papërmbajtshëm të revoltës mbarëpopullore kundër një padrejtësie skandaloze që fuqitë e mëdha evropiane kërkonin t’ia impononin me dhunë vendit tonë.
Vargjet e këngëve të epikës historike, kushtuar asaj ngjarjeje të shënuar në historinë e kombit shqiptar, dallohen për vlerat e larta artistike. Në to spikat rrebeshi i furtunës popullore që të kujton shpërthimin e një ujëvare gjigante, e cila, me vërtikën e saj të stuhishme, përpinë çdo gjë që i del përpara.
Autori ka përzgjedhur të tilla vargje nga këngët e epikës historike, të cilat të emocionojnë dhe të ngrenë peshë për vlerat e larta artistike. Fryma e lartë kombëtare që karakterizon heronjtë e atyre këngëve të lavdishme, shpërfaq me tërë forcën e frymëzimit artistik të tilla tipare të karakterit të tyre, si burrëria, besnikëria, vetësakrifica dhe atdhedashuria, të cilat shërbyen si një kudhër edukimi për breznitë e mëvonshme.
Në atë betejë forcash të pabarabarta, ranë katërqind dëshmorë nga radhët e luftëtarëve trima. E shtrenjtë ishte jeta për secilin prej tyre, por për ta edhe më e shtrenjtë ishte liria e tokës mëmë.
Shkrimtari, poeti dhe eseisti i njohur francez Antuan Sent-Ekzyperi (Antoine Saint-Exupéry - 1900-1944), thotë:
“Megjithëse jeta e njeriut nuk ka të çmuar, ne gjithmonë veprojmë në atë mënyrë, thuajse ekziston diçka edhe më e çmuar”.
Autorët e heshtur të këngëve të epikës heroike, kanë pasur parasysh rolin që ato duhet të luajnë në pasqyrimin e së vërtetës historike. Por për t’i dhënë më shumë nxitje afshit poetik në pasqyrimin e heriozmit mbarëpopullor, ata kanë përdorur edhe hiperbolën, si mjet artistik. Le ta shikojmë më konkretisht një mjet të tillë artistik në këngën e mëposhtme, disa vargje të së silës autori i ka cituar aty-këtu në veprën në fjalë:
Telatë po venë e vinë, / Punon Kota me Kaninë, / Ç’e ka gjetur Piaçentinë? / Jep e merr me Italinë: / Qysh do bëjmë unë e tinë? / Se shqipëtarët errinë, / Osmëni me dyzetmijë. / Osmëni ia hypi kalit, / Bëri poshtë buzës e malit, / Se ç’i foli xheneralit: / Breshkaman i breshkamanit! / Dil steresë e jo limanit, / Të shosh të zot e vatanit, / Djemtë e Ismail Qemalit, / Të Skënderbej faqebardhit.
Në vargjet e kësaj kënge hiperbolizohet numri i luftëtarëve të Luftës së Vlorës, i cili, në të vërtetë, vërtitej aty te rreth katër mijë syresh. Por autorit të këtyre vargjeve i interesonte emocioni atdhetar që ato duhet të ngjallin në radhët e brezave të ardhshëm. Veç kësaj, ai nuk respekton disiplinën gjuhësore të vargëzimit dhe sipërinë e marrin trajtat dialektore të së folmes së Lumit të Vlorës dhe të krejtLabërisë.
Një vend të rëndësishëm në faqet e librit autori ua kushton heroinave të fshatarësisë vlonjate, të cilat kryen akte të larta heroizmi jo vetëm si një prapavijë e fuqishme në mbështetje të luftëtarëve të lirisë, duke i furnizuar ata me ushqime dhe duke u mjekuar plagët, por edhe si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta me armë në dorë përkrah tyre.
Mes tyre, autori përmend zonjat e nderuara Sado Koshena, Rubi Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja. Në nderim të zonjës trime Sado Koshena, kësaj heroine sypatrembur që të kujton bashkatdhetaren e saj të shquar Shote Galica, poeti popullor anonim ka thurur vargjet e këngës epike të mëposhtme:
“Sado moj, Sado Koshena, / Jeshe rritur në Ravena, / Keshje pirë ujë bore / N’ato kullotat verore. / Mbi polkë veshe gjerdanë, / More përpjet’ Llogoranë, / Me një maliher të gjatë, / Luftove me ditë e natë. / Ti vëlla keshje dyfekun, / Me plumba e prite grekun, / Hape zjarr mbi italianë, / Se të zaptuan vatanë.
Qëllimi i kësaj vepre shkencore të studiuesit dhe të hulumtuesit të talentuar Arbert Habazaj, është studimi i gjenezës, i origjinalitetit të gjinisë së saj, si edhe i poetikës së këngëve të epikës historike. Në këtë këndvështrim, ai ka arritur të çelë shtigje dhe t’u japë zgjidhje detyrave të mëposhtme:
Së pari, ai ka argumentuar statusin teorik të këngëve të epikës historike brenda truallit të krijimtarisë folklorike.
Së dyti, ka përcaktuar rolin dhe rëndësinë e eposit në krijimin e këngëve me theks historiko-heroik.
Së treti, ka bërë një klasifikim të gjinisë dhe të stilit të eposit në fjalë.
Së katërti, ka përcaktuar veçoritë kryesore tipologjike të sistemit figurativ të këngëve historiko-heroike.
Së pesti, ka bërë karakterizimin e faktorëve historiko-kulturorë të lindjes dhe të zhvillimit të cikleve kryesore në eposin e këngëve në fjalë
Së gjashti, ka përcaktuar motivet themelore të këngëve të epikës historike dhe tipologjinë e tyre.
Së shtati, ka bërë një analizë artistike të teksteve të këngëve epike, duke pasur parasysh rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe në rrënjosjen e ndërgjegjes kombëtare.
Në truallin e tematikës historike që përshkruan autori i punimit në fjalë, nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe ajo pjesë e krijimtarisë së poetit popullor, në të cilën rrëfehet për ngjarje që lidheshin me mospajtimet dhe me kontradiktat socialpolitike të periudhës së parapërgatitjes dhe të zhvillimit të epopesë së Luftës së Vlorës. Për këtë qëllim, autori i ka ofruar lexuesit një këngë me një kuptim mjaft domethënës, një këngë kjo që të ngjall një emocion urrejtjembartës për atë pjesë të parisë së Vlorës, e cila nuk pranoi të rreshtohej përkrah forcave të fshatarësisë kryengritëse, por bëri kauzë me imperializmin italian, duke tradhtuar interesat komnbëtare. Ja teksti i asaj kënge bukur fshikulluese, të cilën autori e ka përcjellë, siç shkruan ai, “duke respektuar parimin fonetik”, pra, siç u nënvizua edhe pak më lartë, ashtu si edhe krijuesi i saj që nuk është bërë fort merak për t’iu përmbajtur disiplinës gjuhësore:
“Nuk e bëjmë kabull nà / Të jemi për nën - ë botë, / Nuk e bëjmë si atà, / Agallarët - ë me kokë / Shitën vatan’ edhe gra / Të ndierit në Evropë. / S’ini ju, po jemi nà / Dërc, u qoft’, o kaninjotë! / Seç u ngre Beu e tha: / “Për ne Italia rroftë, / Me makarona na mba / Si nevej dhe risiljotë”.
Me këtë rast, autori i këtij punimi shkruan:
“Kjo është një këngë e krijuar dhe kënduar nga krijuesi popullor dhe luftëtari i Njëzetës Mato Hasani, dhe shquhet për notat realiste e për ndjenjat e krenarisë së shqiptarit. Urrejtja ndaj shërbëtorëve vendas, që kishin barkun plotë e shpirtin bosh, kur u bënë urë për të huajin, se s’kishin palcë kombëtare në karakter, bëhet vetëtimë kur ngjyhet në ironinë therëse të dufit të banorëve të këtyre anëve. Kënga thekson dy grupime njerëzore që kanë dallime thelbësore, që veçohen nga kontraste të forta: ne, të idealit kombëtar, pra patriotët, dhe ata, të interesave personale, pseudopatriotët, tradhtarët”.
Ai beu që u ngrit e tha “për ne Italia rroftë…”, ishte Mahmut efendiu nga Kanina. Por ky bej, dhe ndonjë tjetër si ky, tradhtar i interesave kombëtare, që u falej “makaronave italiane”, nuk përfaqësonte Kaninën, e cila ka qenë vatër e shquar e shqiptarisë dhe ka nxjerrë nga gjiri i vetë figura me emër të madh në historinë e kombit shqiptar.
Në përfundim të këtyre shënimeve, kam dëshirë t’i rekomandoj autorit të kësaj vepre shkencore që, në rast të ndonjë ribotimi të mëvonshëm, të bëjë një shtojcë në mbyllje të saj, duke ngritur një “urë ajrore” mes epopesë heroike të Luftës së Vlorës dhe realitetit shqiptar, pas vendosjes së pluralizmit në vendin tone, në mënyrë që të të dalë në pah fakti, nëse ekzistojmë “na”, apo jemi rrëgjuar, jemi venitur krejt, saqë jemi shuar fare, dhe ekzistojnë vetëm “ata”, të cilët sot quhen oligarkë të politikës aktuale që kanë braktisur interesat kombëtare.
Këtë rekomandim ia bëj zotërisë së nderuar Albert Habazaj për arsyen e mëposhtme.
Një miku im vlonjat, pasi kishte lexuar në internet pamfletin e zotërisë Idajet Jahaj, me titull “Vrima e zezë e helenizimit “paqësor” grek” (ku nënvizonte: “Parlamentarët e politikanët tanë janë në rrjetën e megali-idhesë greke”), artikullin e profesorit historian Rasim Bebo, me titull “Dy intelektualë të kundërt” (ku shkruante: “Në rrugën Sarandë-Butrint është varur një tjetër flamur gjigant grek, që turistët të mendojnë se janë në tokën greke), si edhe librin e zotërisë Albert Habazaj, në të cilin i kishin lënë mbresa të fuqishme vargjet e këngës së lartpërmendur, kushtuar tradhtisë së një pjese të parisë vlonjate, në poezinë e mëposhtme kishte parodizuar këngën në fjalë:
Tirana zyrtare tha: / Për neve Greqia rroftë, / Se në dorë ajo na ka / Për të hyrë në Evropë, / Janullatosin e ka / Emisar, jeta iu shtoftë!, / Guvernator, jo shaka, / Guvernator rroftë e qoftë! / Kryqin grek në qafë e mba, / Ndaj dhe ne ia puthim fort, / Se kështu hije na ka, / Çamëria u harroftë!
Kur e lexova këtë parodi, më erdhi edhe për të qeshur, edhe për të qarë dhe, aty për aty, m’kujtuan ca vargje tronditëse të një poeteshe:
Ah! vendi im... / Të varfërit po të braktisin... / Të pasurit po të shesin ... / Shartohet kombi, / Traditat vdesin....! / Të poshtërit të qeverisin ...! / Të diturit pinë ekspres... / Bërtasin veç varret. / Shqipëria po vdes…!!
Këto vargje janë shkëputur nga një poezi e poeteshës Alma Feruni dhe janë publikuar në gazetën “Rënjët” të datës 26 prill 2016, gazetë kjo që botohet në Itali.

Dejton, Ohajo
03 maj 2016

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 726 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi