Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ëndrra të ngelura në udhëkryqet e jetës
Publikuar më 17 maj, 2016 në orën 04:47 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Edhe dashuria - viktimë e luftës së klasave

Para pak ditësh, Shtëpia Botuese “Nacional” nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim një vepër të re të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe e Penës. Vepra është e gjinisë së prozës së shkurtër dhe titullohet “Dashuria plagoset.., por nuk burgoset”. Letra nga ferri”. Redaktimi dhe parathënia mbajnë firmën e kritikut të mirënjohur Prof.dr. Fatmir Terziu, një penë e shquar në artin e kritikës letrare, autor i veprës autoritare me titull “Kritika ndryshe”, e botuar para disa vjetësh në dy vëllime. Si një personalitet me përgatitje erudite në majat e kritikës letrare, profesor Terziu vazhdon ta pasurojë edhe më shumë fondin e saj me kalimin e viteve. Recensionues i veprës është Marku Pone.

Që në rreshtat e para të librit, autorja e mallëngjen tej mase lexuesin me fjalëkushtimin prindërve të saj të shtrenjtë, që hoqën mbi kurriz pasojat e egra të luftës së klasave, të cilat i përjetoi jo vetëm babai i saj, me prejardhje nga një derë fisnike, i dënuar padrejtësisht me burgim të përjetshëm, por edhe më shumë nëna e saj, në kushtet e mërisë komuniste ndaj një familjeje të deklasuar
Kur e mbaron së lexuari këtë vepër, vetvetiu të krijohet bindja që tema e dashurisë në krijimtarinë e çdo poeti ose shkrimtari, është rrezatim i botës së tij të brendshme, i ndjenjave dhe i përjetimeve të tij. Prandaj, sipas rastit, dashuria dikë e bën me flatra, kurse dikë tjetër e zhyt në honet e një dëshpërimi të pamatë. Kjo është edhe arsyeja që poetët dhe shkrimtarët janë shumë më të ndjeshëm ndaj kësaj ndjenje hyjnore sesa njerëzit e zakonshëm.
Vepra është e thurur me fjalë “magjike” që të lëndojnë zemrën, të mbushin me emocion dhe të bëjnë të sjellësh në përfytyrimin tënd brengat shpirtërore të autores, si pjesë e pandarë e të gjitha brengave të asaj shtrese të nderuar të popullit shqiptar që ra pre e luftës së klasave, të imponuar me dhunë nga diktatura komuniste.
Letrat nga ferri janë një dritare që autorja ka hapur në botën e të dashuruarve, të cilët i drejtohen njëri-tjetrit me fjalë tronditëse: dikush ushqen shpresën për t’u takuar sërish dhe për të përjetuar përsëri çastet e dehjes dashurore, dikush tjetër, fatgremisur dhe shpresëprerë, e ka ndarë mendjen për humbjen e dashurisë një herë e mirë, një i tretë, në pamundësi për të përballuar torturat shpirtërore dhe fizike nëpër qelitë e ferrburgut komunist, vendos t’i thotë jetës “lamtumirë!”.
Letrat nga burgu, autorja herë-herë i ndërkëmben me vargje poetike që të ngjethin trupin.
Kur rrëfen për një të ri që vendos t’i japë fund jetës se nuk është në gjendje t’i përballojë torturat shpirtërore dhe fizike në qelitë e burgut, ajo vë në gojen e tij vargjet e mëposhtme:
Ne jemi
të vdekurit e gjallë.
Përse qëndrojmë mbi tokë
vallë?
Mos...
për të kënaqur xhelatët tanë,
tek na shohin kur hiqemi zvarrë?!
Jo,
më mirë vdekjen e ëmbël mjaltë.
Sesa të na marrin shpirtin
pak e ngapak,
ndaj ...
po u jap fund dhembjeve këtë natë.
Këto vargje më ngjallën menjëherë në përfytyrim fatin tragjik të poeteshës ruse Marina Cvjetajeva (1892-1941). Në vitin 1939, asaj i patën arrestuar bashkëshortin, vajzën dhe motrën, kurse vetë poeteshën e patën degdisur në qytetin Ellabuga të Tatarstanit. E braktisur nga të gjithë, si bashkëshorte e ish-oficerit bjellogardist, në kushtet e një varfërie të skajshme, kur nuk e lejonin të punonte as si pjatalarëse, ajo vendos t’i japë fund jetës më 31 gusht 1941, 25 ditë pas pushkatimit të të shoqit, duke lënë pas ca vargje tmerruese për breznitë në vazhdim:
Më s’dua të jem gjallë,
Këtu s’dua të rri,
Me ujqit nëpër sheshe,
S’dua të ulërij.
Në të njëjtën kohë, ajo pati lënë edhe një pusullë të dhimbshme, si testament për fqinjin, shkrimtarin Nikollaj Asejev, që ta merrte nën kujdestari të birin e saj, Gjergjin 16-vjeçar, dhe ta trajtonte si djalin e vet.
Kjo vepër është me të vërtetë një përmendore, kushtuar dashurive të plagosura. Ajo është e përndritur me magjinë e fjalës artistike të autores. Në të njëjtën kohë, ajo është një homazh i shkëlqyer për viktimat e sistemit komunist, i cili ua plagosi rëndë dashurinë sa e sa njerëzve të pafajshëm, vetëm e vetëm se ata rridhnin nga të tilla familje të nderuara, për të cilat ishte e huaj ideologjia komuniste. Tek shtegton nëpër faqet e këtij libri, lexuesi frymëzohet nga forca mitike e dashurisë dhe bindet edhe më shumë për rolin e jashtëzakonshëm që ajo luan për fisnikërimin e shpirtit njerëzor.
Gjenia poetike e Dantes (1265-1321) dhe e Petrarkës (1304-1374) , po të shprehemi me gjuhën e ditëve tona, e ngriti kultin e dashurisë në lartësi të papara ndonjëherë.
Siç u përmend edhe më lart, vargjet poetike apo proza artistike, pasqyrojnë tallazet e shpirtit të autorit, brengat dashurore, dramat personale që ai i ka përjetuar në heshtjen e tij engjëllore. Në këto raste, energjia e një dashurie dëshpërimtare vjen e shndërrohet në energji krijimtarie, në një potencial të lakmueshëm krijues. Poeti apo shkrimtari nuk ka si t’ua bëjë dermanin ndjenjave që ia kanë pushtuar qenien në çdo qelizë të trupit të tij, nuk ka kujt t’ia zbrazë ato, prandaj ato e orientojnë për hedhjen në letër të vargjeve poetike, ku shpërthen pasioni për qetësimin e derteve shpirtërore. Si shembull më kuptimplotë shërbejnë ndjenjat e ndezura të Petrarkës, të përshkruara me aq art poetik për Laurën, apo të Romeos për Xhulietën në vargjet e Shekspirit.
Një dukuri e tillë nuk është e rastit në jetën e poetit dhe të shkrimtarit. Përshkrimi i vuajtjeve shpirtërore, i ndjenjave plot afsh dashuror, shërben si një nga mënyrat psikologjikisht shërimtare të zemrës së tij të lënduar. Prandaj edhe vargjet derdhen në letër më me lehtësi, ashtu vetvetiu. Sepse kur shpirtin e pllakos hareja, poeti dhe shkrimtari sikur nuk ua ka vaktin vargjeve poetike, për të cilat duhet kapur një tjetër moment, një moment zemërbrengosës që të rrëmben drejt humnerave të shpirtit ëndërrimtar.
Herë-herë, njerëzit e penës poetike, dikush me vetëdije, dikush me një përndritje hyjnore, nxiten paraprakisht nga një gjendje e tillë, rrinë e kërkojnë të tilla subjekte me tema dashurie, për t’u “infektuar” pikërisht me “mikrobin” e dashurisë.
Në këtë vepër, autorja, përmes letrave nga ferri, parashtron njërën nga karakteristikat më të rëndësishme të dashurisë së pastër të të dashuruarve, të cilëve ua ka prerë rrugën muri i diktaturës së luftës së klasave: ajo bën identifikimin e kërkesave të të dashuruarve të përmalluar nga ndarja, shkrin hierarkinë e kërkesave të tyre themeloret në një hierarki të vetme. Si rezultat i kësaj shkrirjeje, të dashuruarve u lindin kërkesa të përbashkëta. Uni i secilit prej tyre vjen e zgjerohet, duke pranuar brenda vetes Unin e tjetrit deri në atë shkallë, saqë mund të thuhet se dy njerëz të dashuruar shkrihen në një qenie të vetme, shndërrohen në një njeri, në një Un, me të vetmin pikësynim për ta shpëtuar dashurinë nga kthetrat e diktaturës së luftës së klasave.
Letrat nga ferri, - thekson shkrimtarja, - “i përkasin kohës së diktaturës, e cila hynte dhe në ndjenjat private të individit, në intimitetin njerëzor, ndaj mjaft dashuri i penguan, i plagosën, por thellë-thellë ato mbijetuan”. Ndaj dhe ajo ndërton kompozita të bukura, të cilat kanë një nëntekst mjaft domethënës: jetëboshësi, ndajnatë, masajër, qeliburg, tjetërsimkohë, varfërimendje etj. Dhe nuk mund të mos vrasësh mendjen për kuptimin e tyre leksikor. Për të kapur thelbin e tyre, duhet përsiatur, duhet rindërtuar në përfytyrimin tënd jeta e shkrimtares, të cilën dikur lakejtë e diktaturës nuk e lejuan të përfundonte universitetin kur i kishin mbetur edhe tre provime, kur përgjegjësi i seksionit të arsimit të rrethit të Vlorës, si një komunist i regjur, ia mohoi të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësueses, me “justifikimin”: “nuk je në gjendje të zhvillosh luftën e klasave”. Prandaj nënteksti që fshihet në kompozitat e lartpërmendura, duhet zbërthyer, duhet gjallëruar, duhet t’i kthehet shikimit, dëgjimit, shijes, nuhatjes së lexuesit, shpirtit të tij delikat, frymës së tij ëndërrimtare, ai duhet të hyjë në nënvetëdijen e tij, në mënyrë që ai të përftojë ngjyrat e jetës konkrete.
Letrat nga ferri janë një skaner i përsosur që autorja i ka bërë mjeshtërisht jetës së individit në një shoqëri totalitare, ku, siç ankohet me zemëratë Marina Cvjetaeva, “nuk ke se pas kujt të kapesh”, sepse pushteti ia kishte zënë të gjitha shtigjet për të çarë drejt lexuesve, prandaj edhe nuk e lejonin të botonte, ashtu siç nuk e lejuan edhe shkrimtaren e talentuar Vilhelme Vranari Haxhiraj, së cilës pasionin për krijimtari letrare ia vranë që kur kjo sapo kishte filluar të shpërthente “sythet” e saj. Diktaturat totalitare prandaj edhe janë të tilla, sepse ato, pavarësisht se në ç’vende janë vendosur, kanë një gjë krejt të përbashkët: ato e nxjerrin individin në të njëjtin shteg dëshpërimi.
Në këtë këndvështrim, mund të hiqet një paralele mes një regjimi fashist dhe një regjimi komunist.
Musolini (Benito Amilcare Andrea Mussolini - 1883-1945) thotë:
“Për një fashist, gjithçka ndodhet brenda shtetit dhe asgjë njerëzore ose shpirtërore nuk ekziston dhe, aq më tepër, nuk ka vlerë jashtë caqeve të shtetit. Në këtë kuptim, fashizmi është totalitar, po ashtu, edhe shteti fashist, si sintez dhe unitet i të gjitha vlerave, shpjegon dhe zhvillon gjithë jetën e popullit, madje e përshpejton ritmin e saj”.
Megjithatë, mes fashizmit, si sistem autoritarist, dhe komunizmit, si sistem totalitar, ka një dallim thelbësor. Këtë dallim e ka nxjerr në pah Hana Arendt (Hannah Arendt - 1906-1975), filozofe gjermano-amerikane me origjinë hebraike, teoriciene politike dhe historiane, themeluese e teorisë së totalitarizmit. Ajo thotë:
“Fillesa e autoritarizmit, në të gjitha aspektet thelbësore, është diametralisht e kundërt me fillesën e sundimit totalitar. Autoritarizmi, në çdo formë qoftë, gjithmonë e ndrydh ose e kufizon lirinë, por asnjëherë nuk e zhduk. Kurse sundimi totalitar ka si pikësynim zhdukjen e lirisë dhe aspak kufizimin e saj, sepse etja për pushtet të pakufizuar shfaqet në vetë natyrën e sistemeve totalitare. Një pushtet i tillë është i sigurt vetëm atëherë, kur të gjithë njerëzit, pa asnjë përjashtim të vetëm, kontrollohen rreptësisht në çdo sferë të jetës së tyre”.
Për pasojë, shteti totalitar, thelbi i të cilit zbulohet lakuriq përmes mjeshtërisë artistike të autores në letrat nga ferri, përfytyrohet si rregullator dhe madje si zëvendësues i të gjitha marrëdhënieve sociale, deri tek ato më intimet. Prandaj edhe problemet familjare, raportet dashurore mes të rinjve me prejardhje të ndryshme klasore, lejet për fejesa dhe martesa, bëheshin objekt diskutimi jo vetëm në strukturat shtetopartiake, por edhe nëpër kolektivin e institucioneve të ndryshme. Madje Enver Hoxha, për qëllime të pastra politike që dihen mirë, fejesën e dy të rinjve e bëri objekt diskutimi deri edhe në Byronë Politike.
Në këtë prozë të shkurtër, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, megjithëse dashurinë, përmes letrave nga ferri, e ka trajtuar si një “heroinë” të lënduar nga diktatura totalitare, prapëseprapë ajo e ka skalitur atë me merak. Përmes vuajtjeve shpirtërore të heronjve të letrave, zbulohen ndjenjat e pastra të të dashuruarve, karakteri i tyre i admirueshëm, forca e magjishme e dashurisë së tyre, gatishmëria proverbiale për ta përjetuar ndërsjelltazi gjendjen shpirtërore të njeri-tjetrit, shpirti i paepur për sakrifica deri në vetëmohim.
Erik From (Erich Seligmann Fromm - 1900-1980), sociolog, filozof, psikolog, psikanalist, njëri nga themeluesit e neofrojdizmit, thotë:
“Dashuria është një ndjenjë e përbashkët e dy njerëzve që dashurojnë, së paku, deri atëherë kur ekziston lidhja mes objektit të dashurisë dhe Unit personal të njeriut. Dashuria e vërtetë është shprehje e formimit të individit, ajo presupozon përkujdesjen, respektin, përgjegjësinë dhe njohjen e njëri-tjetrit. Dashuria nuk është emocion dhe as afekt, ajo është një pikësynim aktiv për madhështimin e njeriut të dashur dhe për lumturinë e tij, pikësynim që e ka fillesën në aftësinë e të dashuruarit për të dashuruar”.
Me këtë vepër, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj e ka pasuruar edhe më shumë korpusin e veprave të saj në disa gjini letrare. Ajo e ka çelur me kohë shtegun drejt zbulimit të shumë mëkateve të diktaturës së luftës së klasave në sistemin komunist, të cilën njerëzit e përjetuan me shumë dhimbje deri në atë masë, saqë edhe dashuria për jo pak syresh shërbeu si një yll që shkëlqen, por që mbeti përherë i paarritshëm.

Sinsinati, Ohajo
16 maj 2016


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 378 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi