Një grup krijuesish e intelektualësh: Mehmet Rukiqi, Ramadan Mehmeti, Nezir Prokshi, Halil Gashi, Bedri Tahiri, Hajdar Fejzullahu, Ardit Gashi e Alban Fejzullahu, më 17. 05. 2016 vizituan Presidencën dhe ia uruan detyrën e re z. Hashim Thaçi. Presidenti, z. Hashim Thaçi dhe këshilltari i tij, krijuesi Ismail Syla, i pritën me dashamirësi e përzemërsi dhe për më shumë se dyzet minuta biseduan e shkëmbyen mendime, kryesisht rreth krijimtarisë, dhe u dhuruan libra e foto nga periudha të ndryshme kohore.
Autori Bedri Tahiri ia dhuroi një foto të vitit 2004, kur të dy bashkë zbuluan Pllakën Përkujtimore të Azem e Shotë Galicës në Galicë, pastaj librin me tregime “Diferencimi”, ku është përfshirë edhe tregimi kushtuar shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 “Nusja e Praruar” si dhe librin më të ri “DRENICA-Djepi i trimërisë”, në të cilin janë përfshirë 101 figurat më të ndritshme kombëtare të Drenicës heroike, që nga heroi i parë, Millosh Kopiliqi e deri tek legjandari Adem Jashari.
Presidenti ua dhuroi nga një Libër të Pavarësisë.
Kaltrinë TAHIRI
|