Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
GJURMË TË LASHTËSISË SË NJË VENDBANIMI
Publikuar më 25 qershor, 2016 në orën 04:01 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Një vështrim historik për Klosin e Sulovës

Kushdo që kuturis të hulumtojë për historinë tonë, me siguri do t’i duhet të gërmojë në arkiva, bibloteka, botime historike, apo duke shkelur gjurmët e lashtësisë, dhe shpjeguar toponiminë e shumtë. Natyrisht nuk mund të zbulojë gjithçka… Veçse ato të shërbejnë për të larguar mjergullën që na ka penguar njohjen, sepse nuk ka mjerim më të madh kur e ke historinë dhe e harron atë.
Në territorin e krahinës së Sulovës ka ekzistuar një vendbanim i madh mesjetar. U ngrit ai pasi u ndërtua kalaja e Qafës, e cila kishte një sipërfaqe të kufizuar, prandaj, me shtimin e popullsisë, lindi nevoja e ndërtimeve jashtë kalasë.
Janë të dhënat e shumta, që sjellin deri në ditët tona, jo vetëm emrin tij, periudhën e largët, por edhe gjurmë, gjetjet arkeologjike, fragmentet murale, mikrotoponimet… Sepse, shumçka që ndërlidhet me këtë vendbanim, e ka një fillim, por edhe një fund.

Arkivat e gjalla, pikënisje për studime të historisë
Nisur nga faktet, po rrekem në një sprovë për të hedhur disa radhë për këtë vendbanim të lashtë. Pra, një punë që e kam nisur prej vitesh në gjurmët e rrënjve të humbura të Klosit, dhe historive të treguara natyrshëm për të, por edhe hulumtimeve në arkiva e botime të studiusëve: Neritan Ceka, Kol Luka, Valter Shtylla, Aleksandër Meksi, Ylli Cerova, bisedave me historianë e studiuesit Moikom Zeqo, Mark Tirta, Kreshnik Belegu etj. Sidomos, këto vitet e fundit, në kuadrin e botimit të librit “Sulova e Poshtme në shekuj”, thellohem në hulumtimet e mia për këtë vendbanim. Në fakt rrëfimet e bashkëvendasve të mi sulovarë, më nxitën kureshtjen në kërkim të gjurmëve të kaluarës së këtij vendbanimi historik. Eruditi Moikom Zeqo në parathënien e botimit “Sulova e Poshtme në shekuj” thekson se: “Aty ku duket se mbi historinë ka rënë pluhuri i harresës, ajo zbulohet e rizbulohet papushim në rikonstruktimin e burimeve gojore sipas llogjikës dhe vështrimit dokumentar. Klosi një vendbanim i vjetër, ku dëshmitë janë fakte të rëndësishme dhe kuptimplote. Përshkrimi i Klosit si një vendbanim i vjetër është parë sipas referencave historike të dokumentuara me rigorozitet dhe seriozitet maksimal.”

Këtu gjithçka ishte e bukur
Kur vështron vendosjen së tij në një pllajë, e cila vjen me ulje në luginën e Devollit, në pamjen e parë të krijohet përshtypja se nuk tregon asgjë, por kur përballesh me gërmadha, bindesh pa asnjë mëdyshje se ky ka qënë një vendbanim i madh. Qarkullon një histori e tillë në këto anë: “Aq të dendura ishin banesat sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te kasha, dhe keci shkonte nga çatia në çati pa prekur këmbët në tokë.” Kjo histori e të tjera si kjo, në Sulovë dëshmojnë se ka pasur një bazë reale lashtësia e vendbanimeve. Me kalimin e shekujve historitë gojore do të përziheshin, dhe nuk merret vesh ku fillonte njëra e ku përfundonte tjetra. Por, sado të hipërbolizuara të jenë, ato tregojnë për një vendbanim të madh dhe me shtrirje 3-4 kilometra. Të vjetërit tregonin se njëherë në një ditë dasme këtu kanë zbritur 72 nuse nga ky vendbanim. Për një fakt të tillë dëshmon edhe kjo histori: ”Një herë, dy banorë të këtij vendbanimi, por që nuk njiheshin, po ktheheshin nga larg. Pasi kishin udhëtuarsë bashku një farë kohe në heshtje, ia nisën bisedës me njëri-tjetrin:
-Nga je, or mik? Ku po shkon?
Përgjigjet e tyre treguan se ishin nga i njëjti vendbanim, por nuk ishin takuar më parë.”
Një tjetër, nga historitë e shumta gojore, ka të bëjë me natyrën magjepse të këtij vendbanimi. “Këtu gjithçka ishte e bukur: kishte pemë frutore, ullinj, vreshta, pyje, burime,kope të mëdha bagëtish etj. Shtëpitë të ngritur njëra mbi tjetrën, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”.
Terreni shkëmbor, i copëzuar si gunga, i ndihmonte ata për t’u mbrojtur, ku rreziqet në kohëra nuk ishin të pakta. Lugina përmbytej nga vërshimi i lumit Devoll. Vijnë histori të një pylli të dendur, që fatkeqisht është prerë e djegur në rrjedhat e kohës, ku aty mbarshtroheshin dele, dhi dhe një rracë e fuqishme kuajsh, të bëjnë të besosh se ky vend ishte zgjedhur për banim për këto kushte.

Gjetjet dhe gërmadhat dëshmojnë lashtësi
Gjurmët e Klosit humbasin në tymnajën e shekujve, megjithëse ato as që mund të vihen në dyshim. Aty- këtu të shëndërruara në grumbuj gurësh të gdhendur, e të veshur me ngjyrën e errët të myshkut, e diku me vulën e grimtë e të shplarë të agjentëve atmosferikë: shiut, diellit etj, por edhe të fshehur shkurreve, syri ndesh tjegulla e tulla, muret e një kishe bazilikale, rrethimet e kalasë antike të Qafës, diku fragmente të një nëndege të rrugës antike dëshmojnë se kemi të bëjmë me një vendbanim të lashtë. Ky është një vëzhgim sipërfaqësor, sepse gjatë punimeve bujqësore, banorët zbulojnë i vegla pune, shpata, mburoja, stoli, monedha, me dhjetëra ekzemplarë, që toka i ka ruajtur si dëshmitare të jetës së lashtë në këto troje. Sipas historive gojore, muret kanë qenë me të plota gjer shumë kohë më parë, dhe struktura e sotme e tyre nuk të le të përcaktosh se ç’janë, dhe ç’kanë qënë dikur, e ç’kohë i përkasin. Musa Deliu, një nga banorët e fshatit Selvias tregonte se; “kur ishte i vogël, shkonin këtu me bagëtitë dhe gjenin tjegulla me mbishkrime, amfora, enë prej balte, etj, me të cilat nga që nuk u a denim vlerën luanim me to deri në shkatërrim.” Është tragjike se si një vendbanim i tillë, të jetë shkatërruar plotësisht, por megjithatë këto gjetjejanë të dhëna me vlerë, të ekzistencës së ndërtimeve të lashta, dhe të një popullsie me histori e kulturë.

Klosi në Mesjetë, ishte qytet
Vështirë, se mund të shkruash më shumë për lashtësinë e tij, por historitë dhe ato pak dokumenta dëshmojnë se, Klosi në Mesjetë ishte qytet. Këtë dëshmi të një rëndësie të veçantë, e sjellë edhe historiani elbasanas, Dr.Shyqyri Demiri në librin “Vështrim i shkurtër historik i trevës së Elbasanit”, faqe 28. Me argumenta ai shkruan se: “Është shfaqur një mendim se këtu kemi të bëjmë me një qytet të lashtë, që u shkretua prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore: me pishtarët e ndezur mbi brirët e dhive’’, duke vazhduar më tej shkruan se: “para pushtimit turk këtu ka qenë një qytet i dinastisë së Muzakajve dhe kalaja ishte pjesë e këtij qyteti.” Njëri prej pinjollëve të saj, Andrea Muzaka, princ më në zë i Arbërisë, në gjysmën e shekullit XIV ka ngritur këtu objektet publike dhe fetare të këtij vendbanimi. Mbase, ky studim për këtë vendbanim nuk do të ishte i plotë, pa përmendur dimensionin historik të Muzakajve. Luftëtarë në zë, pronar territoresh, sundimtar autoritar këto ishin disa nga vyrtytet, të cilat kanë karakterizuar këtë familje fisnikësh mesjetarë arbëror. Zotërimet e saj, ishin shtrirë në Myzeqe, Berat, Tomorricë, Sulovë, etj. Aty sundoi princi Mentul Muzaka, që historinët na e sjellin gabim këtë qëndër të tij, duke e përcaktuar me Klisurën (Këlcyrën.)
Besohet se Klosi mund të jetë më i hershëm si vendbanim. Sipas ‘’Burimeve të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë”, vëllimi I II, Tiranë 1962, faqe 111 është shkruar se: “Normanët në fillim të shekullit XII zbarkuan në Vlorë, e kanë zhvilluar luftime, duke shtënë në dorë një pjesë të territoreve tona, edhe një qytet të vogël, të quajtur qyteti i Mylit, që ndodhet mbi lumin Deabel (Devolli).’’ Rreth tij ka pasur vendbanime të lashta, dhe emërtimet e tyre janë të panjohura. Lind pyetja: Mos ndoshta ky qytet gjendej këtu, dhe ka evoluar gjatë shekujve nga Myl-Mbyll-Klos? Emërtimi përputhet me pozitën gjeografike, të mbyllur nga lindja prej vargut shkëmbor.
Por studiuesi Kol Luka në “Etnografia Shqiptare”, nr 14, faqe 288, Tiranë 1985 shkruan për emërtimet e mjaft vendbanimeve të lashta në Shqipëri, e midis tyre edhe për Klosin: “Emërtimi Klos është vënë në kohën e pushtimit romak. Janë trajta latine (cludo, cusi, clusum) në vështrimin e mbylljes së një shtegu të hapur e rrethimit, dhe e ruajtjes së një rruge, të një qafe, që duket se vjen nga një pjesore e latinishtes klosum. Këto në fillim ishin qendra të vogla ushtarake, të formuara pikërisht në vendbanimet dhe morën këtë emërtim të vendosura nga krijuesi i temave bizantine Teofili, perandor bizantin 825-842, i cili formoi në kohën e vet këto qendra, me sisteme mbrojtje të përqendruar.”
Në shkrimet e Ana Komnenit, që flasin për ngjarjet e luftrave të normanëve dhe bizantinëve në Arbërinë e shekujve XI-XII ka disa të dhëna për vendet, dhe rrugët e lëvizjeve të perandorit Aleks Komneni. Perandori bizantin Aleks Komneni në shekujt XI-XII do t’i përdorë këto klose për t’u mbrojtur nga vërshimet e normadëve. Klosi ishte një ndër luginat të Arbërisë krahas asaj të Shkumbinit, ku normanët donin t’i zotëronin për të vazhduar rrugët drejt lindjes.

Klosi, emër i lashtë i sistemit të ruajtjes së rrugëve
Qenia e këtij vendbanimi këtu, me këtë emër tregon se ai kryente funksionin e ruajtjes së rrugës në itinerarin që kalonte luginës së Devollit (një degë jugore e rrugës Egnatia), pak e përshkruar në dokumente historike. Në shtigjet, qafat, në luginat ku kalonte ajo ka pasur kala, kulla dhe klose.. Vinte nga Apolonina dhe Antipatrea e lidhej me Scampinin. “Kjo degë duke ndjekur anën e djathtë të Devollit arrinte në Gostimë, ku Devolli kthen drejtimin nga veri - perëndimi në jug- perëndim, e prej këtej, pasi takohej dhe me rrugën e Korçës në luginën e Devollit, vijonte për në veri-lindje dhe në Jagodinë pasi merrte e rrugën e Belshit, më pas vijonte për në Shkumbin, tek ura e Topçiasit, që e lidhte me Scampinin (Elbasanin). Rrugë që ka vazhduar deri në mesjetën e vonë”. (V. Shtylla “Rrugët dhe urat më të vjetranë Shqipëri”, faqe 25).
Nga kalaja zbriste një rrugë që lidhej me nëndegën jugore të rrugës Egnatia. Një rrugë e shkurtër me një gjerësi prej 1–1, 5 m, e cila kalonte në shpatin shkëmbor, ndofta në të djathtë të këtij vendbanimi , e ndofta edhe mespërmes tij, por që nuk ka gjurmë të gjata, që të shprehemi më qartë. Kjo rrugë njihet me emrin “Rruga e Kaurrit.” Ajo nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe për arsye të terrenit të pjerrët, ku në disa vende vetëm dhija mund të kalojë. Gjurmët e kësaj rruge me gurë të mëdhenj e të shtruar me kujdes diku shfaqen diku humbasin mes shkurreve, dhe për të evituar gërryerjen nga shirat e shembjet ka pasur pragje në trajtën e shkallëve.

Kalaja, metaforë e historisë së këtij vendbanimi
Pothuajse një pjesë e historisë së Klosit, ndërlidhej me kalanë e Qafës. Cila është historia e kësaj kalaje dhe të dhënat arkeologjike për të? Kakaja e Qafës datohet si ndërtim i shekullit të VI, të erës sonë, e periudhës së perandorit bizantin Justiniani (526-565). Vendi i sheshtë, e mbizotërues, ku është ngritur ajo, në një nga lartësitë shkëmbore të kodrave të Sulovës, 624 m, është i mbrojtur nga jug-perëndimi prej shkëmbinjve, që e bënin të pamundur t’i afroheshin asaj, dhe vetëm pjesët lindore e veriore kanë mure. “Kalaja ka formën e një trapezi të ç’rregullt, dhe është e përbërë nga muri rrethues, 5 kulla që ndodhen 33, 5 m – 40 m larg njëra - tjetrës dhe një mur tjetër mbrojtës.” Ylli Cerova “Iliria” nr 2, viti 1987, faqe 159. Ajo përfshin një sipërfaqe rrethuese prej 0.8 ha, ku ka pasur banesa, që kanë shërbyer për luftëtarët e kalasë, familjet e tyre, e në raste sulmesh edhe për mbrojtjen e popullsisë. Teknika e ndërtimit, pozicioni ku është ngritur po të marrim parasysh mjetet e sulmit të asaj kohe, dëshmojnë se ishte një fortesë ushtarake në ruajtje të nëndegës së rrugës Egnatia. Kalaja e Qafës ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe studiuesve të arkeologjisë. Neritan Ceka dhe Aleksandër Meksi në studimet e tyre e përmendin shpesh emrin e saj. Gjerak Karaiskaj ka trajtuar anën teknike të ndërtimit të saj. Në vitin 1987 arkeologët Y Cerova, R Hasa dhe A Papajani kryen gërmime këtu, ku kanë gjetur: monedha, stoli, qeramikë, amfora, pitosa, objekte metalike, vegla pune, që konsiderohen si ndër me të rëndësishmet gjetje arkeologjike këtu. Ato janë tregues i zhvillimit ekonomik të jetës dhe luftës aty.
Arkeologu Neritan Ceka në librin “Ilirët’’, faqe 245, shkruan: “Nga kalaja në raste rreziku shkëmbeheshin sinjale me kala të tjera se siç dihet Iliria ka qenë e mbushur me një rrjet kalash mbrojtëse. Nga pozicioni ku ndodhej kalaja shikoheshin një sistem i tërë kalash malore si ajo e Mengëlit, Gracenit, Valshit, Galigatit, Antipatraeas asaj fushore të Skampinit etj dhe sigurisht, formonin pjesën lindore të zinxhirit fortifikues për Durrahun) si një bazë e fortë e perandorisë bizantine në atë kohë”. Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XII, kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohej nga princa feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk i rezistuan pushtuesve osmanë, ndaj dhe kalaja humbi rëndësinë si njësi mbrojtëse.
Një histori e njohur tregon qëndresën për të mbrojtur kalanë në kohën, kur Arbëria u pushtua nga turqit. “Hordhitë turke vijnë me mijëra ushtarë për të pushtuar kalanë. Betejë që u vazhdoi ditë e netë me radhë derisa një natë me dredhi ushtarët turq me të gjitha forcat arritën të thyejnë qëndresën e luftëtarëve. Hyrja e ushtrisë osmane, dhe marrja e kalasë u mundësua nga pjesa e përparme e saj. Pushtuesit natën maskuan një tufë dhish, duke u vendosur në brirët e tyre qirinjtë të ndezur dhe i nisën nga perëndimi i saj. Luftëtarët u përqendruan nga ky krah. Ndërkohë u sulmuan nga lindja, që ishte lënë e lirë dhe turqit mësynë, duke bërë gjakderdhje. Pas pushtimit, luftëtarët dhe banorët, u tërhoqën nga kalaja e vendbanimi afër saj, Klosi. Nuk i rezistuan barbarizmave, duke e lenë atë në dorë të pushtuesve.” Sot, me përjashtim të një fragment muri të ruajtur mirë, pjesa tjetër e kalasë së Qafës është shndërruar në grumbuj gurësh. Fatkeqësisht ato sa vijnë e po dëmtohen nga moskujdesi, nga arkëkuesit, duke gërmuar e rrëmbyer thesare të shumta.

Rrënojat e kishës ende psaltojnë
Në një kodrinë të vogël të këtij vendbanimi, si tumul, dhe me fushëpamje ruhen themelet e një kishe mesjetare (tip bazilike). Ajo u përket ndërtimeve kishtare të shekujve XIII – XIV, që kishin një përhapje të madhe. Egziston një rrëfim nga i cili mësojmë se rreth e rrotull ka pasur mbi dhjetë kasha, për të cilat disa dihet se ku janë, kurse për disa të tjera askush nuk di më shumë se kaq. Sipas studimeve, Bazilika e Klosit ishte ndërtuar në periudhën e lulëzimit të plotë të këtij vendbanimi. Studiuesi i fushës kishtare, Aleksandër Meksi e ka hulumtuar, duke shkruar në botime të ndryshme. Në revistën “Monumentet’’, Nr 5- 6, viti 1973, faqe 190 ai shkruan: “Bazilika e Klosit përbën një dëshmi me rëndësi, si ndërtim, në një zonë fshatare, sepse ndodhte rrallë që larg qyteteve, qendrave të mëdha urbane të gjendej një bazilikë. Me një arkitekturë të thjeshtë ajo përbën një ekzemplar me rëndësi për studimin e arkitekturës bizantine te ne, sepse është e vetmja bazilikë trenëfëshe me arkiada mbi pilastra”. “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, faqe 149. Ajo sot ruan pak fragmente muresh, 1 m të lartë, të rrethuar nga ferra e shkurre. Duke parë fotografitë e para 50 vitesh, kur muret e saj ishin të larta, dhe, kur vëzhgon pamjen e sotme kthyer në gërmadhë, pezmatohesh për shkatërrimin që i është bërë qoftë asaj nga njerëzit, agjentët atmosferikë, qoftë prej heshtjes për ruajtjen e saj, të ndikimit nga ideologjia e sistemit komunist për ndërtime të tilla me propogandën se tempujt fetar i shërbenin fesë, si “opium për popullin.”

Mikrotoponimet një dokument i heshtur
Këtu ekzistojnë mikrotoponime të shumta, të cilat mbartin histori, të mbetur në kujtesë, por fatkeqsisht askush nuk është ndalur seriozisht me to. Kështu, po sjellim vetëm disa prej tyre si: “Lekri, Shpardha, Kroi i Kaurrit, Guri i Nuses, Ponepthi, Garroçi, Kloset, Burimi i Borës, Guri i Bardhë, Guri i Kuq, Gjurmë e Mushkës , Hurdha e Çobankës, Kllapa e Kuqe, Marozi, Çorovani, Krorsi, Buzët e Bukura, Gjolla “etj
Aty, ku fillon Qafa e Madhe, në rrafshin e një pllake shkëmbore ishte një gjurmë mushke. Pranë saj fle legjenda, që ndër shekuj ka marrë trajta rrëfimi me njerëz fluturues, e cila thotë: “Në kohën e arbërisë, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka, e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, Çobanka për t’i shpëtuar turqve, që e kishin rrethuar me një ushtri të madhe në numër, “fluturon” së bashku me mushkën nga kalaja në një pllakë të gjerë shkëmbore e cila ende edhe sot identifikohet si Gjurma e Mushkës.” Interesant është edhe “Hurdha e Çobankës. “Këtu në këtë hurdhë (gropë për të mbledhur ujë) për të mos rënë në duart e turqëve fluturoi e ra me mushkën e saj, princesha e kalasë, nga kjo e mori emërtimin “Hurdha e Çobankës.” Toponimi “Kloset” ka rrjedhur nga fjala mbyllur, që me të vërtetë i përshtatet mjaft mirë vendit. Nga kjo ka rrjedhur edhe emërtimi në shprehjen e vetë popullit, Klose. Ndërsa “Lekri”, që do të thotë Leka i Ri, është një emër-vend i cili mund të ketë qenë pronë e një të pasuri.
Moria e mikrotoponimeve të këtij vendbanimi tregon shkallën e lartë të nivelit të jetesës e të organizimit shoqëror që ka pasur aty, por edhe një aspekt ku shpaloset lashtësia, e që ndriçon historinë e panjohur të kësaj treve.

Kur janë vendosur çengelat?
Afër këtij vendbanimi si mburojë është kreshta shkëmbor, e ndarë nga një qafë e madhe. Gjithkujt i tërheq vëmendjen një dukuri. Është fjala për disa shufra hekuri të ngulura në shkëmb, që në popull njihen si çengelat: Kush i ka vendosur ato? Përse ? Kur janë vendosur? Si i kanë vendosur? . Fakti është se, për këto hekura të ngulura, është folur shumë në Sulovë. Janë zmadhuar dhe hiperbolizuar ndoshta nuk kanë ekzistuar, por fryt i imagjinatës në kohëra.Thuhet, mos vallë, kanë shërbyer për ankorimin e anijeve në kohërat kur ujërat mbulonin këto lartësi?! Por, fakti që, materiali i hekurit është përdorur shumë kohë më vonë, e hedh poshtë këtë hipotezë. Për të janë thurur lloj-lloj historish, të cilat kanë marrë trajtën e një legjende. Ato janë përdorur nga banorët e vendbanimit, për të ndihmuar luftëtarët e kalasë në tërheqjen e ushqimeve dhe armatimeve me anë të litarëve. Sigurisht, për një dukuri të tillë fjalën e fundit e kanë studiuesit Por jo vetëm kaq. Në shpatin shkëmbor, ka guva të shumta (në popull “kllapa”), dhe një shpellë e njohur si “Shpella e Klosit”. Tek hyn brenda saj ke përshtypjen se futesh në një dimension me guva të thella. Disa banorë janë përpjekur, për të depërtuar në thellësi të saj, dhe asgjë më shumë se kaq. Aty janë gjetur skelete njerëzish, fosile kafshësh dhe objekte arkeologjike. Me këtë shpellë ndërlidhen histori interesante, që duhet të nxitë speleologët të bëjnë gërmime, për të vërtetuar nëse ka diçka nga ajo që përflitet aty, për lidhjen e këtij vendbanimi me kalanë e Qafës ndërmjet një tuneli enigmatik.

Kohët sollën luftëra dhe e rrënuan
Çfarë ndodhi me këtë vendbanim atëherë? Kur dhe përse është braktisur ai? Mos është shkatërruar nga ndonjë tërmet, epidemi kolere, apo mos vallë banorët janë larguar për t’iu shpëtuar barbarizmave të ushtrisë turke? Në rast se mund të qëndrojë kjo e fundit, ku mund të jenë shpërngulur ata, brenda apo jashtë trojeve shqiptare? Nuk përcaktohet koha e largimit, por në pamjen e përgjithshme të krijohet idea e një braktisje të kahershme. Disa dokumente na bëjnë të njohur faktin e shpërnguljes së popullsisë gjatë shekullit të XV në rrethanat e pushtimit turk, dhe banorët të gjendur në tmerrin e mizorive muarën rrugën për në terrirtoret e largëta të Epirit të Jugut. Një histori gojore tregon për shpërnguljen e banorëve. Ata “ikën me ato pak plaçka që mundën të merrnin me vete. Largoheshin, duke lënë pas një vend të begatë”. Kjo, të lind të drejtën të hamendësojmë se, ky vendbanim është rrënuar prej pushtuesve osmanë, atëherë kur u pushtua kalaja e Qafës . Nga thellësia e shekujve ka ardhur edhe historia se pas tërmetit aty u shua jeta dhe mbeti rrënojë.Si argument tjetër të largimit të banorëve mund të radhitet edhe epidemia e kolerës, për të cilën historitë dëshmojnë: “se një pjesë e mirë e banorëve vdiqën, ndërsa ata që shpëtuan zgjodhën për banim troje të tjera përreth, të mbuluar më keq nga varfëria”.
Pas largimit të banorëve gjithçka u kthye në gërmadhë, por në kujtesën e brezave qarkulloi historia e vendbanimit të dikurshëm shkëlqimtar. Me kalimin e kohës, ndodhi edhe proçesi i kundërt i ripopullimit, por jo aty, diku më poshtë në luginën e njohur të Devollit në dy fshatra të rinj, Klosi i Poshtëm dhe Selviasi.

PËLLUMB GORICA

P.S. Ndalohet riprodhimi i materialit pa lejen e autorit.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 619 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi